(Me rastin 16 nëntorit 1990, ditës së rihapjes të kësaj Xhamie)
NGA NDUE BACAJ
Që nga viti 1773 në historinë e besmit të Shkodres ka zënë një vend të rendesishem objekti i kultit Islam , “Xhamia e Plumbit”. Kjo Xhami ishte ndertuar në lagjen e vjeter “Qafe “ , sot “Tabake”, në breg të lumit Drin afër Kalasë…Historia e ndertimit të kesaj Xhamie i perket periudhes më të sukseshme të Pashallekut të Shkodres e më gjërë kur drejtohej nga Dinastia famemadhe shqiptare e Bushatelinjëve , që me luftë e perpjekje kishte fituar autonomin substanciale nga perandoria Osmane , duke marrë trajtat e një shteti të pavarur me shumë kufijë Etnik – Arbënor e njohur edhe nderkombetarisht…Perfaqësuesi më sinjifikativ i kësaj dinasti ka qënë Karamahmud Pasha i cili me dy prill të vitit 1786 (nga Potgorica) kishte shpallur Konfederaten Ilirike me pjesmarrjen e 500 delegatëve shqiptarë , të besimit katolik e musliman , të cilet ishin betuar me dorë në bibel e me dorë në kuran..
HISTORI NDËRTIMI E VLERSIMI
Studiuesi shkodrane Hamdi Bushati shkruan se Xhamia e Plumbit është monumenti historik ma i bukur ndër të gjitha objektet e tjera të lagjes “Tabake”, është ndertesa madhështore e artistike në stilin turko-arab , që ka terheq interesimin e vazhdueshem të vizitoreve…Xhamia e Plumbit është veper e Mehmet Pashë Plakut … Pllaka e gdhendur mbi porten e xhamisë është një dokument i padiskutueshem që shkruan se kjo xhami është një veper e ndertuar në vitin 1187 Hixhri , që me kalendarin e sotem Gregorian korespondon me vitin 1773 …1.Të dhënat e kronikaneve të kohes tregojnë se Mehmet Pashe Plaku xhaminë e ndertoi me gurë të gdhendur e të sjellur prej popullit me sistemin zinxhir (dorë më dorë) prej Gurit të Zi e deri në vendin e ndertimit…Mustafa Pasha jo vetem investoi , por edhe mori pjesë direkt në ndertimin e Xhamisë Plumbit , ku per ketë tregojnë edhe një “anektodë” e cila thotë se : “Kur një fshatare donte me i paraqitë Pashës një ankesë personale ,dhe e kishte marrë vesh se ai ndodhej në mes puntoreve , por nuk e dallonte , sepse ai ishte i veshur thjeshtë… Rastisi që personi ta pyeste (vet Pashën) se ku gjindej Pasha dhe mori pergjigjen që të priste pak. Pas perfundimit të punes , Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli perpara hallexhiut , që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij..” 2. Studiuesi tjeter shkodran Smajl Bala “tregon” se Xhamia ishte e ndarë në dy pjese: pjesa e jashtme ,që ishte pjeserisht e pa mbuluar, dhe salla e faljes e mbuluar me një Kube të madhe… afersisht 15 metra të lartë , aq sa është edhe lartesia e xhamisë…Në pjesen e jashtme (pjesa e hyrjes në xhami ) , faleshin besimtaret që vinin me vonesë dhe kishte këto përmasa : gjatësi 15 metra dhe gjerësia 13 metra. Kjo sallë kishte katër dyer…katër dritare në ball të hyrjes , katër në anësoren majtas dhe tre dritare në anesoren djathtas. Të gjitha dritaret ishin me grila hekuri e të stilizuara.. Kishte edhe dy dritare nga një anësore , që janë të salles së faljes. Harqet dhe bordurat anësore të dritareve që gjinden në pjesen e hyrjes të xhamisë janë të zbukuruara me dekoracione “bimore” (Imitime në forma të bimve dhe luleve, N.B.). Pjesa e Brendeshme ( salla e faljes)..është në formë katerore 10 X 10 metra. Ajo ka derën e hyrjes dhe një paradhomë të hapur nga salla .., ose vendi ku rrinte Imami në xhami… Në fasadë ka pesë dritare të vogla , ku njera është më e lartë , gjithashtu salla ka tetë dritare poshtë dhe kater lartë. Kubeja është tetëkëndëshe ,ku secili kend ka nga një dritare te vogel… Ka pasur edhe çardakun prej dërrase… parmakë dekorativ… shkallë dërrase per tu ngjitur në çardak dhe që komunikonte me deren për t’u ngjitur në minare. Në mes të Kubes që mbulonte sallen e faljes kishte të varur në vargj (zinxhirë) hekuri një shandan me kandila qelqi , që fillimisht funksiononin me vaj ulliri , me vonë me vaj guri e llampa elektrike… Dyshemja ka qenë e shtruar me çimento dhe me matriale izoluese nga lageshtira. Përsipër ishte e shtruar me qilima. Ka pasur edhe rafte per vendosjen e këpucëve…3. Por më interesantja ka qenë se Salla e faljes ka pasur edhe kanalin e zërit që deportonte nepermjet mureve në të gjitha ambientet e Xhamisë… Minarja është ndertuar me gurë të gedhendur të lidhur me hekur dhe pikur me plumb.
XHAMIA NË FOKUSIN E STUDIUESVE TË HUAJ
Ky objekt kulti me vlera të medha besimi ka terhequr vemendjen e studiuesit dhe ish konsullit francez në Shkodër, Hekard (Hecquard) i cili shkruan se vetem njëra nga Xhamit të terheq më shumë vemendjen , Xhamia e Plumbit e ndertuar nga Pasha Bushatli i Shkodrës. Kjo xhami kupolat e saj i ka të mbuluara me plumbë dhe të mbeshtetura mbi kolona graniti , me kapitele të uredherit Korintas… Në të njejten kohë (me xhaminë ) Pasha ndertoi uren e Kirit…Ura ka qënë e ndërtuar (mbi lumin Kir) në vitin 1768 jo shumë largë vendit ku ujrat e tij derdhen në Bunë . Ajo urë sherbente per të lidhur qytetin me fshatin e madh Bahçallek . Konstrukti i fortë i kesaj ure , harqet e larta e të guximeshme , si dhe gjigantizmi i saj paraqesin një pamje që gjithsesi të imponohet…4.
Është interesant se sipas Hekardit Ura dhe Xhamia janë ndertuar në vitin 1768 , pra pesë vite më heret se shkrimi i gjetur në pllaken e derës së xhamisë. Per ketë ne mendojmë se viti 1768 eshte koha e fillimit të projektimit e ndertimit të xhamisë, ndersa viti 1773 është viti i inagurimit të ndertimit të plotë. Studiuesi dhe albanologu i njohur i shekullit XIX-të Johan Georg Hahn pershkruan me nota brilante natyren dhe xhamin e plumbit ,ku ndër të tjera citoj: ”Nga Juglindja syri të sheh fushen e Drinit dhe vargjet e bukura të maleve që si në panoramë vijnë njeri pas tjetrit.. Perpara shkon rruga e gjatë e lagjes së Tabakeve, në mes kodrave dhe Kirit ,i cili në perendim të kodrës së Kalasë bashkohet me Drinin. Mbi lumin Kir është e ndertuar një Urë Guri …me të cilen lidhen me lagjen e Bahçallekut… Lagja e Tabakeve ka një xhami të bukur të mbuluar me pllaka plumbi..5. Një studiues i njohur italian (Ermanno Armao) duke shkruar per disa vepra ndertimi me vlera (si Ura e tjer) në Shkoder do të “thoshte” ; Vëreni harten tonë dhe shihni se që në atë kohë (shekulli XVII), ishin Dy Ura, ndoshta prej druri ; njera mbi Bunë më poshtë se ajo e sotmja prej hekuri , dhe tjetra mbi lumin Kir , e zevendesuar njeqindë vjet më vonë me një urë guri, kur u ndertua edhe Xhamia e Plumbit në vitin 1773… Ura e gurit mbi Kir është rrezuar nga ujerat e rrembyeshem të Drinit në vitin 1880 , kjo urë gjindej në mes Xhamisë Plumbit dhe ures së sotme të Bahçallekut ..6. Vlen të kujtohet se Ura e ndertuar nga Mehmet Pash Plaku (Bushatliu) kundrejt lagjes “Ajasem” ose “Tabake” kishte lidhje me rrugën tregtare Shkoder-Lezhë të shekullit XVIII…
“FATI” I NDËRTUESIT TË XHAMISË
Ndertuesi dhe themeluesi i Xhamisë së Plumbit Mehmet Pasha ka pasur varrin (dhe tyrben..) ngjitur me xhamin në anën e djathtë të murit , në skuten për nën minare , në pjesen e qarkueme me hekura të trashë dhe që ishte e mbuluar me pullaz , siç e vertetojnë fotografit e vjetra. Si rezultat i permbytjeve të vazhdueshme , lymi i lumit ka arritur deri në dritare ,duke mbuluar edhe varrin e Pashes , per të cilin flitet se është vet i dytë..7, ku një studiues shkodran shkruan se varri i dytë ketu sipas gojdhenave ka qenë i Ibrahim Pashes. Ndersa në hyrje të oborrit të Xhamisë ka qenë një ndertese e vogel ku brenda saj ka pasur një saraxhë uji.8.
XHAMIA NË MES DEKADAVE E SHEKUJVE
Xhamia si çdo objekt tjeter i ndertuar nga dora e njeriut është ndeshur ndër dekada me pasojat e shekujve dhe shekullareve.. Ndaj per t’i perballuar këto pasoja ka pasur nevojë disa herë të riparohet , gjë që konfirmohet per herë të parë në vitin 1863. Në vitet e pushtimit Austro-Hungarez (1916-1918) xhamisë fatkeqesisht iu dëmtua shtresa e plumbit (duke iu grabitur). Në vitin 1920 ky dëm u riparua. Në vitet 1930 ranë disa gurë të minares, ndersa në revisten “ Zani i Naltë” të vitit 1938 jepet alarmi se Xhamia e Plumbit ndodhet në shkaterrim e siper prej vershimeve të lumit Drin per çdo vit , sa të thuash se krejt xhamia brenda është mbushur me lym (dhe), si dhe minarja e kësaj xhamie mbas pak kohet rrezikohet per të rënë… Xhamia e Plumbit në vitin 1930 e kishte pushuar aktivitetin fetarë..9. Me gjithë rrokopujat historike , xhamia e plumbit me ndihmen e besimtareve kishte mbijetuar dhe fituar statusin “ monument kulture “. Në vitin e zi atesit 1967 Xhaminë e Plumbit e goditen dy fatkeqësi , së pari një rrufe që i këputi pergjysëm minaren e bukur të ndertuar me gurë të latuar, që dukej madheshtore prej së largu, 10, dhe së dyti “lufta” kundër besimeve që shpalli shteti komunist. Në fakt Xhamia e Plumbit nuk u shkaterrua me kulm e themel , si shumë objekte kulti të besimeve muslimane e kristiane , por u la thuajse në harresë… Si për çdo veper që është ndertuar në emer të Zotit edhe per Xhamin e Plumbit me16 nentor të vitit 1990 vjen dita e rilindjes saj . Hafiz Sabri Koçi në një miting madheshtore (ku muaren pjesë besimtare musliman e kristian) ,”deklaron” rihapjen e e ketij tempulli të Zotit. Që nga ajo ditë kjo xhami me ndihmen e Krijuesit të gjithësisë dhe vullnetin e besimtareve iu kthye normalitetit , por ky normalitet sot (shpesh) rrezikohet nga vershimet e ujrave të Drinit , që shpesh pa meshirë kerkojnë t’a perpijnë …
Foto e “mitingut”me rastin e rihapjes së xhamisë së plumbit, 16 nëntor 1990
R E F E R E N C A T :
1. Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet .I. fq.56.
2. Hamdi Bushati ,po aty fq.58.
3.Smajl Bala ,Institucionet Islame dhe Hoxhallaret e Shkodres,fq.128-131.
4.Hyacinthe Hecquard ,Historia dhe pershkrimi i Shqiperise se Eperme ,ose i Gegerise ,fq.42-43.
5.Johan Georg Hahn ,Studime Shqiptare ,fq.136.
6.Ermanno Armao ,Vende , kisha , lumenj , male e toponime te ndryshme te nje harte te lashte te Shqiperise Veriore, fq.116.
7.Hamdi Bushati ,po aty ,fq.57.
8.Smajl Bala , po aty, fq.128-131.
9.Smajl Bala , po aty, fq.128-131.
10.Hamdi Bushati , po aty ,fq.57-59..
Like
Comment