• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rusia, koloni kineze?

November 5, 2022 by s p

Tomasz Kamusella

Universiteti i Shën Andreas

Raportet për invazionin rus në Ukrainë vatërzohen nga dita në ditë në ngjarje të frikshme: Trimëritë ukrainase, gënjeshtrat e Kremlinit, të ikurit ukrainas dhe propaganda ruse.

Kur diskutohen shkaqet rrënjësore të vendimit fatal të presidentit rus për ta sulmuar Ukrainën, pak komentatorë shkojnë përtej frazës domethënëse “Imperializmi rus”.

Ajo frazë nuk është vetëshpjeguese por është gjithë shpjeguese.

Imperializmi i ri rus

Në të vërtetë, elita sunduese ruse e ka përqafuar këtë ideologji imperialiste. Duket se kjo i jep një koherencë narrative zyrtare historike. Kështu që procesi i ndërtimit të Rusisë nuk duket si diçka e përgjakshme dhe biznes oportun vjedhjesh, pushtimesh dhe grabitje territoresh ku ka qenë e mundur.Kështu është themeluar dhe “zhvilluar” Rusia ose ka qenë më mirë.

Në fillim të viteve 2000, imperializmi rus u riquajt Bota Ruse ose më gjatë “Bota Ruse dhe Paqja”. Vetë në Rusi në përdorim ky koncept shënon atë që mund të shënonte në anglisht formulimi i Huntingtonit “Qytetërimi rus (ortodoks)”. Duke rënë sërish në këtë koncept, ideologët dhe propagandistët rusë mëtojnë se Rusia nuk ka qenë as nuk mund të jetë një perandori. Por ajo është shteti tokësor më i madh në botë , është një fuqi dashamirëse dhe aktualisht “anti-imperialiste” dhe :anti-kolonialiste” në karakterin e vet.

Moska fajëson në mënyrë të rreme imperializmin e ditëve të sotme në metropolet e dikurshme koloniale perëndimore. Kanë qenë Britania dhe Franca që ende i kanë mbajtur dhe zgjeruar perandoritë e veta përmes pushtimesh, dhe jo Federata Ruse.

Dilema e Brzezińskit

Neoimperializmi rus i sotëm i Botës Ruse është një ide mjaft e paqartë që nuk përbën një doktrinë, që mund të zbatohet në praktikën politike dhe ushtarake. Prandaj ajo nuk e ka drejtuar analizën politike të Kremlinit, që aktualisht solli në vendimin për të shpërthyer sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës me qëllim për ta fshirë këtë shtet nga harta politike e globit.

Tre dhjetëvjeçarë më parë, pasi ra komunizmi dhe u shpërbë Bashkimi Sovjetik, këshilltari i atëhershëm për sigurinë kombëtare i SHBA, Zbigniew Brzeziński u pyet se çdo të ndodhë me Rusinë në të ardhmen. Përgjigjia e tij ishte diçka e zymtë.

Sipas tij, Rusia pas sovjetike kish opsionin të bëhej “një shtet normal europian” (shtet kombëtar) ose një koloni e Kinës..” [1]

Zgjedhja e Rusisë

Në vitet 1990, Rusia e shpresuar nga Perëndimi do të zgjidhte opsionin e parë. Elitat reformiste dhe liberale të vendit ishin për kapitalizmin, demokracinë dhe aleancën me Perëndimin. Në një farë mënyre, kjo që nja vazhdim i politikës së udhëheqësit të fundit sovjetik Mikhail Gorbachev me perstrojkën (një ekonomi tregu më e lirë) dhe glasnostin (më shumë liri politike).

Por ky muaj mjalti gjeopolitik në fundet e luftës së ftohtë nuk zgjati shumë. Presidenti i parë rus Boris Yeltsin, vendosi autokracinë si një sistem i përshtatshëm qeverisjeje të Federatës Ruse dhe lejoi rritjen  e kapitalizmit të stilit oligarkik. Më në fund, Yeltsin e fuqizoi këtë sistem shtypës që privilegjon shumë pak njerëz, duke vendosur një ish oficer të KGB, Vladimir Putinin, në majë, si pasardhësin e tij, dorë e zgjedhur, në vitin 2000.

Presidenti i ri rus, shkallë – shkallë, e ktheu Rusinë në një diktaturë autoritare, duke u vendosur për kursin totalitar të stilit sovjetik para sulmit ndaj Ukrainës në 2014 dhe luftës në shkallë të gjerë në 2022.

Ndërkohë, në 2005, duke folur para DUMA-s (Parlamentit rus), ai shfaqi mendimin se “shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit 20”.’[2],[3]

Dy vjet më pas, në Konferencën e Sigurisë në Munich, zoti Putin akuzoi SHBA për mbizotërim të pavend të botës dhe paralajmëroi Perëndimin që t’u rrijë larg kufijve të ish tërritoreve sovjetike në Europë..[4]

Sipas opinionit të Kremlinit, Rusia duhet ta rifitojë statusin e saj si superfuqi globale. Ky objektiv duhet të arrihej me kërcënimin e arsenalit më të madh bërthamor botëror dhe falë rrjeteve gjithnjë e më të mëdha të tubacioneve të naftës dhe gazit në disponim, që përdoreshin si armë, që e bënë Europën të varur nga vullneti i mirë i Rusisë. Kur në vitin 2008 Perëndimi nuk reagoi ndaj pushtimit nga Rusia të një të pestës së territorit gjergjian, kjo u quajt si një miratim për programin revanshist të presidentit rus. Moska tatoi opinionin e Perëndimit përsëri më 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë ukrainase. Nuk u ndërmorën raprezialje të rënda, me përjashtim të sanksioneve pa dhëmbë që u ngritën shkallë – shkallë në 2019, pavarësisht faktit që Rusia vazhdoi një luftë me intensitet të ulët në Ukrainën lindore. Monedha ruse i shkeli parimet demokratike.

Konsensusi i Pekinit

Kina Komuniste u tregue mjaft mosbesuese ndaj reformave të Gorbaçovit. Ajo ndoqi llojin e vet të komunizmit “me karakteristika kineze” dhe kursin e vet të reformave. Masakra në sheshin Tienanmen më 1989 ishte një pikë kthese. Pekini e përqafoi përfundimisht kapitalizmin (perestrojkën) por kundërshtoi fort çdo hapje ndaj demokracisë. (Glasnostit), duke favorizuar totalitarizmin me teknologji informative të lartë. Në vitin 2019 u kremtua 70-vjetori i themelimit të RPK.

Putini ishte i zemëruar që Bashkimi Sovjetik jetoi vetë 69 vjet, nga 1922 derisa sa u shpërbë në 1991

Sipas mendimit të presidentit të Rusisë, po të kishte qendruar si Kina në konsensus me kapitalizmin totalitar, Bashkimi Sovjetik do shpëtonte. Tani është saktësisht i njëjti sistem që u përmbush në Rusi nën sundimin e Putinit që 22 vjet rresht. Diktatori në majë qeveris duke përdorur metoda totalitare, ndërsa ekonomia zhvillohet në përputhje me parimet e tregut të lirë. Padyshim, sikurse Kina, oligarkët duhet tu binden dëshirave të diktatorit, përndryshe u bllokohen asetet, burgosen dhe shpesh vriten.

Lufta e 2022 në Ukrainë

Më 24 shkurt 2022, presidenti rus urdhëroi një luftë në shkallë të gjerë në Ukrainë.

Vendimi parashikonte kapjen e shpejtë të kryeqytetit, Kievit, dhe shpartallimin tërësor të ushtrisë ukrainase brenda disa ditësh, e shumta një javë. Një fitore kaq e shpejtë do ta konfirmonte statusin e Rusisë si superfuqi globale. Me dashje apo pa dashje bota duhet ta njihte këtë, përfshi SHBA dhe Kinën. Duke grabitur territorin e Ukrainës dhe popullsinë e saj, po ashtu burimet ekonomike dhe asetet e tjera, pritej ta rimëkëmbëte ekonominë e dobësuar ruse për shkak të luftës dhe sanksioneve.

Kremlini shpresonte gjithashtu që zgjidhja e Perëndimit do shkrihej shpejt, përderisa disa vende europiane, të udhëhequra nga populistë pro Moskës do e zgjedhnin monedhën ruse dhe hidrokarburet në vend të demokracisë. Miliona të ikur ukrainas, shantazhimi me naftën dhe gazin nga ana e Moskës do ta siguronin këtë rezultat. Në këtë mënyrë, Europa do binte sërish në sferën ruse të ndikimit politik dhe, çka është me rëndësi, në zonën kineze të mbizotërimit të fortë ekonomik. Më pas, zhvillimi do ta katapultonte Moskën në një partner politik të rëndësishëm të Kinës përballë bllokut perëndimor.

Prandaj një fitore e shpejtë në këtë luftë imperialiste të pajustifikuar kundër Ukrainës paqësore do t’i mundësonte Kremlinit t’i shpëtonte dilemës së Brzezińskit.

Rusia mund të bëhej një superfuqi e tretë, krahas Kinës dhe SHBA dhe do i dilte para Indisë. Forca ushtarake, arsenali kërcënues bërthamor dhe pushtimet imperialiste

do i ndihnin Rusisë  në proceset demografike dhe ekonomike. Për më tepër, aleanca ruso-kineze do ta ndryshonte përgjithmonë balancën globale politike dhe ekonomike kundër Perëndimit dhe demokracisë.

Tani e dimë fort mirë që ka qenë një keqllogaritje dhe dështim i shërbimeve të inteligjencës dhe të ushtrisë së stilit sovjetik, që i kish verbuar komandantët e lartë të saj. Pavarësisht humbjeve të tmerrshme njerëzore dhe ekonomike, Ukraina nuk u mposht dhe tani për tani përpiqet të dëbojë të gjitha trupat pushtuese nga toka e vet brenda një ose dy vjetësh. Perëndimi nuk u përflak nën trysninë e propagandës ruse, shantazhit me naftë dhe gaz si dhe përzierjes në punët e brendëshme të vendeve të BE dhe SHBA.

Në arenën ndërkombëtare, Rusia u bë një shtet që mund të mbështetej vetëm te Bjellorusia, Eritrea dhe Korea e Veriut.

Kina dhe India janë distancuar nga ky vend dhe lufta e tij katastrofike dhe politika ndërkombëtare. Sasia e paparë dhe shumëllojshmëria e sanksioneve të vëna Rusisë pritej ta mbysnin ekonominë edhe ashtu të dobësuar. Por, në të kundërt me parashikimet, ajo po mbahet ende mirë, falë pagesave nga Perëndimi për shkak të uljeve e ngadalta të furnizimeve me gaz dhe naftë. Me terma të buxhetit të Rusisë, kostua e luftës nuk e kalon të ardhurën nga këto pagesa. Kështu, tani në fund të 2022, Kremlini ndërmori një mobilizim tjetër të detyruar ushtarak të popullsisë pa dëshirë të vendit. Kjo masë i dha mbështetje ushtrisë së lëkundur ruse, por ia hoqi ekonomisë miliona për teknologjinë e informacionit dhe specialistët e tjerë, që ia mbathën jashtë vendit. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi politike tani për tani, por opinion publik i vendit po kthehet kundër luftës.

Një koloni kineze

Rusia është sërish në kafazin paskomunist të dilemës së Brzezińskit. Me tregjet e Perëndimit, të mbyllura për brezat që vinë, Kremlini nuk ka zgjedhje tjetër veçse t’ua shesë karbohidratet e veta me çmime më të ulta Kinës, Indisë dhe ndonj vendi antiperëndimor në Jugun e globit. Por kostot e transportit për këto vende, që janë shumë më larg se sa Europa do bëjnë që fitimi do jetë më i pakët. Deri në një të ardhme bukur të largët, nuk shihet mundësia për tu kthyer në nivelet e mëparëshme të bashkëpunimit politik të pas luftës së ftohtë me BE dhe SHBA.

Situata e shtyn Kremlinin të kthehet nga Pekini..[5]

Por Kina nuk dëshiron ta humbasë qasjen e saj ndaj tregjeve perëndimorë, që do ta dëmtonin rritjen e saj ekonomike të bazuar në eksportin. Mbështetja ekonomike, ushtarake dhe humanitare e Perëndimit për Ukrainën tregon se demokracitë e tjera priren të ndihmojnë cilëndo shtet demokratik, që nuk durohet dot nga ndonjë fuqi perandorake totalitare. Ky është një paralajmërim për Kinën Komuniste se një pushtim i Taivanit demokratik do ishte me kosto jashtëzakonisht të lartë në terma ushtarakë, politikë dhe, mbi të gjitha, ekonomikë.

Një Rusi e ardhëshme, që e ka humbur statusin e vet ndërkombëtar dhe ekonomik, falë një disfate të ardhëshme në luftën që vazhdon Rusi-Ukrainë, nuk do bëhej kurrë partnere e Kinës. Në rastin m të mirë, një Rusi kaq antieuropiane dhe antiperëndimore do mbijetonte si një shtet – klient kinez, me ekonominë e varur ndaj nevojave të Pekinit.  Kinezërimi i mëpastajmë i ekonomisë ruse, bashkuar me rënien demografike të vendit, do ta hapte Rusinë ndaj imigracionit kinez. Mbase, pas një ose dy brezash, Siberia jugore do të popullohej me shumicë kineze.

Si rezultat, herët ose vonë, Rusia do kthehej në një koloni kineze, në kuptimin politik, ekonomik dhe kultural, në mos në atë të mirëfilltë.  Do ishte një perandori Rrip dhe Rrugë kineze politike dhe ekonomike që shtrihet nga Shën Petersburgu dhe Bjellorusia në perëndim deri në Vladivostok, Korea e Veriut, Hongkongu dhe Myanmar (Birmani) në lindje.

Tetor 2022

Tomasz Kamusella është Lektor (Profesor i jashtëzakonshëm) për Historinë moderne të Europës qendrore dhe lindore në universitetin e Shën Andreas në Skoci. Monografitë e fundit janë: Pastrimi etnik gjatë Luftës së Ftohtë (Routledge 2018), Gjuhët politike dhe sllave (Routledge 2021) dhe Perandoritë euroaziatike si projeksione për Etiopinë (Routledge 2021). Referenca e tij “Fjalët në hapësirë dhe kohë”: një atlas historik i politikave gjuhësore në Europën moderne qendrore është e disponueshme si botim i hapur për publikun.

Përktheu Bardhyl Selimi, 4 nentor 2022


[1] https://www.csis.org/features/zbigniew-k-brzezinski

[2] https://www.independent.co.uk/news/ëorld/europe/putin-collapse-of-the-soviet-union-was-catastrophe-of-the-century-521064.html

[3] https://www.youtube.com/watch?v=hcpINU5zxFU

[4] https://www.politico.com/news/magazine/2022/02/18/putin-speech-wake-up-call-post-cold-ëar-order-liberal-2007-00009918

[5] https://rusi.org/explore-our-research/publications/commentary/why-putin-turning-russia-chinese-client-state-and-how-stop-it

Filed Under: Uncategorized

Kullat në Marjan të Oparit në kohën e Ali Pashë Tepelenës

October 9, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Marjani,fshat në krahinën e Oparit për therë të parë përmendet në ky memorien e Gjon Muzakës, ku kjo dinasti e madhe mbarështronte blegtorinë në malin e tij të përmendur. Banorët e tij janë të përmendur si ndërtues dhe mjeshtra popullorë të ndërtimit të shtëpive, urave dhe kullave.Në shekullin e XVII-XVIII-të, ku fshat kishte më tepër se 280 shtëpi të mëdha, të ndërtuara majë shkëmbinjve, që nga larg dukeshin si kala. Në to rridhte uji i ftohtë, që vinte nga Ostrovica. Rrugët i kishte të shtruara me kalldrëm. Gjatë kohës kur krahina e Oparit hyri brenda kufijve administrativë të Pashallëkut të Janinës, edhe aty si në gjithë Shqipërinë u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike, të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative. Sipas Pouqueville, me porosi të Ali Pashë Tepelenës, arqitekti shqiptar Petro Korçari, ndërtoi në Epir më shumë kala se ç’rrënoi qytete në kohë të tij konsulli romak Paul Emili. Ali Pasha kishte ndërtuar fortesa të vogla ose kulla kudo në Pashallëkun e tij. Përveç kështjellave dhe godinave administrative, Ali Pasha Tepelena ndërtoi dhe vepra publike si hane, çesma publike, kanale rregullues dhe lundrues etj.

Foto nga Shqipëria në 1928 të Teki Selenicës

Filed Under: Uncategorized

MISIONARI I SË VËRTETËS…Nderim At Zef Pllumit

September 7, 2022 by s p

Eugjen Merlika/

Thonë se në lashtësi, në një nga vendet e Lindjes, një mbret i ri, i sapo kurorëzuar në moshën njëzet vjeçare, ishte i etur të njihte historinë e njerëzimit. Thirri pranë tij dijetarët e mbretërisë  dhe i ngarkoi atyre detyrën t’a shkruajnë atë. Mbas dhjetë vitesh pune para mbretit u paraqitën dijetarët me një karvan prej njëqind devesh të ngarkuara me rrasa guri, në të cilat ishte shkruar historia. Mbretit i u duk një punë shumë e lodhëshme leximi i tyre e kërkoi përmbledhjen e saj.

Dhjetëvjeçarët kalonin. Historianët e moçëm e pasonin detyrën tek te rijtë. Pakësohej numuri i deveve me rrasa guri por mbreti, tashmë i përthyer nga problemet e qeverisjes e pa entuziazmin e djaloshit njëzet vjeçar, nuk vendoste të mësonte historinë aq shumë të dëshiruar. Në shtratin e vdekjes, me sytë e shuar  dhe flokët e zbardhura, i cëmbonte në tru mendimi se po largohej nga kjo botë pa njohur të shkuarën e saj. Mblodhi si dikur dijetarët e mbretërisë e u kërkoi që, me pak fjalë, t’i bënin të mësonte historinë e njerëzimit. Atëhere më i moshuari i tyre u afrua pranë shtratit dhe i tha: “ Madhëri, njeriu lind, jeton dhe vdes. Kjo është historia e njerëzimit.”

Në këtë hark kohor, në të cilin dy pikat anësore përfaqësojnë ardhjen dhe largimin nga kjo botë, rrjedhin në të gjithë larminë e tyre jetët e njerëzve të cilat, të bashkërenduara nga kode rregullash e ligjesh, bashkohen si vijat e ujit në shtratin e një lumi për të formuar shoqëritë e kombet. Rrjedhat e tyre përfundojnë në detin e gjërë që është njerëzimi e ndërthurja tyre përbën atë që quhet historia e njerëzimit. Çdonjeri prej nesh është një pikë uji në oqeanin e madh të njerëzimit, por jetët dhe personalitetet e njerëzve nuk shëmbëllejnë si pikat e ujit. Ata kanë secili të veçantën e tij, duke filluar që nga pamja e jashtëme për të përfunduar tek bota e brëndëshme e padukëshme e mendimeve, ndjenjave, fantazisë, vullnetit, aspiratave, sendërtimi i të cilave përcakton rolin dhe vendin që secili ze në bashkësinë në të cilën jeton. Ai rol e ai vend janë tregues të jetëgjatësisë së individit në kujtesën e përgjithëshme gjatë jetës dhe mbas fundit të saj tokësor. Ndërsa mbi shumicën e stërmadhe të emrave bie pa mëshirë pluhuri i harresës, mbi pak prej tyre ai nuk ve shtresë, nuk arrin t’i mbulojë.

Një prej këtyre emrave është ai i At Zef Pllumit, jeta tokësore e të cilit u ndërpre në mbrëmjen e vonë të 25 shtatorit, në një nga spitalet më të njohura të Romës, në Polikliniko Gemmelli. Parabola e jetës së tij filloi në mars 1924, një vit fatal për demokracinë shqiptare, në zemrën e Arbërisë së lashtë, në malësinë e Lezhës, ku Skënderbeu thirri Kuvendin themelues të Lidhjes shqiptare dhe përfundoi në kryeqytetin mijravjeçar të botës antike, në Romën e përjetëshme. Ajo qe një varg i gjatë mundimesh, vuajtjesh, dhimbjesh e sakrificash të pafundme që dhuna komuniste pa mëshirë i hodhi mbi shpinë, si orteqet e borës së Alpeve të Shqipërisë, që kur ishte një djalosh i ri e deri sa trupi u kërrus nga pesha e tyre dhe e moshës. Gati gjysma e jetës burrërore të  tij kaloi nëpër burgjet politike të Shqipërisë komuniste.

Ishin ata kampe vdekjeje e pune të detyrueshme, në njëzet vitet e para të diktaturës, tempujt e shqiptarizmit ku ishin mbyllur mëndjet më të vyera e më cilësore që kishte Shqipëria edhe se të kthyera në kavie sprovash nga kriminelë me pushtet, para të cilëve Jozef Mengele ishte një kopje e zbehtë. Prej bisedave të tyre prifti i ri mësonte historinë dhe bëmat e tokës amtare, i depozitonte thellë në kujtesën e tij të pazakontë, për t’i rrjeshtuar më vonë në veprën e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregue”. Ata njerëz, dikur elita kulturore e kombit, me trupa të shtrembëruara nga torturat, uria e puna shtazore, ishin për te si hojet e bletëve ku ai gjente nektarin e dijes njerëzore dhe substancat e koncentruara të karakterit e të moralit të shqiptarit.

At Zef Pllumi ishte një personalitet shumëplanësh. Ishte prift katolik, i vendosur të predikonte fjalën e Krishtit e të zbatonte mësimet e tij. Ishte një vrojtues i hollë i njerëzve, i jetës e dukurive të saj, cilësi këto që përbënin humusin e mjeshtërisë së shkrimtarit. Por ai nuk ishte vetëm shkrimtari katolik, ishte dhe tribuni i fjalës së lirë, ishte qytetari demokrat që jetonte me problemet e përditëshme të Vendit të tij, që nuk merrej me politikën aktive por e shikonte atë me syun kritik të atdhetarit, të dashamirësit të  fateve të popullit të tij. Si meshtar katolik i takoi të përballonte, së bashku me kolegët e tij, furtunat më të fuqishme që historia bashkëkohore ruajti për Kishën katolike. Besoj se nuk ka  institucion, në botën e diktaturave të shekullit të shkuar, të meritojë titullin e martirit më shumë se Kisha katolike shqiptare. At Zef Pllumi ishte një shërbyes i bindur e besnik i saj. Si i tillë ai e mbajti kryqin mbi shpinë gjatë gjithë jetës. Kalvarin e tij e përballoi me guxim, përvuejtëri, kurajo e stoiçizëm, duke qëndruar në këmbë, pa u rrëzuar, me besim të patundur në ndihmën e Zotit, me shpresën e palëkundur në fjalën e Krishtit. 

Ishte afër të shtatëdhjetave kur rifilloi të predikojë në kishën e Shën Andoit në Tiranë. Në atë proçes të gjatë e të fuqishëm që ishte ringjallja e Kishës katolike shqiptare At Zef Pllumi mbeti një famullitar i thjeshtë, nuk u ngjit në hierarkinë e krijuar rishtas e, thuhet, se marredhëniet me të nuk ishin idilike. Nuk jam në brendësi të atyre marredhënieve, por nuk më duket bindës fakti që një martir me curriculum vitae dhe aftësitë intelektuale të tij të mbetej një famullitar i thjeshtë në një vend si Shqipëria, Kisha katolike e së cilës kishte pësuar valën asgjësuese më shkatërrimtare që kishte njohur në historinë e saj dymijëvjeçare. Të mbijetuarit e asaj vale meritonin më shumë vëmëndje….

Sot Zefi është takuar me etërit e tij shpirtërorë, ata klerikë, atdhetarë e demokratë të masakruar nga komunizmi, që aq shumë ndihmesë i dhanë formimit atdhetar të shqiptarëve e kulturës së tyre. Ai ka shkuar ballëhapët dhe ata e kanë pritur me shumë dashamirësi, mbasi Zefi i vogël, që ata e kishin patur nxënës në bangot e Kolegjit françeskan, e kaloi provën më së miri. Ai arriti në majat e jetës kulturore të popullit të vet dhe amanetin e tyre për të dëshmuar të vërtetën e sendërtoi plotësisht. “Rrno vetëm për me tregue” kishte qënë porosia e atyre që patën largpamësinë të parashikonin tragjedinë e dhimbëshme që do të përplasej mbi Shqipërinë. At Zefi e tregoi atë mbas një gjysëm shekulli, thjesht, pa shtesa e zbukurime, duke na lënë një vepër të pavdekëshme. Në të ai na tregoi historinë tonë të vërtetë, me hollësitë e saj të llahtarëshme, atë histori që, ende sot, shumë kujt në Vendin tonë nuk i vjen për mbarë t’a shohë të shkruar e, aq më pak, të nxënë nga brezat e rinj.  

  Nëpërmjet shkrimeve të tij e faqeve të Hyllit të Dritës, revistës të të madhit At Gjergj Fishta, të cilën ai e ringjalli për lexuesit shqiptarë, At Zefi foli me gjuhën e meshtarit e të martirit të fesë, të apostullit të kulturës e kultivuesit të vlerave të pavdekshme të popullit të vet por, mbi të gjitha, me gjuhën e së vërtetës. T’a respektojmë të vërtetën, mos t’a dhunojmë e shtrembërojmë atë, t’i qëndrojmë besnikë pasqyrimit të saj edhe atëherë kur nuk shkon në dobinë tonë, këta ishin mësimet që At Zef Pllumi na la si porosi nëpërmjet jetës e veprës së tij.

Ai e shpalli dhe e mbrojti të vërtetën në të gjitha format dhe shfaqjet e saj, në shkrime, predikime, biseda e sugjerime për politikën e mbarëvajtjen e shtetit dhe te shoqërisë. Ishte ky parim që e bëri veprën e tij jo vetëm dëshminë më të fuqishme artistike të dikaturës komuniste shqiptare, por edhe bartëse të një mesazhi të fortë moral, jo  vetëm për lexuesin e sotëm por edhe për brezat që do të vijnë.

Prandaj ne sot nderojmë me gjithë zemër kujtimin e tij e ndjejmë një kënaqësi të veçantë kur dijmë se ai pati sodisfaksionin për së gjalli të vlerësohet si “Nder i Kombit”, vlerësim që shpërblen jo vetëm personin, por edhe historinë e tij dhe ndihmesën e dhënë në kulturën e shqiptarëve. Sot Shqipëria e fesë dhe kulturës ka veshur petkun e zisë. Sot ajo përciell në banesën e fundit, në tokën e Shkodrës së lashtë, një bir të saj të shquar, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën e saj.

                                                                                                                 Shtator 2007                                                                                  

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011 

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Eugjen Merlika

HIQMET DEMIRI, PROFESORI MIK I STUDENTËVE

July 26, 2022 by s p

Ing. Bledi Stefa/

Prof. Hiqmeti perpos gjithe cilesive njerzore qe kishte, afrimiteti me studentet ishte i jashtezakonshem. Cilido prej nesh mund te komunikonte lirshem me Prof. Hiqmetin per çfare do lloj teme, qe lidhej me profesionin por edhe tema jetesore. Personalisht ruaj kujtime te pakrahasueshme me të, i qete, i shtruar ne komunikim, profesionist i denje dhe mjaft i dashur. Ne memorien time dhe gjithesecilit prej atyre qe e njohen, Prof. Hiqmeti do te mbahet mend shume gjate. Mirenjohje dhe respekt per jeten dhe vepren e Tij. Hiqmet Demiri lindi në 15 shtator të vitit 1938 në Tiranë. Gjatë viteve 1956 deri 1960, përfundon Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Mbas përfundimit të shkollës së lartë, prej viteve 1960 deri 1982 punon si inxhinier në Sektorin e Gjeodezisë, pranë Drejtorisë së Gjeodezisë në Ministrinë e Ndërtimit (Instituti Shtetëror i Projektimit, i cili pas vitit 1974 u shëndrrua në Ndërmarrjen e Gjeologji-Gjeodezisë). Në vitet 1982 deri 1984 Hiqmet Demiri ushtron detyrën e KryeInxhinierit në Drejtorinë e Ndërmarrjes së Ndërtimit të Hidrocentralit të Komanit. Në vitet 1984 ushtron detyrën e Kryetarit të Zyrës së Kontrollit Teknik në Sektorin e Gjeodezisë, pranë Ndërmarrjes Gjeologji-Gjeodezi. Prej vitit 1994 deri në vitin 1996 punon si Inxhinier Gjeodet në sektorin e Gjeodezisë, në Institutin Hidrogjeoteknik (para shkurtit 1994, ishte Ndërrmarja Gjeologji-Gjeodezi, ish Drejtoria e Studimeve Gjeologjike e Gjeodezike). Dy vite të tjera ushtroi detyrën e drejtuesit teknik në sektorin e gjeodezisë, që u formua si shoqëri anonime. Prej vitit 1998– 2002 por edhe në vazhdim Hiqmet Demiri punon si Inxhinier i liçensuar, indipendent, duke bashkëpunuar me shumë firma projektimi dhe ndërtimi në vend.

Veprimtaria mësimore

Në shtator të vitit 1968 deri në vitin 2002, por edhe në vazhdim, ushtron detyrën e pedagogut të jashtëm prane Fakultetit te Inxhinierise se Ndertimit. Gjatë kësaj periudhe numërohen një cikël mjaft i gjërë leksionesh, mbi lende te caktuara qe perfshiheshin ne planet mesimore te ketij fakulteti.

Anëtarësimet në forumet shkencore të vendit dhe ato ndërkombëtare

Hiqmet Demiri, gjatë karrierës së tij nuk ka lënë pa u bërë pjesë edhe e organizatave apo forumeve të ndryshme me karakter profesional. Vihet re që prej vitit 1985 e në vazhdim, është Anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Inxhinierisë (viti 1985).Anëtar i Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, njëherazi i zgjedhur edhe si Anëtar Nderi i SHGJSH. Anëtar i Shoqatës Shkencore për Mbrojtjen e Ujrave të Ëmbël dhe të Kripur (1994).

Lista e botimeve dhe studimeve shkencore

Hiqmet Demiri ka një numër mjaft të konsiderueshëm botimesh dhe studimesh shkencore. Ai është autor i disa regulloreve dhe manualeve profesionale. Gjithashtu ka botuar disa artikuj shkencor mbi:

• Metodën e drejtëkëndshave pa diagonale në krijimin e rrjetave gjeodezike të ndërtimit në veprat industrial (Buletini i Shkencave Teknike Nr. 3, Tiranë 1982).

• Punimet Gjeodezike në projektimin dhe ndërtimin e veprave industrial (Buletini special Tekniko-Shkencor i Ndërrmarjes Gjeologji-Gjeodezi Nr, 1, Tiranë 1974).

• Studimi i bazamentit gjeodezik kryesor për rilevimin e qyteteve në shkallën 1: 500 (Buletini special Tekniko-Shkencor i Ndërrmarjes Gjeologji-Gjeodezi Nr, 2, Tiranë 1981).

• Reduktimi këndor me anë të një pike ndihmëse, i dy pikave të padukshme me njëra tjetrën (Ndërtuesi Nr. 2 Maj 1978).

• Përdorimi i metodës parallaktike në përcaktimin e largësive (Ndërtuesi Nr. 3, Shtator 1979). Saktësia e punimeve gjeodezike në ndërtimin me element parafabrikat (Ndërtuesi, 1988).

Studime dhe raporte shkencore fondore të zbatuara

Studim mbi projektimin dhe zbatimin e punimeve topo-gjeodezike në Kombinatin e Metalurgjikut Elbasan (bashkëautor, Fondi i N. GJ.GJ, vitet 1968-1973). Raporti i studimeve gjeodezike për projektimin dhe zbatimin e Azotecit, Fier (bashëautor, Fondi i N. GJ.GJ, vitet 1968-1975). Gjithashtu rezultojnë një sërë studimesh dhe raportesh në vepra të ndryshme inxhinierike, të ndërtuara në qytete si Fieri, Elbasani, Ballshi, Tepelena, Bilishti, Klosi, Kavajë, Tiranë etj. Hiqmet Demiri ka mbajtur disa kumtesa dhe referate kryesisht të referuara në Katedrën e Gjeodezisë gjatë viteve 1976, 1987, 1979, si dhe në Ndërmarrjen e Gjeologji-Gjeodezisë gjatë viteve 1980, 1987, 1989.

Grada dhe tituj shkencor

Në vitet 1978– 1982, mbron tezën për gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” me temë: “Studimi mbi metodat e prospektimit dhe të zbatimit të punimeve gjeodezike në veprat industriale”. Fusha e kërkimit; Gjeodezia Inxhinierike, Fakulteti i Inxhinierisë, Universiteti i Tiranës.Në datën 20. 01. 1982, i miratohet grada shkencore “Kandidat i Shkencave” me numër vendimi 57, datë. 22. 06. 1982 dhe numër regjistri themeltar 791, datë. 25. 06. 1982, konvertuar me gradën shkencore “Doktor” me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.351, datë. 30. 06. 1993.

Dr. Hiqmet Demiri, në datën 21. 02. 1995, i miratohet titulli shkencor “Mjeshtër Kërkimesh” me vendimin nr. 20, datë. 21. 02. 1995 nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor.

Përgjatë viteve 1980- 2000 por edhe më tej, Dr. Hiqmet Demiri ka qënë reçensues në veprimtari të ndryshme shkencore, akademike por edhe studimore. Ai ka qënë udhëheqës në shumë diploma dhe disertacione, nga Katedra e Gjeodezisë në ç’do sezon, prej vitit 1972 deri në vitin 2000. Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, në 22 Janar të vitit 2011, me propozim të Kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, Dr. Demirit i akordohet titulli “Anëtar Nderi”, për kontribute të veçanta dhënë në fushën e Gjeodezisë.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: BLEDI STEFA

Zgjerimi i mundshëm i BE-së dhe fati i Shqipërisë

July 20, 2022 by s p

Nga Ndrek Gjini

MA in Writing – University of Galway, Ireland.

Aktualisht janë shtatë shtete të njohura si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Turqia (aplikuar në 1987), Maqedonia e Veriut (2004), Mali i Zi (2008), Shqipëria (2009), Serbia (2009), Ukraina (2022) dhe Moldavia (2022).

Për më tepër, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia dhe Kosova (pavarësia e së cilës nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së) konsiderohen kandidatë të mundshëm për anëtarësim në BE.

Bosnja dhe Gjeorgjia kanë dorëzuar zyrtarisht aplikimet për anëtarësim, ndërsa Kosova ka një Marrëveshje të Stabilizim Asociimit (MSA) me BE-në, e cila në përgjithësi i paraprin paraqitjes së një aplikimi për anëtarësim.

Mali i Zi dhe Serbia, kandidatët më të avancuar, pritet që të dy të bashkohen më herët se të tjerët. Ndërsa bisedimet me Turqinë janë bllokuar.

Në kushtet e anëtarësimit përfshihen kriteret e Kopenhagënit, të miratuara në vitin 1993, dhe ato të Traktatit të Mastrihtit (neni 49).

Neni 49 i Traktatit të Mastrihtit (i ndryshuar) thotë se çdo “shtet evropian” që respekton “parimet e lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe sundimit të ligjit”, mund të aplikojë për t’u anëtarësuar në BE. Nuk ka rëndësi nëse ky vend është evropian apo jo, por ai duhet t’i nënshtrohet vlerësimit politik nga institucionet e BE-së.

Zgjerimet e mëparshme (që nga themelimi i Bashkimit Evropian (BE) si Komunitet Ekonomik Evropian nga Gjashtë shtetet e Brendshme në vitin 1958) sollën anëtarësimin në total të BE-së të njëzet e tetë shteteve, megjithëse si rezultat i tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar, numri aktual i shteteve anëtare të BE-së është njëzet e shtatë.

Katër vendet kryesore të Evropës Perëndimore që nuk janë anëtare të BE-së, janë Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe UK. Tre të parat kanë paraqitur aplikime për anëtarësim në të kaluarën, por më pas i kanë ngrirë ose tërhequr ato, ndërsa Mbretëria e Bashkuar-(UK) pas BREXIT është tashmë një ish-anëtare.

Norvegjia, Zvicra, Islanda, si dhe Lihtenshtajni, marrin pjesë në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe gjithashtu në Zonën Shengen, gjë që i bën ata të lidhur ngushtë me BE-në; Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është në Bashkimin Doganor të BE-së.

Axhenda aktuale dhe aplikantët

Axhenda aktuale e zgjerimit të Bashkimit Evropian ka të bëjë me tre grupe të dallueshme shtetesh:

· Turqia

· Shtetet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia

· Treshja, ose Shoqata e shteteve të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Këto tre shtete, pra Treshja, duhet të negociojnë kushtet e anëtarësimit të tyre në BE me shtetet anëtare aktuale dhe të harmonizojnë legjislacionin e tyre të brendshëm me ligjin e BE-së përpara se të anëtarësohen.

Turqia ka aplikuar prej shumë vitesh (që në 1987) për t’u antarësuar në BE, por negociatat e anëtarësimit të saj kanë ngecur që nga viti 2016. Kjo për shkak të çështjeve politike që kanë të bëjnë me zhvillimet e brendshme të këtij vendi.

Sa i përket shteteve të Ballkanit Perëndimor, BE-ja ishte zotuar t’i përfshinte pas Luftërave Jugosllave: dy shtete kanë hyrë (Sllovenia në 2004 dhe Kroacia në 2013), katër janë kandidatë dhe dy të tjerët kanë marrëveshje anëtarësuese.

Ka shtete të tjera në Evropë që ose kërkojnë anëtarësim ose mund të aplikojnë potencialisht nëse politika e tyre e tanishme e jashtme ndryshon ose BE-ja jep një sinjal se ato tani mund të përfshihen në axhendën e zgjerimit.

Megjithatë, këto aktualisht nuk janë pjesë e agjendës aktuale, e cila tashmë është vonuar për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe në Ballkan dhe vështirësisë në zbatimin e plotë të acquis communautaire (kolona e pranuar i ligjit të BE-së).

Më parë ishte normë për zgjerimet, pra që të kishte hyrje të shumë shteteve njëherësh në Union. Të vetmet zgjerime të mëparshme të një shteti të vetëm ishin pranimi i Greqisë në vitin 1981 dhe pranimi i Kroacisë në vitin 2013.

Megjithatë, anëtarët e BE-së kanë paralajmëruar se, pas ndikimit të rëndësishëm të zgjerimit të pestë në 2004, një qasje më individuale do të aplikohet në të ardhmen, megjithëse hyrja e çifteve ose grupeve të vogla të vendeve ka shumë të ngjarë të ndodhë.

Ballkani Perëndimor

Samiti i Këshillit Evropian të vitit 2003 në Selanik vendosi integrimin e Ballkanit Perëndimor si një prioritet të zgjerimit të BE-së. Ky angazhim u bë për të stabilizuar rajonin pas Luftërave në Jugosllavi, një seri luftërash etnike gjatë viteve 1990 që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Sllovenia ishte vendi i parë ish-jugosllav që iu bashkua BE-së në vitin 2004, e ndjekur nga Kroacia në 2013.

Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të gjitha shtete kandidate dhe të gjitha janë në negociata.

Bosnje-Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim, por ende nuk është njohur si kandidate, ndërsa Kosova, e cila nuk njihet nga 5 shtete të BE-së dhe as nga Serbia, planifikon të aplikojë deri në fund të vitit 2022.

Serbia dhe Mali i Zi i kanë kanë hapur negociatat e anëtarësimit para disa vitesh dhe mund të anëtarësohen në BE në vitin 2025, deklarojnë ekspertët e BE-së.

Serbia v Shqipëria dhe Kosova

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i hapën negociatat e anëtarësimit për në BE në Korrik 2022. Po nuk dihet sa e gjatë mund të jetë rruga e anëtarësimit të tyre në BE.

Kur Shqipëria aplikoi ne 2009 -ën ishin gjashtë kushte për t’u plotesuar. Dhe tani në Korrik 2022, që BE i hapi negociatat, thënë ndryshe, pranoi të ulemi me to, dhe t’i diskutojmë këto kushte; ato nuk janë më 6 kushte por 33 kushte. Pra realisht jemi më larg BE-së se në 2009-ën.Ky është realiteti. Krejt të tjerat janë folklor politik.

Kjo pasi Serbia dhe Mali i Zi ka vite që i kanë hapur negociatat. Dhe BE i kanë vënë Serbisë vetëm një kusht për t’u pranuar në BE – Njohjen e Kosovës. Pra nëse Serbia merr vendim të njohë Kosovën, futet në BE para Shqipërisë dhe aty përdor veton, duke votuar kundër pranimit në BE të Shqipërisë e Kosovës, e për rrjedhojë këto dy vende mbeten jashtë këtij Unioni për dekada me radhë, në mos përjetësisht.

NDREK GJINI

MA in Writing – University of Galway, Ireland.

Filed Under: Uncategorized

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT