Shaban Murati
Çështja çame si çeshtje politike kërkon tërheqien e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë. Kërkon që shteti grek të kërkojë falje për deportimin me dhunë të një popullsie të tërë. Kërkon dëmshpërblimin e të gjithë viktimave të terrorit shtetëroro-zervist dhe të dëmeve të shkaktuara në njerzit, në pronat dhe shtëpiat e popullsisë çame atje.
Kërkon rikthimin në trojet e veta, ku kanë jetuar prej dhjetra shekujsh kjo popullsi autoktone e deportuar. Kjo është baza politike e zgjidhjes së çeshtjes çame dhe që përbën themelin e trajtimit diplomatik të saj si pjesë përbërëse e dosjes së marrëdhënieve dypalëshe.
Në platformën dipkomatike të çeshtjes çame qeveria e Shqipërisë duhet të përfshijë disa kërkesa, të cilat i kam rreshtuar edhe në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”:
1- Çeshtja çame të përfshihet në çdo lloj amendimi apo shtyrje të re të Traktatit të Miqësisë së viti 1996 midis dy shteteve, dhe të përfshihet nominalisht në “Deklaratën e e re të Partneritetit Strategjik”, që i është propozuar Shqipërisë nga qeveria greke.
2-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke të abrogojë çdo lloj legjislacioni apo aktesh administrative, që mbështesin akuzat e rreme të fajit kolektiv dhe t’i kërkojë falje popullsisë çame për deportimin e saj me forcë.
3-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke kthimin e popullsisë çame në trojet dhe në shtëpiat e veta.
4-Qeveria shqiptare të kërkojë nga Greqia që komunitetit çam të dëbuar kolektivisht t’i njihet statusi i pakicës kombëtare në Greqi, të cilin e kanë pranuar qeveritë greke para luftës së dytë botërore.
Dinjiteti kombëtar dhe ndërkombëtar i Shqipërisë sugjerojnë që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një moratorium për të ngrirë të gjitha marrëveshjet dypalëshe, që janë në diskutim e sipër me Greqinë (dhe të cilat çuditërisht janë të gjitha në favor të Greqisë), derisa Athina të heqë ligjin absurd të luftës me Shqipërinë dhe të pranojë tratativat për zgjidhjen e çeshtjes çame.
Për Shqipërinë si anëtare e NATO-s koha dhe zhvillimet e sotme kanë zbehur në minumet e veta vlerën dhe efektin diplomatik të kërcënimit për një veto greke ndaj anëtarësimit në BE.
Platforma diplomatike kërkon ndërkombëtarizimin diplomatik të çeshtjes çame. Është absurde që Shqipëria anëtare e OKB nga viti 1955 dhe anëtare e NATO-s nga viti 2009 dhe anëtare e shumë oganizatave të tjera ndërkombëtare nuk ka ngritur kurrë çeshtjen çame dhe të drejtat e popullsisë çame për t’u kthyer në trojet dhe në pronat e veta në Greqi.
Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame kërkon nga diplomacia dhe nga qeveria shqiptare sensibilizimin diplomatik dhe informativ ndërkombëtar. Kërkon sigurimin e një përkrahje nga diplomacitë, nga shtetet dhe nga faktori perëndimor dhe ballkanik për zgjidhjen e saj. Komisioni Europian dhe komisioneri Hahn i dhanë diplomacisë dhe qeverisë shqiptare një rast dhe një kartë të artë diplomatike për ndërkombëtarizimin e çeshtjes çame. Nuk ditën dhe nuk deshën ta shfrytëzojnë. Por ajo kartë diplomatike europiane në favor të çeshtjes çame është në fuqi sot e kësaj dite.