• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?

June 25, 2022 by s p

“BALLKANI I HAPUR” LËVIZ NË SKEMAT RUSE*

Shaban Murati*

*Marrë nga libri i autorit: “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”

E vërteta diplomatike dhe historike është se në çdo grupim, aleancë apo bashkim rajonal apo subrajonal shtetesh, me etiketë ekonomike apo politike, gjithmonë del më i fituar shteti më i fuqishëm. Formatet dhe grupimet subrajonale janë një praktikë e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Ballkani ka njohur dhjetëra, deri te projekti i ri subrajonal serb i “mini Shengenit ballkanik” apo “Ballkanit të hapur”. Si rregull liderët ballkanikë kanë kujtesë të shkurtër dhe mbyllin sytë përpara realitetit të dominimit të fuqisë ekonomike, ushtarake dhe demografike në çdo grupim subrajonal ballkanik. Ka pasur deri tani një rrymë positive europeiste, që shtetet e Ballkanit Perëndimor me zgjedhjen e tyre të orientimit euroatlantik, ia linin BE-së dhe NATO-s yllin e tyre polar strategjik.            

Befas që nga tetori i vitit 2019 e deri tani kemi një devijim të qëllimshëm nga ky pozicion strategjik europeist me projektin e grupit të ri subrajonal apo separatist me emrin “mini Shengen” apo “Ballkan i hapur”, që deri tani ka trullosur vetëm dy kryeqytete nga 12 që ka i gjithë Ballkani. Megalomania diplomatike serbe pretendon se grupimi i ri subrajonal do t’u sjellë shteteve pjesëmarrëse prosperitetin dhe integrimin e shumëpritur, me ndryshimin se tani në vend të integrimit europian do të kenë integrimin serb. Konstatohet se pas mikrosamitit të Shkupit të 29 korrikut 2021 të krerëve të tri shteteve anëtare të projektit serb, ka një ngutje diplomatike dhe politike të sforcuar për të ecur sa më shpejt drejt integrimit serb të grupimit të ri subrajonal. Kjo ngutje ka ngjallur kënaqësi strategjike dhe diplomatike në Moskë, ku Rusia vlerëson se projekti serb “Ballkan i hapur” ka përputhje me planet e Moskës për ndikim në gadishullin ballkanik. Modelin e integrimit të grupimit të ri minishengist e përcaktoi publikisht zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko, i cili në Beograd më 18 qershor 2021 deklaroi se vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës Ruse, pra të bëhen si një shtet federativ, që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse. Domethënien dhe hartën rrugore të “Ballkanit të hapur” serb Rusia e kupton më mirë se çdo shtet tjetër i madh i interesuar për rajonin tonë, sepse Rusia ka në dorën e vet dhe menaxhon lojtarin kryesor të këtij grupimi subrajonal, që është Serbia.

Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë njohur Serbinë nga pozita inferiore dhe në pozicionin e më të dobëtit, Rusia është shteti që ka plazmuar Serbinë, është aleati i vetëm strategjik i Rusisë në rajon, dhe Moska ka instrumentet për të drejtuar diplomacinë dhe strategjinë ballkanike serbe në linjat e interesit të politikës ruse në Ballkan. Ndaj kur flitet për nismën serbe të “mini Shengenit” apo të “Ballkanit të hapur” nuk mund të kesh kuptim të saktë të saj pa lexuar se ç’thonë diplomacia, analitika dhe shkenca ruse e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse mbi tezat dhe rekomandimet e tyre ndërtohen formulimet, taktikat dhe strategjia e shtetit rus në Ballkan. Në këtë linjë paraqet shumë interes shpjegimi, që i bën nismës serbe të “Ballkanit të hapur” portali proqeveritar rus “eadaily” më 13 gusht 2021 me titullin “Kujt i pengon ‘bota serbe’?” Për herë të parë nga të gjitha analizat diplomatike, që i janë bërë prej dy vitesh projektit serb të “mini Shengenit” apo “Ballkanit të hapur”, analitika ruse zbulon thelbin e këtij projekti serb, duke e cilësuar “Ballkanin e hapur” si vazhdim të projektit serb të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Ja shpjegimi i analistit rus: “Pikërisht nga realizmi politik u diktua presidenti Vuçiç përgatitja e projektit të shkëmbimit të territoreve me shqiptarët e Kosovës. Me këtë projekt ai defacto iu kundërvu autoriteteve të Prishtinës, por edhe gjithë BE-së, dhe në radhë të parë Gjermanisë, qeveria e së cilës fetishizoi “paprekshmërinë e kufijve në Balkan”.

Pra Rusia pranon se projekti i shkëmbimit të territoreve, I qarkulluar në vitin 2018 dështoi nga Gjermania, megjithëse ai kishte përkrahjen nga Serbia, Shqipëria, Rusia dhe Franca. Në këtë situatë dështimi presidenti serb dhe diplomacia serbe u përpoqën të gjejnë rrugë të re për realizimin e objektivave territoriale të projektit të shkëmbimit të territoreve. Ja si e analizon portali rus: “Presidenti Aleksandër Vuçiç e gjeti përgjigjen origjinale për këtë situatë dhe u mor me organizimin e “mini Shengenit ballkanik”, nismë e cila tani mori emrin “Ballkan i hapur”. Analitika ruse zbërthen që projekti serb i një viti më vonë i “mini Shengenit balllanik” në 2019 është vazhdim I objektivave territoriale të Serbisë të parashikuara me projektin e shkëmbimit të territoreve. Veçse tani ka një ndryshim dhe një shtrirje më të madhe të ambicieve territoriale serbe. Me projektin e shkëmbimit të territoreve Beogradi synonte të merrte territoret veriore të Kosovës.

Me projektin e “Ballkanit të hapur” synon që të marrë gjithë territoret, që Serbia i cilëson “e drejtë historike” të saj, gjithë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje- Hercegovinën. Nuk doli rastësisht dhe paralelisht me projektin e “mini Shengenit” projekti i ri i qeverisë se Beogradit për “botën serbe”, platformë zyrtare me objektivin e bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet unik serb, bashkë me territoret, ku jetojnë sot në shtetet e tjera ballkanike. Vetë presidenti Vuçiç e quajti këtë më 15 shkurt 2021 “Serbia e Madhe”. Bie në sy që pas shpalljes së emrit të ri “Ballkan i hapur” ka një agresivitet të paparë të presidentit serb dhe të shtetit serb për integrimin serb të grupimit të ri subrajonal. Integrimi serb po tregohet më i shpejtë se integrimi europian. Është interesant se integrimin Serbia e filloi menjëherë nga shërbimi postar i vendeve të “Ballkanit të hapur”. Në datën 2 gusht 2021 Posta Shtetërore e Serbisë dhe Posta Shtetërore e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Shërbimit Unik Postar në vendet e “Ballkanit të hapur”. Drejtori i Postës Shtetërore të Serbisë, Zoran Gjorgjeviç, deklaroi në ceremoninë e nënshkrimit se “Posta e Serbisë do të bëhet qendra rajonale e logjistikës dhe e shërbimeve postare, gjë që është zbatim i nismës “Ballkan i hapur”.

Dy shtetet ranë dakord që të krijojnë një pullë postare unike dhe tarifa të njëjta shërbimesh postare dhe pakosh. Dy drejtorët serb dhe maqedonoverior njoftuan se ia kanë drejtuar propozimin e unifikimit postar edhe Shqipërisë, për shkrirjen e shërbimit postar të “Ballkanit të hapur”. Për të kuptuar lexuesi rëndësinë strategjike të shkrirjes së shërbimit postar në procesin e integrimit, po i përmendim se BE-ja, që ka 64 vjet që është krijuar, megjithëse ka vënë në jetë makro Shengenin europian, ende nuk ka pullë unike postare dhe as tarifa unike për shërbimet postare. Praktika e BE-së shpresojmë t’u ndriçojë mendjen minishengistëve të dehur të Tiranës. “Ballkani i hapur” serb po nxiton që të konkretizohet me akaparimin e territoreve të shteteve fqinjë. Sekretari I përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Veljko Odaloviç, më 16 gusht 2021, pas rënies së Kabulit në duart e talebanëve, kërcënoi Kosovën me pushtimin serb pas ikjes së trupave amerikane, sepse “kudo që kanë qenë amerikanët, janë larguar, dhe Prishtina duhet të mendohet për këtë”. Natyrisht presidenti serb dhe qeveria serbe gëzohen para vaktit, sepse e dinë fare mirë që trupat amerikane kanë 76 vjet në Gjermani.

Më 12 gusht 2021 kreu i nacionalizmit dhe separatizmit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, deklaroi publikisht se “synimi i “serpska republikës” është që të bashkohet me Serbinë dhe me kalimin e kohës ky objektiv do të realizohet”. Në të njëjtën kohë Serbia nëpërmjet kukullës së saj “Fronti Demokratik” serb në Mal të Zi kërcënoi më 11 gusht 2021 me rrëzimin e qeverisë në Podgoricë, nëse ajo nuk i bindet kërkesës serbe për të organizuar regjistrimin e popullsisë brenda vitit, pa u përgatitur legjislacioni përkatës, sepse në rrëmujë e sipër Serbia planifikon të rrisë edhe më shumë artificialisht numrin e minoritetit serb në Mal të Zi. Në të njëjtën kohë më 4 gusht 2021 ministri i Brendshëm serb Vulin në Shkup i bëri paralajmërimin qeverisë atje se “Maqedonia e Veriut nuk ka shtet tjetër më të afërt sesa Serbia”. Projekti serb i “Ballkanit të hapur” po nxit procese recidiviste të nacional-shovinizmit serb për të rikthyer hegjemoninë serbe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Këtë linjë po e inkurajon veçanërisht Rusia, ku ministri i Mbrojtjes Sergej Shojgu, në datën 11 gusht 2021 në një forum me rininë bëri deklaratën skandaloze se ai “ndihet i lumtur që ka bashkëpunuar me udhëheqësit serbë si Karaxhiçi, Mlladiçi dhe Millosheviçi, të cilët ranë në Gjykatën e Hagës”. “Ballkani i hapur” hap kufijtë për krijimin e “botës serbe” të bashkimit të të gjithë serbëve të rajonit në një shtet. Ministri i Brendshëm serb Vulin, krahu i djathtë i presidentit Vuçiç, arrin deri atje saqë e krahason bashkimin me Serbinë të territoreve të shteteve të tjera ku jetojnë serbë, me bashkimin e Gjermanisë. Rusia e përkrah këtë objektiv ekspansionist serb, sepse sipas saj: “Bota serbe” është hapësira unike kulturore dhe historike e popullit serb në tokat e tij etnike, pavarësisht nga kufijtë shtetërorë”.(“eadaily”, 13 gusht 2021).

Prirja dhe strategjia e formatit të ri të bashkëpunimit subrajonal me emrin “mini shengen” apo “Ballkan i hapur” synojnë vendosjen një kontrolli dhe dominimi të Serbisë në gjithë subrajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë zhvillim e sheh me sy pozitiv profesoresha ruse Ekaterina Entina e Institutit Europian të Akademisë së Shkencave të Rusisë në një studim të saj për think-tankun kryesor diplomatik qeveritar rus “Valdaiclub” më 30 korrik 2021. Ja analiza e studiueses ruse: “Me formatin subrajonal është forcuar thelbësisht Beogradi. Beogradi është iniciator i bashkëpunimit brendarajonal, veçanërisht me “mini Shengenin ballkanik” me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”. Profesoresha ruse evidenton dy rezultate kryesore të projektit serb të bashkëpunimit subrajonal. Së pari, që kemi “forcim të Beogradit dhe restaurim të mundshëm të bashkëpunimit subrajonal në kufijtë e ish-Jugosllavisë, pa u kthyer tek ideja e shtetit apo unionit të përbashkët”. Kjo do të thotë se projekti serb i “Ballkanit të hapur”, duke forcuar rolin ekonomik, politik dhe strategjik të Serbisë në këtë grup subrajonal, synon të krijojë një entitet të ngjashëm në kufijtë e ish-Jugosllavisë, por pa e quajtur prapë Jugosllavi për shkak të alergjisë panballkanike për ish-federatën.

Kjo nuk do të thotë se presidenti i Serbisë Vuçiç ka hequr dorë nga ambicia e tij e shprehur sapo u zgjodh president në prill të vitit 2017, kur i deklaroi shtypit amerikan se projekti i tij I zonës së përbashkët ekonomike ballkanoperëndimore është “Ringjallja e Jugosllavisë së vjetër plus Shqipërinë”. Rezultati i dytë, që evidenton profesoresha ruse, është se situata e re e bashkëpunimit subrajonal të “Ballkanit të hapur” “rikthen në rendin e ditës çështjen e papërshtatshmërisë së ndarjes në vitet 90’ dhe 2000’ të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të ndarjes së Federatës RFJ “Serbia dhe Mali i Zi dhe të ndarjes së Kosovës nga Serbia”. Me një fjalë analitika dhe diplomacia ruse me daljen në skenë të “Ballkanit të hapur” hedhin tezën e re të rihapjes së çështjes së prishjes së ish-Jugosllavisë, për të cilën Moska nuk ka qenë dakord. Argumenti rus është se vetë shtetet e asaj federate, që quhet sot Ballkan Perëndimor, po ribashkohen me projektin subrajonal serb të “Ballkanit të hapur”. Nisur nga kjo Rusia parashtron kërkesën që të shtrohet në rendin e ditës së diplomacisë ndërkombëtare çështja e re e rikthimit të statusit të federatës së dikurshme komuniste jugosllave. Analitika dhe diplomacia ruse kërkojnë revizionimin e historisë së shembjes së federatës jugosllave dhe të luftërave agresive, që zhvilloi Serbia kundër katër popujve joserbë në ish-Jugosllavi. Projekti serb i bashkëpunimit subrajonal të tri shteteve të “Ballkanit të hapur” i jep pretekst dhe rast diplomacisë dhe shtetit rus që të avancojnë sferën e ndikimit rus në Ballkan në proporcion të drejtë me zgjerimin e ndikimit serb në Ballkanin Perëndimor. Është fat që tri shtete, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen me projektin serb të “Ballkanit të hapur”. Janë tri shtete, që jo vetëm kanë përvojë të hidhur nga shtypja serbe në ish-federatën e përbashkët, por edhe sot e kësaj dite po vuajnë rëndë pasojat e ndërhyrjes brutale dhe të shantazhit të gjithanshëm serb në punët e tyre të brendshme.

Më 16 gusht 2021 kryenegociatorja e qeverisë së Malit të Zi në bisedimet e pranimit me BE, Zorka Kordiç, i shpjegoi edhe njëherë arsyet e refuzimit të shtetit të saj në “Ballkanin e hapur”, duke deklaruar se “Mali i Zi është fokusuar në radhë të parë në zbatimin e “Planit të Veprimit” për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që i përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”. Si eksperte e mirënjohur e çështjeve të BE-së, kryenegociatorja sqaron se Tregu i Përbashkët Rajonal është një gjë, dhe “Ballkani i hapur” është gjë tjetër, sepse Tregu i Përbashkët Rajonal është më përfshirës se “Ballkanii hapur” dhe përveç katër lirive të njohura, ka gjithashtu infrastrukturën digjitale, inovacionin dhe politikën unike të investimeve sipas standardeve të BE-së. Strategjikisht projekti subrajonal serb i “Ballkanit të hapur” po lëviz në skemat ruse. Do t’i rekomandonim diplomacies dhe qeverisë së Shqipërisë që t’i lexojë mirë qëndrimet dhe tezat e analitikës shtetërore dhe të diplomacisë ruse për “Ballkanin e hapur” para se të vrapojnë pa ditur se ku shkojnë drejt një tabele fiktive serbe. Media ruse “regnum. ru” theksonte më 11 gusht 2021 se “Projekti ‘Ballkan i hapur’ mbështet integrimin ekonomik, politik dhe shkencor në hapësirat, të cilat shqiptarët i quajnë të vetat”.

Rusia është e vetmja fuqi e madhe e kënaqur nga projekti serb, sepse ai projekt po i kundërvihet BE-së dhe po forcon Beogradin dhe po i jep mundësi Moskës të revizionojë sipas interest historinë moderne ballkanike dhe të ringrejë në forumet ndërkombëtare çështjen e ribërjes së federatës jugosllave, përderisa vetë disa shtete të Ballkanit Perëndimor po e kërkojnë. Qeveria në Tiranë në fillim ka pasur vetë dyshime për projektin serb të miniShengenit, përderisa në samitin e pare themelues të Novi Sadit më 10 tetor 2019 kryeministri i Shqipërisë deklaroi se në qoftë se Kosova nuk merr pjesë, edhe Shqipëria do të tërhiqet. Nuk e dimë se çfarë ndodhi që Tirana befas “faqe ndërron”, (do të thonte Noli), dhe i mori Beogradit flamurin minishengist dhe po tregohet më katolike se papa serb. Kolegët e nderuar të shtypit mund ta pyesin kryeministrin në konferencë shtypi apo në studiot televizive për këtë ndryshim qëndrimi të pa shpjeguar kurrë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Shaban Murati

Çështja çame…

June 22, 2022 by s p

Shaban Murati

Çështja çame si çeshtje politike kërkon tërheqien e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë. Kërkon që shteti grek të kërkojë falje për deportimin me dhunë të një popullsie të tërë. Kërkon dëmshpërblimin e të gjithë viktimave të terrorit shtetëroro-zervist dhe të dëmeve të shkaktuara në njerzit, në pronat dhe shtëpiat e popullsisë çame atje.

Kërkon rikthimin në trojet e veta, ku kanë jetuar prej dhjetra shekujsh kjo popullsi autoktone e deportuar. Kjo është baza politike e zgjidhjes së çeshtjes çame dhe që përbën themelin e trajtimit diplomatik të saj si pjesë përbërëse e dosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Në platformën dipkomatike të çeshtjes çame qeveria e Shqipërisë duhet të përfshijë disa kërkesa, të cilat i kam rreshtuar edhe në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”:

1- Çeshtja çame të përfshihet në çdo lloj amendimi apo shtyrje të re të Traktatit të Miqësisë së viti 1996 midis dy shteteve, dhe të përfshihet nominalisht në “Deklaratën e e re të Partneritetit Strategjik”, që i është propozuar Shqipërisë nga qeveria greke.

2-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke të abrogojë çdo lloj legjislacioni apo aktesh administrative, që mbështesin akuzat e rreme të fajit kolektiv dhe t’i kërkojë falje popullsisë çame për deportimin e saj me forcë.

3-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke kthimin e popullsisë çame në trojet dhe në shtëpiat e veta.

4-Qeveria shqiptare të kërkojë nga Greqia që komunitetit çam të dëbuar kolektivisht t’i njihet statusi i pakicës kombëtare në Greqi, të cilin e kanë pranuar qeveritë greke para luftës së dytë botërore.

Dinjiteti kombëtar dhe ndërkombëtar i Shqipërisë sugjerojnë që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një moratorium për të ngrirë të gjitha marrëveshjet dypalëshe, që janë në diskutim e sipër me Greqinë (dhe të cilat çuditërisht janë të gjitha në favor të Greqisë), derisa Athina të heqë ligjin absurd të luftës me Shqipërinë dhe të pranojë tratativat për zgjidhjen e çeshtjes çame.

Për Shqipërinë si anëtare e NATO-s koha dhe zhvillimet e sotme kanë zbehur në minumet e veta vlerën dhe efektin diplomatik të kërcënimit për një veto greke ndaj anëtarësimit në BE.

Platforma diplomatike kërkon ndërkombëtarizimin diplomatik të çeshtjes çame. Është absurde që Shqipëria anëtare e OKB nga viti 1955 dhe anëtare e NATO-s nga viti 2009 dhe anëtare e shumë oganizatave të tjera ndërkombëtare nuk ka ngritur kurrë çeshtjen çame dhe të drejtat e popullsisë çame për t’u kthyer në trojet dhe në pronat e veta në Greqi.

Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame kërkon nga diplomacia dhe nga qeveria shqiptare sensibilizimin diplomatik dhe informativ ndërkombëtar. Kërkon sigurimin e një përkrahje nga diplomacitë, nga shtetet dhe nga faktori perëndimor dhe ballkanik për zgjidhjen e saj. Komisioni Europian dhe komisioneri Hahn i dhanë diplomacisë dhe qeverisë shqiptare një rast dhe një kartë të artë diplomatike për ndërkombëtarizimin e çeshtjes çame. Nuk ditën dhe nuk deshën ta shfrytëzojnë. Por ajo kartë diplomatike europiane në favor të çeshtjes çame është në fuqi sot e kësaj dite.

Filed Under: Politike Tagged With: Shaban Murati

Dy të vërtetat e “Ballkanit të hapur”

June 7, 2022 by s p

Shaban Murati/

Kortezia profesionale më detyron të falenderoj ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov për dy të vërteta mbi nismën e “Ballkanit të hapur”, të cilat i pohoi publikisht në konferencën e tij të shtypit në 6 qershor 2020, dy të vërteta që Tirana, Beogradi dhe Shkupi ia fshehin publikut.

E vërteta e parë është se nisma “Ballkan i hapur” është projekt i presidentit serb Vuçiç. “Inisiator i projektit ekonomik rajonal “Ballkan i hapur” është presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç”-deklaroi Lavrovi në konferencën e shtypit.

E vërteta e dytë është se Rusia e ka mbështetur dhe e mbështet nismën e presidentit serb “Ballkan i hapur”. “Ne shprehim përkrahje për inisiativën e Beogradit “Ballkan i hapur”-deklaroi Lavrovi në konferencën e shtypit.

Janë dy të vërteta të thjeshta, që marrin rëndësinë pse ai që i pohon është ministri i jashtëm i Rusisë, protektorja kryesore e Serbisë dhe aleati i saj i vetëm strategjik. Janë dy të vërteta, që marrin rëndësi se i pohoi Lavrovi dhe sepse krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, që i janë bashkuar projektit serb, ia fshehin opinionit të tyre. As presidenti i Serbisë, as kryeministri i Shqipërisë dhe as kryeministri i Maqedonisë së Veriut, të cilët mblidhen në dasmën serbe të 7 qershorit në Ohër, nuk guxuan të përgënjeshtrojnë dy të vërtetat, që pohoi ministri i jashtëm rus.

Ndjehem i detyruar ta falenderoj Lavrovin, sepse kam tre vjet që u shpjegoj zyrave diplomatike dhe qeveritare në Tiranë dhe opinionit publik të vendit tim se “Ballkani i hapur” është projekt i presidentit Vuçiç për integrimin serb të Ballkanit Perëndimor. Kam tre vjet që u shpjegoj se prapa nismës serbe qendron fuqimisht Rusia, e cila e planifikon “Ballkanin e hapur” si kundërvënie ndaj integrimit europian dhe atlantik. “NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të Ballkanit të mbyllur”,- deklaroi Lavrovi. Në interpretimin gjeopolitik rus integrimi euroatlantik quhet “Ballkan i mbyllur”. Tani Serbia shpiku “Ballkanin e hapur” për t’ia hapur Ballkanin Rusisë. Pak ditë pas samitit themelues të nismës së “Ballkanit të hapur” kam botuar në 25.12 2019 në gazetën “Dita” analizën me titull “Projekti serb-një avantazh i ri gjeopolitik i Rusisë në Ballkan”. (Shih “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, fq. 185). Për vetë projektin e presidentit serb kam tërhequr vëmendjen qysh kur ai ishte në embrion, me analizën “Jugosllavia ante portas”, botuar në 10.4.2017. (Shif “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, fq.214).

Lavrovi ishte tepër i pezmatuar që nuk e lanë të jetë në 7 qershor në Beograd dhe t’i jepte udhëzimet e duhura presidentit serb për samitin e “Ballkanit të hapur”. Por nuk duhet të mërzitet aq shumë, sepse hija e tij do të jetë e pranishme në samit dhe do të përfaqësohet nga tre myteberët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilëve iu duket sikur kulmi i kozmopolitizmit në kohën e sotme është integrimi serb.

Filed Under: ESSE Tagged With: Shaban Murati

Përse nuk ka mësues të pasur?

May 5, 2022 by s p

Shaban Murati/

Një artist i njohur shqiptar, bashkëqytetari im, shumë i suksesshëm në skenat europiane dhe që jeton në Europë, shkruante për ndarjen nga jeta në Shqipëri të xhaxhait të tij mësues dhe theksonte me dhimbje ikjen e tij “thuajse në varfëri të plotë”. Artisti jepte konkluzionin tronditës se “kur një mësues “përfundon kështu”, diçka thelbësore moralisht shkon keq në atë vend”.Në vend që shteti t’u japë piedestalin e nderimit dhe të trajtimit mësuesve, nuk e di pse ka shqetësim vetëm të rrisë dhe të ruajë pasuritë e paligjëshme të prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Ky bazament i deformuar moral e ka çuar shoqërinë shqiptare në këtë disproporcion humbës. Shoqëritë e zhvilluara demokratike e kanë zbatuar me kohë atë, që thotë i famshmi Nelson Mandela se “arsimi është arma më e fuqishme, me të cilën ju mund të ndryshoni botën”. Natyrisht një shoqëri dhe një shtet i korruptuar, që nuk duan të ndryshojnë, i përcjellin mësuesit “thuajse në varfëri të plotë”.Kush duhet t’i përgjigjet pyetjes hamletiane apo migjeniane: Përse në Shqipëri nuk ka mësues të pasur, por ka prokurorë dhe gjyqtarë të pasur?Këtu fillon dhe mbaron morali dhe përmbajtja e shtetit dhe e shoqërisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Murati

Ligjërimi diplomatik i Shaban Muratit në librin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”

December 2, 2021 by s p


Halil RAMA/


Pasi ka ndjerë mungesën e mendimit diplomatik shqiptar për çerek shekulli, si ish-funksionar në Ministrinë e Jashtme dhe dy herë ambasador, diplomati i mirënjohur Shaban Murati po e plotëson këtë vakuum me analizat e tija të mirëfillta, të përmbledhura në 17 vepra të botuara në harkun kohor të 17 viteve të fundit. Është ky padyshim një kontribut mjaftë i qënësishëm në pasurimin e historikut të diplomacisë shqiptare. Në analet e kësaj diplomacie, vepra më e fundit e ambasador Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” që u promovua para pak ditësh në praninë e dhjetra personaliteteve shqiptare të politikës, diplomacisë e letrave, zë vend të rëndësishëm, pasi në të shpaloset përvoja 50-vjeçare e një analisti të politikës së jashtme.Në 75 artikujt e kësaj vepre, të shkruara në harkun kohor të tri viteve të fundit (2018-2021) Shaban Murati, “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, sjell mendimin e tij të avancuar si studjues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist diplomatik.Kështu, nëse në artikullin “Në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës. Pse nuk ndodhet Shqipëria?” (të datës 30 korrik 2018) shpreh shqetësimin e ligjshëm të një situate alarmante, ku përfaqësues të veçantë të diplomacisë europiane tentonin devijimin e objektit kryesor të bisedimeve përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, tre vjet më vonë, ai denoncon me kurajo pabesinë diplomatike të Zoran Zaevit ndaj Kosovës. Thelbin e kësaj pabesie, Murati e sheh në parashtrimin zyrtar që kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, bëri në një intervistë në datën 1 gusht 2021 me Agjencinë Shtetërore Serbe “Tanjug”, ku për herë të parë zbuloi se “Ballkani i hapur” serb do të angazhohet në një platformë dhe betejë diplomatike kundër Kosovës. Do të mjaftonte qoftë edhe mosreagimi i duhur i Ministrive të Jashtme të dy qeverive shqiptare (të Shqipërisë dhe Kosovës) për të përligjur titullin sinjifikativ të veprës së ambasador Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”. Parë nga ky këndvështrim, në ligjërimin diplomatik të tij gjejmë fakte dhe argumenta që rrëzojnë tezën e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.Referuar zhvillimeve historike, Sh.Murati konkludon se “Për sa i përket Kosovës, ndryshimi i kufijve të saj, nëpërmjet ndarjes, ka qenë një kërkesë konstante prej vitesh, e deri sot, e diplomacisë serbe, që nga Millosheviçi e Koshtunica, e deri te Daçiçi e Vuçiçi. Deri para bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, edhe disa qarqe të diplomacisë europiane e kishin konsideruar tezën e  ndarjes së Kosovës si alternativë me interes” (fq.13).Vetëm një analist diplomatik i vëmendshëm si Shaban Murati do të mund t’iu kundërvihej hapur tezave të lidershipeve zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në mbështetje të propozimit të Presidentit Serb Vuçiç për ndarjen e mundshme të Kosovës. Pikërisht ky qëndrim i eksponentëve më të lartë të dy shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës dëshmon vetëvrasjen diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës.Ndaj dhe analisti diplomatik Murati, që para tri vitesh, ndër 14 pyetjeve të ditës që shtroi për Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, iu drejtohet atyre publikisht se: “Me çfarë të drejte dhe norme ndërkombëtare juridike i kërkohet Kosovës t’i japë pjesë nga sovraniteti dhe integriteti i vet Serbisë, shtetit që humbi luftën më 1999? A i kanë lexuar Tirana dhe Prishtina traktatet e paqes dhe marrëveshjet e paqes midis shteteve fituese dhe shteteve të mundura në luftë?…A duhet të lejohet që Kosova të humbë në paqe atë liri e sovranitet, që fitoi në luftë me gjak dhe me ndihmën e NATO-s në vitin 1999?”.Në trajtimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri – Kosovë të tre viteve të fundit, si  dhe të raporteve të tyre me Serbinë, SHBA-të dhe BE-në, Sh.Murati arrin në konkluzionin se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në pikën e tyre më të ulët. Këtë e argumenton edhe me mosdakortësinë për idenë e rrezikshme të partneritetit strategjik me Serbinë. Referuar deklaratës së kryeministrit Rama në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 26 Nëntor 2018 në Pejë se “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike për afat të gjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë”,  ambasador Murati e konsideron këtë kaq jonormale, duke menduar se do ngrejë stuhi reagimesh mbarëshqiptare, njësoj si për idenë tjetër të ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.Ambasadori Murati argumenton se ky nivel i ulët marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Kosovës kryesisht vjen nga presioni i fortë i Serbisë, e cila, gjatë mandatit të dytë të qeverisë së Shqipërisë ka gjetur një terren tepër të përshtatshëm për një ofensivë dhe për një imponim të ideve, tezave dhe qëndrimeve jopozitive të qeverisë dhe të diplomacisë serbe. Kjo sipas tij edhe për faktin se pas mikrosamitit të Shkupit të 29 korrikut 2021 të krerëve të tri shteteve anëtare, përkrahëse të projektit serb me emrin “mini Shengen” apo “Ballkan i hapur” konstatohet një ngutje diplomatike dhe politike e sforcuar për të ecur sa më shpejt drejt integrimit serb të grupimit të ri subrajonal.  Për të argumentuar lëvizjen e “Ballkanit të hapur” në skemat ruse, analisti diplomatik Sh.Murati sjell në vëmendjen e opinionit publik deklaratën e zëvendësministrit të jashtëm rus, Aleksandër Grushko në Beograd më 18 qershor 2021 se “vendet e Ballkanit duhet të zgjedhin modelin e Federatës ruse, pra të bëhen si një shtet federativ që të ketë qendër drejtuese Beogradin, siç është Moska për Federatën Ruse”. Në këtë kontekst, mbështetjen zyrtarisht dhe publikisht të qëndrimeve të Serbisë nga Tirana zyrtare, ambsadaor Murati e konsideron si qëndrim që solli një çarje midis publikut shqiptar si dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Madje me të drejtë Sh.Murati shprehet për defekte të patriotizmit tonë, të cilin e kemi parcial. Ndoshta edhe për këtë mendim e ligjërim diplomatik të avancuar, Prof.dr.Enver Hoxhaj, ish-zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës (2016-2020) e konsideron ambasador Muratin njohësin më të mirë të Kosovës dhe të raporteve të saj me botën e jashtme që nënkupton: rajonin, Europën Juglindore, raportet me BE-në, por edhe kontekstin global të asaj se çfarë raportesh ka Kosova. “Mund të them që është prej njohësve më të mirë, ndoshta prej Vjenës deri në Athinë.. Sa herë shkruhet, flitet për Kosovën: mendimi i tij lexohet në Prishtinë, jo vetëm në mesin e vendimmarrësve politikë, por edhe në mesin e shumë të tjerëve, të cilët e krijojnë, e fuqizojnë kulturën e re politike në Republikën e Kosovës”, vlerëson z.Hoxhaj. Nisur edhe nga ky vlerësim shpreh bindjen në domosdoshmërinë e pasurimit të bibliotekave institucionale dhe vetjake të çdo shqiptari me librat e ambasador Muratit.Veçanërisht në veprën e tij të fundit madhore  “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, analisti diplomatik Sh.Murati argumenton edhe dështimin e madh të BE me Kosovën. Referuar dështimit të tryezave të njëpasnjëshme të bisedimeve Prishtinë-Beograd, autori i kësaj vepre e sheh dështimin e BE-më Kosovën në paaftësinë e saj për të arritur një zgjidhje përfundimtare në bisedimet tëtëvjeçare Serbi Kosovë, gjë që imponoi nevojën e angazhimit të drejtpërdrejtë të SHBA në ato bisedime.Të mirëargumentuara janë në këtë vepër, “Dalldia filoserbe në dëm të rajonit dhe pozicioni që duhet të mbajë Shqipëria”, “Ideja e rrezikshme ruse për Kosovën në Këshillin e Sigurimit” dhe veçanërisht  “Doktrina ‘Bajden’, si zgjidhje për Kosovën dhe Ballkanin”.Ajo që autori e quan Doktrina e Presidentit amerikan Bajden për Ballkanin, me pak fjalë përmblidhet në luftën kundër korrupsionit si interes strategjik dhe kundër atyre politikanëve që destabilizojnë rajonin, si dhe qendërzimi i dialogut Kosovë – Serbi.  Autori thekson se modelimi i Ballkanit me standarte perëndimore kërkon një forcë bindëse teorike, por kërkon edhe një forcë praktike, të cilën e përfaqësojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës./

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Murati

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT