nga: Lindita Komani/
Duke ndjekur zhvillimet e javëve të fundit në Kosovë, si në sallën e parlamentit ashtu edhe në rrugët e kryeqytetit Prishtinë, nuk mbetet gjë tjetër veçse të shpresosh që të gjithë që janë përfshirë e kuptojnë se çfarë po ndodh e çfarë kontributi po japin në mënyrë aktive e pasive në shndërrimin në parashtet të një shteti të krijuar me mundime.
Në një ditë si kjo e sotshmja, përkujtohet lindja e Ibrahim Rugovës dhe e nderojnë atë pasardhësit në detyrë në LDK të cilët pak i kanë lënë kësaj partie nga pesha dhe fryma e fillimit të viteve ’90. Ajo kohë mblodhi të rinj e të moshuar në urtinë e rezistencës jo të dhunshme, në aktivizim masiv popullor që në ato përmasa e me atë vlerë, nuk është parë më pas as aty e as nga kjo anë e kufirit në Shqipëri. Të moshuarit e asaj kohe nëse sot janë gjallë, me siguri që pas përjetimit të vuajtjeve të paraçlirimit, çlirimit, pavarësimit, krijimit të shtetit e degradimit gradual të tij, kanë gjëra për të thënë. Të rinjtë e asaj kohe, tashmë në mesin e të 30-ave e 40-ave, po ashtu me siguri që kanë gjëra për të thënë. Sa po i shprehin? Ne ç’mënyrë po i shprehin? A është lufta me gazlotsjellës alternativa e vetme shpëtuese për Kosovën?
Ndërkohë që jemi të tronditur nga sa po ndjekim, për më tepër duke marrë parasysh gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet edhe vetë Shqipëria aktualisht, me kaos politik e stanjacion ekonomik, pa ide e strategji për rrugëdalje, shpresojmë të shohim urtinë të fitojë e të udhëheqë drejt zgjidhjeve. Një letër e gazetarit Enver Robelli drejtuar Albin Kurtit, ndarë dje në rrjetet sociale, dukej një përpjekje e parë serioze për t’i bërë njerëzit të shohin se ka alternativë tjetër. Një takim i katër njerëzve me mend në Nju Jork i bërë publik me një foto po ashtu në rrjetet sociale duket gjithashtu si një shenjë tjetër që të urtët (të rinj aktivë të viteve ’90 e më pas në Kosovë e Diasporë) kërkojnë të tjera mundësi e tregojnë direkt e indirekt se po kërkojnë për këtë. (Me shaka ose jo dukej si një lloj mbledhje e një Këshilli të Emergjencës që nëse ende nuk është krijuar, vlen të krijohet e mundësisht të përfshijë edhe të ngjashëm nga kjo anë e kufirit.)
A është egërsuar populli deri në atë farë mase sa të dojë të rrëzojë shtetin? Njerëzit duan prosperitet e perspektivë për veten e fëmijët, siguri e stabilitet në një shtet i cili luftohet nga fqinji i vet ish-pushtues që të mos njihet ndërkombëtarisht.
Sa prosperitet e perspektivë kanë njerëzit aktualisht në Kosovë? Largimi masiv me autobuzë nën sytë e policisë e mediave gjatë këtij viti ka qenë një shenjë e qartë që nuk janë ekzistente. Përballë kësaj njerëzit kanë luksin e drejtuesve të shtetit të cilët nuk kanë justifikimin më të vogël për arritjen e tij. (Kjo vlen njësoj edhe për nga kjo anë e kufirit.)
Sa siguri e stabilitet kanë në shtetin e tyre? Trazira politike që vetëm se është thelluar me hedhjen e gazit lotsjellës dhe arrestimet e ditëve të fundit, nuk jep shpresë për mirë. Acarimi ndaj sistemit politik, me zgjedhjet politike demokratike që në mënyrë të përsëritur nuk po shërbejnë për t’i dhënë përgjigjen e merituar korrupsionit, vetëm se po shtohet. Manovrat për krijimin e qeverisë që u nis me tjetër konstelacion fitues e përfundoi me tjetër, vetëm se presin në besë mirëbesimin mes politikanëve dhe çka dukej e nisur për të mundësuar ndryshim kthehet në varrezë për shpresën. (Ngjashëm mund të shkruhet edhe për zhvillimet nga kjo anë e kufirit.)
Kësaj çorbe fatkeqe i shtohet loja e fundit që fqinji ish-pushtues luajti dhe e cila bëri të mundur që Kosova të mos anëtarësohej dot në UNESCO. Me një llogari të thjeshtë, Kosova, në mos të votojë thjesht kundër Zajednicës, do të ishte me mend që ta shtynte për një kohë vendimin e marrë zyrtarisht prej saj, të paktën deri kur Kosova të njihet si shtet nga Serbia e të jetë anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare pa pengesë nga ky vend fqinj.
Në këtë pikë, për të mos krijuar heronj lotsjellës e për të treguar që shteti është shtet e nuk do të zbresë në parashtet, është koha për liderët politikë që kanë ruajtur urtinë e elitën që qëndron e tërhequr në jetën e vet, të bëjnë më të mirën e mundshme që politikanët të kuptojnë që janë aty për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe për të mbajtur në këmbë e forcuar shtet e kjo nuk ndodh duke arrestuar e mbajtur në burg pjestarë të opozitës, nuk ndodh duke hedhur gaz lotsjellës. Të kthehet sadopak nga ajo urti e rezistencë e jashtëzakonshme që populli i Kosovës dëshmoi se ishte në gjendje të rriste brenda vetes e që e çoi drejt kërkesës së drejtë për pavarësi e shtet. Nëse duhen me çmos forma protagonizmi për t’u profiluar më tej si politikanë e liderë popullorë, atëherë le të shfaqen këto në kuadër protestash masive në krye të popullit e në kërkim zgjedhjesh të parakohshme, qeverie teknike që është në gjendje të sigurojë mbarëvajtjen e shtetit e të zbusë gjendjen e rënduar. (Në një gjendje të ngjashme ndodhemi edhe nga kjo anë e kufirit, me trazimin e përgjithshëm dhe pasigurinë ekonomike që janë arsye të forta që vendin herët ose pak më vonë do e çojnë në zgjedhje të parakohshme.)
Mos të harrohet që ndërkohë që këto po ndodhin, policia italiane në bashkëpunim me policinë e Kosovës arrestoi katër persona të dyshuar se mund të bëjnë akt terrorist, nga i llojit që fundos çdo lloj përpjekjeje që është bërë sa për gjithë kohërat bashkë për të arritur këtë privilegj që kemi, të jetojmë në liri e demokraci sado e gjymtuar qoftë ajo. Në kushtet e një lufte që duket se po kalon përmidis territoreve tona, me këtë bagazh njohurish në qarkullim, me dy shtete që duhet të mbajnë fort njëri-tjetrin se të afërm më të rëndësishëm të paktën në këtë kontinent nuk kanë, është arritur mosha e pjekurisë e kjo moshë nuk lejon më gabime.
2 Dhjetor 2015