Vehbi Zeqiri/
Dhuna e përhapur sidomos te të rinjtë në gjithë botën përfshi edhe Kosovën ka marrë përmasa shqetësuese. Shpesh kjo dhunë po konkretizohet dhe përfundon me fatalitet! Brengat e prindërve, të përgjegjësve të rendit, të instancave relevante qeveritare, të mësimdhënësve etj. nuk kanë të ndalur.
Çdo ditë e më shumë shtrohet pyetja, ‘çfarë po ndodhë’?
Prindërit dhe shoqëria në përgjithësi pyesin vetën, ‘ku kemi gabuar’?
Shqetësimi, brengat, dhe pranimi i realitetit është hapi i parë drejt zgjidhjes së kësaj enigme, por ndoshta edhe problemit në tërësi?
Bazuar në eksperiencën jetësore, akademike, dhe profesionale, sipas mendimit tim, fushat e mëposhtme kërkojnë vëmendjen tonë si dhe veprim të menjëhershëm në përmirësimin e tyre:
Edukata dhe rrethi Familjarë
Shumë prind dhe familjarë, në prezencë të fëmijëve të tyre të vegjël, zhvillojnë biseda negative dhe aspak edukative, si p.sh. urrejtja për të tjerët, mos falja e gabimeve, arritja deri te pasuria përmes rrugëve të pamoralshme dhe të paligjshme, mosrespektimi i të tjerëve, nëpërkëmbja e të dobëtëve, tallja me ata që mësojnë dhe edukohen, etj.
Fëmijët në fazën e parë të jetës, modelin të cilin e pasojnë me përpikëri janë padyshim prindërit e tyre. Çdo gjë që vjen prej tyre, e pranojnë pa asnjë dilemë, por edhe me krenari. Prandaj, prindër të nderuar dhe të dashur, kujdes prej sjelljeve dhe fjalëve tuaja në prani të fëmijëve tuaj!
Arsimimi dhe Shoqëria
Në fazën tjetër të jetës, ekspozimi i domosdoshëm jashtë familjes, hap mundësi tek fëmijët të ballafaqohen me jetën ‘e egër’ të rrugës dhe shoqëri të pa edukatë.
Fëmijët e kësaj moshe me një sinqeritet dhe qëllim të çiltër, iu besojnë të tjerëve pa rezerva dhe pranojnë fjalë, sjellje, dhe vepra jo të mira prej tyre. Gjithashtu kureshtja (aftësi e të mësuarit) e mbjellë tek fëmijët, mund t’i ekspozoj edhe më shumë ndaj elementeve negative.
Fëmijët janë në mëshirën, vetëdijen, dhe vullnetin e prindërve të tyre por dhe mësimdhënësve për kujdesin dhe ruajtjen e tyre prej botës së egër dhe negative që mbretëron jashtë
Neuronet Pasqyruese
Sipas neuro-shkencës, ekzistojnë neurone pasqyruese, të cilat kopjojnë sjelljet dhe fjalët e të tjerëve pa vetëdijen dhe vullnetin tonë. Rrethi ku rriten dhe zhvillohen fëmijët, do të ketë ndikim në të menduarit, të vepruarit, të shprehurit, dhe të jetës në përgjithësi për çdo fëmijë. P.sh. nëse kaloni kohë të gjatë me njerëz të pasjellshëm, edhe ju pas një kohe do të bëheni të tillë, por nëse shoqëroheni me njerëz të mirë edhe ju do të bëheni të mirë.
Nëse kemi parasysh rrethin familjarë dhe rrethin e gjerë shoqërorë si dhe neuronet pasqyruese, atëherë le të veprojmë në atë mënyrë që të pasqyrojmë vepra, fjalë, dhe këshilla të mirëfillta dhe edukative në prezencë të fëmijëve tanë me dashuri të sinqertë dhe respekt ndaj tyre.
Mos të harrojmë që te fëmijët në fillim të jetës së tyre ana emocionale e trurit është shumë më funksionale se ajo racionale. Prindërit me inteligjencë emocionale të zhvilluar janë më të vetëdijshëm për sjelljet e fëmijëve të tyre por edhe dinë më mirë t’i menaxhojnë ato sjellje.
Edukojini fëmijët tuaj që mos t’i edukojë rruga;
Dashuroni fëmijët tuaj që mos të kërkojnë dashurinë në rrugë,
Respektojini fëmijët tuaj që mos të kërkojnë respekt në rrugë
Të gjitha këto mund t’i gjejnë edhe në rrugë, por me një shkëmbim të një gjëje shumë të shtrenjtë, i cili është nderi i familjes!