Skënder Karaçica/
Ka kohë që Oda Ekonomike Amerikë-Izrael në Çikago ka shprehur gadishmërinë që të ndihmojë kahet e zhvillimit ekonomik dhe të politikave të investimeve në ekonominë e shtetit të ri të Kosovës,kështu është shprehur këshilltari i lartë i këtij institucioni Daniel Shure.
Për të vazhduar aktivitetin aty ku nisi me Konferencën Ekonomike për Investime në Kosovë që u mbajt në vitin 2015 në Çikago me delegacionin shtetërorë me ish-presidenten Atifete Jahjaga(të enjten,më 17 maj 2018)vjen për vizitë zyrtare zv/ministri për punë të jashtme në qeverinë e Kosovës,Besnik Fahredin Hoti.
Në agjendën zyrtare të Odës Ekonomike Amerikë-Izrael thuhet se zv/ministri Hoti do të vizitojë zyrën e Kryebashkiakut Rahm Emanuel në Çikago dhe Departamentin e Tregëtisë për marrëdhënie ekonomike të biznesit në botë për temën aktuale për mundësitë e biznesit dhe të investimeve në relacionet Kosovë-Çikago,thuhet ndër të tjera në agjendën e Daniel Shure.
Ndërkaq,në programin e kësaj vizite të zv/ministrit të jashtëm Hoti thuhet se qeveria e Kosovës do të afrojë 5 projekte kapitale të zhvillimit ekonomik që presin ardhjen e investimeve nga jashtë dhe sidomos nga Amerika,vendi mik i përjetshëm i shtetit të Kosovës.
Sipas programit të vizitës së zv/ministrit Hoti në Çikago,qeveria e Kosovës i bënë ftesë Odës Ekonomike Amerikë-Izrael që në një kohë të duhur të vizitojë Kosovën dhe nga afër të njihet me resurset natyrore e njerëzore si dhe me ligjet për politikat e investimeve që garanton dhe siguron mirëvajtjen e tyre shteti i Kosovës.
Zv/ministrin e jashtëm Hoti në vizitën e tij në Çikago do të shoqërojnë të dyja shoqatat (SHSHA-SHGSHA)si dhe Faton Bislimi,anëtar i bordit të LQSHA-së dhe këshilltar i kryetarit të komunës në Gjilan.