Nga Krenare Cubolli/ Evropa e Lire/
S’ka virus, maskat nuk të mbrojnë nga koronavirusi, masat e izolimit janë të kota dhe vaksinat janë të rrezikshme.
Këto janë vetëm disa nga dezinformatat, që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, prej kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.
Pretendime të tilla për pandeminë janë raportuar në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se koronavirusi ka qenë problematikë e re për të gjithë.
Megjithatë, njohësit e fushës së mediave dhe politikave globale shëndetësore vlerësojnë se vazhdimësia e përsëritjes së supozimeve të tilla, edhe pas më shumë se 13 muajve të përballjes me pandeminë, flet për mungesë të informimit të saktë për pandeminë në Kosovë.
Ata shprehen të shqetësuar nga mungesa e vetëdijes për rreziqet që ngërthen brenda vetes pandemia dhe mendojnë se ide të tilla mund ta vonojnë procesin e ecjes përpara sikurse vendet tjera, në disa prej të cilave, shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit po rritet relativisht shpejt.
Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka përcjellë përhapjen e informacioneve të rreme për pandeminë prej shpërthimit të saj.
Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se si në fillim është diskutuar shumë për zanafillën e koronavirusit, dhe janë përhapur informacione të rreme se ky virus është krijuar në laborator nga shtete e fuqishme.
“Pastaj me kalimin e ditëve, javëve, dezinformatat filluan të kalonin nga zanafilla e virusit, gjoja se te këshillat mjekësore, se si të mbrohen njerëzit nga koronavirusi”, thotë Gërguri.
Në një hulumtim që ka kryer Gërguri rreth kësaj çështjeje, në qershor të vitit të kaluar, ka rezultuar se limoni ka qenë produkti i dytë më i shitur në Kosovë.
“Arsyeja është sepse gjatë atyre muajve paraprakë kishte dezinformata se limoni të mbron nga virusi dhe përdorimi i limonit me ujë të nxehtë është diçka që duhet ta bëjë secili. Prandaj pas miellit, doli që limoni ishte produkti më i blerë nga qytetarët”.
Përgjatë analizimit të dezinformatave që kanë qarkulluar më së shumti në rrjetet sociale në mesin e shqipfolësve, Gërguri ka treguar se cilat janë reditur si pesë të parat në listë:
- Doktori amerikan shkund botën, tregon të vërtetën për koronavirusin.
- Diçka po ndodh! 40.000 trupa speciale amerikane kanë zbarkuar në vendet e Bashkimit Evropian përreth Ballkanit
- Një mjek japonez tregon si ta kuptoni nëse jeni infektuar me COVID-19
- Koronavirusi është mashtrim, masonët duan ta kontrollojnë botën
- Ilaçi për koronavirus dhe mënyra si ta eliminojmë atë
Ai tregon se disa prej këtyre dezinformatave i ka pranuar edhe vetë në llogaritë e tij në rrjete sociale.
“Këtë me mjekun japonez e kam pranuar në Viber nga një shok i imi, i cili më shkroi dhe tha, ‘provoje sepse një mjek japonez po e thotë’. Unë pastaj e pyeta se ku hasi në këtë informacion dhe ai më tregoi se e ka parë në një faqe në Facebook. Pra, çfarë ka ndodhur është se këto dezinformata, prej Facebookut janë shpërndarë gjithmonë edhe në Viber dhe Whatspp, pasi nëse kthehemi një vit mbrapa ishte ajo ndjenja e panikut, frikës dhe në situata të tilla, njerëzit edhe nga dëshira për ta ndihmuar tjetrin, kanë shpërndarë dezinformata”, ka thënë Gërguri.
Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ende vazhdon të dëgjojë dezinformata të tipit se virusi nuk ekziston.
Mirëpo tani për të përbën më shumë shqetësim kur njerëzit janë gjysmë të informuar dhe se aktualisht, sipas saj, dezinformata më e madhe lidhet me vaksinim.
“Ka mungesë të informatave rreth vaksinës dhe në atë hapësirë krijohen dezinformata të ndryshme. Nëse një herë kemi thënë se s’ka virus, atëherë shumë thjeshtë mund të themi se vaksinat janë të dëmshme. Në momentin që nuk flasin profesionistët, atëherë lindin konspiracione të ndryshme”.
Pas rritjes së dilemave për këtë vaksinë, më 8 prill ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.
Ai ka thënë para mediave se vaksina kundër koronavirusit është e sigurt dhe asnjë person që ka marrë vaksinën deri më tani në Kosovë, nuk ka pasur efekte anësore nga ajo.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit më 29 mars, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Vaksina e kompanisë AstraZeneca ka qenë temë diskutimi edhe në shumë vende tjera të botës, pasi disa vende përkohësisht patën pezulluar vaksinimin, meqë raportoheshin raste me trashje gjaku.
Megjithatë, në rishikimin e fundit të kësaj vaksine të kryer nga rregullatorët e Bashkimit Evropian dhe ata të Mbretërisë së Bashkuar, është thënë se përfitimet e kësaj vaksine i tejkalojnë rreziqet.
“Rastet e raportuara të trashjeve jo të zakonshme të gjakut, pas vaksinimit me vaksinën e AstraZenecas, duhet të renditen si efekte të mundshme anësore të vaksinës”, ka thënë shefja ekzekutive e agjencisë, Emer Cooke më 7 prill.
Çfarë shkoi keq?
Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, beson se hapësirë për dezinformata kanë lënë edhe institucionet që janë të thirrura për menaxhim të pandemisë.
“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka një staf prej rreth 150 personave, qe një vit e pak, ende nuk e kam parë ndonjë hulumtim të mirëfilltë rreth pandemisë. Puna e tyre e vetme është ajo. Ky institucion duhet të merret me hulumtime të numrave rreth pandemisë, të vijë me statistika, të na tregojë informata aktuale, dhe të informojë popullatën tash rreth vaksinimit”.
Edhe Arian Lumezi, gazetar me profesion, beson se shkalla e dezinformatave mund të jetë më rrezikshme tani, sepse tani ka kaluar kohë që jetojmë me këtë virus dhe pak a shumë dihet se cilat masa mbrojtëse funksionojnë.
Ai ka reaguar edhe përmes llogarisë së tij në Facebook lidhur me këtë çështje, duke thënë se shpërndarja e lajmeve të rreme duhet të ndëshkohet si vepër penale.
Lumezi ka folur me tone kritike edhe ndaj disa emisioneve televizive ku tregon se ka dëgjuar informacion të pavërtetë.
“Diskursi i përgjithshëm, debati publik ka degraduar shumë dhe është i bazuar kryesisht në dezinformata. Diçka që dëgjova në një emision ishte se maska nuk mbron nga koronavirusi. Me një kërkim të thjeshtë në internet mund ta kuptojmë se kjo gjë nuk është fare e vërtetë. Unë e konsideroj përhapjen e këtyre dezinformatave, dembeli intelektuale në rastin më të mirë, në rastin më të keq dezinformim dehumanizues, që burimin e ka më shumë te padituria”.
“Kriza institucionale e shtroi rrugën për më shumë dezinformata”
Si Xhemajli, ashtu edhe Lumezi besojnë se krizat institucionale kanë ndikuar që vëmendja e qytetarëve të bartet diku tjetër dhe jo në rreziqet e pandemisë.
Lumezi beson se pikërisht për këtë gjë, bindja e përgjithshme e qytetarëve tani është më e ulët.
“Prej argumenteve kryesore që mund t’i dëgjosh nga njerëzit, të cilët e kundërshtojnë vendimin e qeverisë për mbyllje, është që politikanët vetë kanë marrë pjesë nëpër fushata. Ata duhet të japin shembuj praktikë, të udhëheqin sipas shembullit”.
Xhemajli ka thënë se ndryshimet e mëdha të zyrtarëve të krye të institucioneve, ka nënkuptuar se nuk ka pasur stabilitet as në shpërndarje të informatave siç duhet.
“Kosova, gjatë këtyre 13 muajve të pandemisë, në shumicën e rasteve, nuk e ka menaxhuar pandeminë, por ka reaguar ndaj pandemisë. Kemi pasur shumë peripeci me rrëzim të qeverive, zgjedhje, me rregulla të ndryshme varësisht prej qeverive, prandaj gjithë këtë periudhë unë kam parë përzierje të politikave shëndetësore, të cilat në shumicën e kohës nuk janë artikuluar në mënyrën më të duhur”, ka thënë ajo.
Çfarë duhet bërë?
Me qëllim të luftimit të këtyre informacioneve të rreme, Hana Xhemajli beson se Qeveria e re e Kosovës duhet të nisë sa më parë një fushatë sensibilizuese rreth vaksinimit në Kosovë.
“Çfarë pres konkretisht nga IKSHKP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë është një fushatë solide rreth pyetjeve dhe përgjigjjeve që i ka popullata, e cila mund të plasohet në secilin rrjet social, në secilin televizion, që nëse nuk e marrin vaksinën, e cila është e testuar dhe është e sigurt, atëherë ne do të kemi probleme që të dalim prej këtyre masave kufizuese”.
Arian Lumezi beson se edhe mediat duhet ta luajnë rolin e tyre në këtë mes.
“Përveç qeverisë, edhe mediat kanë jashtëzakonisht shumë përgjegjësi në vetëdijesim. Nuk po them që mediat të kthehen në mjet të ndërgjegjësimit të njerëzve, por së paku të mos bëhen mjet në dezinformim”.
Dren Gërguri vlerëson se secili qytetar duhet të përpiqet të verifikojë edhe vetë çdo informacion.
“Në epokën në të cilën ne jetojmë, secili qytetar duhet ta ketë sensin e gazetarit. Pra, që çdo informacion që e merr ta verifikojë së pari”.
Për verifikim, ai propozon ngritjen e tri pyetjeve:
- A është i besueshëm burimi i informacionit?
- A është raportuar ky lajm edhe në ndonjë media tjetër?
- A mbështetet në burime zyrtare?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë bashkë 132 vende anëtare në nënshkrimin e deklaratës rreth rreziqeve të infodemisë për koronavirusin.
Në të thuhet se prej shpërthimit të koronavirusit dhe shpallës së pandemisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, zyrtarë të lartë në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e saj, kanë tërhequr vërejtjen për sfidën e infodemisë apo keqinformimit dhe dezinformimit për pandeminë.
Guterres madje ka thënë se “me përhapjen të COVID-19, është nisur një cunami i keqinformimit, urrejtjes, skandaleve dhe frikësimit”.