
Rafaela Prifti/
Pavarësisht se çfarë qëndrimi mund të keni për Ditën e Kolombit, historia, faktet, miratimi i festës në rang kombëtar dhe kundërshtitë që e shoqërojnë atë janë të lidhura me Epokën e Zbulimeve (Age of Exploration) dhe me historinë e popujve banorë të vendit, të cilat janë pjesë të rëndësishme të botëkuptimit amerikan.
Dita e Kolombit në Shtetet e Bashkuara përkujton zbarkimim e zbuluesit Kristofor Kolombi në tokën amerikane në 1492. Në formë jo zyrtare është festuar në disa qytete dhe shtete qysh në shekullin 18. U zyrtarizua si festë federale në vitin 1937.
Festa ishte një formë nderimi për zbulimet e Kolombit por edhe për komunitetin dhe trashëgiminë italiane ameikane. Por gjatë gjithë historisë, kjo ditë dhe personi që mban të njëjtin emër kanë ngjallur shumë debate dhe kundërargumente. Dalja e të dhënave se zbuluesit e parë evropianë në Amerikën e Veriut kanë qenë popujt Nors nga periudha e Mesjetës së Hershme ka hedhur poshtë edhe disa teza të kaluara për zbulimet e Kolombit, veç pasojave dhe eliminimit të fiseve indiane vendase. Duke filluar nga vitet 1970 janë propozuar disa alternativa për festën. Një prej tyre Dita e Popujve Indigjenë festohet në shumë qytete anë e mbanë Amerikës.
Proklamata presidenciale për ditën e sotme thotë se guximi dhe karakteri i italiano ameikanëve reflektojnë por edhe ndihmojnë përkufizimit se kush jemi ne si komb. Së pari, në shpalljen e Shtëpisë së Bardhë përmendet viti 1891, masakrimi i 11 italianëve, një akt që tronditi vendin dhe prej të cilit Presidenti Benjamin Harrison lëshoi deklaratën e parë me këtë emërtim në 1892. “Nga shumë njerëz, e para Ditë e Kolombit konsiderohej një formë nderimi për ata që humbën jetën por njëkohësisht edhe ngadhënjim i shpresës, mundësive dhe aftësive të veçanta të cilat komuniteti italian-amerikan i ka dhënë në shërbim të vendit përpara se të krijohej Republika. “Ka kaluar më shumë se një shekull qysh atëherë dhe ne mblidhemi për Ditën e Kolombit me të njëjtën frymë, në nderim të italiano-amerikanëve, duart e të cilëve ndërtuan vendin dhe zemrat e të cilëve mbajtën brenda tyre ëndrrën amerikane,” shkruhet në Deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Më tej, duke përmendur udhëtimin e Kolombit nga Porti spanjoll Palos de la Frontera në emër të Mbretëeshës Isabella I dhe Mbretit Ferdinand II, njoftimi e quan atë “burim krenarie” për komunitetin italian amerikan, dhe e lidh me historitë që ata dëgjonin kur ishin fëmijë për paraardhësit e tyre që kapërcenim oqeanin me anije druri apo të gjyshërve që emigronin me shpresë për një jetë të re. “Këto janë historitë e atyre që lënë pas gjithçka kanë njohur e dashur në kërkim të mundësive në Shtetet e Bashkuara,” vazhdon deklarata e cila në këtë pikë inkuadron temën e nxehtë dhe të vështirë të emigracionit.
Për ta lidhur të kaluarën me të tashmen, në njoftim përmenden kontributet e profesionistëve të shkëlqyer italianë amerikanë në të gjitha disiplinat dhe në botën e artit e kulturës në Amerikë, si edhe roli i rëndësishëm i diasporës në forcimin e marrëdhënieve me Italinë, aleate e Shteteve të Bashkuara dhe vend anëtar në NATO-s dhe Bashkimin Evropian.
Së fundi, njoftimi i referohet idesë bosht që u vu në themelet e kombit: barazia, dhe krijimi nga i madhërishmi me të drejta të patjetërsueshme. “Edhe pse ideja nuk është arritur në forma të plota, frymëzimi që e mban gjallë atë nuk na ka lënë ta braktisim. Sot, përkulemi me nderimi përpara italiano-amerikanëve që nuk e braktisën parimin tonë themeltar,” thuhet në Deklaratën e sotme.
Në përkujtim të udhëtimit historike të Kolombit 531 vjet më parë, e hëna e dytë e muajit Tetor është Dita e Kolombit me dekret të Kongresit. “Në shenjë nderimi të historisë së larmishme dhe respekt ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre për kombin, flamujt amerikan do të valëviten nga ndërtesat qeveritare,” përfundon Deklarata e Shtëpisë së Bardhë.