Përgatitur nga Alfred Papuçiu/
Në këto ditë të Covid-19 po vërehet një fenomen jo i zakonshëm. Nga njëra anë, konsumatorët janë duke bastisur raftet e produkteve ushqimore dhe shtetet po krijojnë stoqe. Nga ana tjetër, disa vende prodhuese po kufizojnë ose madje ndalojnë eksportet. Kjo gjë shkakton panik midis konsumatorëve dhe rrit çmimet.
Kërkesat janë rritur për produkte të tilla si makarona, peta, pita apo edhe tortilla. Planeti i tërë i do këto ushqime të bëra nga mielli i grurit. Në Europë dhe shumë vende të tjera, menaxherët e ushqimit mund të na sigurojnë që ka prodhim dhe rezerva të mjaftueshme, por blerjet e çfrenuara nuk ndalojnë. Eshtë e vërtetë që përballet me paqartësitë që lidhen me pandeminë Covid-19, produktet si makaronat etj., janë veçanërisht të lehta për tu ruajtur.
Ndërkohë, çmimi i grurit është në rritje, por shpërthimi i kërkesës nuk është e vetmja arsye. Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, por edhe në Europë, të korrat e drithërave përballen me mungesë të punëtorëve sezonalë, për shkak të mbylljes së kufijve që lidhen me Covid-19. Vështirësitë vazhdojnë edhe në aspektin e logjistikës; transporti detar dhe portet punojnë më pak dhe vonojnë dërgesat.
Zhurma e blerjes nuk ka të bëjë vetëm me familjet. Në panik nga perspektiva e mungesës së ushqimit, vendet importuese po përpiqen të realizojnë kontratat me çdo kusht. Për shembull, Kina, e cila duhet të ketë rezerva mielli për të paktën një vit, blen sasi të mëdha, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas agjencisë Bloomberg, Turqia dhe Algjeria, dy vende të mëdha ku buka arabe është ushqimi kryesor, bëjnë të njëjtën gjë. Maroku, për të lehtësuar importet dhe grumbullimin e stoqeve, sapo ka hequr taksën doganore të grurit.
Gjithashtu, po rritet përdorimi industrial i drithërave. Sektori në rritje i karburantit është bërë një nga burimet kryesore të kërkesës në vitet e fundit. Vlerësohet se të paktën 100 milion ton drithëra përdoren sot për prodhimin e biokarburanteve, me vëllimin e misrit të paktën 95 milion ton, ose 12% të përdorimit të përgjithshëm botëror. Misri është drithi kryesor që përdoret në prodhimin e etanolit, dhe Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi kryesor në botë i etanolit me bazë misri. Shtetet e Bashkuara pritet t’i kushtojnë të paktën 81 milion ton misër në prodhimin e etanolit, 32 milion ton më shumë (37%) sesa më parë . Eshtë vënë re dhe nje tjetër fenomen: degradimi dhe zvogëlimi i sipërfaqes së tokës së punueshme. Në vitet 2005/2008, Kina humbi 1 milion ha tokë të punueshme në vit, e përdorur për ndërtimin e banesave që kanë strehuar fshatarët nga eksodi rural. Ekuivalenti i një qyteti si Parisi u ndërtua çdo muaj në vitet 2007-2008. Kërkesa për mish derri po rritet në Kinë, që do të thotë të ketë më shumë misër (220 milion ton misër por do të jetë e domosdoshme në vitin 2020, me 45,000 ton, importuar sipas parashikuesve), në dëm të sojës që furnizonte proteinat e konsumuara tradicionalisht në Kinë . Kina dhe Koreja e Jugut janë përpjekur të prodhojnë jashtë vendit, duke marrë me qira ose duke blerë tokë (Birmani, Laos, Kubë, Brazili, Rusi dhe Argjentinë).
Dhe për të krijuar edhe më tepër probleme, disa vende prodhuese sapo kanë vendosur të ndalojnë eksportet. Duke filluar me Kazakistanin, prodhuesi i tetë më i madh në botë i grurit, i cili kishte planifikuar të dërgonte 8 milion ton, kryesisht në Europë. “Nëse është e nevojshme, Ukraina gjithashtu mund të konsiderojë kufizimin e eksporteve të saj,” tha presidenti i saj, Zelensky, në një mesazh televiziv drejtuar kombit këto ditë, cituar nga AgriReport, një agjenci informacioni e specializuar në lëndët e para bujqësore. . Sipas të njëjtit burim, Rusia fqinje, prodhuesi më i madh në botë, mund të ndiqte të njëjtën rrugë. “Ne jemi të gatshëm të vendosim kufizime në mënyrë që të furnizojmë tregun kombëtar,” tha Zëvendëskryeministri, Andrei Belousov të martën gjatë një takimi urgjent në Moskë.
Rekord i prodhimit botëror
Njoftime të tilla nuk janë pa pasoja, edhe nëse prodhimi botëror i grurit për sezonin 2019-2020 pritet të jetë një rekord. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Grurit, korrja do të arrijë në 763 milion ton.
Në përgjithësi, çështja e mungesës së ushqimit lind gjithashtu në dritën e paralajmërimeve nga disa eksportues të orizit aziatik, përfshirë Vietnamin, të cilët gjithashtu thuhet se po konsiderojnë ndalime të përkohshme të eksportit. Serbia tashmë ka ndaluar eksportin e vajit vegjetal.
Simon Evenett, profesor i ekonomisë në Universitetin e Sën Gallen, kundërshton me forcë çdo ndalim të eksportit të ushqimit. “Eshtë për të ardhur keq që Rusia, Ukraina dhe Kazakistani po marrin këtë vendim i cili destabilizon çmimet e grurit,” tha ai. Ideja për të kufizuar eksportet për të siguruar furnizime shtëpiake me kosto të ulët ka dështuar në të kaluarën. “
Gjithashtu i ngarkuar me Aleancën e Tregtisë Global, një vëzhgues mbi proteksionizmin e tregtisë në botë, me të vërtetë kujton se në vitet 2007-2008 shumë vende prodhuese bujqësore kishin ndaluar eksportet pas korrjeve dhe spekulimeve të këqija. “Në fund, ata përfunduan duke destabilizuar çmimet botërore,” thekson ai.
Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), nuk ka asnjë arsye për të justifikuar rritjen e çmimeve të ushqimit. “Nuk ka mungesë ushqimi në horizont, pohon kryekonomisti Maximo Torero . Prodhimi i drithërave po shkon mirë dhe, sipas sistemit tonë të paralajmërimit të hershëm, eksportuesit kanë rezerva të mjaftueshme për të furnizuar tregun ”. Megjithatë, Maximo Torero pranon, se pasiguria rrit rrezikun e ruajtjes së paligjshme dhe tregut të zi. Më kujtohet vite më parë kur punoja në një multinacionale, Qipro organizonte tendera për të blerë dhjetra mijra tonë grurë dhe misër, të cilat pastaj ua shpërndante vendeve të tjera të BE. Shpresoj që ata që vendosin për blerjen e drithrave tek ne, të mendojnë të blejnë qysh tani disa mijra tonë drith, duke përdorur portin e Durrësit, për ti shpënë edhe në Kosovë. Duhet përfituar nga çmimi aktual për të mos i marrë ato me çmime më të larta paskëtaj.