-Deri të shtunën, numri i rasteve në Kosovë ka shkuar në 6917 ndërsa i viktimave në 169 që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus. Numri i të shëruarve ka arritur në 3753.
Drejtuesit e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, kanë bërë të ditur se një pacient i moshës 32-vjeçare i cili siç thuhet se ka pasur edhe sëmundje tjetër ka vdekur të shtunën në mbrëmje.
Autoritetet spitalore në Pejë, thanë se i ndjeri dyshohet se ka qenë i prekur me sëmundjen e koronarvirusit, por rezultati i testit të bërë ende nuk është mësuar.
“Një pacient i moshës 32-vjeçare nga Komuna e Pejës i shoqëruar edhe me sëmundje tjetër të rëndë, fatkeqësisht ka vdekur mbrëmë. I ndjeri ka qenë i dyshuar me COVID-19, ka kryer testin por ende nuk ka pasur rezultat”, është thënë në një njoftim nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se një konstatim i tillë se personi ka qenë i prekur me COVID-19 është diagnozë e punës.
“Një qëndrim është se të gjitha rastet e dyshimta të cilat kanë elemente të infeksionit COVID-19 dhe derisa nuk vërtetohet e kundërta ato trajtohen si COVID-19. Kjo e ka qëllimin që të ketë një qasje më të kujdesshme dhe kjo është diagnozë e punës, diagnozë klinike”, tha Dreshaj.
Dreshaj shpjegon se në të gjitha spitalet jo vetëm në atë të Pejës veprohet njësoj dhe se sipas tij, ky është rekomandim i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publikë.
“Qëndrim i Institutit Kombëtar është se në situatë të pandemisë, duhet t’ju qasemi sikur ata [pacientët] të jenë pozitiv deri sa nuk vërtetohet e kundërta”, tha Dreshaj.
Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë aktualisht po trajtohen 70 pacientë me COVID-19.
Nga këta pacientë, 26 janë në oksigjenoterapi,kurse 9 pacientë janë në gjendje të rëndë, përderisa pacientët e tjerë janë në gjendje më stabile.
Spitali i Pejës njofton po ashtu se 7 pacientë të infektuar me COVID-19 janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit. Në këtë spital, 5 mjekë dhe 11 infermierë dhe 3 punëtorë të shërbimit teknik janë të infektuar me COVID-19.
Ndërkohë, deri të shtunën, numri i rasteve në Kosovë ka shkuar në 6917 ndërsa i viktimave në 169 që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus. Numri i të shëruarve ka arritur në 3753.