Nga Gani Qarri Zyrih/ Zvicer/
Qenka tejet trishtuese kur njeriu sheh në këtë gjendje popullin e vet. Një popull të tërë që nga skamja dhe mjerimi i padurueshëm,ka mësy të ikë dhe një orë e më parë ta lë atdheun e tij, nën mallkimin që i sollën ata që nuk do duhej. Ndoshta u bë mjaft për këta njerëz të cilët padrejtësisht, që sa kohë ushqehen me dezinformata zbukuruese,kurse gjërat nuk shkuan asnjëherë në rrugën e duhur dhe drejtimin në të cilin shqiptarët besonin.
Atyre tanimë,nga zhgënjimet e njëpasnjëshme,mjerisht u është bërë i pamundur qëndrimi në atdhe. Vrojtimi indiferent ndaj korrupsionit, nepotizmit keqpërdorimit të demokracisë,pasurimit marramendës të pushtetarëve dhe varfërisë trishtuese të popullsisë kanë filluar ta kërcënojnë jetën e tyre dhe sigurinë tonë kombëtare, e cila i detyron njerëzit e dëshpëruar në ikje të pakthim.
Se kjo gjendje do të shkoj kaq larg dhe deri në këtë ditë sa të kërcënoi me zbrazjen e vendit dhe ç`shqiptarizimin e atdheut,këtë nuk e ka pritur askush. Mirëpo të vazhdoj edhe më tej,që ky vend i sjellur në këtë skamje marramendëse dhe varfëri të skajshme deri në vdekje klinike, të udhëhiqet nga pushtetar milioner dhe deputetë të katapultuar AKSIDENTALISHT në Kuvend me vota të vjedhura,kurse shqiptarët –në shenjë proteste– ta lëshojnë tërësisht të heshtur – vendlindjen e tyre, fatkeqësi më të madhe për këtë popull nuk mund të ketë.
Jo vetëm pushtetarët por as opozitarët, nëse ka të tillë në Kuvendin e Kosovës,që sa vite shihet se nuk janë aty për të shpreh zërin e votuesve të zhgënjyer, por për votimin pa kundërshtime të të gjitha planprogrameve të qeverisë, ashtu siç ajo i do dhe paraqet para tyre.
“Përfaqësues” të tillë keqpërdorin në mënyrë mjeshtërore sinqeritetin dhe durimin e këtij populli, duke punuar me hile në emër të tij, dhe pa asnjë përkushtim për interesin e vendit dhe aspiratave të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.
Sjellja e tillë është edhe çështje e identitetit kombëtar, dinjitetit personal dhe edukimit njerëzor jo vetëm të deputetëve por edhe votuesve të heshtur që nuk bëzajnë para asnjë padrejtësie ndaj tyre dhe vendit ku jetojnë, madje as para përpjekjeve të fundit antikombëtare, për amnistimin në “paket” të të gjitha krimeve, kriminelëve dhe të inkriminuarve, në çfarëdo vepër penale.
Më kotë shqiptarët shpresuan gjatë gjithë kohës se gjërat do të ndryshonin për të mirë. Fatkeqësisht as pas 14 vitesh çlirimi,nuk ka kthim nga e mbara. Përkundrazi,vendi po mbytet nga korrupsioni, skamja ,varfëria dhe pasiguria totale,ndaj edhe njerëzit kanë marrë arratinë duke ikur me “cuc e me mic” me krejt çka kanë dhe si munden, nga varfëria tmerruese që pushtetarët dhe të gjitha partitë politike bashkë-ditën ti sillnin atdheut, e cila po thellohet përditë e më keq.
Asnjë vend në botë nuk mund të ecë përpara,nëse pushtetarët e tij nuk njohin zanat më të mirë sesa gjatë gjithë kohës së qëndrimit në pushtet të mbjellin korrupsion dhe prodhojn varfëri e skamje, i cili po ia zë frymën këtij vendi dhe dëmton me të madhe imazhin e Kosovës, gjë që shihet se fare nuk është breng e tyre, siç nuk bregosen për dhjetra autobusët e mbushur me shqiptarë hallexhinj, që brenda dite largohen nga Kosova.
Qytetarët e Kosovës kanë kaluar nëpër periudha të vështira të dhunës dhe diskriminimit, plagët e të cilëve janë ende të hapura,duke shpresuar se me çlirimin e vendit,të paktën do tu mundësohej mbijetesa në atdheun e vet. Por ata nuk mund ta fshehin më zhgënjimin e tyre ndaj sot janë më të dëshpëruar se kurrë më parë me pushtetarët dhe opozitarët, pothuajse në masë të njëjtë
Frustrimi më i madh vije nga qëndrimet e së ashtuquajturës “Opozitë” nga flirtimi politik dhe praktik i kastës së konsumuar që moti të udhëheqësve të LDK-s, të cilët pas dështimeve të një pas njëshme në zgjedhje dhe politikë,nuk hezituan të tradhtonin edhe votuesit e tyre duke hyrë në martesë të fshehtë me pozitën,nga veprimet e të cilëve, me të drejtë elektorati ndihet thellësisht i zhgënjyer dhe tradhtuar rëndë.
Ndaj, është momenti më i artë për ta, dhe koha e fundit për politikanët e inkriminuar,që të pensionohen sa më parë dhe ti thonë lamtumirë politikës në këtë vend, një herë e përgjithmonë.
Kurse,grupit të prirë nga Sabri Hamiti,Isa Mustafa, Ismet Beqiri e Lutfi Haziri, nuk u ka mbet më fije “yndyre”,për tu zbavitur edhe më tej me politikë.
Ata, u pa qartë për disa vite,se nuk janë në gjendje ta mbajnë dhe ushtrojnë fer e si duhet këtë detyrë,ndaj dhe mbeten përfundimisht të paaftë për zanatin e politikbërjes. Ky grup fatkeq,jo vetëm se dështuan disa herë në punën e tyre por edhe janë konsumuar aq shumë sa që askush, bile as optimistët më të pandreqshëm, nuk mund të shpresojnë më se me këta në krye, do të ketë opozitë të njëmendët apo parti me perspektiv ndonjëherë.
Zotërinj, ju jeni prapambetja vet, moszhvillimi dhe humbja e përditshme, fatkeqësia e pështirë e këtij vendi. Sa më gjatë që ta shtyni avazin e nisur,aq më keq jo vetëm për partinë (nëse mund të quhet e tillë edhe nën udhëheqjen tuaj)por edhe për shtetin dhe gjithë shqiptarët, sepse ju jeni bërë shkas edhe i të mos pasurit Opozitë të mirfillt që disa vite në Kosovë.
Nën udhëheqjen tuaj, nga opozitë fiktive u kthyet në bashkëshorte të dëgjueshme dhe besnike të partisë në pushtet,duke bërë aminin për çdo gjë. Madje,ndoshta duke qenë edhe vet të zhytur thellë në korrupsion e vepra tjera penale, ju asnjë herë nuk e ngritët zërin kundër çfarëdo keqpërdorimi në Kosovë.
Për fat të keq,dikush nga grupi juaj përmendet si bashkëpunëtor i UDB-së,tjetri si “I zoti” i një shoferi që kishte për “hobi” transportin e lëndëve narkotike nëpër Serbi,tjetri për inkriminim në vrasje brenda partisë së vet, kurse një tjetër kohët e fundit ka nisë të shkruaj edhe letra të përbashkëta “dashurie” me buzhalinjët,drejtuar EULEX-it.
Zotërinj,kështu nuk zhvillohet politika as udhëhiqet partia. Është e pakuptueshme se ku e gjeni ju gjithë këtë luks flirtimi derisa bashkë me pozitën, e keni sjellë një popull në zgrip të jetës dhe detyruar të lë vendin e të ikë natën nga sytë këmbët. Gjendja që pozitë dhe opozitë krijuan ,duke detyruar pjesë të tëra të një populli në shpërngulje,është diversion kombëtar,shkatërrim i identitetit të një populli dhe pjesë e strategjisë së antishqiptarizmit në këto troje.
Ndaj, për hir të Kosovës dhe njerëzve të këtij vendi, ikni sa më shpejt ,ikni më se mjaft,shkoni në shtëpi dhe hani pensionet dhe pasurinë e grumbulluar në mënyrat që vetëm ju i dini,të cilat uroj ti hani ashtu siç i keni fituar. Por përfundimisht ikni. Ikni sepse është koha dhe ky popull nuk mund t`ua falë përgjithmonë çdo mëkat që keni bërë në kurriz të tij dhe vendit që i takoni. Pra zotërinj- fajtorë, cilët-do qofshit,më mirë shkoni dhe me ikjen tuaj-krijoni mundësi, që shqiptarët përfundimisht ta shohin dhe kuptojnë se ç`po ndodhë në të vërtetë me atdheun e tyre,sa s`është bërë vonë për të gjithë.
Gani Qarri Cyrih, 11 Korrik 2013