-Darka e Lamës, është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, ndërsa është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej në kryeqytet./
-Presidenca: Është shtyrë për një kohë tjetër për shkaqe organizative dhe teknike/
-Presidenti Rugova në 23 tetor 2003: Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Zyra e Presidentes së Kosovs sapo njofton se, “manifestimi tradicional Darka e Lamës, i paraparë të mbahet sot në qytetin e Pejës, është shtyrë për një kohë tjetër për shkaqe organizative dhe teknike”.
Darka e Lamës, është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, ndërsa është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej në kryeqytet.
Vitin e klauar u festua në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë, për herë të parë në këtë qytet, meqë deri atëherë tradicionalisht e institucionalisht Darka e Lamës organizohej vetëm në Prishtinë.
Në Kosovën moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore më 2002, kur Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpalli festë shtetërore.
Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë.
Në Prishtinë, në 23 tetor 2003, në mjediset e hotelit “Grand”, kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo fesët e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.
Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.
“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.
“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.
Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.
“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.
“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës.