(Në vend të parathënies)
“Mori bijë bij e Lalës
Mori e bukur e mëritur
Pse më çove në mon’ e shkuar?”
Gavril Dara i Riu
Nga Eugjen Merlika
Romani në vargje “Kaini dhe bijtë e tij” i poetit Zef Pashuk Mirakaj lexuesit të një farë moshe i sjell ndërmënd një të shkuar tashmë të largët, Shqipërinë e viteve 60 e 70, me të gjitha nuancat e ngjyrave të saj të errëta, ndërsa atij të ri, të lindur në vitet 80 i paraqet një tabllo sureale, një farë teatri absurd, ku luhen drama jashtë çfarëdo logjike, sado të thjeshtë.
Ngjarjet zhvillohen në një qytet fushor të Myzeqesë, një vend i njohur për sektorët e internimit dhe ashpërsinë e së ashtuquajturës “luftë e klasave”. Romani ka dy linja kryesore veprimi që ecin paralel por edhe që ndërpriten me njëra tjetrën në pika të caktuara. E para është ajo e dashurisë së një djali të internuar në një fshat me një vajzë të re qytetare që punon si arsimtare. E dyta është ajo e veprimtarisë së Shtetit të plotfuqishëm, për të cilin individi me botën e tij shpirtërore nuk vlen asgjë, është vetëm një numur i inkuadruar në planet e tij djallëzore, të cilat duhet të sendërtohen pikë për pikë. Në roman Shteti zyrtar me të gjitha institucionet partiake e shtetërore është në hije. Ai përfaqësohet nga pjesa më e errët e tij, ajo e krimit të organizuar, zëdhënësi më besnik i diktaturës, Sigurimi i Shtetit. Autori i përkufizon me termin “hije” njerëzit e besuar të regjimit që veprojnë në errësirë, në fshehtësi, që vendosin për fatet e njerëzve, nga më të thjeshtit deri tek oborrtarët, që bashkatdhetarët e tyre i ndajnë në dy grupe, në “njerëzit tanë” dhe në “armiq”. Për të parët kanë gjithmonë syrin vigjilent, mbasi teoria e kryetarit të madh thotë se mund të degjenerohen, të bashkohen me të dytët, ndërsa për këta është e mprehur gjithmonë shpata që pret pa mëshirë, që nuk kursen asgjë, as ndjenjat, as ëndrrat, as jetët e njerëzve që nuk stepet para asgjëje, as pafajsisë së fëmijës as dobësisë së plakut apo të gruas.
Dy linjat e romanit përfaqësojnë dy botë të ndryshme që ndeshen me armë jo të barabarta me njëra tjetrën. E para është ajo, bota e përjetëshme e dashurisë, e asaj ndjenje të cilën Krijuesi u a dhuroi banuesve të këtij planeti për të siguruar vazhdimësinë e racës njerëzore në të. E dyta është ajo e dhunës së Shtetit, një institucioni të krijuar për të ruajtur barazpeshën e marredhënieve të ndryshme mes qytetarëve nëpërmjet ligjeve. Simbas normave më parake të së drejtës Shteti dhe qytetari duhet të kenë ndërvartësi në disa sfera të veprimtarisë së tyre, por pavarësi në sfera të tjera. Në këto të dytat hyn jeta intime, marredhëniet dashurore, martesa e familja. Jo gjithmonë janë respektuar këto kritere, jo gjithmonë shteti ka qëndruar pa ndërhyrë me forcën e tij, në forma të ndryshme, në jetën intime e familjare të qytetarëve. Sporadiciteti i kësaj dukurie në shoqëritë e shkuara kthehet në një trysni masive e skajore në Shtetin komunist, veçanërisht n’atë shqiptar. Familja, qeliza bazë e shoqërisë, ADN e saj, në sistemin komunist bëhet një variabël e politikës që përcakton, simbas rastit, formimin e shkatërrimin e saj, me pasoja shpesh tragjike mbi botën shpirtërore të qytetarëve.
Autori i romanit në vargje “Kaini dhe bijtë e tij” shtjellon një rast të shfaqjes së dukurisë, një nga të shumtit të vërtetuar në mbretërinë “proletare” të Enver Hoxhës, por drama merr karakter përgjithësues, megjithë specifikën e saj. Në qendër të romanit që, për nga stili, i ngjan më shumë një vepre të sentimentalizmit të shekullit 18 se sa një prodhimi të mbishekullit të globalizuar elektronik, janë dy të rinj që vijnë nga kushte të ndryshme shoqërore e kanë pozicione po aq të ndryshme. Admiri është një djalë i internuar, një nga ata për të cilët gjithshka është paracaktuar që në lindje, që nga mbiemri që mban. Jeta e tij zhvillohet në një kuadër të ngushtë, me pak përbërës, nën një mbikqyrje të vazhdueshme. Rrugët e studimeve janë mbyllur, me dhimbje të thellë ka kuptuar se në këtë sistem ku jeton do të mbetet gjithmonë një qënie e kategorisë së dytë, pa të drejta, pa perspektivë, pa shpresë. Jeta e bën të gëlltisë çdo ditë kafshata të hidhura e lotë që nuk duhet të duken së jashtmi. Gjithshka mbahet përbrenda , mbasi çdo kundërveprim do t’a keqësonte gjëndjen.
Shkrimtari ka një dobësi për personazhet e tij, ai i vizaton ata me ngjyra të forta, u vesh cilësi për t’u patur zili, duket sikur i nxjerr nga mitet e antikitetit dhe i sharton në realitetin e zymtë të epokës së tij.
“Hijeshín, trashigim marr prej Leandri
Nestori dhurue i kish urtësín.
Squetsín, trashigim e kish nga Fisi.
Bujarín, moto për t’vra vorfnín.”
Kështu përshkruhet Admiri, me dhunti të spikatura fizike, shpirtërore e intelektuale që e bëjnë të dallohet në rrethin e tij shoqëror. Këto dhunti, në kontekstin e zymtë të jetës së skllavit modern në figurën e bujkut të improvizuar, krijojnë komplekse të fuqishme dëshpërimi, të cilat janë pararendëse të krizave të forta shpirtërore.
Duke bërë një krahasim mes atyre kushteve të jetesës dhe atyre të botës bashkëkohore në të cilën depresioni, si dukuri klinike, gjithënjë e më tepër merr përmasa të mëdha, do të ishte e vështirë, ndoshta e pamundur, për psikologun apo sociologun të spiegonin mbi baza racionale arsyet e qëndresës psiqike të atyre popujve. Stresi i shoqërive pasindustriale është një argëtim në krahasim me ankthin dhe tmerrin në të cilin jetonin qytetarët e “parajsave socialiste”, sidomos t’ashtuquajturit “armiq të klasës”.
Në atë tunel të errët që ishte jeta e Admirit në moshën e ëndrrave i shfaqet një dritë, mbas së cilës ai kapet me forcë. Kjo dritë buron nga një vajzë e re, të cilën ai rastësisht e sheh në rrugë dhe istinktivisht fillon t’a ndjekë. Shumë shpejt ajo vajzë bëhet për te qëndra e universit, rreth së cilës vërtiten ëndrrat, iluzionet, shpresat për të ndryshuar jetën, për t’i dhënë asaj hapësirë, frymëmarrje, kuptim. Ajo vajzë quhet Leonora. Ndoshta atë emër poeti e ka huajtur nga një poezi e njohur e Edgar Allan-Poè, nga vargjet “Vajzë e rrallë dhe rëzorë/ që i thonë engjëjt Leonorë.”. Ndërsa imazhin e personazhit e plotëson me përfytyrimin e perëndeshave të botës antike:
“Emni i saj ishte Leonora,
Por qillue kish t’ish vet’Aurora”
Leonora është për autorin personifikimi i bukurisë femërore, një qënie e krijuar enkas nga Perëndia për të rrezatuar dritë. Dy personazhet për nga paraqitja dhe formimi i brëndshëm përbëjnë një të veçantë, shkëputen nga niveli i zakonshëm e duket sikur janë krijuar për njëri tjetrin.
Origjinat e familjeve janë të ndryshme e, megjithë vullnetin e mirë të poetit, ky fakt përbën një pengesë të mundëshme në rrugën e dashurisë së tyre. Admiri është pinjoll i një familjeje të dëgjuar, që bënte pjesë në elitën e kombit, ndërsa Leonora ishte:
“E bija e nji zejtari
Që koha i kish prerue”.
Në një shoqëri normale që trashëgonte një farë mendësie konservatore në atë drejtim, kjo do të kishte ndikuar, në një farë mase, në vështirësimin e bashkimit të tyre, por nuk do të kishte qënë një pengesë e pakapërcyeshme. Në kushtet aktuale të njohjes së tyre premisat janë përmbysur plotësisht: Admiri është “armiku” zyrtar me ferman, njëfarë gogoli që shërben për të trembur njerëzit, ndërsa Leonora është “bija e partisë”, një arsimtare së cilës ajo i ka besuar edukimin e fëmijëve. Në dukje sipërmarrja e bashkimit të tyre është e pamundur, por autori do t’i besojë forcës së dashurisë e është optimist.
Dashuria lind me shikimin e parë, është një ndjenjë kapërthyese që i zhyt me vërtik të dy në vorbullën e saj. Që nga ai shikim ndryshon gjithshka për herojtë e romanit. Mungesa e kontakteve, largësia është si era që i fryn gacës së ndezur, por në vënd që t’a shuajë e kthen në një zjarr të madh. Që nga çasti fatal për Admirin dhe Leonorën koha, hapësira dhe mjedisi humbasin kuptimin e tyre e i nënështrohen një transformimi që mbart fytyrën e partnerit. Gjithshka rrotullohet, lëviz ose qëndron në vend në funksion të çasteve të takimeve. Jo rastësisht autori këto çaste i vendos në një bibliotekë, sikur don të pasurojë kuadrin e personazheve me paraqitjen e interesave të tyre intelektuale. Ajo ndjenjë që deri në çastin e bibliotekës kishte qënë një lëmsh dëshirash, hamëndjesh, mëdyshjesh, pasionesh merr formën e saj të vërtetë në ballafaqimin e tyre. Dashuria nuk është më vetëm tërheqja fizike, pasioni, është edhe respekti i ndërsjelltë, stima, mirëkuptimi, elementë këto që çimentojnë dhe e bëjnë të qëndrueshme një lidhje që mund të jetë shpesh herë prodhim spontan i një çasti.
Kështu botët e tyre shpirtërore ndërthuren e plotësojnë njëra tjetrën, duke krijuar atë oaz mrekullie që në jetën e njerëzimit ka qënë streha në të cilën kanë gjetur çastet e lumturisë shumë nga miliardat e njerëzve që kanë kaluar mbi këtë tokë. Personazhet kryesore të romanit jetojnë ekstazën e lumturisë, pranverën e jetës së tyre pranë njëri tjetrit. Takimet e tyre, ndonëse të rralla, bëhen në fushat me grurë pranë qytetit, nën qiellin e mbjellë me yje, në heshtjen e natës që thyhet prej aktit të dashurisë. Janë pikat kulmore të një ekzistence që gjen vetëm në to kuintesencën e saj.
“ Sonte i përkasim Universit
Sonte nga toka jonë do të mërgojmë.”
kështu do të shprehej një poet vite më vonë për një dashuri të tillë. Deri këtu gjithshka është poezi, ndjenjë që ka frymëzuar kryeveprat e letërsisë botërore. Por në një vënd ku sundojnë bijtë e Kainit, të vllavrasësit, me mendësinë e dhunës e të urrejtjes, kjo poezi nuk mund të ketë jetë të gjatë. Ajo i ngjan një bime që mbin në një shkretëtirë, të cilën era e ngrohtë dhe mungesa e ujit e bëjnë të vyshket shpejt.
Dashuria e Admirit dhe Leonorës bëhet një nga objektet kryesore të Sigurimit të Shtetit që ndihet i sfiduar në misionin e tij kriminal të mbikqyrjes e të kufizimit të “armikut të klasës”. Fillojnë ndjekjet, thirrjet, trysnitë mbi të dashuruarit, të cilëve u duhet të luftojnë me një makinë të stërmadhe që bluan gjithshka. Këtu romani hyn në fazën e tij dramatike, në të cilën konflikti vjen gjithënjë në rritje, deri sa i afrohet tragjedisë.
Dashuria është e dënuar të mos ketë përfundimin e saj logjik sepse bie ndesh me ligjet e pashkruara të një shoqërie që e bazon qënien e saj mbi dhunën, mbi mendimin unik, mbi mungesën e lirive, mbi arbitraritetin e një kaste kriminelësh që janë në drejtimin e saj. Ajo tashmë fillon ballafaqimin e saj me sistemin e dhunës, i cili përligj edhe mjetet më imorale e më kriminale për të arrirë synimin. Pregatitet arrestimi i Admirit dhe rekrutimi si bashkëpuntore i Leonorës me synim për t’a kthyer në akuzuese të të dashurit. Është praktika e zakonshme e “hijeve”, e huazuar nga një përvojë që vinte nga larg, nga zyrat e mallkuara të Lubiankës moskovite e që mbolli terrorin shtetëror në më shumë se gjysmën e botës.
Tashmë ndjenja e fuqishme i nënështrohet arsyes së ftohtë që shtjellon pasojat e pashmangëshme, nëse sfida e saj ndaj forcave të errësirës do të vazhdojë. Vendimin duhet t’a marrë Leonora, sepse para saj vihet mëdyshja hamletiane : të rrosh apo të mos rrosh. Nëse bota e saj shpirtërore ka vetëm një strumbullar, nëse zemra e saj njeh vetëm një zot (Je më i miri në këtë botë/Shoh në ty shumë fisnikëri), një jetë pa Admirin a do të ishte e tillë, në kuptimin e mirëfilltë të saj, apo do të kthehej në një ekzistencë të zbrazur, deri në atë pikë sa do të kishte zili vdekjen? Nga ana tjetër bashkimi për jetë me të çfarë çmimi kërkonte për atë vetë dhe familjen e saj? A do të mund t’a përballonte mundimin dhe cfilitjen fizike të jetës së një puntoreje bujqësie e, njëkohësisht, brejtjen e ndërgjegjes për pasojat mbi prindërit e saj? E nëse Admiri, si shumë “armiq të rrezikshëm”, do të përfundonte në burg si do t’i vente filli asaj? Një lëmsh pyetjesh e problemesh, që do të vinin në gjunjë edhe një burrë me thinja, përcaktojnë edhe vendimet. Admiri nuk ka çfarë të humbasë, bashkimi me Leonorën kurorëzon ëndrrën e jetës “ Por, dhimt’do t’kisha ty me t’pa /andrrat krejt tue t’u shkatrrue”. Kompleksi i përgjegjësisë për t’ardhmen e vështirë e me sakrifica të së dashurës frenon edhe atë.
Para një trysnie të dyanëshme nga organet e dhunës dy të rinjtë vendosin të ndërpresin takimet. Kontaktet vazhdojnë nëpërmjet mesazheve e letrave që fshehtas sjell Lili, kushërira e Admirit. Fatkeqësisht dhe ato kanë një fund, mbasi Lili, si “bijë armiku”, përjashtohet nga shkolla për arsye politike në klasën e nëntë e nuk mund të takohet më me Leonorën. Ky është një tjetër episod që hedh dritë mbi humnerën e pafund të absurditetit, në të cilën jetuan shqiptarët për gjysëm qindvjeti. Këtë humnerë nuk mund t’a konceptojnë e, aqë më pak, t’a kuptojnë të huajt e nëse këto lloj veprash letrare do të mungonin, ajo do të shuhej edhe nga kujtesa e bijve tanë.
“Djalë në botë s’do ketë për mua
nëse atë nuk do m’a lenë;
jam vendosur, pa farë frike:
nëntë jetë po t’i kem, atij do i rri besnike”
Ky është vendimi i patundur i heroinës së romanit. Autori na thotë se këtë vendim ajo e zbatoi e nuk futi asnjë mashkull tjetër në jetën e saj. Ky qëndrim e afron me heroinat e letërsisë romantiko-sentimentale të shekujve të shkuar e është disi i rrallë e deri i pakuptueshëm për banorët e botës perëndimore të shekullit 21, madje edhe për shqiptarët. A është i drejtë ky qëndrim? A mund të përligjet vetësakrifikimi deri në këtë shkallë për të kompensuar mungesën e guximit për të përballuar një jetë tejet të vështirë?
Autori nuk merr qëndrim, ai nuk mund t’i qortojë krijesat e tij, është shumë i dashuruar mbas tyre dhe i a le këtë detyrë gjykimit të ftohtë të lexuesve. Por sido të jetë ky gjykim ai akuzon fuqishëm, godet dhe padit atë rend gjërash të ngritur në sistem, që i jep të drejtë vetes të përcaktojë edhe rrjedhën e jetës intime të njerëzve. Kjo përfaqëson edhe vlerën më të madhe të romanit, pasqyrimin e një epoke të zezë, që mbi atdheun e tij mori ngjyrën dhe erën e gjakut, që kaloi mbi male kufomash dhe oqeane tragjedish njerëzore.
Për gjithë këtë kataklizmë që pësoi Shqipëria dhe shqiptarët nuk u përgjigj askush, nuk pagoi askush, madje askush nuk kërkoi falje, sepse askush nuk e quajti veten fajtor. Bota drejt së cilës ne priremi të shkojmë dhe marrim për model e përligji një padrejtësi të tillë, madje e justifikoi jo në emër të Kainit por të Krishtit….
Romani në vargje i afrohet përfundimit të tij që kushtëzohet gjithënjë e më tepër nga dualizmi tragjik i shpirtit të Leonorës dhe nga ushtrimi i dhunës djallëzore, të paskrupullt, të pakufizuar të Shtetit komunist që gjen pikërisht në të thelbin e kuptimit të ekzistencës së tij. Dashuria e dy të rinjve nuk ka fuqinë e duhur të qëndrojë, ajo thyhet nën peshën e rëndë të trysnisë së Shtetit policor e deri në një farë mase edhe të ngurimit të Leonorës për të “kaluar Rubikonin”.
Për lexuesin e thjeshtë, qoftë ai bashkëkohës i personazheve apo i lindur disa dhjetëvjeçarë më vonë, një pyetje spontane do të ishte e natyrshme: a e kanë herojtë e romanit, sidomos Leonora ndërgjegjen të qetë se luftuan sa duhej për të mbrojtur dashurinë e tyre? A kishte vënd në historinë e tyre ashtu si në atë të brezit të tyre për brejtje ndërgjegjeje se qëndresa ndaj diktaturës duhej të kishte qënë më e fortë? Se po të kishim vepruar ashtu, qoftë edhe me çmimin e flijimit, ajo diktaturë nuk do të kishte guximin të hynte edhe në dhomën e gjumit të qytetarëve?
Autori i le lexuesit mundësinë të pyesë e të përgjigjet, ai mundohet që krijesat e tij t’i ruajë të pastra, pa njolla, të veçanta ashtu siç i ka vizatuar që në fillim. I a arrin kësaj duke e përfunduar veprën e tij në një crescendo sinfonike, duke arritur pikën kulminante të konfliktit e njëherësh zgjidhjen e tij në fundin e saj, nëpërmjet letrës së Leonorës drejtuar Admirit. Kjo letër, të cilën poeti e shkruan në prozë, mendoj se është pjesa më e bukur e veprës, mjaft cilësore nga stili, e thellë dhe e bollshme në ide e ndjenja, me shumë elegancë kryen funksionin e mbrojtjes së personazheve ndaj çdo qortimi, akuze apo insinuate në lidhje me sjelljen dhe vendimet e tyre.
Nuk e quaj me vend të futem në analizën e asaj letre, sepse nuk dua të prish kureshtjen e lexuesit që duhet të jetë i pavarur në vlerësimin e saj. Jam i bindur se cilido që do t’a lexojë do të preket, do të revoltohet, por edhe do të përsiasë gjatë mbi të. Është ky një nga funksionet themelore të një vepre letrare e mendoj se z. Zef Mirakaj duhet përgëzuar sepse i a ka arritur qëllimit.
“Kaini dhe bijt e tij” mendoj se është një hap tjetër përpara i autorit në poezinë shqipe dhe nje ndihmesë e vyer në trajtimin e temës së diktaturës komuniste në termat e saj të vërteta.
Qershor 2007
Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011