NGA ANTON CEFA/
Portret për Nënë Terezen/
Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave më të ndryshme filozofike për qëllimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nënë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bëri ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e këmbës së saj të zbathur.
Ajo krijoi një urdhër fetar, që u shtri mbi njëqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për më të varfërit e të varfërve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisurit. Kjo është vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo më rëndësorja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, është ngrehina madhështore e tempullit shpirtëror të dashurisë e të vëllazërimit në kraharorin e gjerë të njerëzimit. Kjo është vlera më universale e veprës së saj.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e brendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.
Në botën pagane, ajo të kujton një Promete, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nënë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton një Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet më parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nënë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit kristian: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.
Në orvatje për të vlerësuar veprën e saj, mbretër e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj një mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë më mirë se kushdo – i dhanë titullin më të madhërishëm Nënë. Nga një “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u bë Nënë e të gjithëve, Nënë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e një Nëne të tillë ?
Për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza është një vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo është diç më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lëndë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nënë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.