Europarlamentari David McCallister përshëndeti arritjen e ujdisë mes kryeministrit Rama e kreut të opozitës, Basha. Edhe agjencia gjermane e lajmeve, dpa shkruan mbi dhënien fund të krizës politike në Shqipëri.
Zv. Presidenti i Partive Popullore Evropiane, iniciatori i marrëveshjes Rama – Basha, David McCallister reagoi për herë të parë, disa orë pasi Rama dhe Basha gjetën gjuhën e përbashkët duke i dhënë fund krizës politike David McCallister, paketa e të cilit, me disa integrime të reja, solli edhe rezultatin e shumëpritur. Ai shkruan se është i kënaqur që përpjekjet e tij, të BE-së dhe SHBA-ve i dhanë fund krizës.
“Unë jam i kënaqur që përpjekjet dhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri kanë qenë të suksesshme.” “Mesazhi kryesor është se zgjidhje të qëndrueshme mund të arrihen, kur qeveria dhe opozita kërkojnë dialog të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin”, shkruan McCallister.
Edhe agjencia gjermane e lajmeve, dpa shkruan se qeveria dhe opozita i dhanë fund konfliktit disa mujor në Shqipëri. Bazë për këtë ishte një kompromis i ofruar nga BE, por që u arrit me ndihmën e SHBA-së. Në thelb të kompromisit qëndrojnë garancitë për zgjedhje të lira. Opozita e bllokoi parlamentin, dhe refuzoi pjesëmarrjen në zgjedhje, pas akuzave të saj, se qeveria është e implikuar në kriminalitetin e organizuar. Opozitës i është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri të rëndësishme e pozicioni i kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet e parashikuara për më 18 qershor shtyhen.