• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

David McAllister i kënaqur me Shqipërinë

May 18, 2017 by dgreca

Europarlamentari David McCallister përshëndeti arritjen e ujdisë mes kryeministrit Rama e kreut të opozitës, Basha. Edhe agjencia gjermane e lajmeve, dpa shkruan mbi dhënien fund të krizës politike në Shqipëri.

Brüssel Mitglieder der europäschen Parlament (DW)

Zv. Presidenti i Partive Popullore Evropiane, iniciatori i marrëveshjes Rama – Basha, David McCallister reagoi për herë të parë, disa orë pasi Rama dhe Basha gjetën gjuhën e përbashkët duke i dhënë fund krizës politike David McCallister, paketa e të cilit, me disa integrime të reja, solli edhe rezultatin e shumëpritur. Ai shkruan se është i kënaqur që përpjekjet e tij, të BE-së dhe SHBA-ve i dhanë fund krizës.

“Unë jam i kënaqur që përpjekjet dhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri kanë qenë të suksesshme.” “Mesazhi kryesor është se zgjidhje të qëndrueshme mund të arrihen, kur qeveria dhe opozita kërkojnë dialog të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin”, shkruan McCallister.

Edhe agjencia gjermane e lajmeve, dpa shkruan se qeveria dhe opozita i dhanë fund konfliktit disa mujor në Shqipëri. Bazë për këtë ishte një kompromis i ofruar nga BE, por që u arrit me ndihmën e SHBA-së. Në thelb të kompromisit qëndrojnë garancitë për zgjedhje të lira. Opozita e bllokoi parlamentin, dhe refuzoi pjesëmarrjen në zgjedhje, pas akuzave të saj, se qeveria është e implikuar në kriminalitetin e organizuar. Opozitës i është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri të rëndësishme e pozicioni i kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet e parashikuara për më 18 qershor shtyhen.

Filed Under: Komente Tagged With: David McAllister, i kënaqur, me Shqiperine

Kosovë-Projekte ndërkufitare me Shqipërinë

January 24, 2017 by dgreca

-Afate kohore për veprime konkrete/

1 kosove shqip

PRISHTINË, 24 Janar 2017-B.Jashari/ Projektet ndërkufitare me Shqipërinë ishin një nga temat e takimit të sotëm të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në qeverinë e Kosovës, Ferat Shala, me kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.“Diskutimet konkrete u zhvilluan në dy drejtime: Në fushën e shpronësimeve dhe në projektet ndërkufitare me Republikën e Shqipërisë, ku tangohet në projekte edhe komuna e Gjakovës. U harmonizuan qëndrimet për veprimet e përbashkëta në funksion dobiprurës për dy institucionet dhe për forcimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në projektet ndërkufitare. Pokështu, u harmonizuan edhe afatet kohore për veprime konkrete”, thekson njoftimi i dërguar.Bëhet e ditur se, pikë referente e takimit ishte bashkëpunimi mes Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor dhe  komunës së Gjakovës.Sipas njoftimit, të dyja palët reciprokisht u falënderuan për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e suksesshëm në mes të dy institucioneve.

Filed Under: Rajon Tagged With: -Projekte ndërkufitare, Kosove, me Shqiperine

Kosova inauguron “autostradën” energjetike drejt Shqipërisë

December 16, 2015 by dgreca

-Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, ndërsa nesër inaugurohet/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Dhjetor 2015/ Në Kosovë, nesër inaugurohet Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë.

Ceremonia solemne mbahet në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B, në Kastriot, duke filluar nga ora 15:00, iu bë e ditur sonte korrespondentit në Kosovë të gazetës Dielli.

Të pranishëm në do të jenë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, zëvendësministri i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, Ilir Bejtja, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të ambasadave dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga sektori i energjisë në Kosovë dhe Shqipëri.
Kosova ka përfunduar “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, në 14 dhjetor u bë energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë gjithë “autostradën” energjetike, paralajmëronte kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë në një konferencë për shtyp në verë, muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar nënstacionin 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhej për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri.

Me atë rast u theksua se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, ku 1/3 e projektit ishte përfunduar, rriste pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundonte pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: austraden energjitike, Behlul Jashari, Kosova inauguron, me Shqiperine

HOTI E GRUDA, MË 14 NËNTOR 1918, I KËRKOJNË KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS T’IU GARANTOJË BASHKIM ME SHQIPËRINË

November 16, 2014 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/
1.
Hoti e Gruda janë dy fise të moçme të Malësisë së Madhe që i kanë dhanë lavdi kombit shqiptar, i kanë ba ndere historisë sonë kombëtare, ia kanë ngrit lart emnin vetes.
Aty ku është Hoti, patjetër, gjendet edhe Gruda, si vendbanim, si veprimtarim apo si toponim. Skej liqenit të Plavës, në lartime territoriale të Hotit të Vendit janë dhe Livadhet e Grudës. Në rrjedha të shekujve, gjithato gurra dokumentare, edhe kancelaritë e botës, i përmendin sëbashku.
Filozofia e popullit i ka udhë ndritë shprehjet e motmoteve: “Pushka e Hotit” dhe “Gruda shpatën”.
Ndër 12 fiset e Malësive, për shumçka, Hoti përmendet i pari. Historia e vrell herët Hotin, qyshse nga viti 1330, kurse Grudën nji shekull ma vonë, kah viti 1445.
Edhe në një Kërkesë zyrtare publike të 14 nëntorit 1918 drejtue Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të katër Fuqive të Mëdha: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Francës e Italisë, të dy fiset Hot e Grudë, sëbashku, si shpeshherë në histori, janë nënshkrues të saj me mendje e penë, me zemër, me emra e mbiemna, me vendbanimet si barqe e lagje-fshatna.
“Ne, – thonë ata, – të nënshenjuemit, përfaqësues të ligjëshëm të lagjevet të ndryshme qi përbëjnë fiset e Hotit e të Grudës, kemi nderin me i parashtuem vërejtjes dashmire të Pushtetevet të Mëdha të Kuptimit kërkesën qi vijon, tue i lutun përvujtnisht që të kenë mirësien me e marrë në kujdes e me kënaqun dëshiret t’ona kombtare”.
2.Hoti i Vendit në Plavë-Guci është pushka e parë e Luftës të Ultinës së Epërme të Limit (Luftës së Nokshiqit) më 4 dhjetor 1879. Ia shkrehi i pari kryeluftëtari martir Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit dhe ia hap ndjeki flakëpërflakë betejës së parë dhjetoriane dhe kryetrimi prijtar Alush Zmajli i Haxhajve të Hotit me mbi 40 luftëtarë nga vllaznitë e tij hotjane të atyhit: Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj e bashkë me ta dhe i vuthjani Bajram Musa – i Dedushaj, që la shtagen e çobanit në kullotë në Zabel e kapi pushkën e luftës. Në kit’ luftë frontale me dy beteja luftarake (dhjetor 1879-janar 1880) morën pjesë ballore te tana fiset e Malësive nga Kelmendi i Rrafshit, i Gurit, i Rugovës, nga Malësia e Gjakovës, nga Peja…e dekteri nga Tetova e Tepelena. Luftëtarë nga ma shumë se katër vilajetet e atëherit. Ishte hera e parë në histori që shqiptarët e “Arbnisë së Vogël” (Plavë-Gucisë) e të “Arbnisë së Madhe” (Shqipërisë Etnike), me frymëzim e drejtim nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e banin të vetëm një luftë të tillë frontale përballë 7 krajlive ma të mëdha të botës si dhe përballë dy krajlive të reja të Ballkanit: Malit të Zi e të Serbisë. Nuk është e rastit që pas kësaj lufte, në fushën e betejës, u gjetën disa flamuj të Rusisë perandorake.
Ajo çka due me thanë veçmas në kit’ fjaltim dokumentues ka të bajnë me faktin se Hoti i Rrafshit në afri të liqenit të Shkodrës e ndërmjet Shkodrës e Podgoricës, i përfshimun në vilajetin e Shkodrës, iu erdhi shpejt e fort në ndihmë vllaznëve të vet në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, në kazanë e Gucisë të vilajetit të Kosovës. Atyne iu printe Çun Mulaj, bajraktari i Hotit. Iu dolën në krah vllaznëve të vet të gjakut e të pragut. I dolën në ballë luftës me malazezët. Patjetër, me hotjanët, ishin edhe grudianët. Kur ta ndijsh’ hapin e parë Hoti prite të dytin Gruda.
Hoti e Gruda nga vilajeti i Shkodrës shkuen e luftuen me trimni, gjak e plagë në Plavë-Gucinë e vilajetit të Kosovës, sepse ata luftonin shumëfish: dhe për Plavë-Gucinë (e Hotin e atyhit), dhe për Shqipërinë që e ka falë Zoti me kufijtë e vet natyral etnik, dhe për Hotin e Grudën e vet trojenike shqiptare. Po e çoj pushkën Hoti mu me ia ndal veç Zoti. Edhe sot e mot, kush lufton për tokat etnike shqiptare nën Malin e Zi ka luftue për Shqipëri dhe për shtëpinë e tij, për kryet e vet e brezat e vet.
Ambasadorët e Fuqive të Mëdha më 18 prill 1880, miratuan propozimin italian për “Vija Korti” për t’i dhanë principatës së Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Këta nënshkruan Protokollin e Stambollit, i njoftun si “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej më 22 prill 1880. Ditën tjetër, më 18 prill 1880, në Shkodër – kryeqëndrën e vilajetit, u ba nji miting popullor shumë i madh për besë e qëndresë panshqiptare ndaj Fuqive të Mëdha. Aty hotjanët e hoqën flamurin e Perandorisë Otomane dhe bajraktari i tyne, Çun Mulaj, e ngriti Flamurin e Shqipërisë. Te dyja akte të larta e të rralla për at’ kohë të vështirë. Më 22 prill 1880, pasi forcat otomane e lëshuan Tuzin shqiptar, aty u venduan mbi 5.000 forca shqiptare (në disa burime flitet për rreth 8.000 luftëtarë), të cilat luftuan e fituan për mbrojtjen e Hotit e të Grudës kundër ushtrisë së Malit të Zi, që kishte rreth 10.000 ushtarë të mobilizuem në luftime dhe gëzonte përkrahje ndërkombëtare në frymën e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Dekteri në Luftën e Parë Ballkanike (1912-‘13) Mali i Zi i Krajl Nikollës nuk mundi me hy në Hot e Grudë, në Tuzin e historisë shqiptare. Kësaj here vetëm me gjak, hjekësi, ortaklli, me mbështetje sllavofile, çka është një (sh)pagim që mos e vujtshin deri nesër, brezat e rinj të rritës së sotme.
Hoti e Gruda, të dy fiset nënshkruese sëbashku, duen me ua rikujtue në atë Kërkesë të tyne të 14 nëntorit 1918 drejtue Konferencës së Paqes në Paris, Fuqive të Mëdha të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës e Italisë, luftnat e tyne për pragun e shtëpisë trojenike dhe për Shqipërinë Etnike: “Bota mbarë e dëshmon se currat e thepisun të Hotit e të Grudës kanë qenë kurdoherë për Shqipninë një murajë (barrierë) e pa kapërcyeshme për kundër Malit të Zi se banorët e tërhustë të këtyne viseve u janë kundërshtuem me armë në dorë, qi gjithnji pa u rreshtun turravet të Malazezëvet mbrenda tokës shqiptare. E për provë të fjalvet t’ona asht mjaft qi të leçisim qëndrimin e përgjaktë qi të parët t’anë patën bamun kundër lëshimit të dhunshëm të Fisevet t’ona Malit të Zi të venduem prej Kongresit të Berlinit, qëndrim qi ma në fund, i nxuer në shesh të drejtat t’ona e i mbushi mendjen Europës se Hoti e Gruda i duheshin lënë atdheut tonë Shqipënisë”.
3.Sigurisht,Hoti e Gruda, bashkalidhun si dy krena shqiponje në Tuz, përsa lëshon dielli rreze e lëshon toka ujë, kërkuen e luftuen, sakrifuen e jetojnë për lirinë e pavarësinë e vet dhe të Kombit Shqiptar në Ballkan.
Krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër e Malësitë e saj, u mblodhën pikërisht në Tuz – një nga vatrat e lavdisë kombëtare shqiptare, më 16 korrik 1880, për çështjen e Hotit e të Grudës dhe dolën me kërkesa konkrete, ku – ndër të tjera deklaruan: “…ne shpallëm luftën për pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut”.
Dy fiset e pushkës e penës, Hoti e Gruda, e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar në Deçiç më 6 prill 1911, e kthyen në përjetesi kit’ vend historik të bekuar, sikurse e jehon kanga e popullit shqiptar, në një “Krujë të Dytë, Vlorë të Parë”. Këto dy fise të krenarisë kombëtare shqiptare, përkrah fiseve të tjera kryengritëse të Malësisë së Madhe, ishin në Kuvendin e Gërçes (Kelmend i Gurit), ishin ndër nënshkruesit e Memorandumit të Gërçes (shqip-frengjisht). Në kit’ dokument historik panshqiptar, pjesë e vazhdimësisë të Platformës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit e nji Program plotor për Autonomi të Shqipërisë me 12 kërkesa, janë firmtarë nga fisi i Hotit Ded Gjo’ Luli e Gjet Mark Ujka dhe nga fisi i Grudës Sokol Baçi e Dedë Nika.
Në Kërkesën e tyne të 18 nëntorit 1918, të dy fiset sëbashku, Hoti e Gruda, e shohin me vend e me rend me ia njeh thuktë Konferencës së Paqes në Paris disa nga kontributet e veta kombëtare shqiptare e properëndimore: “Ndë 1911 banorët e Fisevet t’ona, të bashkuem me vllaznit t’onë të Këlmendit, të Shkrelit e të Kastratit, rrokën armët kundër ndrydhjes së Turqvet të Rinj, e ndë 1912 kanë luftuem prapë kundër Turqisë, krahpërkrah me Beslidhunit ballkanik, për liritë e mëvetësisë të Shqipnisë. Po, mjerisht, Konferenca e Londrës nuk deshi me na i njohun të drejtat, e Fiset t’ona ia lëshoi Malit të Zi tue i bashkuem kështu me fatik e keq qi patën shumë vise të tjera të Shqipnisë, të cilat qen shkëputun prej Atdheut shi mb’atë kohë kur vetë ajo Konferencë po e krijonte të lirë e më vete”.
Hoti e Gruda, me histori e traditë në gene e hapa, me dhimbjen në shpirt e zemra prej ndamjes nga trungu amë kombtar etnik i Shqipërisë, me pushkë në sy e krah për me u ribashkue me kombin e vet, me vuajtjet mbi shpinë nga pushtimi shoven i Mbretnisë së Malit të Zi, me plot sakrifica, shkatërrime, emigrime e spastrime etnike gjatë dy Luftnave Ballkanike (1912-1914) e Luftës së Parë Botërore (1914-1918), nga Shkodra i fjalathonë Konferencës së Paqes në Paris, tekstualisht: “…Konsujt e Pushtetevet të Mëdha e Ushtritë Ndërkombëtare të Shkodrës kanë qënë dëshmitarë të shmërgimit tragjik të banorëve të Hotit e të Grudës e të mundimevet të randa e të patregueshme që kanë vuejtun rrotull vjetëvet 1913, 1914 e 1915 tue e shkuem jetën andej e këtej larg votravet e të sdeshun prej pasunivet të veta”. Njëherash edhe iu bajnë me dije Fuqive të Mëdha të mbledhuna në Paris se: “Populli i visevet t’ona, qi për doke e zakone, e për gjuhë e gojëdhana të veta kombtare asht thjesht shqiptar protestoi rrebtësisht, disa herësh kundër këtij lëshimi të padrejtë e të dhunshëm…Këto janë pësimet e vajtueshme të Fisevet të Hotit e të Grudës”.
4=Dy bajrakët e Hotit e bajraku i Grudës, 45 burra të këtyne dy fiseve, me të Drejtën e Zotit, në emën të Tokës, Historisë e Ardhmënisë së vet lokale e kombëtare, u mblodhën më 18 nëntor 1918 në Shkodër plotpërplot dy muaj para Konferencës së Paqes në Paris. Ata kishin besë e shpresë se në kit’ Konferencë Ndërkombëtare “po bahen gadi me hedhun themelet e njij paqe të drejtë e të qëndrueshme të mbështetun mbi këto parime fisnike” dhe iu bajnë të ditun se në pritje të fillimit të punimeve të saj “shpresat tona po njallen”.

Nënshkrues të kësaj Kërkese zyrtare publike për Konferencën e Paqes në Paris, për ministrat e Jashtëm të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës e Italisë, janë burrat ma të shquar të Hotit e të Grudës:

Nga fisi i Hotit në Tuz kanë nënshkrue 24 burra të njoftun, dy bajraktarët, nji kryepar’ e kre të lagjeve (vllaznive, barqeve) të atyhit, sipas këtyne titujve zotnues e sipas rendit të atëherit:

Deli Meta – bajraktar e kryepar i rrethit të Rapshës (Hot)
Tom Nikolla – krye i lagjes Gjonaj
Gjekë Uci – krye i lagjës Gjonaj
Nikollë Luca – krye i lagjës Jungji
Gjush Marku – krye i lagjës Kolçekaj
Nikë Martini – krye i lagjes Pepaj
Lekë Marku – Krye i lagjës Gjelaj
Lucë Ula – Krye i lagjës Gjoknikaj
Marash Doka – Krye i lagjës Ndrekaj
Zef Muça – Krye i lagjës Vuksalaj
Prelë Dushi – Krye i lagjës Prekaj
Prenk Gjetja – Krye i lagjës Lulashpepaj
Gjon Ujka – Krye i lagjës Brigje
Haxhi Mustafa – Krye i lagjës Nënhelm
Lucë Nishi – bajraktar i rrethit të Traboinës (Hot)
Prelë Keri – krye i lagjes Arrza
Gjon Ujka – Krye i lagjës Gojçe
Sokol Mali – Krye i lagjës Dushaj
Nikë Gjeloshi – Krye i lagjës Vuksanlekaj
Gjokë Elezi – Krye i lagjës Bardhaj
Nikë Gjeloshi – Krye i lagjës Nabom
Dedë Gjoni – Krye i lagjës Rranza
Prenk Zeka – Krye i lagjës Çemerr
Gjon Nika – Krye i lagjës Skorraq
Nga fisi i Grudës në Tuz kanë nënshkrue 21 burra të njoftun, bajraktari, tre kryepar’ dhe kre të lagjeve (vllaznive, barqeve) të atyhit, sipas këtyne titujve zotnues e sipas rendit të atëherit:
Dedë Nika – bajraktar i Grudës
Pjetër Preka – kryeparë i rrethit të Rranzës së Sukës (Grudë)
Mirash Hasi – kryeparë i rrethit të Grudës së Poshtme – Grudë
Dedë Nika – kryeparë i Dinoshës
Lulash Baçi – krye i lagjës Pikala
Lekë Luli – Krye i lagjës Prifti
Palokë Marku – Krye i lagjës Levka
Lucë Gjeloshi – Krye i lagjës Bregcem
Kolë Leka – Krye i lagjës Kurreci
Dokë Ujka – Krye i lagjës Grimaj
Tomë Gjeku – Krye i lagjës Setanaj
Losh Gjeka – Krye i lagjës Ubrunçaj
Dedë Preka – Krye i lagjës Kalaj
Tomë Gjoni – Krye i lagjës Sinishtë
Prelë Doka – Krye i lagjës Vulaj
Gjek Preloci – Krye i lagjës Nikaj
Marash Pëllumbi – Krye i lagjës Meshkallë
Prenk Deda – Krye i lagjës Vucok
Mehmet Murati – Krye i lagjës Gjokaj
Bisho Caku – Krye i lagjës Haxhiaj
Zef Martini – Krye i lagjës Preçaj
Dy fiset e moçme shqiptare Hoti e Gruda, 45 firmëtarët e Kërkesës i drejtohen Konferencës së Paqes në Paris “tue pasun besim të plotë se do të kryhen dëshirat t’ona” dhe, njëherash, theksojnë në vargavijë të kësaj kërkese se “marrim lejen me i u sjellun drejtësiës së tyne tue i lutun përvujtnisht, nde’mën të drejtave të shëjta të Shqipniës e të parimit të vetvendimit të popujve që të kenë mirësiën me venduem qi fiset t’ona të lidhen prapë me atdhenë t’ënë, Shqipniën”. Në përmbyllje të Kërkesës së tyne ata paraqesin dhe argumentat e veta se Hoti dhe Gruda “janë nji pjesë e pandame e saja (Shqipërisë), si për arsye ethnografike e gjeografike, ashtu dhe për gojëdhanat e dëshiret kombtare të banorëvet të vet”.
Kjo Kërkesë e Hotit dhe e Grudës mbeti në Dosjen e madhe të pambyllun të Konferencës së Paqes të Parisit (1919-’20). Ajo mbeti si Ankesi II i Notës XXII, pasi Aneksi 1 ishte Kërkesa e Anës së Malit e Krajës. Sikurse këto treva etnike shqiptare në Bregdetin Adriatik e Ultinën e Podgoricës, në dy anët e Cemit e Moraçës, edhe ato në lartësitë alpine si Plavë-Gucia, Rrozhaja etj., mbetën nën Malin e Zi prej atëherit e dekteri më sot. Këto ishin padrejtësi të shekujve XIX e XXI, ndërsa shekulli XXI duhet të jetë ndryshe…

Filed Under: Featured Tagged With: HOTI E GRUDA, I KËRKOJNË, KONFERENCËS SË PAQES, MË 14 NËNTOR 1918, me Shqiperine, ne Paris, T’IU GARANTOJË BASHKIM

TË KRAHASOSH ZVICRËN ME SHQIPËRINË

October 30, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipëri ka nisur aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Çdo vit vjedhja arrin në 150 milionë Euro. Dhjetë vjet bëjnë 1.5 miliardë Euro. Shqipëria edhe sot e kësaj dite e ka problem furnizimin me energji elektrike, ujë të pijshëm, por problemin më të madh e ka me informalitetin. Vjedhjen që i bëhet shtetit. Sipas statistikave informaliteti në Shqipëri e kalon shifrën 50 % dhe dihet risku që krijon ekonomia informale, gri apo e zezë, e cila gëlon kur nuk ekziston kultura e ndëshkimit. Atëherë ekonomia e vendit kthehet në ekonomi mafioze. Në këtë prag gjendet Shqipëria. Shumë ekspertë të fushës thonë se Shqipëria është shtet kuazi mafioz. Pra aksioni për të çuar në burg vjedhësin është i mirëpritur. Sepse vetëm kështu do të fillojë të funksionojë shteti i së drejtës, sepse deri tani drejtësia në Shqipëri është fantazëm, inekzistente. Kemi parë ne që një peshkaqen nga ata që vjedhin dhe abuzojnë me pushtetin të shkojë në burg? Asnjë. Prandaj aksioni kundër vjedhjes së energjisë na duket iluzion. Nëse Edi Rama e realizon, bën gjënë e duhur.
Për të krijuar një vizion të qartë, që qytetari të mos ndihet se shteti po vepron si diktaturë, duke futur në burg vjedhësin, po marr si paralel krahasues Zvicrën. Konfederata Helvetike është një shtet që nuk është pjesë e BE, por, megjithatë, nga thelbi simbolizon Perëndimin, sepse i garanton të gjitha liritë e individit dhe krijon kushte optimale për liri tregu dhe një jetë të denjë, gjithmonë duke respektuar ligjin, ku qytetari edhe gëzon të drejta, por edhe detyrime.
Kush vjen në Zvicër për herë të parë dhe kërkon këshilla, një mik i mirë do tî thotë, “kujdes me taksat dhe faturat”. Që do të thotë asnjë taksë dhe asnjë faturë të mos mbetet pa paguar. Kur je në kërkim të një vendi pune, qofsh zviceran apo me leje qendrimi, përveç kompetencave, aftësive, CV dhe edukimit, punëmarrësi të kërkon që të jesh patjetër me “Leumund”- reputacion të pastër. Për këtë duhet të paraqitësh nga Departamenti Federal i Drejtësisë në Bernë një dokument – Excerpt from the swiss criminal record – Auszug der Strafregisterauszug – ku vërtetohet se je njeri i pastër, pa precedentë penalë. Që përkthehet, veç të tjerave, që t’i kesh kryer të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Nëse kërkon banesë, qiradhënësi, veç të dhënave të të ardhurave, të kërkon po ashtu një dokument, lëshuar jo më larg se tre muaj, nga Betreibungsregisterauszug – the Debt Enforcement Office – Zyra e Përmbarimit ku vërtetohet se nuk ke borxhe ndaj shtetit apo enteve private.
Në Zvicër çdo qytetar është shumë i kujdesshëm të respektojë ligjin. Respektimi i ligjit është kulturë, është instikt i edukuar, është pjesë e personalitetit. Që fillon tek klaksonët. Në Zvicër nuk dëgjon klaksonë veturash. Në apartamente nuk dëgjon ahengje, muzikë me volum të lartë, sepse shqetëson fqinjët. Kush ka jetuar në Shqipëri, e di se aty është kulturë që plehrat të hidhen nga dritaret. Nëse dikush e bën këtë shkelje në Zvicër paguan gjobë, por nëse nuk paguan taksat, ke kryer krim për të cilin dënohesh sipas shkallës. Edhe nëse nuk paguan faturat, ke kryer krim dhe problemet janë të pafundme. Pra në Zvicër nuk ka qytetarë apo biznese që nuk paguajnë energjinë. Kush nuk paguan penalizohet menjëherë. Sipas ligjeve të Zvicrës, faturat duhet të likuidohen përgjithësisht brenda afatit mujor. Nëse nuk paguhen, të vijnë tre Mahnung-e – kujtesa, e para pa gjobë plus, e dyta dhe e treta me gjoba në rritje dhe nëse nuk i likuidon edhe pas këtyre tre paralajmërimeve, atëherë të çojnë direkt në Betreibungsamt, autoriteti kantonal i zbatimit të ligjit për ndjekjen penale të borxhliut. Për borxhliun atëherë nisin hallet. Nëse je në kërkim të shtetësisë dhe ke borxhe të palikuiduara, harroje atë punë, nuk e merr shtetësinë, sepse nuk je qytetar i denjë.
Siç e thashë që në krye, shteti ligjor të kërkon respektimin e ligjeve, por, së pari, ia garanton qytetarit liritë dhe kushtet për të jetuar. Në këtë kontekst, Zvicra është një nga vendet model për t’u marrë si shembull, ku shteti i së drejtës funksionon si sahati Omega, ku ka liri tregu, shtyp të lirë, ku korrupsioni është një fenomen që luftohet dhe, sipas Transparency International (TI), Zvicra për vitin 2013 zinte vendin e 7 pas Danimarkës, Zelandës së Re, Finlandës, Suedisë, Norvegjisë dhe Singapurit, pra hynte në top vendet me më pak korrupsion, ndërsa Shqipëria e Kosova ndajnë vendet 116 dhe 111.
Në këtë periudhë krizash për Europën dhe botën, papunësia në Zvicër nuk i kalon 3% dhe shteti është në kërkim të mënyrave për ta ulur edhe më tepër këtë nivel, duke hapur tregje pune, duke krijuar siguri për investime dhe mundësi kualifikimi sidomos për rininë. Në Zvicër biznesit i krijohen kushte optimale për të investuar, por ndërkohë shteti, përmes ligjit, i shpall luftë informalitetit.
Në Zvicër po ashtu funksionon shteti social, për të papunët dhe sidomos për shtresat vulnerabile. Zvicra nuk ka varfëri apo drama sociale si ato të Shqipërisë, ku mjerimi bashkë me mungesën e shtetit ligjor mbetet diktatura më e egër e shoqërisë. Pra shteti i krijon të gjitha mundësitë që qytetari të mos bëhet shkelës ligji, por kush e shkel ligjin, ndëshkohet pa dallim.
Andaj e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin dhe qytetarin është zbatimi i ligjit dhe dënimi i shkelësave të ligjit deri sa edhe në Shqipëri të krijohet shteti i së drejtës me respektivisht qytetarin e tij të përgjegjshëm.
Në fund po ju sjell një sentence të Graham Green-it që ka jetuar dhe prehet këtu në Zvicër. Sepse mund të mësojmë prej saj nëse duam. E kam përdorur edhe në një intervistën time, por ia vlen të përsëritet. Green thotë se . “Zviceranët kanë dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin, ata kanë 500 vite demokraci dhe paqe, dhe e dini se çfarë prodhojnë? Orën me ku-ku”. Humor tipik anglez. Sepse ajo që kanë krijuar zviceranët është 500 vite demokraci dhe paqe. Le ta perifrazojmë këtë deduksion të Green-it në raport me veten tonë, le të fillojmë duke thënë se ne shqiptarët kemi dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin….Humor tipik anglez edhe ky!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, me Shqiperine, TË KRAHASOSH ZVICRËN

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT