Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden mbajtën debatin e fundit, në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Trump, i cili qëndron prapa në shumicën e sondazheve të opinionit, e mbrojti trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit, e cila ishte tema kryesore e debatit.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara “po mësojnë të jetojnë” me virusin dhe se ato do ta kenë një vaksinë kundër tij deri në fund të vitit.
“Duhet të rikuperohemi. Nuk mund ta mbyllim kombin tonë”, tha Trump, i cili vetë ka qenë i infektuar me koronavirus dhe është shëruar.
Biden tha se derisa pandemia përhapet, Trump nuk ka ndonjë plan për të ndaluar një “dimër të errët” të vdekjeve nga koronavirusi.
“Kanë vdekur 220,000 amerikanë. Nëse nuk dëgjoni asgjë tjetër që them sonte, dëgjojeni këtë”, tha Biden. “Kushdo që është përgjegjës për kaq shumë vdekje, nuk duhet të mbetet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.
Biden po ashtu i hodhi poshtë akuzat se ai do ta mbyllte përsëri të gjithë vendin, për shkak të pandemisë, duke thënë se në vend të kësaj, do të merrte një qasje shumë më shkencore.
Të dy fajësuan njëri-tjetrin dhe partitë politike të njëri-tjetrit për dështimin për të siguruar një raund të ri të ndihmës financiare për koronavirus, që aktualisht është bllokuar në negociata.
Një faktor kyç në zgjedhjet e këtij viti është votimi i hershëm, për shkak të pandemisë. Deri më tani, rreth 47 milionë amerikanë kanë votuar.
Akuza dhe kundërakuza për korrupsion
Trump po ashtu e sulmoi Bidenin, duke e quajtur politikan “të korruptuar”, ndërsa përsëriti edhe akuzat kundër djalit të tij Hunter, i cili ka shërbyer në bordin e drejtorëve të kompanisë ukrainase të energjisë, Burisma, për pesë vjet, duke filluar nga viti 2014.
Roli i Hunter Bidenit në Burisma është vënë nën vëzhgim të ri, pas akuzave nga Trump, që, sipas tij, janë prova të korrupsionit.
Biden tha se djali i tij nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme derisa ka punuar në Burisma. Ai më pas kaloi në ofensivë, duke thënë se Trump është ai që është fajësuar për marrëdhëniet e tij me Ukrainën.
Biden po ashtu tha se akuzat kundër djalit të tij janë hetuar në mënyrë të përsëritur dhe se ato nuk lidhen me ndonjë keqbërje.
Biden e sulmoi presidentin, duke vënë në dyshim taksat dhe lidhjet e tij me biznese të huaja.
Ata i adresuan edhe çështjet racore në SHBA dhe Biden e akuzoi Trumpin për nxitje të racizmit. Trump, në anën tjetër, tha se ka bërë për afrikano-amerikanët më shumë se çdo president tjetër, përveç Abraham Lincolnin, i cili i ka liruar skllevërit.
Ai vuri në dukje përpjekjet e tij për reforma në drejtësinë penale dhe përsëriti se, para pandemisë, papunësia në mesin e afrikano-amerikanëve ishte e ulët.
Trump gjithashtu e akuzoi Bidenin se nuk ka bërë asgjë për afrikano-amerikanët gjatë dekadave të tij në politikë.
Ai e kritikoi atë edhe për mbështetjen e një ligji për krimin në vitet 1990, i cili ka rritur nivelet e burgimit në SHBA, veçanërisht për burrat afrikano-amerikanë dhe ata që janë gjetur fajtorë për vepra jo të dhunshme të drogës. Debati përfshiu edhe sigurinë kombëtare, sigurinë e zgjedhjeve, Kinën, imigracionin, ndryshimin e klimës dhe energjinë e ekonominë.
Debati u mbajt me një rregull të ri, me të cilin i fikej mikrofoni kandidatit që nuk fliste. Rregulli u miratua pas debatit të parë Trump-Biden, i cili u përshkua me ndërprerje të fjalës së njëri-tjetrit.
Debati i parë është mbajtur më 29 shtator. I dyti, i planifikuar për 15 tetor, është anuluar, për shkak të infektimit të Trumpit me koronavirus.
Komisioni për Debatet Presidenciale ka dashur ta shndërrojë atë në debat virtual, por Trump nuk ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje të tillë.
Zakonisht në SHBA mbahen tri debate presidenciale përpara zgjedhjeve dhe temat që diskutohen në to janë shpesh çështjet më kontroverse të kohës.(Pergatiti:Valona Tela)