Ne Foto: Dedë Gjo’ Luli me bashkluftarët e vitit 1911. (Foto Marubi)/
NGA FRITZ RADOVANI*/
Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”…
Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund…ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”…e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari.
Asnjëherë nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij. Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir…nuk ua pat tërheqë synin “vigjilent”!
Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja…edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj…por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati… pa kuptue asgja…
Ajo i foli Nanës seme për qëndresen e Saj…se, “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm…”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë…Kur iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët Asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë…ndër male kundër serbëve!”
Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!
Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”…aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij e shprehun në pak rreshta, por e saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjohuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë…me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t’ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e Popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.
Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme…
Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut…
Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malësorëve, bash ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken, që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emnit të “harruem”, Qazim Binakut. Po ku do të kujtoheshin këta emna, në cilin prej kapitujve të ngjarjeve të ndalueme kishin me u njohë nga Rinia Shqiptare, që edhe “këta” emna kishte mangut “me dijtë”…se pak ishin emnat e serbëve e të rusve, apo kinezëve ndër faqet e historisë sonë!!
Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk iu tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit. Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin.
Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik.
100 vjet ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashuna për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!
Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!
Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Po kujt t’i ruhej ma parë Burri ynë, a turkut apo shkjaut, kur hasmi na kishte rrethue në të katër anët? Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën…Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut iu patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. Po si menduen ata se mund të kondendohej e të binte në paqë trupi i çuem peshë i Dedës me disa “lëshime” që mendoi me i ba për me mujtë me e zbutë Malësinë atëherë Turqija dhelpnake?
U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.
Bash si një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj…U pat mundue me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej fytit gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me “thye” Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”…Ishte kot, se as me i mbledhë të gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i delnin me thye Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e tija me kuvendue. Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky Burrë kishte le mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish…Nuk ia thente synin as refleksi i rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte zemrën fjala e tyne e dalun prej barkut, përzi në dishprim me helm, e shkrryeme ndër shilte…Të gjitha iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte tue ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”…
Asgja nuk e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!
Edhe konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye… Asnjë Shqiptar nuk besoj se di me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij:
“M’i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”
Kishte mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër që mëshefej mbas tij…Ndersa Dedë Gjo’ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar…
Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?
Ai u pergjigjë sikur të kishte përballë një turk:
– “Po shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej…Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash…
E ndoqën malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku e mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.
Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së madhe të Malësorëve të Mbishkodrës.
Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)
Tue u ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e duhuna nga Legata Perandorake. Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për Liri të plotë të Tokave Shqiptare.
Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim…
FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…
Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, dilnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun e vjeter të Gjo’ Lulit…
E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!
Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.
Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë…E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!
Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…
Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!
Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!
Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.
100 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…
Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!
I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!
Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!
Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!
Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!
Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…
Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…
Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!
Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…
Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:
“Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”
Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!
Tingujt e Lahutës…vazhdonin Kangët e veta…
(Pjesë nga libri “Dedë Gjo’ Luli” në 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit, nga F.Radovani)
Melbourne 2011.)