– Dega e Vatrës në Queens deklaroi publikisht se nisi nga funksionimi Akademia e studenteve Shqiptaro Amerikanë. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë. Kjo Akademi studentësh nuk ka lidhje me Fondin e Studentëve që drejtohet nga Profesori Mithat Gashi, -fond që përkrah dhe stimulon studentët e ekselencës shqiptaro-amerikane dhe që funksionon pranë Vatrës që prej vitit 1959 –
Nga Dalip Greca*
Të shtunën me 16 mars 2019 në mbrëmje dega e Vatrës në Queens me kryetar dr.Skënder Murtezani organizoi një veprimtari përkujtimore kushtuar 54 vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Vatrës, editorit të parë të Diellit, dhe Atit të Kishës Autoqefale Orthodokse shqiptare, Fan S. Noli, si dhe përkujtimit të demonstratave të Marsit të vitit 1981 në Prishtinë.
Dega u deklarua se kjo darkë do t’i shërbente edhe gazetës DIELLI për rivitalizimin e saj në prag të 110 vjetorit të të botimit të numrit të parë.
Darka u organizua në një nga sallat e qendrës së Dioqezës Katolike në Douglaston në Queens, NY, e cila është e njohur në zonë për mjediset e bollshme për të organizuar veprimtari të komunitetit. Salla,ku u organizua darka, ishte e stolisur me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, kuq e zi, ndërsa në front të sallës përvec dy flamujëve kombëtar, atij amerikan dhe flamurit kombëtar shqiptar, ishin vendosë portrete të figurave tona Kombëtare, Heroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Atit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail bej Qemali, themeluesëve të Vatrës-Fan S. Noli dhe Faik Bej Konica,si dhe Logo e Vatrës etj.
Darkën e ka bekuar Father Daniel Keohane.
Dr. Skënder Murtezani i ka falenderuar pjesmarrësit që janë përgjigjur thirrjes së grupit organizator të darkës. Ai ka shpalosur programin e darkës dhe qëllimin e kësaj veprimtarie sa përkujtimore aq edhe argëtuese për anëtarët e degës dhe familjet e tyre.
Dr. Murtezani deklaroi se pranë degës funksionon tashmë edhe Akademia e studenteve Shqiptaro Amerikan. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë. Kjo Akademi studentësh nuk ka lidhje me Fondin e Studentëve që drejtohet nga Profesori Mithat Gashi, -fond që përkrah dhe stimulon studentët e ekselencës shqiptaro-amerikane dhe që funksionon pranë Vatrës që prej vitit 1959 –
Për qëllimin dhe funksionimin e kësaj akademie studentore i njohu të pranishmit njëri nga nismëtarët e krjimit të këtij forumi studentor Stiv Manoku, Anëtar i Akademisë, student i mjeksisë në vitin e katërt.
Kontributi i studentëve u pa edhe gjatë kësaj darke. Kristi Sokoli, nismëtar i krijimit të Akademisë studentore, solli para pjesmarrësve jetën e Imzot Nolit që nga lindja e derisa mbylli sytë me 13 mars 1965 në Fort Lauderdale
, Florida.
Dr. Skënder Murtezani solli copëza historie nga demonstratat e marsit 1981 në Prishtinë, të cilat paralajmëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë.
Në veprimtarinë e degës së Vatrës në Queens mori pjesë nga kryesia e Vatrës z. Zef Balaj, anëtari i Këshillit të Vatrës Lek Mirakaj si dhe editori i Diellit me bashkëshorten.
Gjthcka shkoi mirë. Pjesmarrësit u kënaqën. Ushqimet cilësore dhe të bollshme, pijet po ashtu. Parkingu i lirë. Një vend ideal për veprimtari të tilla.
Mbrëmjes i dha ritëm Radio Emigranti, që argëtoi pjesmarrësit me këngë e valle nga të gjitha trojet tona kombëtare. Ishte një mbrëmje me pjesmarrje të të gjitha moshave, ku ra në sy edhe numri i konsiderueshëm i fëmijëve, të cilët të mbledhur rreth DJ të Radio Emigranti kënduan në kor këngë patriotike. Veprimtari të tilla i afrojnë më shumë me njeri-tjetrin vatranët dhe familjet e tyre.
Dega e Queensit është një ndër degët që në vijëmësi organizon veprimtari kulturore, historike dhe argëtuse. Një shembull që duhet të ndiqet nga degët e tjera.
I pyetur nga gazeta DIELLI se si u arrit që për një kohë të shkurtër dega të organizonte një veprimtari të tillë që kishte më shumë se 100 pjesmarrës, Kryetari Dr. Skënder Murtezani, anëtar i Kryesisë së Federatës, tha: Nuk është e para herë që vatranët e Queensit i përgjigjen thirrjes së kryesisë së degës për veprimtari të tilla.
Në suksesin e kësaj veprimtarie kanë meritë shumë veprimtarë të degës, por do të vecoja :Viktor Gjeta, Panajot Përmeti, Saime Serri, Victor Xamo, Eduart Haxhillari, studentët Stiv Manoku dhe Kristi Sokoli e shumë të tjerë. Natyrisht në qendër të organizimit ishte vetë dr. Skënder Murtezani. Në fund dr. Murtezani preu tortën me emrin dhe vulën e Vatrës.
*Per me shume fotografi shkoni ne FB Gazeta Dielli