Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” përshëndetë vendimin e këshilltarëvet shqiptarë të tri qyteteve të Luginës – Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët, simbas mjeteve të informimit, me votë unanime miratuen Deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Serbi. Ky Asociacion krijohet si reciprocitet me Asociacionin (“Zajednica”) e komunavet me shumicë serbe në Kosovë, miratue nga qeveritë e Kosovës e të Serbisë muejin e kaluem.
Qendrimi i “Vatrës” ka qenë gjithnji që shqiptarët në Luginën e Preshvës duhet të kenë, së pakut, të njajtat të drejta që Serbia kërkon për pakicat serbe në Kosovë. Por për të arrijtë këte, përveç vullnetit dhe angazhimit të vetë shqiptarëve që banojnë në trojet e veta autoktone në Luginë, e cila i asht marrë Kosovës pa të drejtë dhe pa i pyetë banorët, “Vatra” mendonte se duhej edhe angazhimi i qeverisë së Kosovës në rend të parë, si edhe i asaj të Shqipnisë.
Angazhimi i dy qeverive për njohjen e Asociacionit, që do t’ishte instrument legjitim për emancipimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të Luginës, nevojitet sidomos tash e mbas, pse përjetsimi i Asociacionit do të jetë nji proces i vështirë dhe me pengesa të mëdha. Serbija kërcnohet dhe, me anë të Ministrit të Jashtëm, shqiptarëvet “Ua tërheq vërejtjen që të mos bajnë ndonji paralele me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ua tërheq vërejtjen të mos luejnë me zjarrin….”.
Nga ana e Bashkimit Europian, përmendet se Asociacioni i Komunavet serbe në Kosovë asht arritë me negociata në mes Prishtinës e Beogradit, dhe se “niveli i autonomisë së vetqeverisjes mbrenda vendit asht vendim sovran i nji vendi kandidat per BE”, këtu asht fjala për Asociacionin e komunave të Luginës së Preshevës.
Qeveritë shqiptare duhet të solidarizohen me bashkëkombasit që diskriminohen në pikpamje ekonomike, kulturore e kombëtare dhe rrezikohen nga spastrimi etnik në mënyrë të vazhdueshme. Ato duhet të jenë megafon i fuqishëm për të pohue se “Evropa nuk mund të veprojë me dy standarde, ndryshe për serbët e Kosovës dhe ndryshe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”. Shqiptarët atje shpresojnë se jeta dhe të drejtat e tyne do të përmirsohen në nji status me Asociacionin e Komunavet.
Suksesi i kësaj nisme mëvaret shumë nga veprimi i përbashkët i të gjitha forcavet politike shqiptare. Nji nga titujt: “Lugina e përçarë themeloi asociacionin” e ulë entuzjazmin e lajmit për aktin historik të djeshëm. Prandej bajmë thirrje vllaznore me shpresën se interesi i përbashkët dhe kujtimi i atyne që atij interesi ia kanë kushtue edhe jetën, do të sjellin frymën e bashkëpunimit dhe suksesin.
Nju Jork, 13 shtator 2015