Nga Gani Qarri/
Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat ngrehina xhuxhe malazeze dhe ende nuk qenka ngopë, duke u rritur panatyrshëm me grabitjen e hapsirave shqiptare,që nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava e Gucia deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë-tokë shtesë, male,bregore dhe kullosa të bjeshkëve më të bukura të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm dhe poshtëroj në mënyrën më të ulët mu ata të cilët qindra vite luftuan trimërisht dhe u bënë ballë pareshtur orekseve të pashuara pushtuese sllavo-malazeze, si rugovasit trima dhe bashkëkombësit tanë tjerë,pronarët autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Një nga shprehjet më të vlerësuara të ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln, përkufizohet në ketë mënyrë: “Nëse doni ta njihni karakterin e një njeriu, epni atij pushtetin”
Pikërisht këtu, bënë konak e patrazuar, tash e qindra vjet, dobësia kryesore e prijësve tanë kombëtar e shtetëror, ku ata jo vetëm thjeshtë tregojnë veten, por thënë realisht, shumica e udhëheqësve shqiptar, pothuajse dështojnë plotësisht.
Tanimë, është fshehtësi e njohur botërisht për të gjithë ne, se si tradicionalisht, që nga Hamzai e këndej, një pjesë jo e vogël e udhëheqësve të hapësirave tona etnike, për vite e dekada bënë emër dhe fituan grada, pikërisht duke shitur interesat e kombit dhe pjesët më të bukura të atdheut.
Edhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Fuqitë e Mëdha më 1878, për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë ,Malit të Zi, ishte Populli Shqiptar ai që kundërshtoi me forcë dhe vendosmëri, çfarëdo ndryshimi kufijsh në dëm të tokave të tij.
Kjo u bë shkak, që atëbotë të caktohej një tubim i krerëve të Dukagjinit, Gjakovës dhe atyre të Malësisë, në vendin e quajtur, “fushat e Bajram Pashës” për marrjen e hapave të nevojshëm në mënyrë që të organizohet mbrojtja e këtyre trojeve.
Por Riza beg Kryeziu, babai i Cana begut të “famshëm”dhe ish prijës i Gjakovës, i dërguar nga organet pushtuese otomane si bashkëpunëtorë i tyre, për të prishur tubimin dhe përçarë shqiptarët në mes veti, që në fillim të fjalës së tij, shprehet se shqiptarët nuk munden dhe as nuk duhet ti kundërvihen pushtimit të Plavës e Gucisë nga Mali i Zi sepse Stambolli paska vendosur për dorëzimin e tyre, vetëm atëherë, kur nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, ndaj ai me bashkëpunëtorë, janë kundër konfrontimit me malazezët dhe nxjerrjen e telasheve të reja Perandorisë.
Populli i dëshpëruar nisë të mallkojë e shajë Riza beg Kryeziun dhe kërkon që ai të zbres nga bina, e në vend të tij, e të flasë dikush tjetër. Pas kësaj ngjarjeje, në binën e improvizuar ngjitet patrioti i mirënjohur, Ali Ibër Neza, i cili,gëzon të gjithë atdhetarët e vërtetë që kishin ndarë mendjen për ti dalë zot vendit, me fjalët e thëna dhe vendosmërinë e treguar, duke u shprehur plot ideal dhe energji kombëtare:
Vëllezër- ne do ta mbrojmë Plavën dhe Gucinë!.
E sa i takon Riza begut, mos çuditeni me të, sepse vetëm gruaja e tij, i mbanë mbi “tre kilogram dukat të turkut në qafë” do të vazhdonte Ali Ibra, ndaj Rizai frikohet se po hyni në luftë pa “izën” e turkut, do ta humb të gjithë pasurinë.
Kurse ne, nuk kemi asgjë, përveç këtij trolli të begatë, e atë do ta mbrojmë deri në fund dhe kurrë nuk ia lëshojmë tokën tonë, Karadakut (Malit të zi)pa u derdh gjak për këtë vend.
Neve asnjëherë nuk na ka ndihmuar e dhënë armë- mbreti as Perandoria, por gjithmonë kemi luftuar burrnisht me gjithqka kemi mundur…
Ndaj edhe sot, secili prej nesh, ka nga diçka, asnjë nuk jemi krejt pa armë, ja unë për shembull, kam pushkë e kobure por edhe sopat e këmesë te shtëpia, ndaj vet do të luftoj me pushkë, Djalit do t`ia jap Koburen, Gruas sakicën, kurse Çikës sime këmesën dhe kështu do të luftojmë të gjithë së bashku, derisa të vdesim,por asnjë pëllëmbë të tokës sonë, nuk do t`ua lëshojmë malazezve pa gjak.
Turma e entuziazmuar nis të urojë Ali Ibër Nezën dhe mallkoj tradhtarë e beglerë, si bashkëpunëtorë të pushtetit otoman. Riza beg Kryeziu, i turpëruar,fillon të ndihet keq, dhe tani tenton ta ulë e nënvlerësoi qëllimshëm problemin e vërtetë kombëtar duke u munduar ta zhvlerësoj dhe jap kahje krejt tjetër edhe tubimit, sikur mos të ishin në pyetje pjesë të vlershme të atdheut,që duhej të kalonin dhunshëm nën sovranitetin e një shteti pushtues, si ai malazez.
Ndaj,me bindjen se edhe vet dielli ndrinte vetëm për të, ai fton bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij për të lëshuar këtë tubim me arsyetimin banal, se; “Opinga e Katundit, e mundi Begun e Shehrit”!.
Mjerisht, historia jonë e dhembshme, edhe në këtë shekull ,sërish po përsëritet për të keq,për faktin se edhe “beglerët” e rinj, edhe pse të ardhur rishtas në “shehër” (qytet), në vend se para BE-s, dhe Bashkësisë Ndërkombëtare të kërkojnë korrigjimin e kufijve në dobi të trojeve shqiptare të pushtuara me forcë dhe padrejtësisht nga shtetet hegjemoniste fqinje, qysh nga koha e Kongresit të Berlinit, ata u falin atyre pa asnjë ndrojtje edhe dhjetëra mijëra hektar tjerë- tokë arbërore, nga pjesa e tejrrudhur-po nga këta akter-kavaler, e atdheut tonë të gjymtuar.
Kështu, vetëm një ditë para fillimit të samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Vjenë të Austrisë, më 26 gusht 2015, Mali i Zi, paralajmëron se Marrëveshjen (për ne të dëmshme) kufitare, do ta nënshkruajë me Kosovën, sipas së cilës pjesë të konsiderueshme të vendit, nën Çakor në Grykën e Rugovës dhe te Kulla afër Rozhajës,për mbrojtjen e të cilave, në të kaluarën, disa herë ka shkuar gjaku përrua, tani në mënyrë të vullnetshme, “bujarisht”,dhe me vetëm një nënshkrim sa hap e mbyllë sytë, do të falen dhe futen si në një ëndërr të keqe, nën sovranitetin malazez nga vet shqiptarët.
Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat dhe ende nuk qenka ngopë me grabitjen e trojeve shqiptare republika malazeze,duke filluar nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava dhe Gucia,e deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë tokë shtesë, male e kullosa të bjeshkëve të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm rugovasit trima dhe bashkëkombnsit tanë tjerë, pronar autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Madje, kjo po ndodhë para syve tanë, pa bërë asnjë kundërshtim të dukshëm, sado formal nga pala shqiptare, përkundër humbjes së gjithë këtij territori, përderisa vetëm për një të ashtuquajtur asociacion të komunave serbe, shkohet për bisedime edhe me përfaqësuesit evropianë, deri në Bruksel,ndërsa politik-bërësit e Kosovës, në mënyrë të pashembullt, falin tokat e atdheut për pesë pare dhe atë nga dhjetëra mijëra hektar për një herë,dhe me vetëm një nënshkrim.
Ç`është kjo? Demarkacion, shitje apo plaqkitje?!
Dhembja bëhet edhe më madhe kur dihet se vetëm për të jetësuar një të ashtuquajtur “asociacion komunash”, serbët në veri, ka disa vite që kanë bllokuar Urën mbi Lumin Ibër dhe sot e asaj dite ,përkundër qindra premtimeve boshe, ende nuk lejohet heqja e barrikadës së mbjellë me “hithër të Serbisë”, të cilat vazhdojnë ta “djegin” të drejtën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në tërësinë (e “garantuar”) territoriale të Republikës së Kosovës, edhe në veri!
Sot u deklarua,sikur qenkan pajtuar për heqjen e saj,por vetëm pas arritjes së qëllimit final dhe nënshkrimit të marrveshjes nga pala shqiptare në Bruksel,për krijimin e “asociacionit të komunave serbe”.
Ndaj shqetësimi rritet edhe një herë më tepër, për faktin se vetëm para pak ditësh Josip Manoliq, një ish-funksionar i lartë kroat, deklaroi se në udhëheqjet e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, si në Kosovë , FYROM dhe Serbi, ende ka një numër të konsiderueshëm të bashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilët edhe sot mbajnë pozita të larta institucionale në të gjitha këto shtete.
Mjerisht, kjo shqetëson pa masë, ngase ka shumë paqartësi në këto histori nënshkrimesh e marrëveshjesh të pa qarta për opinionin publik.
Një skenar i ngjashëm u luajt edhe në një rast të më hershëm,me FYROM-in, kur megjithëse administrata,ushtria dhe policia serbe ishin përzënë nga Kosova rreth dy vite më parë, sllavo-maqedonët më 2001,lidhën një marrëveshje më Serbinë për përvetësimin e një pjesë të territorit të Kosovës.
Madje, mjerisht kjo nuk ishte e gjithë e keqja, tragjedia e vërtetë ndodhi pikërisht atëherë, kur edhe liderët shqiptar, u pajtuan me një marrëveshje të tillë antishqiptare të dy shtetveve hegjemoniste fqinje dhe me dorën e tyre,nënshkruan pa asnjë hezitim, aneksimin e mbi 2500 hektarëve tokë të vlershme të Kosovës, nga shteti sllavo-maqedon.
Këto vendime të çuditshme të politik-bërësve aktual, jo vetëm se po krijojnë situata të paqarta e tejet dëshpëruese,por po lënë pa mend dhe vrasin çdo fije shprese të bashkëkombësve se këtu ende ka të ardhme për familjet dhe fëmijët e tyre!
Nënshkrime të tilla të mjegulluara, nuk janë thjeshtë vetëm akte ndëshkimi ndaj pronarëve por dhe tradhti e paskrupullt kombëtare, ndaj është koha e fundit dhe momenti vendimtar që dikush të marrë rolin e Ali Ibrës dhe përfundimisht të ngrihet e mbrojë tokat tona,pronën dhe të drejtat e shqiptarëve në këto troje.
Vende të shenjta me plot kronika të qëndresave më të përgjakshme kombëtare, që njeh historia, nuk meritojnë tu hiqen kaq lehtë nga dora shqiptarëve dhe të shiten aq lirë, falen apo dorëzohen në këtë mënyrë të turpshme malazezve
Mjerisht politik-bërësit aktual edhe një herë më tepër po dëshmojnë se me zhvendosje të tilla marramendëse të “megjëve” ndërshtetërore, në shtrirje kaq shumëkilometërshe dhe tejet të mëdha hapësinore, në brendësi të thella të atdheut tonë, duke tkurr pariparueshëm, kufijtë e Kosovës, për plotësimin e orekseve të pafund të vendeve hegjemoniste sllave, po vihen plotësisht në shërbim të ish pushtuesve të tokave tona dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë tërësinë territoriale dhe hapësirën tonë tokësore e kombëtare.
Ata,ndoshta padrejtësisht ëndërrojnë se me kalimin e viteve, lëshimet e tyre, do të trajtohen vetëm si mashtrime të thjeshta në momente të caktuara politike, të cilat edhe si të tilla, mund të jenë mjaft tragjike, por tradhtitë historike që me, apo pavetëdije po bëjnë, mbeten gjithmonë të dënueshme, të pandreqshme dhe fatale për kombin tonë!
E shitja sado e kamufluar e pjesëve të vendit nga kushdo qoftë, falja apo tjetërsimi i hapsirës etnike të atdheut, është dhe mbetet, përgjithmonë tradhti e lartë kombëtare, dhe nuk do të mund ti shpëtoj për kohë të gjatë, gjykimit.
Historia gjithmonë ka dëshmuar se këto troje ishin tonat-shqiptare, ndaj me namin që lanë politikanët aktual, me lojëra “demarkacionesh” dhe vizatime “kufijsh” sipas dëshirës së lirë të ish vendeve pushtuese dhe hegjemoniste fqinje, lind pyetja; athua vallë deri ku do të arrijnë dhe ku do të mund ti ndalojnë shqiptarët kufijtë e Serbisë nesër, pas demarkacionit që duhet të ndodhë edhe me këtë shtet, nëse vazhdohet me falje të tilla territoresh kombëtare në stil të gjerë, siç është bërë fatkeqësisht, tanimë traditë e politikanëve aktual, kur dihet se pretendimet më të mëdha territoriale ndaj tokave tona dhe Kosovës në përgjithësi, i ka pikërisht Serbia?!
Ndaj, është koha e fundit që dikush të ngrihet, jo për të na dhënë këshilla pa-mbulesë dhe ofruar siguri false mbi kronikën e hidhur të nënshkrimeve të tilla të dyshimta , siç bëjnë sot shumë pushtetarë aktual, por të sqaroi përfundimisht se çfarë në të vërtetë po ndodhë me trojet tona, mbrojë realisht ato dhe gjithë atë që neve na takon, si dhe tu jap fund historive të pa-qarta, që vazhdimisht rrezikojnë shqiptarët, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, shënoi mundësisht sa më drejtë , qartë dhe arsyeshëm kufijtë duke treguar kujdesin më të madh të mundshëm dhe maksimal ,sidomos tek ata me shtetet e pangopura hegjemoniste sllave.
Gani Qarri Cyrih, 26 gusht 2015