Nga Marjana BULKU/
Peter Fecher , vetëm 18 vjeç banonte në Berlinin Lindor dhe e dinte që muri që e ndante qytetin , i ndërtuar në vitin 1961 u bë simbol i ndarjes midis shteteve diktatoriale dhe atyre demokratike në Europë deri në vitin 1989,kohë kjo kur ky mur u shemb. Një ditë gushti të vitit 1962 , teksa po kapërcente murin për në Berlinin Perëndimor demokratik qëllohet nga rojet gjermano-lindore dhe përfundon në mënyrë tragjike tentativa e këtij të riu për të prekur Demokracinë…
Sa mijëra fate të ngjashme…qindra histori për tu rrëfyer!Rasti i Shqipërisë ku numërohen mijëra të arratisur politikë , të vrarë në kufinj, të internuar burgosur politik e qindra të dënuar na rrëfen se ne jetuam një diktaturë ekstreme mbi të cilën do ta kishte shumë të vështirë lulëzimin një demokraci e kulluar. Edhe pse përkufizimin më të saktë për demokracinë e sjell Linkolni si” Pushtet i popullit ,dalë nga populli dhe për popullin” demokracia është term grek :demos -popull dhe kratis-sundim,pushtet.Sipas Sartorit definicioni është shumë më kompleks pasi nuk përputhet plotësisht me etimologjinë e fjalës “demokraci”edhe për shkak se demokracia keqpërdoret nga regjimet.Nëse i referohesh Greqisë së lashtë aty dallohej se gjendja e lirisë civile lejohej vetëm për një grup të ngushtë ku përjashtohej masa e madhe e skllevërve,grave, të huajve dhe qytetarëve që merreshin me punë çnderuese dhe të vështira.
Sipas Aristotelit, Soloni ishte babai i demokracisë athinase.Kaosi politik dhe social në shekujt VII dhe VI p.e.s bëri që mjaft qytete greke të qeveriseshin nga tiranë .Athina u përpoq të shmangte këtë regjim duke zgjedhur Solonin dhe reformat e tij si mjet për zgjidhjen e krizës shoqërore dhe ekonomike.
Por a ishte Soloni demokrat?!
Le të analizojmë vargjet e tij ;
“U kam dhënë masave pozitën që u përshtatet nevojave të tyre/
As nuk u kam vjedhur nderin, as nuk i jam nënshtruar lakmisë së tyre.
E ata që kishin shumë pushtet
që Ishin të lavdishëm e të pasur,
kam gjykuar se asgjë nuk duhet t’i privonte nga luksi dhe nga pozita e tyre.
Atëhere,u ngrita me mburojën time
për të mbrojtur të pasurit dhe të varfrit.
Kështu populli do të jetë më i gatshëm për t’u bindur zërit të udhëheqësve të vet.
Kur “kapistra” nuk është shumë e lirshme ,
as shtrëngimi shumë i madh”…
…Pra Soloni shfaqet si dhurues i çdo të mire , të gjitha veprimet e vetës së parë na bëjnë të kuptojmë se ky udhëheqës nuk pyet askënd për veprimet e veta politike.Prirjet autoritare shpalosen në brendi” Kështu populli do të jetë më i gatshëm për tu bindur” . Por që këtu mund të dallosh se si populli është ai që i ushqen sistemet ,cilatdo qofshin ato ,duke ua pakësuar ose shtuar jetëgjatësinë.
Babai i demokracisë nuk ishte demokrat , kjo shpaloset në të gjitha poezitë e tij të cilat ishin edhe platforma nëpërmjet të cilave ai e shmangu tiraninë.Pushteti ekonomik për Solonin kishte rëndësi të veçantë,ai njihet si themelues i Timokracisë e cila shtresëzonte shoqërinë ku një rol i madh i jepej shtresës së mesme për të thyer monopolin e aristokracisë.Solomoni mund të ushtronte pushtet apsolut duke u lidhur me cilëndo parti por ai parapëlqeu të mos i pëlqente askujt , duke u bërë shpëtimtar i vendit dhe ligjvënës shembullor. Përmes modelit të tij kuptojmë se misioni i Demokracisë është SHMANGIA E TIRANISË.
Rasti i Shqipërisë (antropologjia e sistemeve)
Për shkaqe historike tek ne ka munguar antropologjizmi borgjez që sipas shkollës anglosaksone formulonte :Demokraci përmes Ligjit.
Ne jetuam dhe jetojmë në një antropologjizëm feudal ku formula është ; Turma dhe prijësi . Retrospektivisht sistemet e dikurshme ishin; Mbretëria me popull dhe mbret.
Komunizmi ; populli heroik dhe sekretari i partisë.
Ky lloj evolucioni i komanduar nga sistemet nuk arriti të prodhojë asnjëherë Antropocivilizim . Mungesa e individit si institucion , në një mjedis ku jeton parimi autotitarist” shteti jam unë” e mohon rolin e individit me të drejtat e tij dhe përgjegjësitë çka janë themel i demokracive.
Demokracia mund të rrezikohet nga qetësia dhe rendi sikurse dhe nga trazirat dhe mungesa e rendit sipas Brucher. Dhe pyetja që lind është : A janë protestat dhe tubimet pjesë e demokracive?!
Dhe pse protestohet?!
Është shumë e rëndësishme të dihet se si protestohet duke përdorur mjetet e duhura që nuk dhunojnë masën që proteston por as palën të cilës i drejtohet protesta.Cënimi i të mirave , mosgarantimi apo mohimi i tyre çon në protestë ,edhe krizat apo fatkeqësitë krijojnë klimë proteste madje edhe irritimi kur autoritetet bëjnë indiferentin.
Po përse goditet protesta?
Ka vetëm një përgjigje ; sepse mungon institucionalizimi i protestës. kur njerëzit protestojnë kundër një individi a kemi vallë të bëjmë me shtet demokratik?!
Jo , sepse njerëzit nuk besojnë në demokraci derisa protestojnë kundër një individi.Demokracia reale nuk është ajo që krijon një klub të fortë mes njerëzve, por ako që lejtëson marrdheniet e tyre të ndërsjella. Kur paqja rregullon vetë punët e veta ajo shndërrohet në demokraci.
*Fragment nga studimi i Marjana Bulkut gjatë programit Master në Institutin e strudimeve evropiane(2010-2012 )