
Nga Mimoza Dajçi/
Askush nuk duhet të harrojë se ish të persekutuarit politikë nuk kërkuan kurrë lëmoshë, por vetëm drejtësi dhe dinjitet.
Në retrospektivë, sa herë afrohen zgjedhjet në Shqipëri qeveritë zgjidhin minimalisht “qesen”, i hedhin një kafshatë parash ish të dënuarve politike e vetëm kaq. Po, 50 vite mizori, plagë e drama pa fund kush duhet t’ia kompesojë e rikuperojë kësaj shtrese. Qeveritë shkojnë e vijnë për oreks të tyre, nuk mendojnë për popullin, aq më tepër për ish të persekutuarit politikë të Shqipërisë. Por askush nuk duhet të harrojë se ish të persekutuarit politikë nuk kërkuan kurrë lëmoshë, por vetëm drejtësi dhe dinjitet.
Në Shqipëri po shpërndahet kësti i pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore (trashëgimtarë), të ish të dënuarve politikë dhe ka filluar procedurën e pagesës së këtij kësti, por akoma jemi larg pagesave të tjera përfundimtare. E njëjta gjë po ndodh edhe me mos gjetjen e eshtrave për personat e zhdukur nga komunizmi, vrarë pa gjyq.
Edhe pse Shqipëria përjetoi diktaturën më të egër në Europë, përsëri akoma qeveritë e saj nuk kanë shlyer dëmshpërblimet për ish të burgosurit dhe internuarit politikë. Të persekutuarit politikë në Shqipëri u përdorën 34 vite nga politika si fasadë për fushatë elektorale. Të zhgënjyer një pjesë e mirë u larguan nga kjo botë me shpirt të vrarë e copëtuar, pa marrë atë shumë që u takonte nga torturat e vuajtjet e rënda që kaluan nëpër birucat, burgjet e kampet e përqëndrimit nga regjimi makabër i diktaturës komuniste.
Duke iu referuar hartës, vendet ku kanë vuajtur dënimet ish të burgosurit dhe të internuarit politikë janë të shumta për një vend të vogël si Shqipëria, por duhet të kthehen në Muze, si kujtesë e së shkuarës së hidhur të popullit tonë nga vetë diktatorët shqiptarë. Kaluam një histori të dhimbshme, të tmerrshme, pasojat e së cilës thërrasin akoma për ndihmë. U arrit deri aty që babai të denonconte tek sigurimi i shtetit djalin e tij, gruaja burrin e burri gruan, komshiu – komshiun, kështu me radhë.
Lufta e klasave ishte prezente kudo. Divorcet nëpër familjet shqiptare u bënë të “modës” nëse njëri nga prindërit arrestohej për agjitacion – propagande diheshin pasojat, fëmijët e tyre të martuar do të divorcoheshin për çështje biografie, nipërit e mbesat u rritën vetëm nga njëri prind…
Duke u ndalur serish tek personat e zhdukur nga komunizmi vrarë pa gjyq, ku janë mbi 6 mijë viktima pa varr dhe akoma nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Problemi i fondeve dhe përballja me të shkuarën vështirësojnë ecurinë e procesit. Pranverën e vitit 2015, qeveria shqiptare ftoi Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP për gjetjen e varreve të të pushkatuarve gjatë komunizmit.
Sipas medias në dhjetor të 2015 u prezantua një projekt i këtij procesi jo të lehtë për tu zbatuar, ku përfshihej për zbatim edhe projekti pilot për identifikimin e 56 viktimave në Dajt dhe 86 të zhdukurve të tjerë në Ballsh. Po sipas shtypit vendas fatura e përllogaritur në shumën 950 mijë euro do të sillte fillimin e menjëhershëm të punës nga ICMP duke ngjallur shpresën e familjarëve të të zhdukurve. Por ky proces edhe sot nuk po ecën me ritmin premtues. Fondet e dala nga BE për gjetjen e eshtrave e të vrarëve pa gjyq u kërkua që të zbatohet nga vetë BE-ja në bashkëpunim me ICMP, e cila punësoi edhe një zyrtar të saj në Tiranë.
Drejtori i Programeve të ICMP për Ballkanin Perëndimor Matthew Holliday u tha shqiptarëve që, “Të krijonin regjistrin qendror të të humburve dhe mos humbisnin kohë, por të vepronin. Si dhe paralajmëroi se fillimi i këtij procesi të madh do jetë i mundimshëm qe kërkon vullnetin dhe angazhimin e të gjithë institucioneve”.
Të përndjekurit politikë deklaruan se shumë prej trupave janë zhdukur, për shkak se janë varrosur në rrëpira ose brigje shumë të ekspozuar ndaj problemeve gjeomorfologjikë dhe atmosferikë, që e bën nisjen e shpejtë të procesit sa më të nevojshëm. Pas krijimit të një database me ADN-të e familjarëve, kostoja për gjetjen dhe identifikimin e çdo viktime e tejkaloi shumën 1500 dollarë.
ICMP që u angazhua në këtë proces është themeluar në vitin 1996 si përdorim i efektshëm i ADN-së për të identifikuar personat e zhdukur. Ky institucion funksionon nën ombrellën e OKB-së dhe ka pasur një rol udhëheqës në ndihmën për identifikimin e më shumë se 70% të rreth 40 mijë të zhdukurve nga konfliktet në ish Jugosllavi.
Personalisht ndalem edhe tek ky proces pasi prekem nga ky segment i hidhur jetës, xhaxhai im Rasim Dajçi është pushkatuar si antikomunist pa gjyq nga forcat sllavo – komuniste dimrin e vitit 1945 në Prizren.
Eshtë obligimi im, për të gjetur eshtrat e xhaxhait tim të zhdukur e të vrarë nga komunizmi me në krye Shefqet Peçin në Prizren më 1945, ku u pushkatuan gati 15 ushtarakë të lartë. Para pushkatimit jo vetëm që i shëtitën nëpër rrugët e Prizrenit si armiq të popullit e stacionet e autobusëve, por fotot e tyre u afishuan nëpër shtyllat elektrike e trungjet e pemëve. Për këtë ngjarje kanë folur e shkruar ish i burgosuri dhe i arratisuri politik Sami Repishti, publicisti Frank Shkreli, shkrimtarja Eglantina Mandia etj.
Nëntë vite më parë një thirrje e OKB-së, tërhoqi vemendjen autoriteteve shqiptare se, duhet të sigurojë më shumë shpërblim për familjet e 6000 njerëzve të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Njihet ligjërisht se pas ardhjes në pushtet të diktaturës së proletariatit deri në vitin 1991 Shqipëria “aplikoi” zhdukjen e personave të vrarë pa gjyq.
Lajmi i OKB-së, u bë i njohur pas vizitës një javore në Shqipëri nga Drejtuesja e OKB-së, Houris Es-Salmi. “Ka ardhur koha, tha ajo, që Shqipëria të kthejë këtë faqe të dhimbshme të së kaluarës. Të gjithë personat e zhdukur dhe familjarët e tyre citon të ketë thënë Salmi kanë të drejtën e dëmshpërbilimit, mirëkuptimit, rehabilitimit dhe garancisë për mos përsëritje të këtyre krimeve”.
Rezultatet tregojnë të kundërtën. Këto thirrje e udhëzime të komunitetit ndërkombëtar akoma nuk po zbatohen në Shqipëri. Atje ka shumë probleme që janë lënë “në harresë” e vendi mbulohet nga korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe krimi brënda familjes.
Janë hapur dy qendra muzeale nga qeveria aktuale në Tiranë, por aty nuk pasqyrohen të gjitha plagët që i ka shkaktuar padrejtësisht popullit tonë ai regjim monstruoz, i cili sa më shumë të ishte vonuar aq më tepër viktima e të burgosur politikë do të kishim. Të gjithë do të kalonim nëpër atë gijotinë, që vlonte mes spiunimeve dhe letrave anonime. Një zinxhir i tërë i shërbente Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ishte krijuar industria e spiunazhit, zhdukjeve e vrasjeve me edhe pa gjyq.
Shteti shqiptar me ligje duhet të caktojë një festë zyrtare për të nderuar shqiptarët që vuajtën nga diktatura komuniste në Shqipëri. Për nder të viktimave të komunizmit nëpër botë, SHBA kanë ngritur një “Memorial Përkujtimor” në Washington, D.C., ku simbolizohet me statujën e një gruaje. Po Shqipëria pse mos ketë një të tillë, çfarë e pengon? Ndërkohë reminishenca komuniste shfaqet kudo edhe sot nëpër mediat e Tiranës dhe kjo përbën shqetësim të madh për demokracin në vend.
Në mbështetje të OKB-së për të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri dhe për të zgjuar qeverinë shqiptare nga gjumi letargjik, një dokumentar mbi këtë Temë ka realizuar edhe TV BBC, iniciator i të cilit ishte gazetari dhe ish Drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, ndërsa të ftuar dhe protagonistë ishin Kryeministri Edi Rama, ish i internuari politik Simon Miraka, ish i burgosuri politik Gjeneral Rahman Parllaku, ish i burgosuri politik Saimir Maloku, Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, unë (Mimoza Dajçi) dhe ish Zv/Ministri Nikolin Kurti. Por akoma nuk po shikojmë dritë në fund të tunelit për realizimin e udhëzimeve të OKB-së.
Kjo Rezolutë duhet të tërheqë vëmendjen edhe të Qeverisë së Kosovës rreth vrasjeve, burgosjeve, zhdukjes dhe terrorit që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1945, sepse ishte një masakër vëllavrasëse direkt me urdhër të Enver Hoxhës që u krye në Prizren në vitin 1945, nga forcat sllavo – komuniste, ku u pushkatuan 15 ushtarakë të lartë që shërbenin për rendin e qetësinë e qytetit.