Nga Gavrosh Levonja-New York/
Ishte emri i Edi Ramës nën titullin “Dora e Evropës, dora e zemrës” arsyeja e vetme që më nxiti kërshërinë për të lexuar përmbajtjen e asaj që ishte botuar nën titullin e mësipërm. Kjo pasi në aspektin letrar ato që shkruan apo thotë kryeministri i Shqipërisë më japin një kënaqësi të vecantë. Gjithcka e shoqëruar me figura letrare të gjetura, me fraza të bukura e intriguese, produkt i fantazisë dhe imagjinatës së një artisti. Rama, në mënyrë të padiskutueshme është i paarritshëm nga politikanët e tjerë shqiptarë, kur vjen puna për të ambalazhuar produktin e tij politik kur e paraqet në publik, madje dhe artistikisht, mund ta radhis ndër autorët më të pëlqyer të letërsisë së sotme shqiptare. Nuk u zhgënjeva; edhe pse nuk ishte një shkrim i mirëfilltë por që të përdishmet, e kishin botuar si të ishte shkruar enkas për to, edhe pse në të vërtetë ishtë vëtëm një fjalim përshëndetës në një ceremoni të organizuar me rastin e “Ditës së Evropës” mund të them se nuk i linte gjë mangut një ese-je. Natyrisht edhe tek të pranishmit, e kam fjalën kryesisht për ata të huaj, ndërsa dëgjonin Ramën atje, në Butrintin antik, nuk ka si të mos i kenë rritur kuotat e vlerësimnit për Ramën, si publicist apo si mjeshtër i fjalës. Nga ana tjetër duke gjykuar nga përmbajtja e atyre që u tha Rama të ftuarve, por edhe nga rrethana të tjera duke filluar nga ato që mund të cilësohen si butaforike, fut këtu dhe vetë përzgjedhjen e Butrintit si vend për zhvillimin e kremtimit të ditës së Evropës, të cojnë në përfundimin se kryeministri i Shqipërisë kishte planifikuar ta shfrytëzonte “Ditën e Evropës” për t’i u ankuar evropianëve të akredituar në Shqipëri për moshapjen e dyerve të BE. Kjo dukej qartë në atë pjesë të fjalimit të Ramës ku i mëshohëej asaj që në lashtësi, territori i Shqipërisë së sotme, kishte pasë qenë teatër ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme për kontinentin. Rama, si një mjeshtër i publicitetit, për ta bërë më të efektshme ankesën e tij për lëninen jashtë Evropës të popullit shqiptar, kishte përzgjedhur atmosferën dhe mjedisin antik të Butrintit si skenë ku përfaqsuesit e vendeve të BE të dëgjonin recitimin e esesë ankesë të tij. Mirëpo, dyert e Evropës nuk hapen me fakte historike apo faktorë të tjerë që mund të lidhen me historinë e këtij apo atij vendi dhe Edi Rama besoj se e di shume mirë një gjë të tillë. Me shoë-n e tij në Butrint, ai mund të ketë rritur kuotat për veten e tij tek të huajt, por ndikimi që këta të venë “dorën në zemër” për t’i hapur derën Shqipërisë pa dyshim ka qenë zero. Nuk dihet ndonjë rast që ndonjë vend të jetë pranuar në BE falë historisë së tij të lashtë apo të “lavdishme”. Duke i u kthyer paksa historisë Shuman, Adenauer e De Gasperi që vunë themelet e Bashkimit Evropian fillimisht e nisën si një organizatë me karakter ekonomik. Jo më kot emërtimi fillestar ishte “Tregu i Përbashkët Evropian”ndonëse anëtarë të tij ishin vetëm gjashtë vende; Gjermania Perëndimore, Franca Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Italia, në kohën që më shumë vende ishin grupuar në atë që quhej “Zona e Tregtisë së Lirë”. Shumë vonë, vetëm pas rritjes së numrit të antarëve, krahas institucioneve të tjerë me karakter kontinental si “parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Tregu i Përbashkët Evropian do të kthehej në “Bashkim Evropian” duke u shndërruar në një organizëm politiko-ekonomik. Megjithatë , orientimi i aktivitetit tëi tij do të diktohej më së pari nga interesat ekonomike. Edhe kur filloi zgjerimi me shtete nga Evropa Lindore pas rënies së komunizmit vendet e para ishin Cekia, Polonia e Hungaria, të cilat kishin një ekonomi shumë më funksionale e të rregullt se Rumania apo Bullgaria. Si pasojë e krizës ekonomike që filloi nga fundi i dekadës së kaluar kërkesat me karakter ekonomik ndaj vëndeve që kërkojnë të bëhen pjesë e BE, janë forcuar së tepërmi, gjë që e bën edhe më të largët shpresën e këtyre të fundit. Vendet e BE tashmë, pas rastit të Greqisë, tregohen skrupulozë për të mos paguar faturat e Greqive të tjera që kërkojnë të hyjnë në familjen e tyre. Tani, duke u kthyer tek Shqipëria, politikanët shqiptarë vazhdimisht i mëshojnë faktit që “Shqipëria është pjesë e Evropës”, madje “kërthiza e Evropës” dhe jo periferia, sic u shpreh Rama në fjalimin e Butrintit. Por, duhet të kihet parasysh se nuk bëhet fjalë në aspektin gjeografik, por flitet për mënyrën si funksionon shteti, jetën politike, ekonominë etj, dhe këtu, shoqëria shqiptare është shumë më pranë vendeve të Azisë Qëndrore apo Afrikës së Veriut. Tashmë është bërë e qartë se celësi që mund të hapë derën e BE është i lidhur kryekëput me faktorë ekonomikë. Kjo duket dhe nga kushtet e vendosura për Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit, pavarësia dhe reforma në sistemin e drejtësisë, janë të lidhura ngushtë ekonominë. Kjo për faktin se si korrupsioni ashtu dhe një drejtësi jo funksionale shkatërrojnë rregullat e lojës në bazë të të cilave vepron tregu i lirë duke cënuar në radhë të parë konkurencën. Duke pasur parasysh realitetin shqiptar, jo Rama, por kushdo qoftë në pushtet e ka të vështirë t’u flasë të huajve për parametra, shifra, trende zhvillimi etj. Për më tepër, kur Brukseli e njeh gjendjen e Shqipërisë ndoshta më mirë se vetë politikanët shqiptarë. Ekonomia informale, papunësia , korrupsioni e krimi I organizuar që si emërues të përbashkët kanë rikthimin në përmasa të frikshme të synimit të shqiptarëve për të ikur në vende të tjera, janë në nivele të tilla, sa edhe të paktën pas një dekade tjetër Shqipëria besoj se do të jetë akoma duke trokitur në dyert e BE. Njësoj, edhe përpjekjet e autoriteteve për të penguar largimin e qytetarëve, tregojnë se qeveria e ndërgjegjshme senuk është në gjendje t’u sigurojë atyre një minimum jetese normale duke u ngjallur shpresën për një të ardhme më të mirë e gjen të udhës t’ u nxjerrë pengesa artificiale në pikat e kalimit kufitar apo duke u kërkuar vendeve të BE “të shkurtojnë procedurat” për të kthyer sa më shpejt azilkërkuesit shqiptarë. Vetëm, pasi të jetë ndalur në mënyrë të natyrshme ky eksod ekonomik zyrtarët shqiptarë mund të kenë të drejtën për t’u kërkuar evropianëve hapjën e dyerve të BE. Athere, edhe për Edi Ramën nuk do të lindë nevoja t’u lexojë të huajve esse a hartime që lidhen me lashtësinë.
Angjelina Xhara says
Jam e mendimit se SHQIPERIA do te hyje ne Europe per nje aresye me teper se ekonomike,ose thellesisht ekonomike…per te shperblyer mundin e djersen e gjithe emigranteve shqiptare,qe kane nje cerek shekulli qe po punojne “dyfish”,per te merituar kete nevoje te domosdoshme te ecjes mbare te vendit ame ne familjen e madhe europiane.Jam intelektuale nga Shqiperia qe kam bere 3 pune ne emigracion dhe marr tani nje pension rreth 100 dollare ne Shqiperi!.Duke mos hyre ne Europe ne na mohohet shperblimi per punen e sterlodheshme dhe shuarja e drites se kthimit ne atdhe…Edhe kur u dha e drejta e shqiptareve per te udhetuar jashte shtetit nuk ishte favor per qeverine por shperblim per qytetaret e ndershem shqiptare…Do te doja te besoja qe Shqiperise nuk do i mohohet ky shans i madh per te hyre ne Europe
Gezim Boçari says
Zoti Levonja,analiza juaj me pelqen, por konkluzioni jo. Azilkerkuesit ekonomike mund te frenohen por Shqiperia nuk mund te pranohet ne BE. Se pari jemi shtet qe me kushtetute qe ne 1991 respektojme lirite dhe te drejtat e njeriut. Me ligjet e Parlamentit shkelet e drejta per te gezuar pronen e trasheguar. Zbatimi ne praktike sjell telashe te tjera. Prej 24 vjetesh institucionet nderkombetare bejne sikur nuk shikojne dhe sikur nuk kuptojne se shtet demokratik eshte baraz me respektimin e te drejtes se shtetasve per te gezuar pronen e trasheguar konform kushtetutes. Ne Shqiperi nuk ekzekutohen as vendimet e GJEDNJ dhe shteti raporton se vendimet eshte ekzekutuar . Sa per vendimet e gjykatave te vendit te pa ekzekutuara ato mund te jene me shumice. Kush mund te thote se cdo te ndodhte ne SHBA nese nje vendim gjykate nuk do te ekzekutohej per vite te tera , si do te reagonte Presidenti i SHBA? Ju sugjeroj ju dhe analisteve te tjere te shikoni ne faqen http://www.defendingproperty.com problemin e kalimit nga shtetezimi komunist ne vjedhjen ne emer te ligjit . Pikerisht ky eshte burimi i kriminalizimit te shtetit. Ketu lindin problemet qe shqetesojne shoqerine tone ne kete periudhe postkomuniste qe ne shume aspekte eshte me kriminale dhe me antisociale, pavaresisht se emertohet demokraci, tranzicion etj etj.Qe situata te shendoshet eshte e nevojshme fjala juaj che e analisteve te tjere. Keshtu ju do te beheni faktor qe te ruga per ne BE.
Dr. Gezim Boçari
Gezim Boçari says
te beheni faktor qe te hapet rruga per ne BE
Me falni per gabimet ortografike qe shpetuan nga shpejtesia. I lutem redaksise ti ndreqi ato. Me respekt. Gezim Boçari