Kur do të shpallën dëshmorë luftëtarët trima, të çetës Plakë të Vlorës?
Vazhdon lufta e klasave: dëshmorët e atdheut trajtohen ca të nënës e ca të njerkës.
Nga Enver MEMISHAJ
- Komunistët të vrasin natën dhe të qajnë ditën
Një nga njollat më të errëta dhe çnjerëzore e Partisë Komuniste, ishte edhe eliminimi i shokëve të tyre të idealit, liminim që filloi që gjatë Luftës Antifashiste. Udheheqësi i lartë i P.K., Gogo Nushi ka deklaruar në plenumin e Beratit në nëtor të vitit 1944: “Për ata që ishin anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose që kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur direktivë nga Komiteti Qëndror që këta t’i zhduknim”.
Disa nga ata luftëtarë, që Partia Komuniste i vrau natën, i qau ditën: pas çlirimit i shpalli dëshmorë të atdheut! Kështu p.sh. vetën nga Grupi Komunist i “Të Rinjve”, u vranë 8 vetë: Mynyr Xhindi, Fejzo Gjomema, Feta Ekmeçiu, Arap Shenaj, Fejzi Micolli, Hydajet Micolli, Haki Xhelo dhe Jorgo Plaku, të tetë këta pas çlirimit u shpallën dëshmorë.
Në vitin 1944 komunistët pushkatuan në Ramicë të Vlorës Ramize Gjebrean dhe në vitin 1947 e shpallën dëshmore.
Më 8 qershor 1944 u vra dhe Zaho Koka. Sipas Sofokli Lazërit dhe general Mevlan Dervishit thonë se e vranë pas krahëve. ( “Dita”, 23.12.2002; “Ballkan” 18.6.2005) Edhe Zahua u shpall “Hero i Popullit”
Në Fier u pushkatua çifti i bukur Zyba Fasllia dhe Kito Zarka dhe pas çlirimit Kitua u shpall dshmorë, ndërsa Zyba mbeti armike e epopullit!!!
Në Gjinar të Elbasanit pushkatohen Velide Murataj nga Tragjasi dhe Bido Hasani nga Delvina. Bidua u shpall pas çlirimit dëshmorë, sepse familja e tij kishte qëndrim të mirë politik, ndërsa Velideja mbeti armike e popullit pasi prindërit e saj ishin ballistë!!!
Më 3 maj 1944, u pushkatua vajza 18 vjeçare, Hazbo Gjoni nga Gusmari Kurveleshit.
Në fund të vitit 1944 në Peshkëpi u vra Mustafa Gjinishi në një pritë të realizuar nga Liri Gega, dhe më pas u shpall dëshmor.
E famëshmja Musine Kokalari shkruan se komunistët vranë Mustafa Gjinishin, Mustafa Kaçaçin, dhe Abas Shehun sepse ata mendonin të krijonin një opozitë socialdemokrate mbas mbarimit të luftës, (M.K. “Si lindi Partia Socialdemokrate”) të tre këta pas çlirimit u shpallën dëshmorë dhe heronj.
Ka edhe raste të tjera kur partizanët janë vrarë për hakmarrje personale si Shyqyri Alimerko nga Tragjasi, Sadik Zotaj nga Ramica, ose janë vrarë nga hajdutët për ti grabitur si Ramis Aranitasi nga Skrapari , Mitro Xhani e Lefter Talo nga minoritar grek, (“Tema”, 7.12.2008) Dervish Hekali u vra pas krahëve dhe të gjith këta pas lufte u shpallën dëshmorë dhe heronj populli!!!
Me këtë listë mund të vazhdonim gjatë…
- Kur do të shpallën dëshmorë luftëtarët trima, të çetës Plakë të Vlorës apo vazhdon lufta e klasave: dëshmorët trajtohen ca të nënës e ca të njerkës.
Në të njejtat rrethana janë pushkatuar nga Partia Komuniste gjatë luftës edhe shumë partizanë të çetës Plakë të Vlorës, formuar më 4 dhjetor 1942, ndër ta: Neki Ymeri, Xhafer Dalani, Xhemil Çakërri, Selim Laçej, Refit Saçaj, Duro Elmazi, Shask Rustemi, Faslli Kapaj, Isuf Rexho, Bexhet Pashaj, Arshi Muka, Jaho Tushi, Qazim Bilbili, Nurçe Bajrami, Hasan Meçorrapaj, të cilët ishin luftëtarë trima me armë në dorë dhe nuk janë shpallur dëshmorë, pasi familjet e tyre nuk kishin qëndrim të mirë politk!!!
Pse u pushkatuan nga Partia Komuniste dhe konkretisht nga Dushan Mugosha dhe Liri Gega, shumë partizanët trima të çetës Plakë të Vlorës?
Në vitin 1943, me daljen e të ashtuquajturit fraksion i Vlorës i udhëhequr nga Sadik Premtja shumë partizanë iu bashkuan këtij fraksioni. Dihen akuzat që iu bënë Sadik Premtes dhe Grupit të “Të Rinjëve”, si armiq e tradhëtarë të Partisë dhe të popullit dhe bashkëpuntorë të fashizmit, akuza që nuk kanë asgjë të vërtetë, sepse nuk ka asnjë provë e fakt juridik për të mbështetur këtë akuzë.
Me dhjetra dokumenta të policisë fashiste provojnë se Sadik Premtja ishte në ndjekje për t`u arrestuar si armik i rrezikshëm i fashiznit. (Shih: “Eliminimi i Grupit Komunist të “Të Rinjve”, Tiranë 2016)
Enver Hoxha, i shqetësuar në kulm nga përmasat e asaj lëvizjeje që po ndodhte në Vlorë, e cila po lëkundte pozitat e tij, që nga strofkat ku fshihej në Tiranë, më 3 maj të vitit 1943, dërgoi një letër, që ishte në fakt një urdhër, që ia drejtonte Qarkorit të Vlorës dhe për njoftim gjithë Komiteteve Qarkore të Shqipërisë. Në atë letër ai urdhëronte:
“Xhepi dhe Pali duhet të pushkatohen përnjëherësh pa asnjë gjyq si tradhtarë… armiq të betuar të partisë dhe të popullit”. Dhe më poshtë: “Të arrestohet Vangjoja e Difi dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre… Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin edhe ata të pushkatohen… Të forcohet disiplina. Të shkojnë dy vetë të flasin me H.L. dhe t’i japin arsyet, e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve”.
(AQSH, F.18/AP, V. 1943, D. 1, f. 4; Xhepi – Sadik Premtja, Pali – Pali Terova, Vangjua – Neki Ymeri, Difi – Qazim Çakërri, H.L. – Hysni Lepenica)
Vetëm nga leximi i këtij citati të shkurtër të asaj letre, që është shumë e gjatë, të lindin vetvetiu disa pyetje dhe shqetësime:
Në radhë të pare, ku e gjeti ai njeri legjitimitetin që të arrijë të japë vendime për arrestime dhe për pushkatime?
Kush ia dha atij të drejtën për t’i quajtur ata që nuk mendonin si ai, “armiq të popullit”, mbi ç’bazë ligjore e morale jepte urdhëra të pushkatoheshin njerëz?
Dhe po të mbahet parasysh se kjo ndodhte vetëm një vit e gjysmë nga dita që ai kishte marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm (ashtu si e kishte marrë) të PKSH-së, mund të arrihet në përfundimin se çfarë ka bërë ai më vonë, kur pushteti i tij u forcua dhe pozitat e tij në krye të partisë e të shtetit u konsoliduan me tej.
Në zbatim të këtij urdhëri Dushan Mugosha dhe Liri Gega ngritën një njësit terrorist në shpellën e Shiroke në Tërbaç dhe vranë me atentat dhe me metoda të tjera mafjoze shumë partizanë të çetës Plakë, të Vlorës.
Nisur nga fakti se të gjithë partizanët e çetës Plakë ishin luftëtar lirije, antifashistë, që kishin luftuar me armë në dorë dhe se nuk mund t’u ngrihet asnjë akuzë, duke pasur parasysh se të gjithë ata pas vitit 1990, janë vlerësuar e dekoruar nga autoritetet vendore dhe Presidenti i Republikës, si dhe praktikën se shumë partizanë të ekzekutuar nga PKSH gjatë luftës u shpallën dëshmorë pas çlirimit:
Më 23 prill 2018 dhe më 31 maj të vitit 2020, familjarët e partizanëve të pushkatuar nga Partia Komuniste, gjatë Luftës Antifashiste, gjatë viteve 1943 – 1944, i kanë drejtuar një kërkesë prefektit të Vlorës, z. Flamur Mamaj dhe kërkojnë prej tij:
Të vlerësohen e shpallen si dëshmorë të atdheut të afërmit tanë, të cilët kanë luftuar kundër pushtuesit fashistë me armë në dorë që nga 4 dhjetori i vitit 1942, kohë kur u formua çeta Plakë e Vlorës.
Dihet gjithashtu që jo vetëm u vranë padrejtësisht, por pas çlirimit familjet e tyre u persekutuan dhe internuan dhe sot këto familje mbajnë Statusin e ish të Përndjekurve Politikë.
Pothuajse të gjithë partizanët e përmendur në këtë kërkesë kanë marrë vlerësime të larta nga Këshilli i Qarkut të Vlorës dhe nga Presidenti i Republikës dhe konkretisht:
Komandanti i çetës Neki Ymeri “Vangjo” (1918 – 1943) i vrarë në pritë më 27 gusht 1943 është dekoruar:
1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin: “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”
2 – “Martir i Demokracisë” me motivacion: “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha, duke sakrifikuar edhe jetën”.
3 – “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me këtë motivacion: “Vrarë në LANÇl, 1943, Komandant i çetës Plakë, Vlorë. Student, drejtues në Lëvizjen Kombëtare e Antifashiste. Franksionist në Partinë Komuniste Shqiptare”
Xhemil Çakërri – “Milo” (1920 – 1943), pushkatuar në të njëjtën ditë dhe orë me Hydajet Micollin është Shpallur “Martir i Demokracisë”
Xhafer Dalan Xhaferaj – “Shpuza” (1913 – 1943), pushkatuar. Dekoruar, pas vdekjes:
1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”
2 -“Medalja e Artë e Shqiponjës” me motivacionin: “Vrarë nga partizanët si franksionist. Antifashist i orëve të para, franksionist në PKSH”.
Duro Tahir Elmazi (1918 – 1943), pushkatuar. Shpallur “Martir i Demokracisë”
Haki Hazbi Xhelo (1923 – 1943), u pushkatua dhe u shpall dëshmor. Shpallur “Martir i Demokracisë”
Prefekti i qarkut të Vlorës z. Flamur Mamaj me shkresën nr. 598\1 datë 15.6.2020, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Komisjonit Qëndror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe bazuar në ligjin nr. 109\2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut” propozon që partizanët e çetës Plakë të sipërcituar të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”. Propozimi i prefektit shoqërohet me dosjen e plotë me dokumentacionin provues.
Ja dhe disa shembuj se si autoritetet shtetërore kanë vepruar me dy standarte, ose disa pyetje që kërkojnë përgjigje:
Përse Mynyr Xhindi që e vranë pas krahëve, shokët e tij në kodrat e Velçës më 5 nëntor 1943,u shpall dëshmorë ndërsa Neki Ymeri komandanti i çetës Plakë që u vra me atentat nga Shyqyri Alimerko dhe Sadik Zotaj mbeti armik i popullit?
Përse Hydajet Micolli që u vra në të njëjtën ditë dhe orë me Xhemil Çakërrin u shpall dëshmor ndërsa Xhemil Çakërri mbeti armik i popullit? Për më shumë: Në maj të vitit 1943 te mulliri i Kutës në Mallakastër u vranë nga komunisti Idris Seiti brenda një orë: Hydajet Micolli nga Bolena dhe Xhemil Çakërri nga Tragjasi. Të dy këta ishin luftëtarë antifashist, me merita pothuajse të barabarta, për më tepër Xhelim Çakërri ishte komisar politik i çetës Plakë. Të dy simpatizant të Sadik Premtes. Hydajet Micolli pas çlirimit shpallet “Dëshmor i atdheut”, ndërsa Xhemil Çakërri “ armik i popullit”. Kjo ndodhte nga parimi luftës së klasave sepse Xhemili ishte familje me qëndrim të keq politik megjithëse fashizmi i kishte djegur dy shtëpi dhe i kishte burgosur motrën në moshën 17 vjeçare.
Përse Haki Xhelua u shpall dëshmor, ndërsa Duro Elmazi armik i popullit!!! Për më tepër: Të dy djemtë e rinj, Duro Tahir Elmazi (1918 – 1943) dhe Haki Hazbi Xhelo (1923 – 1943), anëtarë të Grupit Komunist të “Të Rinjëve”, simpatizant dhe mbështetës të Sadik Premtes u arrestuan në një ditë dhe në një orë dhe u pushkatuan, duke humbur varret e tyre përgjithmonë. Pas çlirimit Haki Xhelua u shpall dëshmor ndërsa Duro Elmazi armik i popullit!!!
Po kështu mund të bënim krahasime për të gjithë luftëtarët antifashistë, partizanë të çetës Plakë të Vlorës, të ekzekutuar padrejtësisht nga Partia Komuniste me urdhër të Dushan Mugoshës dhe Liri Gegës.
Pra kemi një praktikë e cila padrejtësisht nuk zbatohet njësoj, ose t’u hiqet titulli i deshmorit atyre që u vranë nga Partia Komuniste dhe më pas u shpallën dëshmorë ose t’u jepet titulli “Dëshmor i atdheut”, të gjithë partizanëve që u vranë në të njëjtat rrethana me ata që u shpallën dëshmorë.
Ndarja sipas parimeve kriminale të luftës së klasave ndodhte në diktaturën komuniste. Kjo ndodh edhe sot në demokraci, prandaj autoriteti shtetëror sa më parë duhet të bëjë koregjimin e këtij qëndrimi absurd: t’u japë titullin “Dëshmorë i atdheut” të gjithë partizanëve trima, antifashistëve, të çetës Plakë të Vlorës, që kanë luftuar fashizmin me armë në dorë.
Deri më sot kërkesa e familjarëve të të pushkatuarve si edhe kerkesa e prefektit z. Flamur Mamaj të Qarkut të Vlorës ka mbetur pa përgjigje. Autoriteteve shtetërore u kujtojmë gjithëashtu se ata në bazë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informacionit…”, kanë detyrimin që të kthejnë përgjigje brenda një afati të arsyeshëm dhe ligjor, detyrim i cili nuk është realizuar.
DISA DËSHMORË TË PANJOHUR TË ÇETËS PLAKË TË VLORËS
Neki Ymeri Xhemi Çakërri Nimet Mita Duro Elmazi
Xhafer Dalani Shaskë Rustemaj Hodo Muhameti Isuf Rexha
Gjysh Premtaj Osmën Ymeraj