Zyra e shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes bën me dije se: Katër ushtarë të Forcave Komando, që kishin shkuar për një trajnim në Britaninë e Madhe, kanë qëndruar në Londër, duke mos u kthyer në Shqipëri me pjesën tjetër të grupit. Ushtarakët duhet të ktheheshin nga misioni në fund tetorit, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Në momentin kur është konstatuar se ushtarakët nuk janë kthyer, janë njoftuar autoritetet britanike. Eshtë bërë shpallja në kërkim e 4 komandove, Ylber Tokrri, Aleksander Shkulaku, Klevis Lamkaj dhe Reni Ajazi. Më tej është bërë kallëzimi në prokurori. Prej disa javësh, mbeshtetur ne “Kodin Penal Ushtarak”, ndaj 4 efektivëve është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”, pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Katër komandot shqiptarë që dezertuan duke mos u kthyer nga trajnimi në Londër, rrezikojnë deri në 5 vite burg, bazuar tek Kodi Penal Ushtarak. Në nenin 33 të Kodit, theksohet se shmangia nga shërbimi ushtarak ose dezertimi dënohet me 5 vite burg.
Shprehimisht:
Kodi Penal Ushtarak
SHMANGIA NGA SHERBIMI USHTARAK
Neni 33
Dezertimi Largimi nga reparti ose vendi i shërbimit, i ushtarëve dhe nënoficerëve, me qëllim shmangie përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, si dhe mosparaqitja e tyre me të njëjtin qëllim në repartin ose vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose nga leja, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Po kjo vepër e kryer në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet. {Sh.K}.