Nga Keze Kozeta Zylo/
Bota mjerisht ka ndryshuar dramatikisht, në disa fusha jetësore jo për mirë. Duke qenë dhe ne një pjesë e kësaj bote nuk bëjmë përjashtim. Vidioja e dhunshme ku shfaqet punonjësja e shërbimit social duke rrahur një nënë në shtëpinë e pleqve në Pejë të Kosovës e shpërndarë në rrjetet sociale është shumë e dhimbshme. Si grua, nënë, gjyshe nuk mund ta coja deri në fund për ta parë, jo nuk mundesha…
Për të dhënë opinionin tim më mjaftonte një shuplakë e saj dhe sytë e akullt siberian që godisnin atë nënë të bukur, fisnike si dritë e Hënës. Sa mëshirë ndjeva për atë vajzë aq të re, të jetë aq e dhunshme, aq e frikshme, aq e padurueshme me semundjen e nënës, fëmijët e të cilës e paguajnë për shërbimin. Ndonëse kanë shkruajtur që është nëna e dëshmorit dhe natyrisht i përulem me respket asaj, birin që e lindi dhe e rriti dhe UCK-së, por për mua në këtë rast ajo është NËNE, NËNE NËNË! Cilëndo nënë do ta trajtoja krejtësisht njëlloj. Nëna e kujtdo, është e shenjtë, nëna nuk preket, nënës në moshë dhe në nevojë i shërbehet në cdo gjë dhe në cdo kohë. Ne të gjithe kemi dhimbje, por nuk duhet vetëm të shkruajmë, mallkojmë dhe shajmë, ne duhet të ngrihemi mbi këto plagë që t’i shërojmë, jo vetëm të qajmë për ndodhitë, por të ndryshojmë ligjet e dënimit, t’i vemë me shpatulla prej muri politikbërësit, kuvendarët etj… Duhet të trainohen në institucionet përkatëse, duhet të mos blihen licensat.
Ato duhet të japin shumë prova sidomos kur janë të emëruar me këtë kategori njerëzish tësëmurë.
Të gjitha këto shtëpi pleqsh duhet të kenë kamera, sepse janë kategoria më e pambrojtur. Në se kjo nënë do të ishte dhunuar këtu në Amerikë ku jetoj nga punonjëset e shërbimit social, pasojat për dhunueset do të ishin fatale si: burgim, heqja e licensës, humbja e reputacionit etj… Pra kur janë këto ligje dhuna dhe dhunuesit ndëshkohen, njerëzit sigurisht bëhen më të ndërgjegjshëm ndryshe do të ndodh si në këto vargje:
Ju që dhunën e keni në gjak e shtëpi,
Dhe dhimbjen e mbillni prag më prag,
Harruat se ndëshkimi do ju vijë me furi,
Se nëna e shpirtit është NËNË, dhe kaq…
Shuplakat e tua mbi faqet e nënës,
Doemos janë dhe mbi trupin tim,
Fytyra e saj larë me dritën e Hënës,
Do të verbojë ty që traditën nxin…
2 Nëntor, 2022
Staten Island, New York