
Alma Liço/
Dëgjojmë të flitet dendur për krimet që ndodhin në familje, veçanërisht për ato që pësojnë vajzat dhe gratë. Opinionistë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut që mbushin sallat e konferencave, studiot televizive, përsërisin në çdo rast të njëjtat analiza dhe konkluzione. Si në një rreth vicioz gjithçka përfundon në ato ambiente luksoze, pa asnjë impakt konkret për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës. Maksimumi mund të zhvillohet tek tuk tubime, të cilat për nga mënyra e organizimit, rezultatet dhe mesazhet që përcjellin, shpesh herë janë të diskutueshme dhe çorientuese.
Në përgjithësi anashkalohet fakti se këta djem, këta burra të dhunshëm janë bij nënash, të cilat nuk kanë arritur t´u mësojnë dhe edukojnë atyre dashurinë dhe respektin për motrën, bashkëshorten e ardhshme dhe më pas për të bijën. Ajo nënë që nuk ka mundur ose nuk ka ditur ta bëjë këtë, është trajtuar në të njëjtën mënyrë nga nëna e saj. Dhe kësisoj brez pas brezi. Pra, ai opinion që më së shumti hasim, i cili i konsideron burrat “djaj” dhe gratë “engjëj”, keqorienton dhe deformon të vërtetën e këtyre raporteve .
Si rezultat i kësaj edukate të munguar për të cilën nuk janë përgjegjës, ata (djemtë dhe burrat) i trajtojnë femrat e jetës si pronë që kontrollohet prej tyre.
Pa marrë përsipër të analizoj shkaqet e tjera të pafundme pse ato ngjarje kriminale ndodhin; faktorët psiko-sociale që i shoqërojnë ato, mendoj se në tërësinë e saj, shoqëria jonë është e dhunshme, dhe me mungesë të theksuar qytetërimi. Fatkeqsisht jemi pasues të një shoqërie të dhunuar sistematikisht nga shteti diktatorial dhe ai post-diktatorial, i cili stimuloi dhe stimulon në vijimësi urrejtjen, mllefin, hakmarrjen të cilat gjenerojnë sjellje dhe krime të tilla.
Dhuna shfaqet nga të gjitha krahët. Mbase gratë dhe vajzat, si krijesa më të pafuqishme, janë më të ekspozuara dhe të pambrojtura ndaj saj.
Kësisoj, për arsye nga me banalet një bir vret të atin ose e kundërta; një vëlla vret të vëllanë; një djalë vret kushëririn apo mikun;…një nënë që e konsideron të drejtë vrasjen e së bijës (për nderin e cënuar) prej bashkëshortit të saj…etj. Këto janë tablotë që trishtueshëm, në mënyrë frekuente përballemi.
E tillë ishte edhe ngjarja shokuese e ndodhur dy ditë më parë:
Si një trofe e rrezikuar, për ta mbrojtur nga kërcënimet e të atit, një djalë/burrë mbyll bashkëjetuesen 30-vjeçare në dhomë…babai i tij thyen derën dhe e vret brutalisht atë…më pas var edhe veten.
Duke mos manifestuar aspak tronditjen dhe shok-un e tragjedisë së atyre përmasave, bashkëshortja e burrit vrasës dhe të vetvrarë, me një qetësi impresionuese shfaqet para kamerave duke pastruar gjakun e viktimës, nënës së tre fëmijëve, si të ishte ai i një shpendi shtëpiak. Madje e shkujdesur mundet t´u përgjigjet edhe pyetjeve që i drejtohen. E bën këtë me një lehtësi, a thua se tragjedia ka ndodhur një shekull më parë dhe plagët e saj janë shëruar.
Me skepticizëm mendoj se kjo ngjarje dhe qindra të tjetra të ngjashme me të, apelojnë ethshëm për masat ligjore dhe psiko- sociale që shteti (nëse do të sillej si i tillë) duhet të ndërmarrë për të mbrojtur të kërcënuarit/kërcënuarat dhe viktimat, shoqëruar domosdoshmërisht me programe edukuese/sensbilizuese për autorët potencialë dhe shoqërinë në tërësi.
Por sa është e mundur të arrihet kjo, kur vetë shteti në forma të ndryshme diktatoriale dhunon qytetarët e tij?