RAUF FICO: “MIK I ÇMUEM DHE PËRKRAHËS ZEMËRNXËT I BIBLIOTEKËS KOMBËTARE”/
Nga Frederik Stamati/ Nuk jemi mësuar me emrin e Rauf Ficos. Asnjëherë emri i tij nuk është përmendur në tekstet e historisë, apo në kronikat e njerëzve të shquar. Ai është një njeri që duhet zbuluar në të gjithë madhështinë e tij. Duhet të kthehesh në kohën kur ka jetuar e të rrëmosh nëpër dokumente, që të kuptosh një horizont njerëzor të ndriçuar nga agimi që ngjall në shpirt patriotizmi më i kulluar. Dekoratat e shumta që ruan familja dhe pasardhësit e tij të detyrojnë respekt për një veprimtari të vlerësuar dikur, paçka se mund të mos e dish gjestin që meritoi medaljen. Këtë po mundohen ta bëjnë pasardhësit e tij, një përmendore jo prej bronzi, apo guri, por një tërësi intelekti dhe shpirti në vizion konceptual. Ka shumë për të kuptuar në këtë vizon të pritshëm, ndoshta do të përfshihet edhe tema që po paraqitet në këtë shkrim, që sido që të jetë është vetëm një e tërhequr shkrepseje në errësirën e një universi.
Ishin vitet e fillimit të shtetit shqiptar, i asaj kohe jo edhe aq të largët kur po rritej e ardhmja me kulturë. Duhej ujitur dija, shtylla bazë e ngrehinës së qytetëruar. Rauf Fico nuk pret, ai e dinte këtë falë edukimit vizionar. Gjatë gjithë kohës ai punon pa ndërprerje, ndjek ngjarjet, i arkivon në fondin personal të largpamësisë. Askush, veç vizionit të tij të jashtëzakonshëm, nuk e shtyu të vizitojë sarajet e rjepura të Princ Vidit, të gjejë atje të harruar në një qoshe flamurin e pricit, ta marrë, ndoshta edhe ta “restaurojë” dhe ta ruaj me kujdes deri në ditën kur e dhuroi në Muzeun Kombëtar, duke e pasuruar atë me një ekzemplar princëror brilant. Ai grumbulloi, por se si akoma nuk e dimë, qindra monedha të së shkuarës së largët, harta, vula të administratës, objekte arkeologjike, libra nga më të ndryshmit, shqip dhe në gjuhë të huaj, madje edhe kur ishte ambasador në Beograd gjatë viteve 1928-1929, sepse dija nuk ka kufijë të formësuar nga fjalët, të falura, apo të blera, i ruan dhe pastaj me të dëgjuar një kërkesë të enteve kombëtare të kultures, ai i dhuron plot madhështi! Ai nuk u shiti kurrë dhe asgjë institucioneve të kulturës dhe të dijes, ai vetëm dhuroi! Sa? Kush i a kaloi në këtë garë zemërgjerësie që ai e konsideroi detyrim atdhetar? Në se do të lexojmë dokumentet e asaj kohe, do të vërejmë se midis emrave si të Sotir Kolesë, Hil Mosit, Abdi Toptanit, Mit’hat Frashërit, Mehmet Lutfi Babanit, Jashar Erebarës, Aleksandër Xhuvanit, Kristo Luarasit, Ferid Vokopolës, Terenc Toçit, Don Shtjefën Kurtit, Profesor Norbert Jokl-it, Profesor Doktor Gustav Weigand-it, Profesor Ladisllav Zuba-s, Doktor Holger Pedersen-it, gjeneralit Piaçini, etj., ai i Ahmet Zogut zë vendin e parë. Mirëpo dhuratat e Zogut kanë më së shumti një karakter simbolik. Përshembull, u suall nga Sofja flamuri i shoqërisë “Dëshirë” dhe Zogu i a dhuron Muzeut Kombëtar, gjithashtu Zogu i dhuron me anë të Aqif Përmetit Muzeut Kombëtar katër flamujt e batalioneve të parë të ushtrisë shqiptare, etj, etj. Pra Ahmet Zogu dhuron pasurinë kombëtare, ose dhuratat e të tjerëve, ndërsa Rauf Fico dhuron atë që e ka të vetën, atë që e ka përzgjedhur si të vlefshëm për kulturën kombëtare. Jo më kot ai cilësohet nga autoritet kulturore të kohës si “mik i çmuem dhe përkrahës zemërnxët i Bibliotekës Kombëtare”!