• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A duhet të ketë një vend nderi për Rauf Ficon në Ministrinë e Punëve të Jashtme?!

May 28, 2021 by dgreca

 (Konsiderata për një diplomat shqiptar të kalibrit evropian)

Shkruan:Melsen Kafilaj*/

Në njërën prej “Biblave të Diplomatëve”, në veprën e tij kardinale “Diplomacia” Sir Harold Nicolson duke folur për cilësitë e vyera që duhet të ketë një diplomat shkruante: “E vërteta, saktësia, përpikmëria, qetësia, durimi, karakteri i mirë, modestia dhe besnikëria.Këto janë cilësitë e një diplomati ideal.Por nëse më kundërshtoni duke thënë se kam harruar pa përmëndur këtu inteligjencën, njohuritë, mprehtësinë, maturinë, mikpritjen, sharmin, punën sistematike, kurajën dhe taktin, më lejoni t’ju them se nuk i kam harruar por i kam marrë ato si të mirëqena.”(Nicolson 1939:126)

Ndërsa lexoja këtë pasazh nga Sir Nicolson, mendja më shkoi menjëherë tek një figurë specifike kombëtare e cila i mishëronte më së miri ato; diplomati i kalibrit evropian Rauf Fico. I edukuar në Vjenë dhe në Mekteb-i Mülkiye për shkenca politiko-administrative (kjo e fundit e themeluar nga Sulltan Abdulmexhidi I në vitin 1859 dhe e cilësuar si “L’École Normale Supérieure” e Otomanëve, do të nxirrte një sërë elitash intelektuale dhe politike, përfshirë këtu edhe personalitetet e shquara të jetës politike shqiptare si Mehdi Frashëri, Sulejman Delvina, etj) Rauf Fico, ky personalitet me vizion perëndimor është pa dyshim  një prej ministrave të punëve të jashtme më të kulturuar dhe më i dekoruari ndërkombtarisht në krejt historinë e shtetit shqiptar. (Ai fliste 8 gjuhë të huaja dhe i ishin akorduar plotë 16 dekorata ndwrkombtare, 12 prej tw cilwve ishin urdhëra të lartë mbretëror) Këtë fakt mbi peshën e tij kulturoro-intelektuale, sipas akademikut Kopi Kyçyku, e pohonin si gazeta gjermane “Diplomaten Zeitung” po ashtu edhe ajo hungareze “Pester Lloyd” teksa shkruanin se “Rauf Fico është një njeri i kulturuar dhe një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit.”

Gjatë gjithë jetës, “Boazi dhe Jakini”- dy shtyllat kryesore përmes të cilave e ngriti tempullin e vet Rauf Fico qenë Patriotizmi dhe Interesi Kombëtar. Patriotizma ishte “raison d’etre” e tij dhe ajo ishte e pashembullt; në mendime, në qëllime dhe në veprime. Gjatë Kongresit të Manastirit (1908) në të cilin ai ishte caktuar si delegat për Gjirokastrën, kur e pyetën në mënyrë provokative në lidhje me shkronjat e alfabetit nëse duhet të ishin arabe apo latine, përgjigjia e tij qe me ton solemn zemre: “Unë jam shqiptar dhe si i tillë jam pro alfabetit shqip.” Në shërbim të kësaj patriotizme dhe të interesit kombëtar Rauf Fico rrezikonte të vinte në lojë edhe dinjitetin e tij vetijak.Mjaft të përmëndim këtu gjestin e tij kalorsiak më 1913 ku ju gjunjëzua Princit Pietro Lanza Di Scalea, atëherë në funksionin e Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme të Italisë dhe ju drejtua atij me një frëngjishte elegante: “Excellence! Sauvez nous la Tchamerie!” (Shkëlqesi! Na e shpëtoni Çamërinë!) 

Rauf Fico e nisi karrierën diplomatike në vitin 1926, kur u emërua si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi.(Për ata që glorifikojnë sot marrdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, më lejoni që t’ju rikujtoj se qe pikërisht ky burrë i madh i cili e theu akullin diplomatik midis Ataturkut dhe Zogut, i cili nuk nuk e honepste dot këtë të fundit dhe vendosi urat e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.) Por merita kryesore që i takon Rauf Ficos gjatë marrjes së detyrës si Ministër i Punëve të Jashtme në vitin 1929 është se ai miratoi Ligjin e Parë Organik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (hartimi i të cilit kishte nisur qysh më 1925) dhe atë Konsullor.Fico përcaktoi gjithashtu edhe juridiksionin e konsullatave shqiptare dhe Konsullatave të Nderit të Shqipërisë jashtë vendit dhe i dha përparësi meritokracisë në rekrutimin diplomatik.

Një çështje jetike për të ishte padyshim edhe ajo e Kosovës.Gjatë akreditimit të tij si diplomat në Jugosllavi përgjatë viteve 1933-36, Fico falë network– ut të vet personal u mundua që ta bënte të njohur përmes shtypit botëror gjëndjen e rënduar të popullit shqiptar në Kosovë. Nëse do të flasim me termat e ditëve tona, ai ishte një model i shkëlqyer i të bërit “public diplomacy.” (diplomaci publike) E gjej me vend këtu që të përcjell gjithashtu këshillën që ai i jepte një studenti shqiptar i cili studionte për gazetari në Jugosllavi teksa i thoshte: “Kur të vish herën tjetër, sill edhe ndonjë student të huaj, shok ose mikun tënd se kemi plot gjëra të bukura që t’iu tregojmë nga Shqipëria dhe kultura e saj e lashtë. Miqtë – gazetarë na duhen se ata janë posta më e mirë e lajmeve të vërteta.”  Për çështjen e Kosovës ai kishte një dobësi të veçantë. Aq e vërtetë është kjo saqë edhe kur i paraqiti letër-kredencialet Kancelarit të Gjermanisë në vitin 1938 megjithëse Joachim von Ribbentrop, atëherë me funksionin e Ministrit të Punëve të jashtme, e konsideronte “tepër të papërshtatshme si çështje”, ai e gjeti mënyrën dhe formën sesi ti’a shpaloste këtë çështje Hitlerit duke e bërë që të lëshonte nga goja në fund të takimit këtë frazë emocionuese: “Shqipëria ka burra përderisa ka dërguar këtu një burrë të tillë!” 

Një aspekt tjetër që vlen për tu përmëndur prej aktivitetit të tij diplomatik është gjatë viteve 1936-38 në lidhje me fqinjin tonë Greqinë. Ai i vuri pikat mbi “i” me këtë vend, duke i kërkuar herë me takt dhe herë të tjera në mënyrë të kushtëzuar Athinës zyrtare që ti respektonte të treja parimet themelore të diplomacisë moderne evropiane; Parimin e Fqinjësisë së Mirë, Parimin e Reciprocitetit dhe Parimin e Bashkëpunimit. Një shembull që vlen për tu përmëndur këtu është që në kuadër të parimit të reciprocitetit, ai i kërkoi qeverisë greke se nëse ajo është e interesuar që të hapë shkolla në gjuhën greke për minoritetin e saj në Shqipëri, duhet të respektoj gjithashtu të drejtën e popullsisë çame për të hapur shkolla në shqip dhe t’u jap të drejtën për tu arsimuar në gjuhën e tyre amëtare.Qe pikërisht insistimi i këtij diplomati brilant që pas disa vitesh mohimesh dhe hezitimesh, gjatë viteve 37-38 qeveria greke të  hapte 10 shkolla shqipe në Çamëri.

Teksa reflektoja mbi këtë burrë shteti, këtë diplomat të pashoq dhe aktivitetin e tij diplomatik, të udhëhequr përherë nga arsyeja shtetërore, patriotizma dhe interesi kombëtar; “këtë shqiptar të vërtetë i cili ishte i tillë edhe kur nuk kishte Shqipëri” (Po citoj këtu Faik Konicën), mëndja më shkoi natyrshëm tek Ministria e Punëve të Jashtme, si institucioni kyç në hartimin, përpunimin, organizimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar. 

Por a do të ketë një vend nderi në këtë institucion, për një personalitet të papërsëritshëm si Rauf Fico, i cili jo vetëm që ju dha me mish e me shpirt mbrojtjes së interesave të shqiptarëve kudo ku u akreditua por gjithashtu i çeli dyert e mbyllura të legatave, duke i kthyer ato në vatra të ngrohta për bashkëkombasit e vet dhe në oaze mikpritjeje për përfaqësuesit diplomatik apo edhe individët e tjerë të huaj me influencë të gjerë shoqërore dhe politike. Teksa ka vetëm një rrugë jetime në Tiranë e cila mban emrin e tij, përse Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të mos mbaj emrin e nderuar “Rauf Fico?!”  Kjo do të ishte diçka domethënëse, jo vetëm për të nderuar kujtimin e këtij kolosi të diplomacisë moderne shqiptare por gjithashtu edhe për t’iu shërbyer si kompas moral diplomatëve të rinj në të ardhmen.

Mendoj që Rauf Fico ka bërë shumë për këtë komb dhe në këtë kuptim ne i mbetemi borxhlinj një figure si ai.Duke kryer një akt të tillë simbolik, nuk jemi ne që e madhështojmë atë si figurë.Përkundrazi, është ai që e madhështon këtë institucion me emrin, staturën dhe veprën e tij!

                                                                                                                            © Melsen Kafilaj– Studiues

Filed Under: Analiza Tagged With: Melsen Kafilaj, rauf Fico

DHURATAT E RAUF FICOS PËR BIBLIOTEKËN DHE MUZEUN KOMBËTAR

March 21, 2014 by dgreca

               RAUF FICO: “MIK I ÇMUEM DHE PËRKRAHËS ZEMËRNXËT I BIBLIOTEKËS KOMBËTARE”/

Nga Frederik Stamati/ Nuk jemi mësuar me emrin e Rauf Ficos. Asnjëherë emri i tij nuk është përmendur në tekstet e historisë, apo në kronikat e njerëzve të shquar. Ai është një njeri që duhet zbuluar në të gjithë madhështinë e tij. Duhet të kthehesh në kohën kur ka jetuar e të rrëmosh nëpër dokumente, që të kuptosh një horizont njerëzor të ndriçuar nga agimi që ngjall në shpirt  patriotizmi më i kulluar. Dekoratat e shumta që ruan familja dhe  pasardhësit e tij të detyrojnë respekt për një veprimtari të vlerësuar dikur, paçka se mund të mos e dish gjestin që meritoi medaljen. Këtë po mundohen ta bëjnë pasardhësit e tij, një përmendore jo prej bronzi, apo guri, por një tërësi intelekti dhe shpirti në vizion konceptual. Ka shumë për të kuptuar në këtë vizon të pritshëm, ndoshta do të përfshihet edhe tema që po paraqitet në këtë shkrim, që sido që të jetë është vetëm një e tërhequr shkrepseje në errësirën e një universi.

Ishin vitet e fillimit të shtetit shqiptar, i asaj kohe jo edhe aq të largët kur po rritej e ardhmja me kulturë. Duhej ujitur dija, shtylla bazë e ngrehinës së qytetëruar. Rauf Fico nuk pret, ai e dinte këtë            falë edukimit vizionar. Gjatë gjithë kohës ai punon pa ndërprerje, ndjek ngjarjet, i arkivon në fondin personal të largpamësisë. Askush, veç vizionit të tij të jashtëzakonshëm, nuk e shtyu të vizitojë sarajet e rjepura të Princ Vidit, të gjejë atje të harruar në një qoshe flamurin e pricit, ta marrë, ndoshta edhe ta “restaurojë” dhe ta ruaj me kujdes deri në ditën kur e dhuroi në Muzeun Kombëtar, duke e pasuruar atë me një ekzemplar princëror brilant. Ai grumbulloi, por se si akoma nuk e dimë, qindra monedha të së shkuarës së largët, harta, vula të administratës, objekte arkeologjike, libra nga më të ndryshmit, shqip dhe në gjuhë të huaj, madje edhe kur ishte ambasador në Beograd gjatë viteve 1928-1929, sepse dija nuk ka kufijë të formësuar nga fjalët, të falura, apo të blera, i ruan dhe pastaj me të dëgjuar një kërkesë të enteve kombëtare  të kultures, ai i dhuron plot madhështi! Ai nuk u shiti kurrë dhe asgjë institucioneve të kulturës dhe të dijes, ai vetëm dhuroi! Sa? Kush i a kaloi në këtë garë zemërgjerësie që ai e konsideroi detyrim atdhetar? Në se do të lexojmë dokumentet e asaj kohe, do të vërejmë se midis emrave si të Sotir Kolesë, Hil Mosit, Abdi Toptanit, Mit’hat Frashërit, Mehmet Lutfi Babanit, Jashar Erebarës, Aleksandër Xhuvanit, Kristo Luarasit, Ferid Vokopolës, Terenc Toçit, Don Shtjefën Kurtit, Profesor Norbert Jokl-it, Profesor Doktor Gustav Weigand-it, Profesor Ladisllav Zuba-s, Doktor Holger Pedersen-it, gjeneralit Piaçini, etj., ai i Ahmet Zogut zë vendin e parë. Mirëpo dhuratat e Zogut kanë më së shumti një karakter simbolik. Përshembull, u suall nga Sofja flamuri i shoqërisë “Dëshirë” dhe Zogu i a dhuron Muzeut Kombëtar, gjithashtu Zogu i dhuron me anë të Aqif Përmetit Muzeut Kombëtar katër flamujt e batalioneve të parë të ushtrisë shqiptare, etj, etj. Pra Ahmet Zogu dhuron pasurinë kombëtare, ose dhuratat e të tjerëve, ndërsa Rauf Fico dhuron atë që e ka të vetën, atë që e ka përzgjedhur si të vlefshëm për kulturën kombëtare. Jo më kot ai cilësohet nga autoritet  kulturore të kohës si “mik i çmuem dhe përkrahës  zemërnxët i Bibliotekës Kombëtare”!

Filed Under: Histori Tagged With: dhe Muzeun Kombetar, Dhuratat ne Bibliotek, Frederik Stamati, rauf Fico

RAUF FICO – SHQIPTARI I MADH I SHQIPERISE SE VOGEL

July 27, 2013 by dgreca

Shkruan Skënder Shkupi/Tirane/

E patën harruar komunistët!…. Sa fjalë zbutëse dhe mikluese pak a shumë si ajo që përdoret jo rallë nga nostalgjikë të maskuar të cilët “Diktaturën” tonë komuniste e quajnë thjesht “Monizëm”.

Nuk e harruan, jo, madje e njihnin mirë. Por ai i plotësonte të gjitha kushtet që ata ta urrenin: elegant, inteligjent, thellësisht perëndimor, patriot deri në vetmohim, diplomat i shkëlqyer, i ndershëm, poliglot, i dashur dhe popullor për të gjithë, si për elitën ashtu edhe për njerëzit e thjeshtë të popullit, por mbi të gjitha, antikomunist i vendosur. E si mund ta duronin ronxho-bonxhot e “botës së re” që mbante erën e mykut të Komunës së Parisit dhe të Grushtit Bolshevik të Shtetit që çuditërisht e quajtën dhe revolucion? Ishte ndofta një ndërhyrje providenciale që ai mbylli sytë në janar të vitit 1944, për të mos parë me sytë e tij gjëmën e tmerrshme që pllakosi popullin e tij vetëm ca muaj më vonë.

Lindi më 1881, në skajin më të largët të zotërimeve osmane të Lindjes së Afërt, në Sana të Jemenit, aty ku deri në vitet 50-të të shekullit të kaluar firmoste mbreti për shishet e bojës së shkrimit që merrnin katër shkollat fillore të vendit nga magazinat e mbretërisë. Ai ishte biri i një kadiu, profesion i parapëlqyer nga shumica e banorëve të qytetit të prejardhjes së prindërve të tij, të Gjirokastrës, qendër e përmendur për cilësinë e intelektualëve të saj të shpërndarë anekënd perandorisë. Fati i mirë e solli Rauf Ficon në moshë fare të vogël në Shkodër, ku qé transferuar i ati, duke i dhënë mundësinë të merrte një arsim fillor, vërtetë në një shkollë turke, por të paktën në një mjedis shqiptar. Etapa tjetër ishte Folksshule (gjermanisht: Volksschule – Shkollë elementare) në Vjenë, për të vazhduar shkollën e mesme në Stamboll, në kryeqendrën e perandorisë. Atje vijoi studimet e larta në të njohurën Mylkije (turqisht: Műlkiye – Shkollë e Shkencave Politike) të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

E shohim pas kësaj në Janinë, më 1903, ku qé dërguar si stazhier në rolin e sekretarit të valiut të Janinës. Pas këtij stazhi Raufi emërohet kajmekam (turqisht: kaymakam – nënprefekt) i Konicës për të vijuar në po atë detyrë në Himarë e më pas në Margëllëç të Çamërisë. Funksionar i lartë vendor në sanxhakun e sapokrijuar të zonës së Margëllëçit, Rauf Fico, me rastin e përurimit të kësaj ndarjeje të re administrative u mbajti çamërve një fjalim në gjuhën shqipe, fakt pa precedent që zëmëroi pa masë eprorët e tij në Stamboll.

Përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Alfabetit në Manastir, më 1908, pyetjes së Pashait të vilajetit se për cilin alfabet ishte Raufi, për shkronjat latine apo për ato arabe, ai iu përgjigj thjesht: “Unë si shqiptar jam për alfabetin shqip”. Kuptohet që kjo i kushtoi jo pak në marrëdhëniet e tij të vështira me hierarkët e lartë të Stambollit.

Me shpalljen e pavarësisë, Rauf Fico, si shumë patriotë të tjerë gjendet përkrah Ismail Qemalit në Vlorë. Atë e emërojnë këshilltar për administratën dhe punët e brendshme. Siç ishin të vrullshme ato kohë për Shqipërinë e sapodalë nga nata pesëqindvjeçare osmane, po të tilla qenë edhe për Rauf Ficon. Jeta e tij dhe ajo e popullit të tij ecnin paralelisht në gëzimet e pakta dhe hidhërimet e shumta, në kënaqësitë e ralla dhe vuajtjet e shpeshta, në fitoret e pjesshme dhe zhgënjimet mbisunduese. Por ai nuk u zmbraps, nuk u ligshtua, nuk u tremb. E shohim të shkojë në Vjenë me delegacionin shqiptar për të mbrojtur territoret dhe kufijtë e vendit të tij, të përpilojë thirrjen drejtuar popullit italian që të ndërgjegjësohet për padrejtësitë që po i bëheshin kombit të tij, t’i përvishet një pune të tejvështirë si nënprefekt i Tiranës më 1917 për të nxjerrë popullin e një qyteti të tërë nga letargjia mesjetare dhe varfëria e skajshme. Ai është nismëtari i të parës Strehë Vorfnore të Tiranës, i të parit gjimnaz dhe i të parit spital të qytetit, ai i shkund nëpunësit nga plogëtia osmane duke i detyruar forcërisht të flasin e të shkruajnë shqip nëpër zyrat e shtetit, ai nxit miqtë e tij patriotë për mbajtjen e Kongresit të Tiranës në dhjetor të vitit 1918 që i parapriu mbajtjes së Kongresit historik të Lushnjës pas katërmbëdhjetë muajsh.

Në këtë veprimtari të dendur, sa diplomatike përjashta aq edhe organizative e administrative përbrenda vendit, Rauf Ficoja, nuk nguroi të verë në rrezik deri dinjitetin vetiak për interesat e larta të kombit të tij. Gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Itali, më 1913, përballë sekretarit të shtetit për Punët e Jashtme të Italisë, Princit Scalea, ai iu ul në gjunjë duke iu drejtuar në gjuhën kryesore ndërkombëtare të asaj kohe, në frengjisht: “Excellence! Sauvez nous la Tchamerie!” (Shkëlqesi! Na e shpëtoni Çamërinë!)

Pas Kongresit të Lushnjës për organizimin e të cilit, krahas Aqif pashë Elbasanit, Ahmet Zogut dhe të patriotëve të tjerë, ai ka rolin e vet, Rauf Fico i ngjit me shpejtësi shkallët e angazhimit të tij politik: këshilltar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Punëve të Brendshme, dhe njëherësh deputet i parlamentit shqiptar.

Në janar të vitit 1924, në parlamentin e kohës, deputeti Fico lajmëron të pranishmit për vdekjen e ish presidentit Uillson, mbrojtësit historik të të drejtave të kombit shqiptar duke propozuar që të mbahen pesë minuta heshtje në nderim të mikut të shquar. Parlamenti e pranoi propozimin dhe salla e nderoi kujtimin e amerikanit të madh. Meqë ky propozim vinte nga krahu i djathtë i deputetëve, edhe të majtët kërkuan diçka të ngjashme. Më 21 janar kishte vdekur Lenini. Jashar Erebara propozoi të mbahej zi edhe për Leninin, nisur nga denoncimi i traktateve te fshehta të perandorisë cariste, ku përfshihej edhe ai i Londrës për copëtimin e trojeve shqiptare. Edhe ky propozim u miratua. Por për shumë vite me radhë historia marksiste e Shqipërisë afishoi kryesisht vetëm njerin nga të dy momentet veçse me një deformim të vogël: propozimin për Leninin ia vuri në gojë Avni Rustemit!….

Dhe pas këtyre posteve të rëndësishme Raufi kalon në diplomaci. Më 1926, ai bëhet i pari ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi. (Në atë kohë përfaqësuesit diplomatikë quheshin ministra fuqiplotë ose të ngarkuar me punë sipas nivelit të marrëdhenieve ndërmjet shteteve). Është interesant fakti që cilësitë intelektuale dhe profesionale të Rauf Ficos ishin të njohura jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë vendit. Ismet Inony, presidenti i dytë i Turqisë pas Mustafa Kemalit, kishte qenë shok klase me Rauf Ficon në vitet studentore në Stamboll. Por Ficon e njihte edhe Ataturku. Ka një episod kuptimplotë: fillimisht qeveria shqiptare kishte dërguar disa emra kandidatësh për ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Ankara. Por Raufi nuk figuronte ndërmjet tyre. Ka një regull në diplomaci – një përfaqësues titullar i një shteti të huaj nuk mund të emërohet në detyrë pa miratimin e vendit pritës. Ndërkohë që Ismet Inony ia paraqet listën shefit të tij, ky i fundit, disi i habitur pyet: “Pse, Raufi nuk qenka në Shqipëri?” Ky minidialog i bëhet injohur, gjoja rastësisht, Tiranës. Kryeministri Ahmet Zogu e korrigjon menjëherë gabimin dhe Rauf Fico caktohet si kandidat i vetëm në legatën shqiptare të Ankarasë.

Studiuesi i njohur turk, akademiku Bilal Shimshir, autor i veprës voluminoze “Ataturku dhe udhëheqësit e shteteve të huaja”,  ku kapitulli për Shqipërinë ka një shtrirje prej 80 faqesh të plota, dhe që pati mirësinë t’ia dhurojë një kopje të saj autorit të këtyre radhëve, shkruan: “Ky diplomat i shquar, i cili më pas do të bëhej ministër i punëve të jashtme, kishte për detyrë të forconte marrëdhëniet e miqësisë ndërmjet dy vendeve.” Dhe ai e plotësoi më mirë se kushdo tjetër këtë detyrë. Të mos harrojmë se nuk e kishte aspak të lehtë. Ato vite kur Zogu u shpall mbret nga parlamenti shqiptar, Ataturku, si mbështetës i zjarrtë i regjimit republikan, u zëmërua tej mase. Ai nuk kishte ndonjë informacion të hollësishëm mbi kushtet e ndryshme historike dhe diferencat ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë gjë që e bënte të vinte shenjën e barazimit midis dy vendeve. Qé diplomacia e Rauf Ficos, krahas hapave tejet të kujdesshme e të matura të mbretit Zog që pas dy tre vitesh zëmërate, marrëdheniet turko-shqiptare të ktheheshin sërish në normale, madje në të ngrohta e miqësore siç e dëshmon edhe akademiku Shimshir. Fico vepronte në dy plane – në pistën e përpjekjeve për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës miqësore ndërmjet dy vendeve dhe në atë të mbajtjes së vigjilencës së lartë për të mos e lënë diplomacinë turke të bëjë, qoftë edhe rastësisht, kauzë të përbashkët me synimet djallëzore të fqinjëve tanë ballkanas. Në një intervistë të dhënë gazetës së madhe turke të krahut konservator, “Xhumhurijét” (turqisht: Cumhuriyet – Republika) ndaj devizës “Ballkani u takon ballkanasve” ai bën plotësimet vijuese: “Këtij slogani i duhet bërë një korrigjim i vogël, Ballkani u takon ballkanasve por me të drejta të barabarta dhe pa ushtrim dhune të një shteti ndaj një tjetri.”

Ishte koha kur me marrëveshje të veçanta dypalëshe turko-jugosllave dhe në zbatim të dispozitave të traktatit të Lozanës të vitit 1923 që regullonte marrëdhëniet e ndera turko-greke, dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës e të Çamërisë po mbarteshin drejt zonave të largëta lindore të Anadollit duke shpopulluar nga shqiptarët krahinat përkatëse. Fico u ngrit fuqishëm kundër një eksodi të tillë të detyruar, kundër këtij dëbimi të pashembullt në kohë paqeje. Ai bëri demarshe të fuqishme diplomatike dhe njerëzore për ta ndalur këtë hemorragji të tmerrshme të popullsisë shqiptare nga trojet e veta, sidomos në kohën kur kryente detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Beograd.

Mund të kujtojmë disa momente me interes nga vitet e përfaqësimit të Shqipërisë në mbretërinë jugosllave. Gjatë lëvizjeve me makinë për të ardhur në Shqipëri, Rauf Fico qëllimisht zgjidhte gjithmonë rrugët e këqia përmes Kosovës për të pasur mundësinë të valviste flamurin shqiptar të ngulur anës kófanos së veturës. Ungji i vëllezërve Myzafer e Telat Gostivari dëshmon se ai merrte vazhdimisht materiale propagandistike patriotike nga legata e Beogradit. Një ditë, dallon dy veta që po e ndiqnin. Ishte diku pranë godinës së përfaqësisë shqiptare. Meqë nuk kishte rrugë tjetër, për t’i shpëtuar arrestimit, hyri në legatë. Takoi ministrin Fico duke ia shpjeguar gjendjen e tij të pashpresë. Raufi e mori në makinën e legatës, e shtriu te këmbët e tij te sedilja e dytë dhe doli nga ndërtesa e përfaqësisë. Pas disa kthesash nëpër rrugë të ngushta të qytetit, e nxori jashtë makinës viktimën që shpëtoi nga përndjekja e agjentëve serbë.

Shqiptarët e Kosovës me banim në Beograd e donin ministrin e tyre dhe nuk nguronin ta shprehnin atë ndjenjë vazhdimisht. Pronari i një ëmbëltoreje, ngjitur me legatën shqiptare, me mbiemrin Pelivani, merrte regullisht literaturë të ndaluar në përfaqësi. Për festën kombëtare të 28 nëntorit ai përgatiste torta 1X1 m. për diplomatët shqiptarë dhe familjet e tyre dhe i sillte në legatë. Rauf Fico shfrytëzonte çdo mundësi ligjore për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në ish Jugosllavi. Meqenëse ata kishin nevojë për mësimin e shqipes pasi shkollat shqipe qenë tepër të pakta por, nga ana tjetër, librat me përmbajtje kombëtare konfiskoheshin nga policia e fshehtë, ai shpërndau sasi të mëdha të Kuranit në gjuhën shqipe të Hafiz Ibrahim Dalliut, libër që nuk mund të përbënte objekt sulmi nga një shtet që e respektonte fenë.

Më 1930 Rauf Fico emërohet Ministër i Punëve të Jashtme. Për këtë ngjarje, sipas citimit të studiuesit Kopi Kyçyku, gazeta Poster Llojd shkruante: “…. Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i Shqipërisë. Kur u desh të krijohej administrata e shtetit shqiptar, rreth tij u grumbullua grupi që organizoi Shqipërinë e sotme. Edhe në përmasa europiane Ministri Shqiptar është njeri me kulturë të spikatur, zotëron plotësisht gjashtë gjuhë të huaja, dhe është një nga diplomatët më të zotë të Ballkanit.” I njëjti autor citon në shkrimin e tij “Rauf Fico – besniku i vetësundimit tonë”, gazetën gjermane Diplomaten Caitung (gjermanisht: Diplomaten Zeitung – Gazeta Diplomatike): “Rauf Fico është një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit.”

Megjithatë qëndrimi i Rauf Ficos në këtë post nuk vazhdoi gjatë. Pozicionimi i tij tejet antagonist ndaj presioneve të Italisë fashiste mbi qeverinë shqiptare, e detyroi të japë dorëheqjen, akt që u prit me dëshpërim nga shumica e patriotëve që e çmonin dhe e vlerësonin lart personalitetin e tij.

Emërohet ministër fuqiplotë në Athinë. Tema e njohur e reciprocitetit të munguar në marrëdhëniet greko-shqiptare u bë njëra nga pistat e përzgjedhura të veprimtarisë së tij. Ai kërkoi t’i kushtëzonte hapjen dhe funksionimin e shkollave greke në Shqipëri me të njëjtën politikë që ndiqte edhe qeveria greke për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi. Si kudo ku përfaqësoi vendin e tij, edhe në Greqi, Rauf Fico, u prit dhe u përcoll me nderimet më të mëdha që mund t’i bëheshin një ambasadori të huaj për cilësitë dhe nivelin e tij të shquar profesional e njerëzor.

E shohim, së fundi, të transferohet në Gjermani, si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Berlin. Ditën që i paraqiti letrat kredenciale kancelarit të Rajhut, Adolf Hitlerit, në nëntor të vitit 1938, në të njëjtën datë dhe pak pas tij u paraqit edhe ambasadori i Japonisë. Ka mbetur tanimë si kuriozitet komenti i Hitlerit pas atyre dy audiencave: “Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një vendi të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një vendi të madh.” Veprimtaria e tij në Berlin ishte aq e suksesshme saqë trembi edhe hierarkët fashistë të Romës se mos Fico mund t’i zhvendoste marrëdhëniet preferenciale të Tiranës me Romën drejt Berlinit, frikë që e demonstron qartë një telegram i nisur nga legata italiane në Tiranë drejtuar MPJ të Italisë në Romë në janar të vitit 1939.

Pushtimi i Shqipërisë e gjeti me detyrë në Berlin. Rauf Fico ka qenë një nga të paktët përfaqësues të Mbretërisë Shqiptare jashtë që protestoi energjikisht për pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Ai kërkoi një takim me Hitlerin por e priti ministri i jashtëm Fon Ribentrop. Kuptohet vetë Gjermania ishte aleate e Italisë dhe demarshi i Ficos nuk kishte gjasa të nxiste ndonjë reagim anti-italian nga Berlini. Megjithatë ai u mbajt në detyrë nga pala pritëse deri në qershor të 1939-ës, kur MPJ e Shqipërisë u suprimua juridikisht nga italianët. Ai kthehet në Tiranë, por pas disa muajsh internohet në Itali. Rikthehet në atdhé në shtator të 1943-it, pas kapitullimit të Italisë.

Veprimtaria e gjithanshme në marrëdhëniet me vendet e huaja dhe përpjekjet e Ficos për një klimë miqësore dhe bashkëpunimi me të gjitha vendet ku ushtroi detyrën e përfaqësuesit të vendit të tij ndikuan në dekorata të shumta që iu akorduan atij nga sovranë dhe drejtues politikë të disa shteteve europiane. Ai është nderuar me urdhërat dhe medaljet që vijojnë:

*) Grand Kordon i Franc Jozefit, nga Austro-Hungaria.

*) Grand Kordon i Urdhrit Leopold të Belgjikës.

*) Grand Kordon i Rumanisë.

*) Grand Kordon i Kurorës Italiane.

*) Grand Kordon i Urdhrit Foiniks nga Greqia.

*) Grand Kordon i Kurorës së Luksemburgut.

*) Oficer i Legjionit të Nderit nga Franca.

*) Palma e Akademisë Franceze.

*) Urdhri i Borisit nga Bullgaria.

*) Doktor Honoris Causa i Akademisë së Napolit nga Italia.

Dëshpërimi dhe sëmundja që erdhi pas asaj fatkeqësie kombëtare si pasojë e pushtimit të vendit e shpejtuan fundin e Rauf Ficos. Ai vdiq më 23 janar 1944 në Tiranë. Vlerësimin e përgjithshëm për figurën e tij mund ta marrim nëpërmjet titujve të gazetave kryesore të Tiranës të atij janari të vitit 1944, – të cituara nga libri i Dr. Shyqyri Hysit me titull “Rauf Fico, shtetar dhe diplomat i shquar”, – të tillë si “Vdekja e një patrioti të shquar”, “Funeralet e patriotit të shquar”, “Rauf Fico, atdhetar i shquar”, “I ndieri Rauf Fico”, “Patrioti i Madh, Rauf Fico, ndërroi jetë”, “Një humbje kombëtare”, etj.

Përkushtimin e tij atdhetar Rauf Fico e tregoi në formë dhe në përmbajtje. Ka një përputhje interesante ndërmjet tij dhe një atdhetari tjetër po aq të shquar si Faik Konica. Ishin ata të dy të vetmit që për ditën e madhe të 28 nëntorit shfaqeshin në publik me kostume kombëtare. Dhe jo rastësisht qénë vetëm ata të dy që, si përfaqësues të Shqipërisë së pavarur në Gjermani dhe SHBA, protestuan ashpër për pushtimin e Shqipërisë nga fashistët, më 7 prill 1939, i pari në Berlin dhe i dyti në Uashington.

Ai kishte një patriotizëm dhe ndershmëri të përmasave proverbiale. Për ilustrim po përdor tre momente të ndryshme nga opinionet e shprehura për Rauf Ficon nga njerëz të ndryshëm, në rrethana të ndryshme, në kohë të ndryshme.

Në dhjetor të vitit 1924, kur kryengritësit e të ashtuquajturit revolucion të qershorit qenë grumbulluar në Vlorë gati për t’u larguar nga vendi, Fan Noli kishte një shqetësim të madh. Nga Tirana, për të shmangur ndonjë grabitje të mundshme të thesarit të shtetit nga individë apo grupe të palëve ndërluftuese, ai kishte marrë me vete të gjithë fondin e thesarit. Tani, para se të largohej nga Shqipëria, ai donte t’ia dorëzonte atë thesar një njeriu të besuar dhe absolutisht të ndershëm për ta rikthyer të paprekur në Tiranë. Pasi mendoi gjatë, Noli vendosi – njeriu më i ndershëm për ta kryer atë mision ishte nënprefekti i Vlorës, Rauf Fico. Midis tyre u bë një bisedë e shkurtër. “Zoti Rauf, i tha Noli, unë nga rrjedha e furishme e ngjarjeve, nuk kam marrë dy rrogat e fundit.” Fico ndau nga thesari shumën e caktuar dhe ia kaloi ish kryeministrit, kundrejt një dëftese. Dhe ashtu u ndanë, antagonistë në politikë por miq në jetë.

Në vitet ’30, Faik Konica shkruante: “Rauf Fico ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri!”

Në vitet ’60, Jonuz Blakçori, një burrë i gjatë, me tipare të fisme, mik i tim eti, që banonte në rrugën e Fortuzit në katin gjysmë-përdhes (dritaret ishin në nivelin e rrugës) të një vile që dikur kishte qenë e tij, mbante në një dhomë që i shërbente si klasë për një kurs gjysmë-ilegal privat të italishtes, ndërmjet të tjerash, edhe një portret të Rauf Ficos. Jonuzi kishte qenë në rini të tij sekretar i Bajram Currit, pasi ky i fundit ishte analfabet. Më kujtohet që ishte një antikomunist i betuar. Kur binte fjala për Rauf Ficon, ai ngrihej papritmas në këmbë në shenjë nderimi, gjest që ndokujt i dukej disi teatral. Kur një vizitor e pyeti se pse e bënte këtë, Blakçori i qé përgjigjur: “Ai ka qenë njeriu më i ndershëm që kam njohur në të gjithë historinë politike të Shqipërisë”.

E ç’duhet më shumë për një shqiptar të nderohet me Urdhrin e Flamurit të Klasit I ?

Filed Under: Histori Tagged With: i Shqiperise se vogel, rauf Fico, Shqiptari i madh, Skender Shkupi

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT