-KRYEMINISTRI HOTI NË BRUKSEL U TAKUA ME KOMISIONERIN PËR FQINJËSI DHE ZGJERIM, VARHELYI/
-Bashkimi Evropian ka njoftuar se takimi i nivelit të lartë Prishtinë-Beograd në Bruksel do të mbahet të enjten e 16 Korrikut 2020 në orën 16:00/
-Çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë, të përfunduar para më shumë se 21 viteve, pritet të jetë një nga temat e dialogut në axhendën e nesërme/
-Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka mbërritur në Bruksel, sot u takua me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, për të dytën herë brenda pak ditësh. Liberalizimi i vizave, temë kryesore e takimit/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 15 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia dialogun në Bruksel të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit 2018, e vijojnë nesër – të enjten e 16 Korrikut 2020 në orën 16:00 me takim të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pasi e rifilluan të dielën e 12 Korrikut përmes një videokonference.
Bashkimi Evropian ka njoftuar: “Pas rikthimit virtual të dialogut Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, të dielën më 12 Korrik, një takim i dytë i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel të enjten më 16 Korrik. Nikoqir i takimit me prani fizike të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Dialogu është paraparë të fillojë në orën 16:00. Përfaqësuesi i Lartë do të japë një deklaratë për media para fillimit të takimit dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, në fund të takimit. Për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirus, nuk do të ketë qasje të mediave në ndërtesën e EEAS-së (Shërbimit të Jashtëm të BE-së)”.
Para këtij zhvillimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 Korrik, të organizuar nga Presidenti Francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Hoti në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 Korrik takoi edhe Presidentin e Serbisë Vuçiç.
Në vigjilje të takimit të së enjtes të dialogut Prishtinë-Beograd, Kryeministri Avdullah Hoti ka pritur përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë, të përfunduar para më shumë se 21 viteve, e cila çështje pritet se do jetë një nga temat nesër në Bruksel, sipas burimeve të korrespondentit të Gazetës DIELLI.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, edhe 1641 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë të përfunduar në Qershor 1999.
Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.
KRYEMINISTRI HOTI NË BRUKSEL U TAKUA ME KOMISIONERIN PËR FQINJËSI DHE ZGJERIM, VARHELYI
BRUKSEL, 15 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Pasi ka mbërritur në Bruksel, sot Kryeministri i Republikë së Kosovës, Avdullah Hoti, brenda pak ditësh, ka takuar për të dytën herë Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë Covid 19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes.
Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave. Kryeministri Hoti ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.
Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj kryeministri Hoti ka vlerësuar se është e rëndësishme që edhe Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës.
Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se Kosova si pjesë e kontinentin është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra për Komunikim Publik-Zyra e Kryeministrit.
NJOFTIMI I DËRGUAR NGA ZYRA E BASHKIMIT EVROPIAN NË KOSOVË:
Belgrade – Pristina Dialogue: Media advisory for second high-level Dialogue meeting taking place on Thursday 16 July
Following the virtual resumption of the Belgrade – Pristina Dialogue facilitated by the European Union on Sunday 12 July, a second high-level meeting will take place in Brussels on Thursday 16 July.
The in-person Dialogue meeting with President of Serbia Aleksandar Vučić and Prime Minister of Kosovo Avdullah Hoti will be hosted by High Representative for Foreign Affairs and Security Policy/Vice-President of the European Commission Josep Borrell accompanied by EU Special representative for the Dialogue and other Western Balkan regional issues Miroslav Lajčák.
The Dialogue is scheduled to start at 16:00. Photo and video coverage will be provided by the EEAS and streamed on Council and EbS channels.
The High Representative will give a press statement before the start of the dialogue meeting and EUSR Lajčák at the end of the meeting.
Both statements will be broadcast on Council and EbS channels at app. 16:30 and app. 20:00.
Due to the coronavirus related limitations, access for the media into the EEAS building will not be possible.