PRISHTINË, 30 Nëntor 2016-B.Jashari/ Nga bisedimet në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës e Serbisë njoftohet sonte se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u arrit dakordimi për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi me datën 10 janar 2017.
“Bisedimet në Bruksel për këtë çështje zgjaten dy ditë dhe para pak çastesh u arrit marrëveshja për obligimet zbatuese dhe dinamikat e zbatimit të kësaj marrëveshje”, thekson njoftimi i dërguar. Me këtë rast, ministrja për Dialog, njëherit kryenegociatore kosovare, Edita Tahiri, deklaroi se dakordimi i arritur sot në Bruksel për finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse kjo marrëveshje mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë. “Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj sepse institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017 do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”, citohet ajo.
“Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit, përkatësisht marrëveshja e Brukselit për drejtësi”, shprehet ministrja Tahiri.
Bëhet e ditur se, sipas marrëveshjes për drejtësi do të vendoset një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës.
Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviçit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Sipas këtij ligji në Kosovë ekzistojnë gjithsejtë shtatë gjykata themelore.Kjo marrëveshje shuan strukturat paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale. Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit me 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndal pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, më së voni deri me 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet me 10 janar 2017.