
Si u trashëgua emri i hyjneshës Zana te shqiptarët?
Avni Alcani
Zana është një nga figurat më të spikatura të mitologjisë Shqiptare. Siç vërejnë studiuesit, ajo ka trashëguar të gjitha karakteristikat e Dianës, e cila, ashtu si ajo, jetonte nëpër male, në pyje, lëndina dhe vende të tjera të peisazhit natyror. Studiuesit e kanë krahasuar Dianën me figurën mitologjike Shqiptare të Zanës, e cila, ashtu si Diana, jetonte nëpër male me pyje të thella, në faqe malesh të pashkelura, shpella, mrize, lëndina etj.
Pas pushtimit të Ilirisë romakët gjetën këtu perëndi vendase që ngjasonin me disa nga perënditë e tyre, siç ishte, p.sh., “Diana e Kandavëve”, e cila ishte perëndesha e pyjeve dhe e gjuetisë në malet e Kandavisë, në luginën e sipërme të Shkumbinit. Diana e Kandavëve, ashtu si edhe te Romakët, ishte perëndesha e pyjeve, e kafshëve të egra dhe e gjuetisë. Në disa skulptura të zbuluara në vendbanimet qytetare të Ilirisë, Diana e Ilirëve, ashtu si Diana e Romakëve, paraqitet e armatosur me hark e shigjetë dhe pranë saj ndodhet një drenushë (Albumi “ALBANIEN- Schatze aus dem Land der Skipetaren”, Mainz am Rein 1988, f. 415;).
Çabej ka vëzhguar se Zanës së besimit popullor shqptar i ka mbetur edhe ndonjë tipar i perëndeshës së moçme greke Artemis.“Sikurse ajo, – shkruan Çabej, – edhe Zana është një farë perëndeshe e natyrës, e luftës, e shërimit, shpëtuese prej çdo rreziku, hyjneshë e valles dhe e muzikës, hyjneshë e hënës, hyjneshë e fatit si Parkat; që të dyja figurat së fundi janë virgjëresha. Një ndikim i Artemisës së moçme greke në tokë ilire nuk është gjë për t’u çuditur, se dhe rrëfesa e Polifemit është gjallë në Shqipëri të Jugut e të Veriut, këtu në të njëjtën trajtë sikurse te Morlakët e afër Risanos, pas Lambertzit rron edhe motivi i Perseut e i Andromedës, gjithashtu edhe Kirke dhe Odiseu vetë duket se janë të ruajtur në besimin e popullit shqiptar”( Çabej Diana dhe Zana, 2011, f. 88.
Si është trashëguar emri i hyjneshës Zana te shqiptarët? Eqrem Çabej në studimin e tij kushtuar Dianës dhe Zanës nuk ka anashkaluar as kalimin e emrit nga Diana te Zana. “Diana romake, – shkruan Çabej, – u shri në Iliri përmbi një perëndeshe të vendit, e cila i përngjante asaj dhe i dha me kohë emrin e vet” (Çabej 2011, f. 92). Gjatë periudhës së përhapjes së krishtërimit, shkruan E. Çabej, u zhdukën nga përdorimi gati të gjitha besimet pagane, e cila shkaktoi edhe humbjen e shumë emrave të perëndive ilire në besimet popullore dhe në gjuhë, duke përfshirë dhe një figurë si Diana (Çabej 2011, f. 81). Do të ishte një gjë tërheqëse, shkruan ai, të pyesnim për vetitë natyrore dhe për emrat e këtyre perëndive dhe për strudiuesit paraqiten shumë vështirësi të mësohej “se si quheshin në gjuhë ilire, emrat latine të së cilave qenë Diana, Liber, Libera, Armatus, Silvanus, Juppiter Parthinus nuk do të mbrijmë ndofta kurrë ta dimë, veçse natyrën e tyre ta nxjerrim nga interpretation latina” (Çabej 2011, f. 82).
Znj. Ledi Shamku-Shkreli, në Parathënien e librit të E. Çabej, “Diana dhe Zana”, ka bërë një interpretim interesant të emrit të pararomak të hyjneshës ilire. Duke iu referuar një zbulimi arkeologjik të kryer në Bosnjë dhe Kroaci, shkruan se se janë zbuluar disa altarë votivë me mbishkrimin “Thana patron”, apo “Thana et Vidaso” (Shamku-Shkreli 2011, Parathënie, f. 8.). Duke iu referuar ilirologut A. Stipçeviç (“Ilirët”, 2002), shkruan: “Nga figurat e këtyre figurave vihet re se vizatja e Thanës ilire përkon krejt me profilin e Dianës romake” (Shamku-Shkreli 2011, f. 8.). Ky kult, shkruan më tej ajo, gjendet dhe përtej detit Adriatik, i nxjerrë nga gërmimet arkeologjike në Scala di Furno (Leçe), ku “bie në sy një fragment vazoje blatimi e shek. VI p. e s. që mban një mbishkrim kushtuar hyjneshës Thana, e cila nderohej prej mesapëve dhe ilirëve, e që i ka shtyrë studiuesit të hamendin se krejt zona i qe kushtuar hyjneshës sonë” (Shamku-Shkreli 2011, f. 9). Ajo që e bën më interesant interpretimin e zonjës Shamku-Shkreli është lidhja e emrit Thanë me emrin Zanë. Studiuesja, duke iu referuar përsëri Çabejt, shkruan: “Çabej, duke e lidhur Thanën më nj’anë me Dianën e m’anë tjetër me zanën, shprehet se te grafia th pas mendimit tonë përmbahet aty një tingull i veçantë i ilirishtes, i papërcaktueshëm më saktë, i cili mund të ketë lidhje me tingullin që ka qenë para z’së së zanës të gjuhës shqipe” (Shamku-Shkreli 2011, f. 9).
Në kërkim të emrit ilir të perëndeshës para romake Çabej i vijnë në ndihmë vëzhgimet dhe kërkimet gjuhësore nëpërmjet indoevropianishtes. Kështu, shkruan ai, “në rumanisht Diana gjellit si “zina”… Në Shqipëri “zina-s” rumune i përgjigjet fonetikisht dhe kuptimisht “Zana” e Gegërisë veriore, të cilën Jokli e nxjerr prej fjalës “za” ose prej “Diana” me kryqëzim me fjalën “za” (Çabej 2011,. f. 82-83). Çabej vëzhgon me kujdes dhe kërkon të vëzhgojë duke hetuar “natyrën e shtatin e Zanës shqiptare, si edhe përhapjen e saj brenda lëmit të gjuhës shqipe, e kështu po përpiqemi të hedhim pak dritë mbi historinë e saj. Po të na dalë me gjasë se rrjedh nga Diana, atëhere “Zana” shqiptare me “zina-n”, për të cilën prejardhja latrine është e sigurtë, shkojnë sëbashku brenda qerthullit (suazës) të romanitetit lindor…”(Çabej 2011, f. 83).
Në përmbyllje të studimit të tij për Dianën dhe Zanën, Çabej shkruan: “Përmbledhtas na del pra që Diana romake u shtri në Iliri përmbi një perëndeshë vendi, e cila i përngjante asaj dhe i dha me kohë emrin e vet. Te kulti i saj do të jenë bashkuar e përzier ndër to elemente pararomake-ilire, greke e romake, duke u ruajtur në këto vise gjer në ditë të sotme. Kjo ruajtje është e dyanëshe: gjuhësisht përfshin Shqipërinë dhe Rumaninë, (f. 92) duke qenë se nga elementet e besimit popullor shqiptar na doli me mjaft gjasë që Zina-Zëra rrjedh nga Diana dhe kështu lidhet me Rumanishten Zina. Përhapja e sotme e këtij emri në shqipen me rumanishten pajtohet në themel me kultin fort të përhapur të kësaj hyjneshe ndër ilirë e trakas të lashtë. Përveç kësaj Diana me gjithë atributet e shtazëve të saj, si dhe Silvanus, duket se rrojnë dhe jashtë sferës gjuhësore, si besim popullor, e rrojnë gjer më sot në Ballkanin dinarik të perëndimit” (Çabej 2011, f. 93).


Artemisa greke. Artemisa e Apollonisë (kopje romake)


Diana ilire e Apollonisë. Altar: Diana Augusta Candaviensis.