Shkruan: Skender BLAKAJ/
Duket si në përrallë-po ëndrra ishte e gjatë dhe e përgjakshme. Ama, Kosova nuk u bë Shqipëri, por u bë shtet. Edhe kjo po i lë pa gjumë ish-çifçinjtë e saj serbë, të cilët, kur e robëruan, u kthyen në padronë dhe e dhunuan barbarisht 100 vjet. Në kryeveprën e vet, “Darka e gabuar”, Ismail Kadare vetëtin e godet si rrufeja, me çështje të mëdha që janë preokupime dhe përjetime të rënda të jetës së kombit. Epiqendër gjeografike e ngjarjeve të veprës është vendlindja e tij, Gjirokastra. Në mënyrën e tij, me plot retrospektiva, kalon nga italianët e gjermanët aty, e nga këta te komunistët e te universi komunist, me aferat e komplotet, në të cilat Gjirokastrën duan ta bëjnë qendër. Me një penel të shpejtë, po të përndeztë, e vringëllon trazimin e qytetit me të cilin jetojnë edhe sot shqiptarët – “ai bënte që banorët e qytetit, për shkak të bujqve grekë që punonin në pronat e shqiptarëve si çifçinj, të kishin një përfytyrim të shtrajtuar jo vetëm për grekët, por edhe për gjithë greqizmin, bashkë me shtetin grek, me politikën, madje me gjuhën e tyre.” Kurse, degëzimit tjetër tronditës të kësaj teme i kthehet dy-tri herë, si një bërthame atomi, që të bën shkrumb. Sipas qëndrimeve e bisedave politike “Shqipëria s’kishte pse të futej në grindje verbazi, pa parë volinë e saj. Gjermania vërtetë ishte pushtuese, por Rusia e kuqe s’ishte më e mirë. Veç kësaj, Gjermania sillte Kosovën e Çamërinë, kurse Rusia, veç kolkozeve, nuk sillte asgjë. Madje, kishte gjasë që fjalët “Shqipëri etnike”, në fletushkat gjermane, në vend që t’i gëzonin, i kishin acaruar komunistët. Kishte gjasë që edhe padurimi për luftë andej vinte. Dhe kjo ishte e natyrshme, përderisa në krye të tyre kishte dy a tre shefa serbë, për të cilët fjalët “Shqipëri etnike” ishin mortje e shkuar mortjes… Kalo zoti gjerman ashtu siç premtove, transit. Mos më nga, s’të ngas. Achtung! U theve brinjët Greqisë e Serbisë? Puna jote! Jepmë mua Kosovën e Çamërinë, jawohl!”
Nga këto pjesë te veprës brilante të Kadaresë, që ua përkujton shqiptarëve e të huajve se Shqipëria as nuk mbaronte aty diku te Kukësi, as te pikat tjera, le të bëjmë pak shfletime të “Letrave të konsujve serbë nga Prishtina, 1890-1912”, në kohën kur kryeqyteti i tashëm i Kosovës ishte brenda Perandorisë Osmane. Mbas Kongresit të Berlinit, 1878, me diplomaci, me pushkë e me topa, ishte vendosur njëfarë paqeje në këtë pjesë të Evropës. Perandoria Osmane i lejon Serbisë hapjen e konsullatës në Prishtinë. Shumë shpejt shqiptarët e vrasin konsullin e parë para zyrave të tij, më 1890, “sepse kjo është kapia nëpër të cilën Serbia do të arrijë në Kosovë”. Normalisht, Serbia nuk hoqi dorë, dhe nga viti 1890-1913, kur e kishte pushtuar Kosovën barbarisht, në Prishtinë si konsuj shërbyen personalitete të njohura, madje kryeintelektualë serbë. Krahasojeni me diplomacinë e sotme të Kosovës së shkretë! Këto raporte të konsujve serbë u botuan vitet e fundit në dy vëllime të mëdha dhe, natyrisht, pa përjashtuar tendencën tepër antishqiptare të raportuesve, janë një dimension tejet interesant për historinë tonë, po edhe për qëndrimet e habitshme të prijësve shqiptarë. Edhe pse të programuar e me mision të ngulitur që të punojnë që Kosova patjetër të bëhet Serbi, aq shpesh në raporte për Kosovën u përvidhet emërtimi Shqipëri, kurse për serbët, duke përshkruar mjerimin e tyre, theksojnë që janë bujq të patokë e çifçinj në pronat e shqiptarëve dhe që zullumin ndaj serbëve, si diçka gati e logjikshme, e bëjnë kryesisht muhaxhirët shqiptarë që i dëboi Serbia nga pronat e veta nga Sanxhaku i Nishit.
Edhe socialdemokrati serb D. Tucoviq, në librin “Serbia dhe Shqipëria”, 1914, kur përmend kërkesat dhe pjekurinë politike të shqiptarëve për pavarësi, thekson: ”E tërë Shqipëria Veriore, me kryeqendrat e saj: Shkodrën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën e Prishtinën, brenda një apo dy muajve u pastrua prej pushtetit dhe prej garnizoneve ushtarake turke. Në Shqipëri u bë një kryengritje revolucionare e përgjithshme”. Autori tjetër, M. Obradoviq, në librin serbisht “Reforma agrare dhe kolonizimi i Kosovës 1918-1941”, përgatitur e botuar në Prishtinë më 1981, nën mbikëqyrjen e akademik Ali Hadrit, e përkufizon nocionin e çifçinjve, çfarë ishin serbët në Kosovë: “Çifçija është bujk që ka pak tokë dhe punon në çifluk. Shumica e çifçinjve, megjithatë, nuk kishin tokë të veten”. Ai citon vendimin shtetëror: “Duhet përpjekur që në afat sa më të shkurtër masat e forta e kompakte të shqiptarëve të shpërbëhen duke sjellë midis tyre së paku 50% sllavë”. Pa trojet tjera shqiptare në Jugosllavi, shifrat vetëm për Kosovën janë tmerruese. Nga 475.000 banorë, sa ishin më 1910, edhe përkundër vrasjeve e dëbimeve masive që bëjnë serbët, përmes kolonizimit, në vitin 1940 numri rritet në 666.900 banorë, ose për 39.54%. Pa përmendur këtu gjithë dhunën e zhvendosjet në kohën e komunizmit.
Qeveria e Kosovës ka caktuar fonde disa milionëshe që ta dëshmojë para botës se shqiptarët nuk po e marrin tokën e Serbisë. Po, sigurisht, po i ruan derisa Beogradi t’i kryejë punët e veta.
Kosova ka pavarësinë, kushtetutën, njohjet, Shqipëria në NATO, ndërtimet, udha e kombit, asfaltet, dhe prapë jeta e shqiptarëve është aq jocilësore. Kurse krerët, në vend se me detyrat e posteve që i kanë, janë të zënë me punët e veta, të klanit, të farefisit. Privilegjet e veta, në kësi mjerimi, nguten t’i betonojnë me ligje. Kur e hetojnë “shkëlqimin” e zbehur, vrap në Tiranë a në Prishtinë, me qilima të kuq, me parada, fjalime e dekorata “Skënderbeu”, qytetar nderi, trimi i Kosovës etj., të shpërndara me lehtësi si bizhuteri të lira të buzërrugës, si parodizime me vetveten e, edhe si kapardisje shpërfillëse për miqtë e jashtëm që po na e hapin udhën e i kanë ngarkuar në shpinën e vet shpresat tona. Ndërsa lidhjet politike, ekonomike e kulturore, aq të domosdoshme për integrimet kombëtare, janë në shkallë dëshpëruese. Si protagonistë të absurdit, si do të dukej që krerët e qendrave shqiptare ta shpallnin njëri-tjetrin qytetar nderi në ndonjë nga katundet krejtësisht të boshatisura për mungesë të kushteve më elementare për jetë. E dëgjova me tmerr një analist serioz nga Tirana kur tha se në Kuvendin e tashëm të Shqipërisë 13 ish-kryepolicë të kohës së diktaturës janë deputetë, kurse në Kosovë është në qeverisje një simbiozë e rrezikshme e titistëve dhe e enveristëve, si një bashkim-vëllazërim i hershëm Beograd-Tiranë, që mund të prodhojë murtajën. Kjo duhet të evitohet, por pa stupca, siç bëjnë kombet e civilizuara, anise e zorshme. Kush mund ta harrojë 23 marsin e vitit 1989, kur shpejt bëhen 25 vjet nga dita kur Millosheviqi ia hoqi Kosovës elementet e njësisë federalformuese, dmth. atë formë shtetësie. Reagimi protestues i shqiptarëve u shua me gjak e me shumë viktima. Në skenë e në prapaskenë, këtë akt e ndihmuan edhe shumë shqiptarë, madje edhe titullarë të tashëm të institucioneve të Kosovës. Ferri ynë i pastajmë dihet. M. Ahtisari e tha asokohe se ky veprim i Beogradit ishte argument i fortë për ndërtimin e Pakos së tij për Kosovën. Si pjesë e absurdeve tona, për këtë akt të tërthortë atdhetarie, ndihmësit e atëhershëm të Sllobës, rrezik që vie dita e ndoshta edhe mund të dekorohen nga Kuvendi i Kosovës.
Tash, përballë dilemës migjeniane – Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun – zgjidhni! Megjithatë, pavarësisht zhgënjimeve, a nuk kemi hyrë atje ku ishim moti, në orbitën përendimore, dhe së bashku me të, doemos që do të sillemi e do të lëvizim edhe na.
Dhe, jemi në prag të festave. Gëzuar!