Diploma e Balshës II e lëshuar 24 prillit të vitit 1385 lëshuar në Tuz është origjinale dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, në fondin: Wiena 1027 [1019; nr. 123, an. 1385, N. 20 del Pach VII]. – Kjo diplomë ka një rëndësi të veçantë sepse për herë të parë e të vetme e gjejmë titullin “Dukë i Durrësit” për Balshaj.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Diplomat origjinale të dinastisë së njohur shqiptare të Bashajve, të cilat sot ruhen në Arkivin Shtetëror i Dubrovnikut bëjnë pjesë në ato burimet arkivore-dokumentare të sllavishtes së vjetër të pabotuara ose pjesërisht të botuara deri tani, pa editime kritike, të pashoqëruara me faksimile, të patranskriptuara, që shpesh herë kanë qenë burime keqinterpretimi ose keqinformimi si për studiuesit, historianët dhe lexuesin e gjërë, të cilët nuk e njohin sllavishten mesjetare.
Botimi sipas metodave bashkëkohore, me një editim kritik, të shoqëruara me faksimile, të transkriptuara në sllavishte të vjetër, të përkthyera në shqip dhe të shoqëruara me komente përkatëse sa më përmbajtësore, duke shmangur për aq sa është e mundur “detajet e lodhshme” të diplomatikës, sfragjistikës, heraldikës, sigjilografisë e paleografisë, është një mënyrë që këto dokumente burimologjike për historinë mesjetare shqiptare të fundshekullit XIV të jenë të sakta e të përdorshme për të gjithë të interesuarit.
Diploma që po botojmë me këtë rast është e njohur nga studiuesit dhe historianët, po për herë të parë ajo botohet së bashku me faksimile cilësore të cilat specialistët e medievistikës dhe paleografisë së sllavishtës së vjetër mund t’i lexojnë lehtësisht (shih ilustrimin nr. 1). Përveç kësaj botimi është shoqëruar edhe me aparat kritik, përkthim në gjuhën shqipe, transkriptim e transliterim. Logjika e studimit përcjellës e bazuar në të gjitha këto elemente shkencore mund të ndiqet lehtësisht jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga amatorët e interesuar në këtë fushë dhe historidashësit.
Dinastia e Balshajve ishte njëra prej dinastive më të njohura shqiptare në shekujt XIV–XV e cila e shtriu zotërimin dhe sundimin e saj nga veriu në jug të territoreve mesjetare shqiptare.
Nga kancelaria e kësaj dinastie dilnin dokumente në disa gjuhë të kohës, po me këtë rast ne po botojmë diplomën që është shkruar në sllavishte të vjetër, me alfabetin cirilik të llojit mijuskul.
Gjuha sllave me alfabet cirilik praktikohej nga kancelaritë e fisnikërisë shqiptare mesjetare krahas gjuhëve të tjera, duke treguar kështu aftësi komunikuese diplomatike me qendra të ndryshme evropiane dhe ato fqinjësore. Diplomat e dinastisë së Balshajve që ndodhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut të shkruara me grafema cirilik, janë gjithsej 15 copë dhe i takojnë periudhës kohore 7 janar 1368 – 3 nëntor 1395.
Të gjitha këto diploma janë të shkruara në letër të cilësisë së lartë gjysmëkarton dhe që të gjitha janë të vulosura. Ngjyra e përdorur nuk ka nevojë për koment, sepse i ka rezistuar pa asnjë dëmtim 636 vjetëve të kaluara.
Ndërsa kur jemi te vulat, duhet të theksojmë se duke i botuar faksimilet e tyre në gjendjen aktuale, mendojmë se sjellim një kontribut të veçantë për njohjen e sigjilistikës së fisnikërisë shqiptare, edhe pse janë në gjendje të rëndë dhe shumë të dëmtuara, të thyera dhe me pjesë të humbura. Kur flasim për vulat duhet të theksojmë se aty ka një të veçantë shumë domethënëse: të pesëmbëdhjetë diplomat që kemi në dorë janë vulosur me nëntë lloje vulash të ndryshme, po ashtu është e rëndësishme të theksohet se të gjitha vulat janë të shtypura në letër dhe janë prej dylli. Asnjë nga vulat nuk ka përbërje plumbi, metali apo floriri, gjë e zakonshme kjo për kohën, por e ritheksojmë: të gjitha janë nga dylli. Fakti që vetëm nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut mund të identifikojmë nëntë lloje vulash të ndryshme që ka përdorur kancelaria e Balshajve për periudhën në fjalë është shumë domethënës për rëndësinë që kishte Raguza mesjetare për Balshajt në veçanti dhe për politikën mesjetare shqiptare në përgjithësi. Më shumë hollësi për llojet e vulave do të japim kur të merremi me shqyrtimin e tyre, tipet, dimensionet e tyre, përmbajtjen e teksteve, shenjat e heraldikës dhe elementet e tjera shoqëruese.
Kësaj radhe do të botojmë diplomën e 24 prillit të vitit 1385 lëshuar në Tuz. Kjo diplomë prezantohet për herë të parë në këtë formë të plotë para studiuesve, historianëve dhe specialistëve shqiptarë, por edhe lexuesit të gjerë, me faksimile, me transkriptim [tejshkronjëzim] në alfabetin cirilik, (shih ilustrimet 2 e 3) e përkthyer në shqip e komentuar dhe e shoqëruar me një studim përkatës. Deri më sot ajo është botuar nga këta studiues sllavë: P. Karano-Tvrtković, Srpski spomenici, 87-88; F. Miklosich, Monumenta Serbica, 202-203; Lj. Stojanović, Povelje i pisma I–1, 109–110; B. Šekularac, Dukljansko–zetske povelje, 166-173; ku në të gjitha këto botime ka lëshime dhe gabime të natyrave të ndryshme. Ne jemi përpjekur t’i korrigjojmë ato, gjithnjë duke u mbështetur në origjinalin e diplomës e jo duke bërë përshkrim të përshkrimeve. Nuk kemi shënuar asnjë autor apo botim qoftë edhe të pjesshëm shqiptar, për shkak se të gjitha citimet e bëra, jo vetëm të kësaj diplome por edhe tek të tjerat, janë me shumë gabime, duke qenë se këta autorët shqiptarë nuk e kanë njohur sllavishten, e aq më tepër nuk kanë pasur njohuri për paleografinë sllave mesjetare dhe leximin cirilik.
Diploma e Balshës II e lëshuar 24 prillit të vitit 1385 lëshuar në Tuz është origjinale dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, në fondin: Wiena 1027 [1019; nr. 123, an. 1385, N. 20 del Pach VII]. Teksti i diplomës është i shkruar në 18 rreshta. Diploma është e shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema cirilike me elemente të glagolicës, me ngjyrë të zezë, me shkrim të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi, sikurse mund të vërehet edhe nga ilustrimet që po botojmë [shih ilustrimet: 1 e 2]. Ajo ka qenë e palosur horizontalisht në tre pjesë, ndërsa vertikalisht poashtu në tre pjesë të barabarta. Nga palosja ajo është e dëmtuar, po për fat të mirë teksti mund të lexohet pa problem edhe pse janë të dëmtuar rreshtat 2 deri 17 tek palosja e parë vertikalisht dhe horizontalisht. Dëmtime të vogla, të parëndësishme ka edhe te palosja e parë dhe e dytë si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht. Ndërsa në anën e pasme (verso) të diplomës është i shënuar ky tekst në italisht: “La pouelia de miser Balsa fata per le franchiçie delli mercadanti, quando fo ser Matio de Çorçi ambasiatore allo ditto signor MCCCLXXXV, ind. VIIpactorum comitis Ragusii cum domino Georgio de Balsa fatia in MCCLXXIII.” (Shih ilustrimin nr. 2).
Një element mjaft domethënës është se të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve për Raguzën /Dubronvikun/, që ne njohim, janë të shkruara në letër–gjysmë kartoni. Nëse analizojmë këtë fakt, atëherë mund të nxjerrim një përfundim se nga mesi i shekullit XIV (1360) e deri në fillim të shek. XV (1405) në të gjitha kancelaritë e fisnikëve shqiptarë, por edhe atyre të shteteve fqinje, diplomat janë shkruar në letër, pra jo në pergamenë, edhe pse nuk përjashtojmë mundësinë e përdorimit të pergamenës në raste të veçanta. Po të shikojmë edhe diplomat e Kastriotëve, (Gjonit e Gjergjit-Skenderbeut), Dukagjinëve dhe Aleksandrit të Kaninës, etj, nga periudha në fjalë, të gjitha janë të shkruara në letër–gjysmë kartoni.
Përsa i përket shkrimit, siç ishte zakon i kohës, ajo ka shkurtesa të shumta, të cilat i kemi zbërthyer në transkriptim [tejshkronjëzim]. Në kllapa të vogla “()” kemi vënë grafemat që mungojnë në fjalët përkatëse sipas leximit të sotëm të sllavishtes, ndërsa në kllapa të mëdha katrore “[]” kemi vënë grafemat e shkurtesave të fjalëve që ishte praktikë e kohës, kurse në kllapa të drejta “||” kemi vënë numrin e fillimit të rreshtit të tekstit të diplomës. Në transkriptim [tejshkronjëzim] kemi ruajtur të gjitha shenjat e interpunktimit të kohës. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo përmirësim i ndonjë grafeme apo fjalë: gjithçka është lënë siç është në origjinal.
Në fund të shekullit XIX është bërë një restaurim i thjeshtë i kësaj diplome, ku janë vënë 5 shirita të shkrutër letre të bardhë që diploma të mos grisej apo dëmtohej edhe më shumë. Diploma është e vërtetuar me vulë dylli të kuq, të rrumbullakët, e cila është ngjitur në një shirit të fortë kartoni të ngjitur në letër, rast ky shumë i veçantë dhe që është përdor në mënyrë të qëllimshme nga Filip Barelli që askush tjetër të mos mund të shkruaj ndonjë gjë tjetër posht tekstit që ai ka shkruar. Vula është në fund të tesktit të shkruar në mes të letrës. Vula është gjysëm e dëmtuar. Në mes të vulës vërehet figura e ujkut kurse në anën e majtë të rrethit disa grafema që nuk lexohen lehtë. Vula në origjinal ka dimensione: 3.6cm x 3.4cm dhe trashësinë 0.5cm. [Shih ilustrimin nr. 3]. Shkak i dëmtimit të vulës, është zhvendosja e shpeshtë e këtij dokumenti në relacionet: Dubrovnik-Vjenë-Beograd-Dubrovnik. Këtë dokument e ka shkruar protovestiari (perosni që mbante financat e familjes Balsha) Filip Bareli.
Për herë të parë, kjo diplomë është botuar në vitin 1840. Ajo ka njohur disa ribotime, po asnjëherë korrekte dhe me gabime të shumta. Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale me signaturë: Wiena 1027 [1019; nr. 123, an. 1385, N. 20 del Pach VII], është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit dhe historianët, që nuk janë specialist të paleografisë sllave, sidomos asaj cirilike dhe glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime [tejshkronjëzime] të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imtë dhe në disa raste, shenjat e veçanta të shkruesit Filip Barellit, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin [tejshkronjëzimin]. Kjo diplomë që ka karakterin e një dokumenti publik mban në vetë të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike.
Në fillim është i shënuar invokacioni simbolik, pason invokacioni verbal dhe datimi. Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nënshtrimin e pushtetit real të Balshajve ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë absolute ndaj kishës. Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit te dokumentet e tilla sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihej qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: “Unë Balsha, me hirin e Perëndisë, dukë i Durrësit…”
Menjëher në vijim është intitulacioni që në këtë rast është gjatë dhe shtrihen në 4 rreshta në origjinal: “Unë Balsha, me hirin e Perëndisë, dukë i Durrësit edhe më tutje, shkruaj e urdhëroj që të jetë e njohur për çdo njeri, se ka ardhur te unë i dërguari i qytetit të Dubrovnikut Mate Zhurgoviqi dhe më foli për punë dhe për tregëtarët dhe për lirinë dhe për diplomën e zotit vëllaut tim Gjergjit dhe timen.” Pra me këtë rast Balsha II konfirmon diplomën e lëshuar nga ai dhe vëllai i tij Gjergji në vitin 1379 për qytetarët dhe tregtarët dubrovnikas. Shkak për lëshimin e kësaj diplome të re është fakti se Balsha II kishte futur nën sundim të tij territore të reja, po njëkohësisht kishte ankesa nga dubrovnikasit se nuk respektohej diploma e mëhershme dhe se ata plaçkiteshin, ndiqeshin e vraheshin nga shtetasit e Balshës II siç ishin rastet më të rënda në Vreg te grykëderdhja e Shkumbinit, në Shën Sirgj të Bunës, në Shkodër, Tivar etj.
Kjo diplomë ka një rëndësi të veçantë sepse për herë të parë e të vetme e gjejmë titullin “Dukë i Durrësit” për Balshajt në diplomat që kanë dalur nga kancelaria e tyre dhe që ne njohim deri sot. Në fakt këtë titull e gjejm edhe një herë tjetër por në një diplomë në greqisht nga i njëjti vit. 1385.
Zakonisht, në këtë kohë, datimi shënohet në fund të tekstit (që në rastin tonë në këtë diplomë edhe është shënuar) në formën: 24 prill 1385 nga lindja e Krishtit. Te datimi kemi kemi dy momente interesante që duhen veçuar: a) Filip Barelli ka shënuar vetëm vitin njëmijë me shkronja si tërësi, ndërsa numrat e tjerë i shënon me grafema sipas praktikës së kohës, kjo formë datimi është karakteristikë te të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve në gjuhën sllave, dhe momenti i dytë b) grafemat të cilat janë ekuivalent i numrave të datave, shkruesi i ka shënuar me një “X” sipër secilës grafemë.
Kurse dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën ku Balsha II pohon: “Unë, duke parë fjalët e tij të vërteta prej mikut dhe fisnikërisë së qytetit të Dubrovnikut dhe duke dëshiruar që mes nesh të jetë dashuria e vjetër, konfirmoj diplomën e vëllaut tim Gjergjit dhe timen duke pohuar mosndryshimet dhe që tregtarët e tyre të cilët kalojnë nëpër pronat e mija, lirisht të shesin e blejnë pa asnjë pengesë.” për të vazhduar pastaj me një pohim shumë interesant dhe tepër të veçantë që pothuajse nuk ndeshet asnjëherë tjetër në diploma të ngjashme të kohës: nëse dikush nga ata humbet diçka në territorin tim ose në sundimin tim, unë Balsha II, nëse nuk do mund të gjej fajtorin që t’ia dorëzoj fisnikërisë dubrovnikase, unë do ju paguaj dëmin, dhe në pjesën e fundit të dispozicionit Balsha II pohon se kjo diplomë është e vlefshme “për të gjallë timin” gjë që paraqet një moment interesant ku një fisnik shqiptar nuk obligon pasardhësit me ato që ka premtuar vetë për të gjallë të tij. Kurse në ekspozicion (narracion) janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik: “konfirmoj diplomën e vëllaut tim Gjergjit dhe timen duke pohuar mosndryshimet” pra prerazi pohohen qëllimit e lëshimit të diplomës. Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast nuk e kemi, por kemi vetëm emrin dhe firmën e Filip Barellit. Edhe këtu është një moment i veçantë, sepse në këtë kohë praktikohej që dëshmitar të jenë më shumë se një. Diploma nuk ka nënshkrim autograf të Gjergj Balshës, po ka vulën e tij. Nënshkrim nuk kemi në asnjërën prej 15 diplomave që kemi në shqyrtim. Vula ishte e mjaftueshme si dëshmi e autoritetit që e lëshon dhe si e tillë në kancelarinë dubrovnikase ajo kishte një peshë mjaft të madhe.
Përveç elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarde apo klishe, të cilat i ndeshin në diplomat të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e kësaj diplome.
***
DIPLOMA E DUKËS SË DURRËSIT, BALSHËS II, PËR DUBROVNIKASIT
PËRKTHIMI SHQIP:
Tuz, 24 prill 1385
Unë Balsha, me hirin e Perëndisë, dukë i Durrësit edhe më tutje, shkruaj e urdhëroj që të jetë e njohur për çdo njeri, se ka ardhur te unë i dërguari i qytetit të Dubrovnikut Mate Zhurgoviqi dhe më foli për punë dhe për tregëtarët dhe për lirinë dhe për diplomën e zotit vëllaut tim Gjergjit dhe timen.
Unë, duke parë fjalët e tij të vërteta prej mikut dhe fisnikërisë së qytetit të Dubrovnikut dhe duke dëshiruar që mes nesh të jetë dashuria e vjetër, konfirmoj diplomën e vëllaut tim Gjergjit dhe timen duke pohuar mosndryshimet dhe që tregtarët e tyre të cilët kalojnë nëpër pronat e mija, lirisht të shesin e blejnë pa asnjë pengesë.
Nëse ndonjëri ju rrëmben atyre ndonjë gjë me forcë, unë paguaj nga shtëpia ime dhe unë kërkoj fajtorin.
Tregtarët të cilët shkojnë në Serbi përmes Danjës nuk do të paguajnë asgjë dhe të mos paguajnë doganë dhe kalimet përmes lumit të cilat nuk kanë qenë të vendosura me ligj në kohën e peradnorit Stefan dhe të Gjergjit.
Që tregtarëve dubrovnikas t’u paguhet ajo që mendohet se ju detyrohem.
Nëse ndodh që të thyhet anija dubrovnikase në tokën time, askush të mos guxojë të marrë ndonjë gjë ose ti pengoj ata.
Ai që guxon të veproj në kundërshtim me ato që u shkruan më lartë, do të paguaj 500 perperë dhe do të jetë tradhëtar.
Dhe kështu dëshmoj besnikërinë time dhe të fisnikërisë sime që të mos prishet kjo [diplomë, m.a.] e shkruar për të gjallë timin.
U shkrua kjo diplomë më 24 prill të vitit 1385 nga lindja e Krishtit, në Tuz afër Plloçës.
Për këtë me dashuri protovestiari Filip.