-LDK në vazhdimësi i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë besnik axhendës dhe alternativës evropiane dhe do të jetë e përkushtuar për fuqizimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thekson njoftimi i sapodërguar sot në mbrëmje/
Prishtinë, 21 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të takimeve me forumet e LDK-së, mbajti takime të ndara me Grupin Parlamentar të LDK-së dhe me kryetarët e degëve.
Në takimin me Grupin Parlamentar u diskutua procesi i shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi, me c’rast ekspertët e jashtëm prezentuan procesin, bazën ligjore dhe finalizimin e shenjëzimit.
Gjatë diskutimit me deputetët nuk u prezentuan fakte se Kosova humb pjesë të sipërfaqes së saj me rastin e marrëveshjes me Malin e Zi.
Në takimin me kryetarë të degëve, gjithashtu u diskutua për procesin e shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi.
Kryetarët e degëve të LDK-së, fuqishëm përkrahën procesin e shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi, si proces i cili forcon integritetin dhe subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Kryetarët e degëve theksuan se kry proces është proces normal i shtetndërtimit dhe se nuk duhet të shfrytëzohet nga individ të caktuar për axhenda politike dhe për qellime të ulëta profitere.
Kryetarët e degëve kërkuan që shenjëzimi i kufirit, si pjesë e ndërtimit të subjektivitetit të Kosovës, duhet kryer sa më shpejt, në mënyrë që të mos rrezikohet axhenda evropiane, procesi i liberalizimit dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës.
LDK në vazhdimësi i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë besnik axhendës dhe alternativës evropiane dhe do të jetë e përkushtuar për fuqizimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thekson njoftimi i sapodërguar sot në mbrëmje.