Nga Ilir Levonja/
Poezitë që kam zgjedhur, janë nga krijimtaria e poetit Faslli Haliti. Ai te Enjten, 5 Nentor*, mbushi 80 vjeç. Një arritje e madhe. Pra ka ditëlindjen. I kthehem memories. Ashtu si shumë krijues nga qyteti i Lushnjes edhe unë, kam kujtime të bukura. Në të njëjtën kohë jam pjesë e kujdesit dhe e vëmëndjes së tij. E para sepse Faslliu është ndofta nga ata persona që i përket gjithkujt nga pak edhe shumë. Ai njohu shiun poetik, diellin poetik dhe qiellin poetik. Ai është metafora e së përditshmes. Poeti i fjalës prej uji. Piktori i imazheve me fjalë plot ngjyra dhe xixa.
Për poezinë e tij është thënë shumë. Janë shkruar shumë. Përfshi edhe mua…, me disa reçensione e komente në shtypin shqiptar. Unë sot nuk do bëj analizë, por sado kohë që kalon, sërisht më forcohet në brendësi të qënies sime. Ai meditimi artistik i kahershëm se, poezia e tij është një konstatim me keqardhje. Për njeriun naivist që jeton me mendje prej mishi dhe gjaku njerëzor. Që beson thjesht, pa djallëzi. Që rritet duke të dashur, pa djallëzi. Që vlon me keqardhje se detyrat i kreu, pa djallëzi. Që nuk e di se bën faj, kur nuk të pëlqen ty. Dhe që pa djallëzisht beson se e vërteta, është si drita e diellit.
Cikli i mëposhtëm kap disa dekada nga idoma e tij artistike e këtij kapërcyelli jete në mes dy shekujve. Thjesht si memorie e bukur. Si urim dhe falenderim për këto lule poetike, me erë Myzeqeje që ai ndau me ne. Jetë e shëndet poet.
1)LAMTUMIRË
Drejtimi:
Majtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Drejtimi:
Djathtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Urdhri:
Prapakthehu!
Unë
Përpara, përsëri
Lamtumirë kapedanët e mi!
2)NJERIU ME KOBURE
Ai pret të fryjë era
Jo që të zhvishen pemët.
Jo që të shkunden gjethet e verdha,
Por që t’i ngrihet cepi i xhaketës,
Të duket pas brezit koburja.
Ai pret të vijë pranvera.
Jo që të mbjellë e të korrë,
Por që të zhveshë xhaketën,
T’i duket pas brezit
Koburja.
3)NATË MAJI
Hëna varet si vath në veshin e natës,
Neonet ndriçojnë me dritë dëbore,
Ne bisedojmë nën një mimozë bionde
Si nën një hënë tokësore.
Pranë nesh kalon një makinë,
Dy buqeta dritash na dhuron
Dhe ikën nëpër natë e gëzuar,
E gëzuar nga dashuria jonë.
4)KUR
50 vjet,
Na folët për dritën socialiste,
Tani na flisni për errësirën 50 vjeçare.
50 vjet,
Na folët për lirinë,
50 vjet
Na folët për demokracinë e vërtetë proletare.
50 vjet
Na folët për parajsën komuniste
Tani na flisni për 50 vjet ferr komunist,
Kur na e keni thënë të vërtetën?
Dje,
Apo tani?
Ç’e pandehni ju popullin
Foshnjë,
Ç’e pandehni ju popullin
Çilimi?
5)PËRSOSJE
Ju Tregoni me gisht kriminelin tek ai,
Tek ai
Të gjithë shohin delen;
Ju tregoni me gisht hajdutin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Nobelin;
Ju tregoni, me gisht spiunin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin besnikun;
Ju Tregoni me gisht Don Zhuanin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin familjarin;
Ju tregoni Me gisht Frikacakun tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Skënderbenë;
Rrini, pra, me gisht në gojë!”
6)KENDOVA
Zbathur
U këndova këpucëve
I leckosur
U këndova pardesyve
I uritur
U këndova drithërave
Në
Errësirë
U këndova dritave
Në
Terr
U këndova ngjyrave
Në
Zi
U këndova dasmave
Në
Pranga
I këndova lirisë.
Shpresa më mbajti ison…
* Ka nje Lapsus ne Ditelindjen e Poetit. Ai ka lindur me 5 Dhjetor. Gjithesesi nje urim i parakohshem,s’eshte gje tjeter, vecse deshire per urim. Le te jete ky urim i Ilirit, nje paralajmerim per miqte e Poetit Faslli haliti.(Dielli)
Përparim Hysi says
100-vjeç Faslli Haliti
Ke një zemër porsi KRISHTI!
Të të bëhet pena plug
Se mendimin ke me bukë.
Qoftë në prozë e poezi
I veçantë më je ti
Dhe përkthyes dhe publicist
Si piktor, je artist
Si njeri je altruist
Për të tjerët je bërë copë
Ndaj urimi është me “okë”