
Prof.as.dr. Bernard Zotaj/
Vehbi Dibra (Agolli) lindi në Dibër të Madhe më 24 mars 1867, në një familje të njohur për tradita të spikatura fetare, kulturore dhe atdhetare. Babai i tij, Ahmet Efendi Agolli, pas përfundimit të studimeve për teologji islame në Stamboll, shërbeu për një kohë të gjatë si Myfti i Dibrës. Në të njëjtën rrugë do të ecte edhe i biri, Vehbiu, i cili pas mësimeve në vendlindje, vijoi studimet e larta në Stamboll për teologji islame.
Që në fëmijëri, ai u rrit me ndjenja të forta kombëtare. Në shtëpinë e familjes së tij, gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878–1880), bujtuan atdhetarë të njohur si Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Hoxhë Muglica, Hajdin Draga e të tjerë. Aty ai dëgjoi për herë të parë diskutimet për lirinë e Shqipërisë dhe kundërshtimin e hapur ndaj Traktatit të Shën Stefanit dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit, që synonin copëtimin e trojeve shqiptare.
Me këto mbresa atdhetarie, Vehbi Dibra ndoqi studimet në Stamboll, ku u njoh dhe bashkëpunoi me personalitete të mëdha të Rilindjes Kombëtare si Sami e Naim Frashëri, Hasan Tasini, Murat Toptani, Hamdi Ohri dhe Shahin Kolonja. Në vitin 1892, në moshën 25-vjeçare, u emërua Myfti i Dibrës, duke zëvendësuar të atin. Ai zotëronte disa gjuhë të huaja: persishten, turqishten, arabishten dhe frëngjishten.
Kontributi në Kongreset Kombëtare
Vehbi Dibra luajti një rol të rëndësishëm në Kongreset e Manastirit (1908, 1910), duke mbështetur Dervish Himën, Nikollë Kaçorrin dhe alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine. Një tjetër kontribut i shquar i tij ishte në Kongresin e Dibrës të vitit 1909, ku u zgjodh kryetar. Shtypi i kohës shkruante: “Për meritat e rralla që kishte, u zgjodh kryetar dhe me zotësi bëri që Kongresi të përfundonte me sukses shumë çështje delikate, si ajo e mësimit të gjuhës shqipe”.
Në këtë kongres bashkëpunoi ngushtë me Sotir Pecin, Dervish Himën, Loni Logorin, Fehim Zavalanin, Hafez Sabri Korçën dhe Abdy Ypin. Ndër deklaratat e tij më të njohura ishte ajo për gjuhën shqipe:
“Gjuha shqipe është gjuhë e vjetër dhe ajo ka alfabetin e saj. Nuk mund të ndalohet, sepse është gjuha e një kombi të lashtë të Europës – kombit shqiptar që vjen nga Iliria!”
Në krye të kryengritjeve për liri
Gjatë viteve 1908–1912, Vehbi Dibra u përfshi aktivisht në kryengritjet antiosmane. Në bashkëpunim me Elez Jusufin, Qazim Likën, Mustafa Litën dhe Hysen Dacin, ai drejtoi shoqërinë patriotike “Bashkimi”, duke organizuar qëndresën në Dibër. Në mars të vitit 1912, bashkë me Mersin Demën, organizoi në Homesh “Kuvendin e Dheut”, ku morën pjesë përfaqësues nga e gjithë Dibra. Në këtë kuvend u vendos:
“Tash do të bëjmë kryengritje, jo vetëm për gjuhën tonë, por për të ngritur Flamurin Kuqezi!”
Ai ishte ndër udhëheqësit e luftimeve kundër forcave xhonturke më 24 mars 1912 në Çidhnë të Dibrës së Poshtme dhe një nga organizatorët e Kuvendit të “Plepit të Egër”, ku u kërkua autonomia e Shqipërisë. Në bashkëpunim me Hasan Prishtinën dhe krerët e Kosovës, hartoi Memorandumin me 14 pika drejtuar Portës së Lartë, duke deklaruar:
“Nuk lëshojmë armët pa u siguruar se janë pranuar kërkesat e shqiptarëve!”
Në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë
Më 22 nëntor 1912, Ismail Qemali e fton Vehbi Dibrën si përfaqësues të Dibrës në Kuvendin e Vlorës.
Sipas “Zanit të Naltë”:
“Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) mori pjesë aktive në punimet e Kuvendit Kombëtar. Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ismail Qemalit. Dora e tij, bashkë me dorën e Ismail Qemalit, ngritën flamurin e pavarësisë në Vlorë. Goja e tij e ëmbël e bekoi për herë të parë këtë vepër të shenjtë. Flamuri ynë do të valojë përherë, sepse u bekuar nga një fetar i vërtetë.”
Në mbledhjen e 4 dhjetorit 1912, u zgjodh Kryetar i Senatit Shqiptar. Si figurë e respektuar dhe me ndikim, ai dha ndihmesë në ngritjen e flamurit në qytete të tjera si Lushnjë, Elbasan, Fier dhe Dibër, duke ndihmuar në organizimin e administratës së Qeverisë së Vlorës.
Në mungesë të Ismail Qemalit, shpesh e zëvendësonte në punët shtetërore dhe në përfaqësimin e Shqipërisë përpara diplomacisë evropiane.
Udhëheqës i Komunitetit Mysliman Shqiptar
Me vendim të Qeverisë së Vlorës, Vehbi Dibra u ngarkua me krijimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke e shkëputur atë nga varësia e klerit osman. Ai ishte ndër të parët që hodhi themelet e institucioneve fetare shqiptare të pavarura.
Në vitin 1923, me nismën e tij, u hap medreseja e parë shqiptare dhe u themeluan revistat “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”. Në gazetën “Demokratia” të vitit 1929, artikulli “Fjala e Kryemyftiut” e përshkruante kështu:
“Fjalë të urta, të matura dhe plot mençuri. Kryemyftiu tha se libri ynë i shenjtë na urdhëron për forcimin e vëllazërisë midis myslimanëve e të krishterëve.”
Edhe pse ishte në krye të Komunitetit Mysliman, ai bashkëpunoi ngushtë me Kishën Ortodokse Autoqefale dhe me komunitetet katolike e bektashiane, duke promovuar harmoninë fetare si themel të identitetit shqiptar.
Vitet e fundit dhe trashëgimia
Në vitin 1932 shkoi për Haxhillëk në Arabi, ndërsa në vitin 1936 mori pjesë në takimin e haxhilerëve të Mesdheut në Egjipt, ku u nderua me dekoratën “Për ligjërimin dhe oratorinë teologjike”.
Në vitet e fundit të jetës bashkëpunoi me intelektualë të rinj dibranë si Haki Sharofi, Jashar Erebara, Ismet Dibra, Muharrem Mullani dhe Haki Stërmilli.
Vehbi Dibra u nda nga jeta në Tiranë më 24 mars 1937. Kryetari i Kishës Autoqefale Shqiptare, Visarion Xhuvani, do ta përshkruante kështu:
“Haxhi Vehbi Efendi Dibra do të mbetet i paharruar në historinë e Shqipërisë së re. Ishte i pari kryetar i fesë myslimane shqiptare, që gëzonte respektin dhe simpatinë e të gjithëve – si të krishterëve, ashtu edhe të myslimanëve. Kohët në të cilat jetoi ishin të vështira, por ai dinte të qëndronte i patundur dhe i drejtë, i udhëhequr nga dashuria për Atdheun dhe nga urtësia e fesë.”