Nga Makensen Bungo/
Dr. Safete Juka gjithë jetën mendoi , punoi dhe luftoi për Shqipërinë dhe në vecanti për Kosovën tonë martire . Kosova ishte pika e saj e dobët. Ndarja e Kosovës nga trungu amë prej Fuqive të Mëdha në mënyrë të padrejtë, në vitin 1913, vuajtjet e kosovarëve nën robërinë serbe dhe masakrat barbare të shovinistëve serbë ndaj popullit të Kosovës kanë qenë plagët e saj të mëdha, brengat e saj të rënda e dhimbjet e saj të thershme. Me euridicionin e saj si shkencëtare , shkrimtare , kritike , përkthyese, eseiste , arkeologe , poliglote dhe humaniste, ajo punoi deri në ditët e fundit të jetës së saj për t’i mbyllur këto plagë , për t’i shëruar këto brenga për t’i zhdukur këto dhimbje . Shovinizmi serb zjarrin e luftës për gllabërimin e Kosovës e drejtoi në dy drejtime: në publikimin e tezave antishkencore të pseudoshkencëtarëve serbë mbi zbritjen e tyre në Ballkan dhe vendosjen në tokat e begata të Kosovës dhe në ushtrimin e masakrave barbare masive për pastrimin etnik të Kosovës .Edhe dr Safete Juka, si atdhetare shqiptare në këto dy drejtime e zbatoi luftën e saj si shkencëtare për mbrojtjen e Kosovës dhe shpëtimin e kosovarëve .
Dr Safete Juka që në rininë e saj filloi të gërmojë nëpër arkivat e huaja dokumenta të vërtetë mbi Kosovën dhe serbët , të gjurmojë në muzetë e ndryshme dokumenta që të zbardhte të vërtetën mbi zbritjen e serbëve në Ballkan e të shfletojë volume të ndryshme për të zbuluar masakrat e tyre ndaj kosovarëve për pastrimin etnik të Kosovës.
Bazuar në materialet që zbuloi, ajo botoi artikuj të ndryshëm mbi këto probleme në gazetat më të rëndësishme amerikane. Në vitin 1982, ideoi dhe organizoi një konferencë
shkencore në New York, ku kumtesa e saj u vlerësua nga të huajt për përmbajtjen shkencore , për forcën e argumentave e metodën shkencore krahasuese dhe botoi , zbuloi e përktheu vepra për të hedhur poshtë tezat antishkencore të pseudoshkencëtarëve serbë dhe për të fshirë pluhurin e zi që kishin hedhur ata mbi masakrat e tyre në Kosovë .
Kumtesën në fjalë, më vonë dr Safete Juka e ripunoi duke e plotësuar edhe me material të ri dhe e botoi si libër më vete , titulluar “ Kosova” dhe me nëntitull “ Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumentave historikë”. Mbi rëndësinë e këtij libri po përmendim dy vlerësime nga persona të ndryshëm . z. Peter Titonski, profesor i universitetit të Georgetonit të Washingtonit , është shprehur : “ Unë e konsideroj këtë libër si një kontribut rrënjësor për kuptimin e historisë dhe politikën në Ballkan . Asnjë studjues nuk mund të shkruaj për Kosovën pa iu referuar këtij vëllimi të shkëlqyeshëm.” Ndërsa zonja Zenepe Dibra , presidente e shoqatës “ Gruaja intelektuale shkodrane” është shprehur : “…..ajo që do ta bënte Safeten një luftëtare të çeshtjes shqiptare do të ishte Kosova. I jashtzakonshëm nga hapësira e gjerë e njohurive historike si dhe materialet burimore aq të shumta të shfrytëzuara në disa gjuhë të botës …”
Zbulimi më i rëndësishëm i saj në drejtim të qëllimit që i kishte vurë vetes është gjetja në bibliotekën e Harvardit i librit “ Albanian Golgotha”, botuar në vitin 1913 nga gazetari dhe deputeti austriak Leo Freundlich . Në këtë vepër autori , një njeri i huaj për ne , ka përshkruar masakrat e shovinistëve serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet 1912- 1913 me një realizëm të rrallë dhe me një paanësi për t’u admiruar . Këtë libër dr. Safete Juka e përktheu nga gjermanishtja në anglisht dhe i bëri dy botime dhe shumë kopje ua dhuroi shkollave, librarive , institucioneve kulturore , personaliteteve të botës amerikane dhe vetë ish-presidentit amerikan, zotit Nikson , me të cilin kjo grua shqiptare atdhetare kishte korespondencë për problemet e e Kosovës . Qëllimi i përkthimit të këtij libri në gjuhën angleze dhe shpërndarja e tij në masë ishte për të sensibilizuar sa më shumë botën në drejtim të qëllimeve të errta të qëverive serbe ndaj Kosovës dhe të masakrave barbare të shovinistëve serbë për spastrimin etnik të Kosovës sonë martire .Megjithëse kishte punuar shumë për Kosovën dhe pleqëria i kishte trokitur në derë, atdhetarja shqiptare, dr Safet Juka, nuk e lëshoi penën nga dora për të shkruar për Kosovën .Ajo po punonte në librin e tretë për Kosovën , kur vdekja , mbas një sëmundje të gjatë e rrëmbeu dhe e nisi drejt amëshimit . Për librin e saj të pambaruar nuk mund të flasim. Botimi i tij i mëvonshëm do të ndihmojë kritikët dhe analistët për të folur e shkruar mbi te .
Dr Safete Juka gëzohej për sukseset e Kosovës dhe hidhërohej pa masë kur asaj i ndodhte ndonjë fatkeqësi . Ka qëlluar që kur ka ndodhur ndonjë e keqe ndër kosovarët , ajo është sëmurë. Para ca kohe, në një gazetë qëndrore të Amerikës është botuar fotografia e një vajze dyvjeçare që e kishin sjellur nga Kosova në Neë York , për ta operuar. Shovinistët serbë, në masakrat e fundit, i kishin vrarë të gjithë të afërmit.Vetëm kjo kishte shpëtuar gjallë , por e plagosur rëndë . Në Kosovë ishin munduar shumë që ta shëronin , por plagët kishin qenë të rënda .E kishin sjellur në Neë York . Por edhe këtu nuk e shëruan dot. Vajza e vogël ndërroi jetë. I gjithë fisi u shua nga masakrat serbe. Kur lexoi këtë lajm dr Safete Juka u dëshpërua shumë. Mori gazetën, e preu me kujdes fotografinë e asaj vajze dhe e vuri në murin e dhomës, ku pononte dhe e shikonte vazhdimisht me një drithërimë të madhe .
Dr Safete Juka ishte një grua humane, e njerëzishme me të gjithë e në çdo vend. Ajo i donte njerëzit, i respektonte, i ndihmonte; sidomos bashkëatdhetarët e në veçanti emigrantët . Dhe jo vetëm me fjalë , me këshilla e me porosi , por edhe materialisht . Unë s’jam as e pasur , as e varfër , i ka thënë një familjeje emigrante shqiptare , që kishte nevojë për një operacion të rëndë, por juve do t’ ju ndihmoj , se jeni shqiptarë nevojtarë , emigrantë . Dhe mori përsipër të gjitha shpenzimet e operacionit , që kapnin shumën e disa mijë dollarëve.
Dr. Safete Juka u largua nga Shqipëria në moshë të re, kur ishte 15 vjeç. Ajo u rrit e u arsimua duke u endur nëpër vende të ndryshme të Evropës , Afrikës dhe Amerikës. Ajo qe poliglote; dinte gjermanisht , italisht , frengjisht , anglisht e arabisht . Në këto vende rrallë komunikonte me gjuhën amtare, vetëm në familje . Por me gjithë ate, ajo nuk e harroi kurrë gjuhën shqipe. E fliste bukur dhe pastër gjuhën e saj , një gegërishte të ëmbël , një shkodranishte të qëruar .Në të folur nuk përdorte kurrë barbarizma. Ishte armike e tyre . Dhe kur ndonjë bashkëbisedues përdorte ndonjë fjalë të huaj, ajo, me takt, e ndërpriste , e këshillonte që të mos e përdorte atë fjalë dhe i tregonte fjalën shqip që zavendësonte barbarizmën .
Kjo shqiptare e madhe nuk u nda kurrë nga emigracioni shqiptar. Gëzohej bashkë me emigrantët dhe merrte pjesë në gëzimet e tyre. Ndjente një kënaqësi të madhe kur mësonte që nxënës të ndryshëm shqiptarë, të emigruar në Amerikë, ishin dalluar në mësime . Shpesh herë i merrte ata në telefon , i uronte e i përgëzonte. Jo rrallë i ka thirrur në tryezë, ka drekuar tok me ata dhe u ka dhënë porosi që , si të mbaronin studjimet e larta, të kthehen në Atdhe që të punojnë për përparimin dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Ndiqte me interes botimet në gjuhën shqipe këtu në SHBA dhe i vlerësonte ato. Kur i pata dërguar një kopje të monografisë “Abaz Kupi”, ajo qe shprehur kështu: “Libër i shkruem me dashuni e ndjenjë . Përgëzoj autorin që figurën e Abaz Kupit e ka nxjerrë bukur si dhe që merret me figura të tilla që deri tash nuk janë vlerësue n’ Shqipni .”
Veçanërisht entuziasmohej për talentet e reja dhe i inkurajonte ato . Kështu p.sh.kur 15vjeçarja Anxhela Dilo i dërgoi një shkrim të sajin të botuar te “Dielli”, dr Safete Juka i qe përgjigjur :
E dashtuna Anxhela ,
Shkrimii jot kushtue ditës kur kishe shkue me familjen tande te ndëretesa e OKB-së më ka prekë shumë me përmbajtjen e tij ku shprehet dashtuni e vërtetë për vend-lindjen tande , për prindt dhe për t’afërmit e familjes që i ke në Shqipni e prej të cilve t’asht dashtë me u nda por për të cilët ti ndien mall . Vazhdo t’i mbajshë të pa prishuna këto ndjenja të bukura . Por edhe vazhdo të shkruesh se ti ke jo vetëm ndjenja të bukra por edhe shumë talent për t’i shprehë e nuk duhesh me e lanë pa e përdorë e pa e zhvillue kët talent .Tuej të falënderue shum për dërgimin e këtij shkrimi , të përqafoj tuej t’urue sukses e të mira .
Safete Juka
Safete Juka ishte doktoreshë, kishte qenë profesoreshë universiteti, kishte një kulturë të gjerë, ishte shkrimtare etj. , por mbi të gjitha ajo ishte një grua shumë e thjeshtë . Asnjë herë nuk pranoi mburrje dhe lëvdata; ishte armike e tyre . Kurrë nuk pranoi të flitej e të shkruhej për atë. Nuk fliste kurrë për veten e saj dhe kur të tjerët fillonin të flisnin për ate, ajo i ndërpriste njerëzishëm. Ishte grua e heshtur . Thjeshtësia dhe heshtja ishin të natyrës së saj. Ata që e kanë njohur habiteshin me këto cilësi të saja, të cilat i ruajti deri në vdekje .
Dr . Safete Jukës i qante zemra për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, për varfërinë , pasigurinë , korrupsionin , grabitjet legale e ato ilegale, vrasjet , emigracionin
galopant. Por, megjithate , ajo kurrë nuk shprehu një herë ndonjë shenjë pesimizmi . Ajo ishte optimiste për të ardhmen e Atdheut të saj , duke shpresuar te forca e rinisë shqiptare. .
Në një letër që Dr Safete Juka i ka dërguar zonjës Zenepe Dibra , midis të tjerave, është shprehur : “…unë kam shumë besim në popullin tem e mbajë në vetvete një shpresë të thellë se të rinjtë e sotëm shqiptarë , djelm e vajza , kanë me pasë mundësina me krijue e me prodhue e kur të rriten kanë me pasë ç’ka me diftue për jetën dhe krijimtarinë e tyre sigurisht gjana ma të bukura e ma të vlefshme se kam unë sot .
Nuk mund ta përfundojmë portretin e dr. Safete Jukës pa përmendur edhe talentin e saj si piktore. I pëlqeu piktura . Pikturoi , por edhe analizoi. Nuk duhet të mendojmë se dr. Safete Juka ishte vetëm një piktore amatore . Ajo ishte edhe një kritike arti . Studjimet e saj në këtë fushë, analizat që ka bërë në këtë drejtim na japin të drejtën ta përmendim edhe si të tillë .Ajo e pat lënë amanet që ta varrosnin në Shkodër pranë të afërmëve të saj .Dhe atje e varrosën , në Shkodër . Ishte dita 20 nëntor e vitit 2005.Shkodra vdekjen e saj e mësoi me një hidhërim të madh . Varrimin ia bëri si e meritonte Muarën pjesë shumë njerëz. E nderuan personalitetet e qytetit . U mbajtën fjalime, u vendosën kurora dhe buqeta lulesh . U shkruan edhe poezi .Ishte bijë e Shkodrës , ishte shkencëtarja shqiptare , ishte gruaja e madhe që mendoi , punoi e luftoi gjithë jetën për të drejtat e Shqipërisë , ishte gruaja shqiptare që gjithë jetën ia kushtoi Kosovës martire dhe mbrojtjes së kosovarëve .Por vetëm. Shqipëria heshti. Heshti shteti, heshti politika, heshti inteligjencia. Ku ishin ? Pse heshtën? Pse nuk u nderua kjo grua e madhe, që na nderoi ?Le ta kujtojmë këtë grua , se nderojmë kombin . Le ta nderojmë këtë shqiptare se nderojmë veten .