Ne Foto:Ratko Mladiq: Përbindëshi para drejtësisë-Burgim te Perjetshem//
Nga Mimoza Dajçi/
Dy vite më parë, po në muajin nëntor të vitit 2015 ndodhesha me tim atë në Hagë, me një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut e misionerë të paqes në botë. Si kosovar e si familje patriotësh, gjak nga familja e Boletinëve të Kosovës martire, me vete mora edhe tim atë.
Megjithëse i rënduar nga hallet e jetës si ish i burgosur politik në Shqipëri, por edhe shqetësimi familjar pasi një muaj e një javë më parë sapo na kishte lënë për jetë ime më, bashkëshortja e tij. Por kur mësoi se do të ishim prezent edhe në një seancë gjyqēsore për krimet kundra njerëzimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, shfaqi dëshirën për të më shoqëruar. Sigurisht që ja plotësova, ashtu sikurse i shëtisja çdo fundjavë me makinë të dy prindërit e mi buzë oqeanit si në verë ashtu edhe në dimër.
Siguruam biletat për këtë udhëtim dhe u nisëm. Atje na u dha rasti, edhe sipas axhendës së programuar të vizitonim Institucione dhe Qëndra të rëndësishme botërore të drejtësisë, politikës, artit, kulturës, Interpolin etj.
Por interesimi më i madh për momentin për ne, mua e tim atë ishte Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ku në një seancë gjyqësore po zhvillohej gjyqi ndaj kriminelit Ratko Mlladiç, pikërisht atij që sot kjo Gjykatë i dha dënimin e merituar. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është një Institucion i rëndësishëm i OKB. Kishte kohë popullsia e pafajshme në Bosnje e të gjithë paqedashësit në botë që prisnin të jepej vendimi përfundimtar i tij. Shtyhej këtë muaj, këtë vit, saqë edhe me tim atë prisnim se çfarë do të ndodhte, por sigurisht duke patur besim se ai duhej të dënohej.
Pas një kontrolli të imët tek hyrja e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë u gjendëm përballë Trupit Gjykues dhe kriminelit Ratko Mlladiç. Salla e gjyqit një ambjent modern, sigurisht nën elementet e sigurisë së lartë midis të akuzuarve dhe pjesëmarrësve në sallë. Rojet dhe kamerat e sigurisë të ndiqnin ngado. Sapo u ulëm, Ratko, kureshtar pyeti me kokë në gjuhën e tij njerëzit ulur në të djathtë përballë xhamit hermetik, se kush ishim ne. Ata (djemtë e tij siç na treguan më pas rojet) menjëherë kthyen kokën, menduan se ishim dëshmimtarë okularë të ngjarjes kundër të akuzuarit, por kur një punonjës shoqërues serb i asaj gjykate, i shpjegoi se ne nuk ishim dëshmimtarë por misionerë të paqes u “çlirua”. Filloi të qeshte e të bënte xheste humori, një bashkëbisedim i shtirur mes tij e djemve të tij në sallë matanë xhamit të tejdukshëm. Lëvizte, rrotullohej në poltroin rrotullues, saqë na la një shije të hidhur ky moment, saqë po thonim me njëri tjerin; ky zotëri është në burg apo në kafe.
Ratko Mlladiç si komandat i forcave serbe të Bosnjes, ose i njohur si kasapi Bosnjes akuzohej për genocid dhe krime ndaj njerëzimit, krime të luftës. Ai është përgjegjës për ekzekutimin e 8 mijë burrave myslimanë në korrik të vitit 1995, që njihet si mizoria më e madhe e kryer në Europë pas Holokaustit. Megjithëse ai i ka hedhur vazhdimisht poshtë të gjitha akuzat ndaj tij, por ato janë faktuar si vrasje, tortura, dhunime, shfarosje, dhe bombardime.
Kaloi një vit, dy e im atë më pyste herë pas here nëse përfundoi gjyqi i tij apo jo. U fol se do të dënohej me burgim të përjetshëm. Dhe ja sot, si dy vite më parë, më në fund krimineli Ratko Mlladiç mori dënimin e merituar. Im atë u nda nga jeta në muajin dhjetor të vitit 2015.
Vendimi që u morr ndaj Ratko Mlladiç është gjykimi i fundit nga ky Tribunal qysh prej datës së themelimit në Hagë në vitin 1993, për dënimin e krimeve të kryera në luftrat Ballkanike të viteve 90 të.