Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni po qëndron për vizitë zyrtare në San Diego të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
Në foto:Drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Maxhuni, kryeprokurorja znj. Loretta E Lynch nga SHBA si dhe stafi përcjellës./
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni është duke qëndruar për vizitë zyrtare në San Diego të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku po merr pjesë në konferencën e shefave të Policisë në kuadër të IACP-së (International Association of Chiefs of Police – Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë).Në këtë konferencë pjesëmarrës janë një numër i madh i nivelit të lartë të shefave të Policisë, jo vetëm nga SHBA-ja por edhe nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.Pjesëmarrja dhe takimi me përfaqësues të organizatave të ndryshme policore, në konferenca të këtij karakteri, mundëson shkëmbimin e përvojave policore, trajtimin e problemeve dhe fenomeneve nga fusha e rendit dhe sigurisë, si dhe njohjen me teknologjitë më të reja të cilat aplikohen në fushën e sigurisë.
Po ashtu në këtë konferencë fokus i veçantë i është dhënë luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, krimit të organizuar transnacional si dhe llojeve të tjera të krimit.Kjo konferencë e karakterit policor është një nga konferencat më të mëdha të mbajtura çdo vit në SHBA, ku Policia e Kosovës është mbështetur dhe përkrahur nga ICITAP-i amerikan për të qenë pjesëmarrëse.