Nga Mimoza Dajçi/
21 dhjetor 2012, City Island, New York. Çdo banor apo vizitor në Bronx patjetër nuk ka kaluar pa venë re vendosjen e bredhave të rinj e stolisjen e tyre me drita fosforeshente, si dhe vendosjen e ndriçimin e Menorah – ve, për festën Hanukkah të komunitetit Hebre nëpër parqet e Bronx-it. Sipas Drejtorit Ekzekutiv për Bisnesin në Distriktin Bronx, Joseph A. Thompson, mësuam se të gjitha simbolet tradicionale përfshirë edhe zbukurimet e tyre dekorative janë sponsorizim i Assemblymen Mark Gjonaj, i cili njëherësh organizoi për Festën e Krishtlindjeve edhe një pritje madhështore në Restoranit “The Light House” në City Island.
Për Z. Gjonaj e familjen e Tij, por edhe për ne shqiptarët Krishtlindjet e këtij fundviti shënuan fitoren e jashtëzakonshme me zgjedhjen e Tij në Asamblenë Amerikane. Të gjithë ne shqiptarët aty ku punojmë e jetojmë ndihemi krenar e mburemi se; Assemblymen Mark Gjonaj është me origjinë shqiptare, e ne jemi motrat e vëllezërit e Tij të një gjaku. Zgjedhja e Tij në këtë post të rëndësishëm përbën një arritje të madhe edhe për ne shqiptaret. Z. Gjonaj e familja e Tij këtë sukses e fitore nuk mund ta gëzonin pa praninë e komunitetit tonë, amerikan, afrikano – amerikan, hebrew, italian, spanjoll, irish, e kështu me rradhë, të cilët i dhanë votën e mbështetjen e duhur gjatë fushatës së Tij elektorale.
Afmosfera shëndritëse e Krishtlindjeve për tek Restoranti i bukur “The Light House” pranë bregut Long Island Sound, kishte filluar që në hyrje të City Island, ku makina e njerëz të ardhur nga të katër anët e SHBA kishin shfaqur dëshirën për të qenë pjesë e këtyre festimeve e gëzimeve njëherësh. Rradha e gjatë e makinave, e ndriçimi i dritave të tyre për në destinacionin e Restorantit shënonte orë të tëra, gjë që tregonte jo vetëm respektin e dashamirësinë e njerëzve për Z. Gjonaj e familjen e Tij, por edhe konsideratën reciproke që vetë Marku ka treguar prej kohësh për cilindo individ të pranishëm në këto festime tradicionale.
Ceremonia e Krishtlindjeve pranë këtij Restoranti luksoz buzë Oqeanit Atllantik, u hap me fjalën përshëndetëse të Assemblymen Z. Mark Gjonaj, i cili pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, i ftoi të gjithë të shijonin darkën e shtruar me ushqime, pije të ndryshme e ëmbëlsira të shumëllojshme. Përshëndetën festën gjithashtu personalitete të politikës e dipllomacisë shqiptare, kosovare dhe amerikane, si dhe të afërm të familjes apo miq e kolegë të njohur të Z. Gjonaj.
Nuk mund të le pa përmendur në këtë kronikë feste edhe pjesëmarjen e heroinës e humanistes shqitare nga trevat e Kosovës martire Znj. Rita Saliu e bashkëshortit të saj – inxhinierin nuklear Z. Adem Saliu, të cilët edhe pse jetojnë në Rhode Island, disa orë larg prej këtej përsëri bëjnë përpjekjet maksimale për të vlerësuar gëzimet e ndryshme të komunitetit. Gjithashtu nderoi me pjesëmarjen e Tij edhe Famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës në Harsdelle Dom Pjetër Popaj.
Pema e gjelbërt i Krishtlindjeve vendosur në hyrje të Restorantit ftonte pranë saj si gjithmonë vogëlushët, të cilët veshur bukur e gjithë hare silleshin e vraponin të gëzuar rreth saj. Ndërsa Santa Claus u dhuronte atyre fruta e biskota të ndryshme. Pasi kjo natë simbolizon ndarjen e dhuratave e mirësinë mes njëri tjetrit. Simbolizim i prosperitetit që duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit.
Edhe pak ditë e në këtë periudhë kohe dita fillon e zgjatet deri më 22 mars. Dimri ka 90 ditë, ku 45 prej tyre janë me mot të keq, shi dëborë e acar, ndërsa 45 ditët e tjera janë të ftohta, më të paqëndrueshme por jo shumë të ashpra sa të parat. Kohë me mot te keq që vazhdon gjatë gjithë dimrit do të kemi deri më 22 mars në fillimin e pranverës.
Tradita e kremtimit të lindjes së Krishtit më datë 25 dhjetor ka ndikuar edhe në etimologjinë e fjalës shqipe “Krishtlindje” ndërsa në anglishten e sotme “Christmas”vjen nga anglishtja e vjetër që do të thotë Mesha e Krishtit. Këtë datë e kremton bota mbarë dhe shënon ditën e paqes, shpresës, e dashurisë njerëzore.
Edhe në Shqipëri mbas viteve “90 kur u lejua besimi fetar, u krijua kjo traditë duke u shënuar në kalendarin vjetor krahas festave të tjera tradicionale dhe Festa e Krishtlindjeve. Fjala Kshnella ka kuptimin e fjalës Knelje, freskim, rilindje, fillim i një epoke të re për njerëzmin. Dita e Krishtlindjeve na kujton se sa të domosdoshme janë falja, pajtimi, mëshira, gëzimi, paqja, e dashuria njerëzore.
Gjatë periudhës së rregjimit komunist festimi i kësaj feste në Shqipëri ishte totalisht e ndaluar, e dënohej me ligj. Qindra besmitarë katolikë, krishterë apo muslimanë kaluan në gijonetën e asaj diktature të egër, vetëm e vetëm për besimin e tyre të lirë tek Zoti. Veçanerisht Kleri katolik në zonat në veri të vendit ka përjetuar kalvarin më të madh e më të rëndë të atij persekucioni, ku përveç burrave e grave edhe fëmijët kanë vuajtur pa drejtësisht nëpër burgje e kampe përqëndrimi.
Festa e Krishtlindjeve pranë “The Light House” në City Island kaloi gëzueshëm me këngë, valle e muzikë, si dhe duke shpërndarë mesazhin e urimin e mirë që njerëzit të bëhen më të dashur me njëri tjetrin, të dinë të japin respektin e duhur për njëri tjerin, e të bëhen më te arsyeshëm e më njerëzor. Të pranishëm në këto festime ishin gjithashtu personalitete të politikës amerikane, dipllomatë, bisnesmenë, gazetarë, përfaqësues të organizatave jo qeveritare shqiptaro – amerikane, piktorë, artistë dhe aktivistë të njohur në komunitet.