
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/
Pjesa I
Lufta e Dibrës në sfondin historik
105-vjetori i Luftës së Dibrës shënon një ngjarje të madhe përkujtimi, por dhe zhvillim të vlerave të historisë e të traditës tonë kombëtare. Festimi i këtij jubileu nuk është thjesht një cermonial, apo një borxh nderimi për paraardhësit tanë dhe veprën e tyre. Është më tepër se kaq. Lufta e Dibrës e cila u zhvillua për liri, pavarësi dhe sovranitet, u jetësua në betejat popullore të luftëtarëve në nëntë malet e Dibrës, kundër një ushtrie të huaj e të organizuar me ambicje të njohura pushtuese ndaj Dibrës dhe Buqizës që ndodhej në “vijën strategjike”, dhe në saj të vendimmarrjes së burrave të shquar dibran, bëri të mundur dhe ja zbardhi faqen Shqipërisë, duke mundur një mbretëri dhe Fuqi të Mëdha që qëndronin pas saj. Në Luftën e Dibrës morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakterin e një lufte ballore, që dëshmonte për ndryshime në përmasa, në organizim të veprimeve luftarake, si dhe të disa dukurive të shfaqura të artit ushtarak shqiptar. U krijua kështu një front i gjerë lufte kundër ushtrisë serbe, që përbënte dhe tiparin kryesor të saj.
Në udhëheqje të Luftës së Dibrës dolën përfaqësues të patriotizmit, njerëz fisnikë, të kamur në pasuri, drejtues të organizimeve ushtarake, si dhe atdhetar të qytetit dhe të fshatit. Kjo dukuri në udhëheqje, organizim, drejtim dhe plotësime të tjera detyrave luftarake çlirimtare përbënte një tipar të ri, që dëshmonte për ndryshimet cilësore të ndodhura në zhvillimin e luftës së armatosur. Për vet nismën, si dhe të shtrirjes në hapësirë të kufizuar gjeografike të saj, lufta ngeli e karakterit lokal, kundër armikut të Shqipërinë, Serbisë pushtuese. Gatishmëria e bashkëpunimi ndërmjet zonave të pushtuara të krahinës, gradualisht solidariteti ndërmjet popullsisë të gjithë treveve, tregoi se procesi i bashkimit të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme. Ndryshime u vunë re dhe në aspektin organizativ të kësaj lufte. Dolën në skenë forma organizative demokratike. U organizuan kuvende, mbledhje, pleqësi dhe kuvendime me luftëtarët, disa prej këtyre formave kishin qenë dhe më parë, por morën një përmbajtje të re. Shpejt lëvizja e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe mori karakter përbashkues ndërkrahinor. Qarqet patriotike shqiptare vlerësuan qëndresën e popullsisë së krahinave të pushtuara ndaj kësaj politike shoviniste e armiqësore, si një përpjekje e armatosur patriotike me rëndësi kombëtare.
Çetat ishin bashkime të luftëtarëve
Në Luftën e Dibrës u manifestua shpirti luftarak i luftëtarëve, por dhe i popullit patriot të saj. Zgjimi i masave popullore të fshatit dhe të qytetit në vitet 1918-1920 ishte një nga dukuritë kryesore që i dhanë Luftës së Dibrës karakter luftarak dhe rritje të frymës patriotike. Nga pikpamja e organizimit ushtarak, formacionet luftarake, çetat ishin bashkime të luftëtarëve të fshatrave dhe të krahinave me lidhje të përkohshme dhe me përbërje të thjeshtë. Një fshat ose lagje qyteti formoi një çetë prej disa dhjetra luftëtarësh deri në ndonjë rast edhe mbi njëqind. Në vartësi të numrit të shtëpive (familjeve), një krahinë formoi disa çeta, të cilat bënë një forcë të madhe me luftëtarë.
Lufta e Dibrës për vet kushtet në të cilat lindi dhe u zhvillua në pushtimin e një pjesë të territorit të gjithë vendit, lëvizje e nisur në bazë dhe e mbështetur nga qeveria e Sulejman Delvinës, shënoi një shkallë të lartë të lëvizjes çlirimtare kundër ushtrisë serbe, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në mbushjen e radhëve të luftëtarëve, e sidomos në drejtim operativ e luftarak të saj. Qeveria e Sulejman Delvinës e vlerësoi armikun që vinte nga kjo anë, por në kushtet konkrete mendoi të mos hynte në konflikt të hapur me shtetin serb, ajo shpresonte që të arrihej një zgjidhje e dëshiruar me ndërhyrjen e diplomacisë europiane.
Lufta e Dibrës edhe pse me një brumë njerëzor, jo ushtarak, por vullnetarë (luftëtarë) dhe ka zënë një vend në studimin e Artit Ushtarak Shqiptar. Dukuritë lidhen me njëri-tjetrin. Ato janë sa ushtarake aq dhe politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. Në këto kushte para popullsisë dibrane dilte nevoja që të organizonte rezistencën e armatosura. Deri tani gjithë veprimtaria qe kufizuar në kundërshtimin me armë të armikut në fshatrat Arras, Vajkal e Steblevë si rezultat i së cilës u konkretizua një Vijë fronti në Dibër të Poshtme që nga Ura e Dodës e deri te Ura e Topojanit për së gjati lumit Drin i Zi, në Bulqizë për së gjati Zallit të Murës e deri te Kulla e Shabës, kurse në Gollobondë për së gjati Zallit të Okshtunit e në Shkallë bë Borovës, në pritje të çastit të përshtatshëm për t’u hedhur në sulm.
Tiparet që u manifestuan gjatë organizimit
Më poshtë po japim disa nga tiparet që kjo luftë manifestoi gjatë gjithë organizimit dhe zhvillimit të saj, deri në fitore: Lëvizja patriotike e kohës e kuptoi shpejt ndërgjegjen e popullit dhe përcaktoi si të vetmin shpëtim, fuqitë e veta. Shoqëritë patriotike të ngritura në krahinë, të analizuara më parë, pati besim në mundësitë dhe forcat e tyre, duke u mbështetur në supet e bijëve të vet, u ngritën në luftë kundër një ushtrie të armatosur, siç ishte ushtria italiane. Në këtë luftë spikatën dhe u manifestua vullneti, qëndrueshmëria dhe rezistenca e një krahine të pushtuar.
Tipar dallues i Luftës së Dibrës ishte masiviteti dhe vullnetarizmi. Fshatarët u organizuan në çeta siç ishte çeta e katundit Vajkal e komanduar nga Mehmet Duriçi, që ruanin territorin ditë e natë dhe kundërshtonin përpjekjet e armikut për të kapërcyer kufirin strategjik. Përpjekjet e bëra prej serbëve në zonën e Gollobordës për të zënë Qafën e Dërstilles, mbi fshatin Zabzum, pësuan disfatë të plotë përballë qëndresës së forcave shqiptare.
Parimi i pjesëmarrjes ose i mobilizimit për luftë ishte vullnetarizmi që mbështetej në zakonet dhe traditat popullore, sipas të cilëve “çdo derë” (shtëpi) nxirrte nga një luftëtar. Çdo njësi e banuar, fshat, lagje qyteti, krahinë etj., do të nxirrte çetën e grupit të vet me një numër përafërsisht të përcaktuar luftëtarësh. Zakoni po merrte formën e detyrimit të pakundërshtueshëm. Mobilizimi i forcave kryengritëse u bë mbi baza vullnetare. Patriotët dibranë, me qëndrim në Tiranë, sidomos deputeti Ramiz Daci, patrioti Ramiz Dibra etj., iu drejtuan qeverisë së Tiranës e kërkuan që të bëhej organizimi i administratës civile të prefekturës së Dibrës. Kështu nga fundi i muajit korrik 1920 në fshatin Arras të Peshkopisë u vendos administrata e krahinës me prefekt Ramiz Dibrën. Administrata e vendosur mbante lidhje me krahinat e pushtuara dhe bënte pregatitje për luftën e armatosur. U arrit të lidhej një “besë e përgjithshme” në të gjithë krahinën që gjithë vëmendja të drejtohej kundër pushtuesit.
Si rregull para nisjes së luftës mblidhej një kuvend krahinor ose ndërkrahinor i cili shpallte vendimet dhe përcaktonte qëllimin dhe etapat përkatëse të luftës, masat organizative, detyrat, numrin e forcave dhe detyrimin për çdo fshat e krahinë, zgjidhte prijësat apo drejtuesit e luftës. Autoriteti i Këshillit të Prefekturës u rrit shumë. Krahas tij u krijua dhe komanda ushtarake nën drejtimin e Elez Isufit. Kjo komandë mori në shqyrtim dislokimin e forcave armike dhe caktoi zonën e luftimeve për çdo repart fshatarësh në sulm ose në prapavijë të armikut. Ushtria serbë që vendosur në pikat më dominuese të krahinës. Të gjashtë batalionet e vendosura në Dibrën e Poshtme, shtabin kryesor e kishin në Kodrat e Llasenit, në jug të Peshkopisë. Forcat ushtarake ishin shpërndarë në këto vende: në Majë të Llogorit, te Lisat e Tnenës, në Smollaviç, në Kodër të Bullgarit, në Qafë të Kërnelit, që të gjitha në territorin e fshati Dohoshishtë. Më nga veriu e nga verilindja ishin vendosur në Gjarica të Brezhdanit, në Kodër të Kabe, në Pasma të Kishavecit, në Ostësh të Laçes, në Kodër të Kshtejës të katundit Kastriot, në Salbatër të Fushalies, në Shkeka të Shumbatit dhe në Kala të Dodës.
Strategjia ushtarake dhe organizimi ushtarak
Strategjia ushtarake e kësaj lufte e mbështeti dhe e përshtati organizimin ushtarak në traditën popullore luftarake të trashëguar duke i dhënë përmbajtje bashkëkohore krijimit të çetave të fshatrave dhe të krahinave, si dhe të Komiteteve të “Mbrojtjes Kombëtare”. Këto dukuri të thjeshta, mbështetur në frymën atdhetare të popullit ju përgjigjën forcave, mjeteve e mundësive në plotësimin e detyrave të rëndësishme luftarake. Ato siguruan shpejtësi në mobilizimin, lehtësi në veprimet taktike dhe mundësi për të përdorur metoda të luftës tradicionale dhe të luftës me front të rregullt, që kushtëzonte karakteri deri i fortifikuar i garnizoneve armike.
Forcat kryengritëse nga fshati Arras më 13 gusht 1920 i dërguan një ultimatum komandës së ushtrive serbe ku kërkohej që brenda 24 orëve të tërhiqeshin në kufirin e 1913, por serbët nuk pranuan. Atëherë sipas planit të përpunuar që më parë, u vendos të sulmohej ushtria armike e përqëndruar në “Shkeka të Shumbatit” e pastaj në të gjitha vendet e tjera. Sulmi do të kryhej nga forcat e Ujë e m’ujës dhe të Reç e Dardhës nën komandën e Suf Xhelilit, nipit të Elez Isufit, të cilëve do t’u shkonin në ndihmë forcat e Arrasit. Pozita natyrale favorizuese e Kodrinës së Shkekës ishte e tillë që paraqiste vështirësi shumë të madhe për ta sulmuan malësorët nga çdo anë që të ndërmerrnin veprimin do të gjendeshin të zbuluar nën zjarrin e armëve serbe.
Ndërsa ushtria serbe ishte e fortifikuar në transhe të thella, pozicionet (nozullimet) ishin futur në tokë dhe pozicionet kryesore ruheshin nga disa prita të avancuara në pararojë dhe praparojë të tyre. Në këtë pikë dominuese ishin vendosur dhe katër topa me rreze veprimi të gjatë. Marrja e kësaj pozite ishte vendimtare për kryengritjen, prandaj edhe sulmi i saj u studiua dhe u përgatit me shumë kujdes. Në radhë të parë u vendos që të sulmoheshin natën pikat e avancuara që kështu t’i afroheshin fshehurazi sa më shumë objektivit. Forcat e Ujë e M’ujës, nën komandën e vetë Suf Xhelilit zunë postën serbe në katundin Shumbat duke i sulmuar në befasi; ata dollën kështu pa as më të voglën zhurmë Shkekës në verilindje. Forcat e Reç Dardhës likuiduan postën në krah të Zall Kalisit dhe iu afruan në heshtje Shkekës nga veriperëndimi. Ndërsa në mëngjez u dha sinjali i sulmit. Luftëtarët duke i mashtruar serbët me sulme fiktive, me britma të fuqishme “o besa besë” e me të shtëna me armë iu afruan shumë pozicioneve armike. Zjarri i armikut ishte shumë i dëndur, si dhe terreni mjaft i disfavorshëm, megjithatë sulmuesit, nuk e ndalën përparimin e tyre drejt llogoreve armike.
Fill pas sulmit në Shkeka filloi edhe sulmi në Arras, Fshatarët e Çidhnës e një pjesë të Dardhës i udhëhiqte Elez Isufi. Sipas planit të vendosur të luftimeve, luftëtarët të veshur, kaluan lumin Drini i Zi dhe, nën goditjen e artilerisë serbe, përshkuan me vrap Fushalien dhe u ndanë në dy drejtime: një pjesë mësynë Salbatrën, nën Shkeka të Shumbatit dhe një pjesë u drejtuan kah Ostushi në jug. Forcat që mësynë Salbatrën me shpejtësi i detyruan forcat armike të tërhiqen dhe pastaj u drejtuan për në Shkeka.
Ushtria serbe në Shkeka të Shumbatit bëri një qëndresëtë dëshpëruar, por sulmi i fshatarëve dibranë qe i rrufeshëm. Në shumë pika u kalua në luftim trup me trup me armikun brenda llogoreve të tij. Ushtrinë serbe e zu paniku dhe u vu në ikje pasi la mbi 1.000 vetë rob e të vrarë. Trimëri të jashtëzakonshme tregoi luftëtari Osman Tahir Paci, i cili ra dëshmor. Aktet heroike të luftëtarëve ngjallnin kurajo e mobilizim në radhët e fshatarëve.
Me sukses përfundoi edhe sulmi i forcave të Muhërrit dhe të fshatrave rreth Kastriotit kundër “Çapit të Brezhdanit” pas të cilit u pushtua “Gjanica”. Armiku nuk u la i qetë dhe në prapavijat e tij. Forcat serbe në Kodër të Kabe u detyruan të tërhiqen në drejtim të Zimurit, ku u likuiduan plotësisht. Në këtë pritë u shqua luftëtari Melaim Kulemam, i cili vrau disa ushtarë dhe më në fund ra edhe vetë dëshmor i Atdheut.
Faktori moral, si faktori tradicional i popullit shqiptar në të shkuarën, u shpreh në një shkallë më të lartë dhe u materializua në gatishmërinë e popullit kryengritës, në forcën shpirtërore për të duruar të gjitha privacionet e luftës, në vendosmërinë për të luftuar me një armik mjaft të madh në forca e mjete e në heroizmin masiv u bë faktori themelor i fitores. Epërsia e faktorit moral të forcave kryengritëse ndikoi edhe në thellimin e mëtejshëm të krizës morale të forcave pushtuese. Ky faktor i rëndësishëm kompesoi në një shkallë të caktuar edhe inferioritetin në forca e mjete të forcave kryengritëse dhe u siguroi atyre fitoren në fushën e luftës së armatosur. Lufta e Dibrës dëshmoi edhe një herë vlerën morale se luftën nuk e fitojnë ata që kanë shumë armë, topa dhe vegla të luftës, Ushtria serbe, që ishte përqëndruar në Kodër të Pollozhanit, nën goditjen e fshatarëve, u detyrua të ikë drejt malit Skërtec, por u likuidua gati e tëra nga prita që i bëri fshati Rabdisht. Goditje e fortë ju bë ushtrisë serbe të dislokuar në afërsi të qytetit të Peshkopisë dhe veçanërisht shtabit serb në Kodrinat e Llasenit. Sulmin e filluan fshatarët e Dohoshishtit dhe të Grevës, dhe e vendosën armikun midis ry zjarresh. Në ndihmë të tyre shkuan edhe fshatarë të tjerë. Pas një lufte, që zgjati disa orë, serbët u tërhoqën në panik dhe lanë në duart e shqiptarëve topat, mitralozët dhe mjaft të vrarë e robër. Mësymja e armikut në Dibër të Poshtme u pasua nga sulmet kundër Vajkalit e Steblevës. Në fund të datës 15 gusht 1920 serbët u zbuan përtej kufirit të 1913-s duke lënë disa qindra të vrarë, shumë robër, mjaft armë e municione, të gjitha topat, disa dhjetëra mitralozë, etj. Edhe pse armiku kishte ushtri e armatime të panumërta, forcat kryengritëse mundën të arrinë suksese, në radhë të parë, në saje të vendosmërisë së tyre. Nga ana taktike kryengritësit zbatuan me sukses sulmet e rrufeshme, goditjen natën, tërhoqën vëmëndjen e armikut me sulme fiktive dhe vepruan njëkohësisht edhe në prapavijat e armikut, si brenda kufirit të 1913-s edhe jashtë këtij kufiri për qëllime zbulimi. Kryengritësit shqiptarë vendosën lidhje me forcat e armatosura maqedone, të cilët kundërshtonin politikën serbomadhe.
Përqëndrimi i forcave dhe mjeteve kryesore në drejtimet kryesore mbeti një tipar karakteristik, në kushtet konkrete duke ju përgjigjur forcave dhe mjeteve të armikut, me mundësit dhe aftësitë e tyre në shfrytëzimin e terrenit në përballimin dhe mposhtjen e kundërshtarit. Ndaj strategjia ushtarake duke vlerësuar drejt armikun dhe forcat e tij, i përqëndroi forcat kryesore Pjesëmarrja masive e popullit në luftë ishte faktor vendimtar e më shumë rëndësi për suksesin në lëmin ushtarak. Menjëherë në qytetin e Peshkopisë u vendos administrata e prefekturës me Ramiz Dibrën në krye. Forca mbështetej në një ushtri shumë të kufizuar dhe në gatishmërinë e fshatarëve kryengritës për të vazhduar luftën në mbrojtje të kufirit të 1913-s. Ndër detyrat më urgjente që i doli administratës ishte ruajtja e kufirit. Këtë detyrë e morën përsipër vullnetarisht fshatarët duke u vendosur në pika të ndryshme. Administrata e prefekturës, për mungesë organizative, u gjend në vështirësi të mëdha për të përballuar situatën e re. Gjithashtu edhe Qeveria e Tiranës nuk kishte mundësi që të dërgonte forca ushtarake për sigurimin e kufirit.
Qarqet shovinisbe serbe përgatitën forca të shumta ushtarake dhe nga fundi i muajit gusht 1920 sulmuan gjatë gjithë vijës së kufirit me mbi 40 batalione me ushtarë, të pajisura me armë nga më të rëndat që dispononin. Ushtritë serbe ndeshën me qëndresën e fshatarëve dhe sulmi armik u praps për tri ditë rresht. Disa qindra fshatarë, me pak fishekë, të vendosur që ta mbronin me çdo kusht kufirin e Atdheut, u bënë ballë heroikisht ushtrive të panumërta serbe.