Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Shkrimtarja, gazetarja dhe skenaristja e filmave dokumentarë Svjetllana Aleksijeviç, me baba bjellorus dhe me nënë ukrainase, ka lindur më 31 maj 1948 në qytetin Stanisllav të Ukrainës, i cili pas vitit 1962 është riemërtuar Ivano-Frankovsk. Ka punuar si mësuese e historisë dhe e gjuhës gjermane. Ajo u bë shumë e njohur me librat që pati shkruar në gjininë e prozës artistike-dokumentare.
Libri i parë i saj titullohet “Lufta nuk ka fytyrë femre”, të cilin e pati shkruar në vitin 1983. Kjo novelë dokumentare, e bazuar në regjistrimin e rrëfenjave të grave pjesëmarrëse në luftën kundër agresionit hitlerian, qe botuar për herë të parë në revistën “Tetori” (Oktjabr) në vitin 1984. Një pjesë të atyre rrëfenja-kujtimeve censura i pati flakur nga libri, sepse autoren e akuzuan për pacifizëm, për natyralizëm dhe për errësim të figurës heroike të gruas sovjetike. Në botimet e mëvonshme, pjesët e hequra u rivendosën në libër. Në vitin 1985 libri doli nga shtypi si botim më vete, njëhohësisht në disa shtëpi botuese, me një tirazh të përgjithshëm që arriti në dy milionë kopje në fund të viteve ’80.
Libri i dytë titullohet “Dëshmitarët e fundit: një libër rrëfenjash jo për fëmijë”. Doli nga shtypi në vitin 1985 dhe në botimet në vijim qe titulluar sipas varianteve të nëntitullit “Solo për zëra fëmijësh”, “Njëqind këngë djepi jo për fëmijë”. Për krijimin e kësaj vepre, autorja është mbështetur në kujtimet e viteve të luftës të atyre që e patën përjetuar atë në moshën e fëmijërisë.
Libri i tretë, me titull “Çunat prej zinku” u botua në vitin 1989. Në të pasqyrohen rrëfenja për agresionin e trupave sovjetike në Afganistan, të cilat përcillen me fjalët e nënave që humbën bijtë e tyre në atë luftë.
Libri i katërt që mban titullin “Të yshtur nga vdekja”, e pa dritën e botimit në vitin 1993. Ai i kushtohet problemit të vetëvrasjeve që lindi në epokën e ndryshimeve të theksuara sociale në ish-Bashkimin Sovjetik.
Në vitin 1997 shkrimtarja u dhuroi lexuesve librin e pestë me titull “Lutje (falje) për Çernobilin”. Kjo vepër ka në themel biseda me dëshmitarë të katastrofës së Çernobilit.
Në vitin 2013 shkrimtarja nxori nga shtypi librin “Koha second hend”, në të cilin trajton problemin e ndikimit të historisë së vendit mbi vetëdijen e qytetarëve dhe, më konkretisht, formimin e dukurisë së “njeriut sovjetik”.
Të gjitha veprat e shkrimtares Svjetllana Aleksijeviç formojnë ciklin “Zërat e utopisë”. Ajo po e vazhdon punën për këtë cikël.
Këtu do të ndalem shkurtimisht në veprën e parë të saj “Lufta nuk ka fytyrë femre”. Për krijimin e kësaj vepre, autorja ka pyetur më shumë se 800 gra që patën marrë pjesë në frontet e luftës. Pikërisht mbresat e tyre janë përfshirë në këtë libër. Pas botimit të librit, autores filluan t’i vinin letra edhe nga meshkuj që kishin qenë në vijën e parë të fronteve të luftës.
Në librat që i janë kushtuar viteve të luftës, në Bashkimin Sovjetik përshkruhen akte heroike që kanë kryer meshkujt. Ndërkohë, në operacionet ushtarake të ushtrisë sovjetike patën marrë pjesë më shumë se 1 milion gra dhe vajza, po kaq patën marrë pjesë në ilegalitet dhe në çetat partizane. Ato kanë qenë pilote dhe snajperiste, mitraliere dhe zenitare. Pas përfundimit të luftës, shumë prej tyre iu desh ta mbanin të fshehtë pjesëmarrjen në frontet e luftës, meqenëse konsiderohej se gratë në ushtri paskëshin qenë mendjelehta në marrëdhëniet me meshkujt.
Në parathënien e librit, autorja shkruan:
“Meshkujt flisnin për akte heroike, për zhvendosjen e fronteve dhe për komandantët ushtarakë, kurse gratë flisnin për tjetër gjë: për faktin se sa e tmerrshme ishte të vrasje për herë të parë, pas betejës të ecje nëpër një fushë, ku dergjeshin kufomat e të vrarëve. Ata dergjeshin, të shpërndarë gjithandej, si puna e patateve. Të gjithë në moshë të re dhe të vinte keq për të gjithë, qofshin ata gjermanë apo qofshin tanët, ushtarë rusë. Pas luftës, gratë duhej të përballonin edhe një tjetër luftë. Ato i mbanin të fshehura ditarët e luftës, dëshmitë e veta për plagët që kishin marrë, sepse duhej të mësonin përsëri për të buzëqeshur, për të ecur me taka të larta dhe për të dalë te burri. Kurse meshkujt i patën harruar shoqet e tyre të kohës së luftës, i patën prerë në besë. Ua patën grabitur Fitoren. Nuk e ndanë bashkë me to”.
Kryeredaktori i librit shkruan:
“Neve na dukej sikur fjalët për të vërtetën do të shërbejnë jo vetën si një nderim në kujtim të të gjithë atyre që nuk patën fatin të jetojnë në atë kohë të lemerishme, por do të jenë edhe si një kundërhelm ndaj gënjeshtrës së madhe, ndaj fjalëve bombastike dhe ndaj patriotizmit të paqenë, të cilat sot janë edhe më të shumta sesa në vitet e rinisë sime. Ne do të dëshironim që njerëzit, të cilët çirren me fjalët “Po të jetë e nevojshme, do ta përsërisim”, të lexojnë se si ushtarakët e vijës së frontit e kanë përshkruar përvojën e vet ushtarake. Betohem për fjalë të nderit që ata nuk dëshironin ta përsërisnin” (Citohet sipas: Sergei Kuznjecov: “Nga libri i ndaluar i Aleksijeviçit”. Marrë nga faqja e internetit “Gordon”. 10 maj 2015).
Në vazhdim do të jepen disa fragmente nga libri, të cilat censura nuk i pati lejuar të përfshiheshin në të:
Fragmenti i parë
“Unë kam shkruar për faktin se si pata shkuar të takoj një ish-partizane… E rënduar nga shëndeti, por grua e bukur ende, ajo më rrëfeu se si grupi i tyre (ajo ishte më e madhja dhe kishte me vete edhe dy çuna të moshës së pararinisë) kishte dalë për zbulim dhe rastësisht kishte kapur rob katër gjermanë. Bashkë me ta qenë endur nëpër pyll për një kohë të gjatë. Por në mbrëmjen e ditës së tretë, ata u gjendën të rrethuar. Ishte e qartë se me robërit gjermanë me vete, ata nuk do ta çanin dot rrethimin, nuk do të largoheshin dot. Dhe në këto përsiatje e sipër, merret një vendim: robërit duhen vrarë. Çunat s’janë në gjendje t’i vrasin: ata kanë tri ditë që po enden së bashku nëpër pyll dhe të jesh tri ditë me dikë pranë, qoftë ky edhe një njeri i huaj, prapëseprapë mësohesh me të, ai të bëhet i afërt, ti mëson se si ai ha, se si fle, çfarë sysh dhe çfarë duarsh ka. Jo, çunave s’u bën dora t’i vrasin. Këtë ajo e ka të qartë. Kjo do të thotë se i mbetet asaj për t’i vrarë. Dhe në këto fjalë e sipër, ajo sjell në kujtesë se si i pati vrarë. Iu desh t’i mashtronte të dyja palët: edhe çunat, edhe gjermanët. Me njërin nga gjermanët ajo shkoi gjoja për të marrë ujë dhe e qëlloi nga prapa. Pas kokës. Tjetrin e mori me vete për të mbledhur shkarpa… Përjetova një tronditje të thellë nga mënyra se si ajo rrëfente me qetësi për gjëra të tilla”.
Fragmenti i dytë
“Ne ramë në rrethim… Bashkë me ne ndodhet edhe komisari Lunin. Ai na lexoi urdhrin, sipas të cilit ushtarët sovjetikë nuk dorëzohen. Në mesin tonë, siç ka thënë shoku Stalin, nuk ka robër, ka tradhtarë. Çunat nxorën pistoletat… Komisari dha urdhër: “Jo. Jetojeni jetën, djema, ju jeni të rinj”. Dhe ia hoqi vetes”.
Fragmenti i tretë
“Po vazhdojmë sulmin… U dukën fshatrat e para gjermane. Ne, të rinj hesapi. Të fuqishëm. Katër vjet pa rënë në femra. Nëpër bodrume ka fuçi me verë. Ka meze. Kapim vajza gjermane dhe i… Dhjetë nga ne përdhunuan njërën… Femrat nuk na mjaftonin, popullsia kishte marrë arratinë nga sulmi i ushtrisë sovjetike. Mbërthenim vajza të reja. Njomëzake… Dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeçe… Nëse ndonjëra qante, e zhdëpnim në dru, i rrasnim diçka në gojë. Ajo kishte dhimbje, kurse ne shkriheshim gazit. Tani unë s’po e kuptoj se si mundja të… Çun me prejardhje nga një familje intelektuale. Por i tillë kam qenë. E vetmja gjë që na bënte të druheshim, ishin vajzat tona, nuk donim që ato ta merrnin vesh. Infermieret tona, gjithashtu. Nga ato na vinte turp”.
Fragmenti i katërt
“Shumë nga ne besonin… Mendonim se pas luftës do të ndryshojë çdo gjë… Stalini do t’i besojë popullit të vet. Por lufta s’kishte përfunduar ende, kurse trenat e ngarkuar me njerëz morën drejtimin për në Magadan. Trenat e mbushur me fitimtarë… Arrestonin ata që kishin rënë robër, që kishin arritur të mbijetonin nëpër kampet gjermane, ata që gjermanët i patën çuar në fronte pune, të gjithë ata që kishin parë Evropën. Se të gjithë këta mund të rrëfenin se si jeton populli atje. Pa komunistë. Si janë shtëpitë dhe si janë rrugët atje. Se kolkoze atje nuk gjen askund. Pas Fitores të gjithë e mbyllën gojën. Rrinin në heshtje dhe kishin frikë. si para luftës…”.
Fragmenti i pestë
“Më thirrën në shkollë… Një mësuese e kthyer nga evakuimi po bisedonte me mua:
– Dua ta çoj djalin tuaj në një klasë tjetër. Në klasën time mësojnë nxënësit më të mirë.
– Po im bir të gjitha notat i ka “shkëlqyeshëm”.
– Kjo nuk ka rëndësi. Çuni ka jetuar në një zonë të pushtuar nga gjermanët.
– Ashtu është. Ne kemi hequr kusure.
– Nuk e kam aty fjalën. Të gjithë ata që kanë qenë në zona të okupuara… Për këta njerëz ka dyshime. Prandaj edhe ju…
– Çfarë? S’po marr vesh asgjë…
– Ne nuk jemi të sigurt për zhvillimin e duhur të djalit tuaj. Ja, atij i merret goja…
– E di. E ka nga frika. Atë e pati rrahur një oficer gjerman që banonte në apartamentin tonë.
– E shikoni… po e pranoni vetë… Ju keni banuar me armikun pranë…
– Po kush na e lejoi këtë armik që të na vinte deri te portat e Moskës? Kush na braktisi neve këtu, së bashku me fëmijët?
Mua po më kapte histeria. Dy ditë isha në ankth se mos mësuesja më denonconte. Por ajo nuk ma largoi tim bir nga klasa…”.
Në krejt përmbajtjen e këtij libri, përcillen mesazhe tronditëse për natyrën egërane të sistemit komunist në Bashkimin Sovjetik, i cili me dogmat e tij paradoksale kërkonte ta shpërfytyronte personalitetin e njeriut. Pikërisht edhe këto mesazhe kanë qenë tepër bindëse për jurinë, e cila më 08 tetor 2015 i akordoi Çmimin Nobel për letërsinë zonjës Svjetllana Aleksijeviç.
Veprat e Svjetllana Aleksijeviçit janë përkthyer në anglish, në frëngjisht, në gjermanisht, në suedisht, në polonisht, në kinezisht, në norvegjisht etj. Tirazhi i përgjithshëm i botimeve të huaja të librit që i kushtohet katastrofës së Çernobilit, pati arritur në më shumë se katër milionë kopje.
Tiranë, 15 tetor 2015
Kole Juncaj says
shoku Ismail Kadare duhet patjeter te konsultohet me Svijetllanen Aleksijevic ti ekzaminoj shkrimet e saj dhe te tjere Nobelistave boteror qe te mesoj si duhet shkruar per ta fituar Nobelin.