NGA MELSEN KAFILAJ/ Dielli
Eseisti, lektori dhe filosofi i madh amerikan Ralph Waldo Emerson në njërën prej letrave drejtuar një mikut të vet i jepte këtë porosi: “Nëse takon një njeri me intelekt të rrallë, mos harro kurrë që ta pyesësh se çfarë librash lexon.”(Emerson 2010:93)
Fatmirësisht, ne e kemi këtë njeri me intelekt të rrallë midis nesh.Them “midis nesh” pasi ka lënë pas jo vetëm emrin dhe veprën e vet por edhe kabinetin e tij magjik; bibliotekën e tij.Mjafton ti hedhësh një sy kësaj biblioteke dhe e kupton vetvetiu që Faik Konica jo vetëm që ishte një bibliofil me sqimë por gjithashtu edhe një kuvendues ideor me veprat më të shquara të njerëzve të kohërave të shkuara dhe asaj të vet.Një prej këtyre kuvenduesve të thellë është padyshim edhe sociologu, filosofi dhe histografi i madh islamik i Shek.XIV, Ibn Khaldun.
Për mua qe një befasi e këndshme teksa zbuloja në bibliotekën Koniciane edhe 2 vëllime prej veprës së shquar të Ibn Khaldun, e titulluar “Al Muqaddima” (Një hyrje e shkurtër). Ai Ibn Khaldun i cili studiohet sot fuqishëm në Harvard, Leiden, Oxford, Cambridge, etj dhe që ndikon me konceptet e tij edhe pas 600 vjetësh dijetarët bashkëkohorë (ndër të cilët Jacques Attali më i fundit), s’ke sesi të mos habitesh që Konica ynë erudit e lëçiste qysh në vitet 30-të…Fatkeqësisht, po i njëjti Ibn Khaldun- një intelektual i munguar në universitetet shqiptare, madje edhe në Erën e Njohurive dhe Informacionit, në këmbë-shpejtin Shek.XXI…
Por çfarë mund të thuhet më tej për këto volume?! Vlen të theksojmë se ato janë një përkthim nga origjinali i “Al Muqqadima”-s në frengjisht (“Les Prolégomènes D’Ibn Khaldoun”) prej Orientalistit Irlandez Baron Dé Slane përgjatë viteve 1863-1868.Vepra është në 3 vëllime dhe u botua gjithashtu prej tij.Në bibliotekën personale të Konicës fatkeqësisht ndodhen vetëm 2 prej tyre; Vëllimi I dhe Vëllimi II.(Vëllimi III mungon.) Këto 3 vëllime (hard-cover) i përkasin një edicioni të mëvonshëm, të botuar në Paris prej “Librairie Orientale Paul Geuthner” përgjatë viteve 1934-1938 dhe kanë respektivisht secili 486 faqe (Vol.I), 493 faqe (Vol.II) dhe 571 faqe (Vol.III)
Konica kishte një kërshëri të ndezur dhe ishte një njeri me interesa të gjera kulturore.Nëse do të citonim Umberto Eco-n:“Ai jetonte për librat!” Po ashtu si Atdheu i tij, Shqipëria edhe biblioteka personale ishte një “cultural bridge” mes Lindjes dhe Perëndimit.Krahas veprës së përmëndur më sipër, disa vepra të tjera gjëndur në këtë bibliotekë që rrëfejnë për interesin e tij mbi Orientalistikën janë edhe “Arabia before Muhammad” e De Lacey O’Leary, “History of the Jews” e Heinrich Graetz, “The Founder of Modern Egypt” e Henry Herbert Dodwell të SOAS (një vepër kjo dedikuar “Luanit të Egjiptit”, Muhamed Aliut) apo edhe “Babilonian Life and History” e Sir E. A. Wallis Budge.Një detaj i fundit që më la mbresë nga Biblioteka Koniciane qe edhe “Ex Libris”(Lat), dmth “Nga librat”.Po.Konica kishte të drejtë: Ne bëhemi nga Librat!