NGA ILIR HASHORVA/ New York/
Tashmë po bëhet si rrugë që persona me rëndësi të bëjnë autobiografinë përmes intervistash në televizor, në të cilat gazetarët bëjnë pyetje komode, që në shumicë i kanë përgatitur plotësisht apo pjesërisht vetë të intervistuarit në atë mënyrë që ta nxjerrin sa më të pastër dhe sa më të vlefshme veten e tyre. Kjo ndodhi këtë herë edhe me intervistën që Nexhmie Hoxha i dha Rudina Xhungës. Duke lënë mënjanë llojet e pyetjeve shumë të rehatshme për Nexhmien si dhe formulimin e tyre gjuhësor të Rudina Xhunglës, të cilat, në përgjithësi, lënë shumë për të dëshiruar, po merremi vetëm me një pyetje, ndonëse pa rëndësi, por precize të gazetares dhe me përgjigjen koncize, por shumë të diskutueshme të të intervistuarës.
Pyet Rudina: Sa libra kishte biblioteka e Enver Hoxhës?
Përgjigjet Nexhmia: Kishte nja 45 mijë libra.
Një që ka blerë një bibliotekë dhe ka vendosur aty më shumë xhingla sesa libra, që e ka blerë bibliotekën më shumë për të treguar se edhe ai është njeri i librit, me siguri mbetet ngushtë kur dëgjon se Enveri kishte aq shumë libra. Një tjetër që librin nuk e ka ndarë nga dora gjatë gjithë jetës, qoftë për profesion e qoftë për kulturë, i cili ka në bibliotekën e tij libra qoftë të vetat e qoftë të trashëguara nga prindërit, dhe kur sheh se, megjithatë, në bibliotekën e tij nuk ka më shumë se 400-500 libra, e sheh me dyshim përgjigjen e Nexhmies. Dhe vërtet ai numër i madh librash që Nexhmia pretendon se ka pasur biblioteka e Enver Hoxhës të habit dhe të bën të dyshosh.
1. Çdo të thotë për një person që të ketë në bibliotekën e tij 45 mijë libra, nisur nga mundësia e leximit të tyre?
Kuptohet, në bibliotekë Enveri nuk kishte libra përrallash a vjershash të tipit “Vrima”, por libra të një cilësie të lartë nga autorë seriozë. Të kesh 45 mijë libra dhe t’i lexosh ato, sepse Enveri besoj se nuk i mbante ato për zbukurim, do të duhet një kohë më e gjatë se vetë jeta. Në një libër me përmasa mesatare dhe me vështirësi mesatare përmbajtjeje, njeriu lexon jo më shumë se 15 faqe në orë dhe për të lexuar një libër mesatar prej 300 faqesh, i duhen rreth 20 orë. Që të lexojë 45 mijë libra me nga 300 faqe secili, njeriut i duhen rreth 900 mijë orë. Duke marrë parasysh se një vit ka 8760 orë, për të lexuar librat e bibliotekës, Enverit do t’i duheshin 102 vjet, me kusht që as të mos hante, as të mos pinte, as të mos flinte, as të mos drejtonte punët e partisë, as të mos i shkruante letra shokëve për trajtimin e armiqve të popullit, as të mos i shkruante letra dashurie Nexhmies (pa le më të zhytej në veprime erotike), as të mos dilte për gjah, as të mos lexonte letrat e popullit, pra të mos bënte gjë, veç të lexonte. Është e pamundur, ndonëse, duhet pranuar se midis librave ka edhe nga ata që nuk lexohen nga fillimi në fund si, për shembull, fjalorë, albume, fjalorë enciklopedikë, apo enciklopedi.
2. Çdo të thotë për një person që të ketë në bibliotekën e tij 45 mijë libra, nisur nga mundësia për t’i vendosur ato?
Dyzet e pesë mijë librat, duke marrë parasysh se një libër mesatar ka një trashësi prej 2.5cm, për t’i vendosur në radhë njëri pas tjetrit, kërkojnë një vend me gjatësi prej 1125 metrash, pra mbi një kilometër. Për të shfrytëzuar lartësinë dhe pakësuar gjatësinë e vendit, kur librat janë mesatarisht të larta rreth 25cm dhe vendosen njëri mbi tjetrin 10 libra, ashtu siç vendosen zakonisht librat në bibliotekë, do të zinin një vend me një gjatësi prej 112.5 metrash, domethënë më shumë se gjatësinë e një piste atletike vrapimi 100m. Nuk besoj se vila e Enver Hoxhës me 2-3 kate të kishte vend për të vendosur kaq shumë libra, edhe sikur të mos kishte, as dhoma gjumi, as dhoma ngrënieje, as sallë të pritjes të popullit, të klasës punëtore, të veteranëve, të ushtarakëve etj, përveç dhomave të librave.
3. Çdo të thotë për një person që të ketë në bibliotekën e tij 45 mijë libra, nisur nga mundësia financiare për t’i blerë ato?
Besoj se në bibliotekën e Enverit, me përjashtime të rralla, kishte libra të huaj. Një libër mesatar jashtë kushton, po themi, rreth 10 dollarë. Dyzetepesë mijë librat e Enverit duhet të kenë kushtuar rreth 450 mijë dollarë. Nexhmia tha se Enveri e kishte rrogën 16000 lekë, që bëjnë, me kursin e atëhershëm të dollarit (që ishte 70 lekë për një dollar) rreth 250 dollarë në muaj, apo 3000 dollarë në vit. Sikur Enveri ta kishte marrë atë pagë qëkurse kishte lindur e deri kur vdiq, pra për 77 vjet resht, do të bënte gjithsej 230 mijë dollarë dhe nuk do t’i dilnin kurrë ato pare për të blerë as gjysmën e librave edhe sikur të mos kishte shpenzuar asnjë kacidhe për gjë tjetër. Sigurisht në bibliotekën e Enverit kishte edhe shumë libra të falur, edhe libra të konfiskuara nga bibliotekat e intelektualëve të paraluftës të eliminuar prej tij, që Nexhmia nuk i përmendi, por ata nuk krijojnë ndonjë ndryshim të madh në fondet që duheshin për të blerë mijëra libra të tjerë.
Se përse dha Nexhmia atë shifër të stërmadhuar për librat e bibliotekës së Enverit, është e qartë: jo se Enveri ishte bibliofil, porse ishte njeriu më i kulturuar që ka njohur ky vend!
Nju Jork, Shkurt, 2016 Ilir Hashorva
Fritz Radovani says
I nderuem z. Ilir, librat Enveri i kishte vetem per te krahasue veten me diktatoret ma te medhej te Botes…
Aty kishte edhe lloj – lloj shpjegimesh per torturat dhe zhdukjet e njerzeve. Shpenzimet nuk llogariten, mbasi edhe perkthimet e librave i bante me te burgosun. Kete ua vertetoj me librin “E VERTETA MBI RAPORTIN E KOMISIONIT WORREN”, nga HAROLD UAZBERG, ku shpjegohet vrasja e Presidentit Xh. Kennedy. Ky u perkthye ne Burgun Burrel ne 1966. Ne rreshtin e pare lexojme: “Vrasesi tipik e shikon veteveten si ndonje hero!”. A nuk ishte edhe Enveri keshtu?!