Ergys Mërtiri/
Kur mora në dorë librin e Ermal Hasimes “E shkuar e pakryer” nisa ta lexoj me idenë se do gjeja thjesht rrëfime mbi ngjarje interesante nga një e kaluar e cila na prek të gjithëve. Por, leximi më zbuloi talentin e fshehur të një shkrimtari të vërtetë i cili di të rrëfejë bukur e madje edhe ta trondisë lexuesin, përveç se edhe të pasurojë mendimin dhe shijen e tij. Ai të fton në reflektime të thella mbi fatin njerëzor, mbi jetën, lirinë, të drejtën, mbi politikën, mbi shoqërinë shqiptare, mbi të kaluarën dhe të ardhmen e këtij vendi dhe këtë e bën në një mënyrë tepër njerëzore me thjeshtësinë e njeriut që urtësinë e ka nën lëkurë.
Romani i tij është një histori e dhimbshme e familjes së tij, e rrëfyer me ndjeshmëri të hollë dhe shumë aftësi përgjithësuese. E ardhur nga Kosova, si shumë të tjera, familja kalon një kalvar persekutimi, dëshpërimisht të ngjashëm me atë të serb. Përveç persekutimit, si shumë të tjerë, asaj i duhet të përballet me mallin për pjesën tjetër të familjes të mbetur jashtë kufinjve, me të cilën personazhi kryesor, Ana, arrin të takohet vetëm pas 40 vitesh, pasi ka humbur krejtësisht kujtesën për shkak të sëmundjes së Alzhermerit.
Metafora këtu është goditëse. Kujtesa e shkatërruar e Anës, është jo vetëm sëmundja (si dhe ilaçi) e saj (harresa shfaqet tragjikisht si e vetmja mundësi për të shpëtuar prej vuatjes), por është në fakt një sëmundje e mbarë shoqërisë shqiptare, e paaftë të njohë dhe vlerësojë të shkuarën e vet, çfarë, për rrjedhojë, e bën të paaftë të ndërtojë të ardhmen.
Përtej të gjithave, romani ofron gjithashtu edhe material antropologjik mbi jetën e përditshme në komunizëm, atë jashtë persekutimi, të cilën e kemi kaluar të gjithë. Aty rijetohen rradhat e qumështit, vajgurit, bukës etj, kanoçet e televizorëve dhe antenat me varakë nëpër kabëll për të kapur kanalet italiane, ripërtypen çamçakizët cigare që mbaheshin me javë nëpër gota uji për tu ripërdorur pas buke dhe pas gjumi, risillet në kujtesë ruajtja dhe shpërndarja e farës së kosit për amvisat, telefonatat tek komshinjtë apo edhe frigoriferët Obodinë që ruanin mishin e gjithë lagjes.
Romani ka një tipologji të veçantë që, më shumë se ngjarje konkrete, rrëfen kohën dhe jetën e një brezi të tërë. Për nga struktura, por edhe mënyra e rrëfimit, ngjan shumë me romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies” e Milan Kunderës. Hasimja ka rrëfyer Shqipërinë e 45 viteve nëpërmjet halleve, vuajtjeve, sakrificave, por edhe gëzimeve e arritjeve të vogla të përditshme të njerëzve të familjes së vet. Ky roman është një kontribut, në letërsinë e varfër shqitpare, por edhe në kujtesën tonë kolektive mbi përfytyrimin e së shkuarës. Ministria e Arsimit duhet ta përfshijë patjetër në listën e literaturës së sugjeruar për shkollat, si një mjet për t’iu ndihmuar të rinjve të bëhen më të kthjellët e të vetëdijshëm mbi të kaluarën dhe rrjedhimisht edhe qytetarë më të mirë për këtë vend.