Romani i ri nga Ermal Hasimja
Pas 44 vitesh ndarje nga familja e saj gjakovare, Ana ritakon të vëllanë. Por ritakimi nuk është një happy-end. Romani “E shkuar e pakryer” nga Ermal Hasimja, përshkruan historinë e vërtetë të një familjeje të ndarë dhe të persekutuar prej komunizmit. Një grua me burrin në burg rraskapitet për të rritur 5 fëmijët e saj në mjerim duke lundruar mes instiktit të mbijetesës dhe përpjekjes për të ruajtur dinjitetin njerëzor. I vetmi “takim” me familjen në 44 vjet zhvillohet në distancë 300 metrash nga të dy anët e kufirit shqiptaro-jugosllav.
Zhvillimi i ngjarjeve ecën paralelisht në dy nivele. Në nivelin e fatit individual harresa në formën e Alzajmerit duket se “shpëton” protagonistin prej vuajtjes duke shkatërruar njëkohësisht edhe mundësinë për shpresë dhe zgjidhje reale. Në nivelin e shoqërisë harresa e diktaturës vetëm hap pyetje për pasojat e saj të mundshme.
Eshtë e pashmangshme të mos flasësh për dukuri politike në librin e një autori politolog ashtu siç është e pashmangshme të mos flasësh për dramat njerëzore kur rrëfen periudhën e errët të diktaturës komuniste.
Autori thotë se nuk i është dashur të lodhet shumë për të ngjizur dramën e librit. Historia e vërtetë e personazheve të përshkruar ofrohet e gatshme dhe nuk ka nevojë për t’u shtuar përmes përfytyrimit letrar. Realiteti është më dramatik sesa mund ta krijojë një autor. Pjesa e vetme ku ndërhyn autori është shtrimi i pyetjeve mbi pasojat e harresës.