Shkruan:Alma LIÇO/
Prej shumë vitesh tashmë nuk mundem t´i ndjek daljet publike të sektit të Rilindjes në TV apo kudo tjetër. Kjo sepse me arrogancën, mashtrimet dhe paturpësinë e tyre të paskrupullt fyejnë dhe poshtërojnë këdo. Por dje më arritën në FB disa komente lidhur me një deklaratë të Erion Veliaj, sipas të cilit qeveria kish dëmshpërblyer gjithë të përndjekurit politikë. Gëlltita neverinë time për këtë individ dhe sot e dëgjova të përsëritur mashtrimin e tij me zë dhe figurë.
Për të kundërshtuar me fakte këtë rrugaç ordiner po sjell në vijim kalvarin e familjes sime në këtë rrugëtim, të njejtë apo të ngjashëm me atë të mijëra shqiptarëve të tjerë.
Gjyshi im është dënuar me pushkatim për arsye politike në vitin 1945. Kuçedra komuniste internoi më pas familjen time me 23 vite dëbim/internim në zonën e Dumresë (vitet 1968 – 1991). Ky dënim do të vijonte brez pas brezi nëse nuk do të kishte rënë regjimi. Sipas ligjit të dëmshpërblimit që u miratua në vitin 2007 u vendos të lëvrohej një shumë që ishte e barabartë me atë të shtatë viteve burg. Taksative kjo përllogaritje për gjithë të dënuarit me vdekje. Asnjë shumë të hollash nuk u parashikua dhe përfshi në ligj për mijëra viktima që pësuan brez pas brezi internimin familjar.
Në një sportel të vetëm që u caktua të shërbejë për këtë qëllim për të gjithë Shqipërinë, kam parë dhe jetuar në gjithë këto vite sa me arrogancë e mospërfillje trajtoheshin të moshuarit e vuajtur që shtrëngonin dosjet e përgjakura në duart që u dridheshin, të cilëve u duhej të riktheheshin me dhjetra herë në atë sportel për “mangësi dokumentacioni. Zvarriteshin për orë të tëra në rradhë në shkallët e jashtme të institucionit pritës, në shi dhe në diell. Në vajtjet e mia të herë pas hershme atje për të njëjtën arsye, kam rastisur kur në një ditë të nxehtë korriku, pas disa orësh në pikë të diellit, një grua e moshuar humbi ndjenjat dhe përfundoi në spital.
Deri deri aktualisht familja ime dhe mijëra të tjera në të njëjtat rrethana kanë marrë dy këste, nga shtatë apo tetë të tilla që ka përcaktuar ligji. Pra ¼ e asaj shume. Ky ligj parashikonte gjithashtu të lëvrohej një këst për çdo vit. Pra sipas këtij ligji ky proces vërtet duhej të qe mbyllur shumë vite më parë. Por nuk pati dhe nuk ka asnjë vullnet politik dhe human për të zbatuar këtë detyrim ligjor. Kjo ndodh rëndom në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar.
Kanë kaluar 14 vite nga miratimi i atij ligji dhe janë lëvruar vetëm dy këste. Një numër i kufizuar familjesh janë trajtuar me tre këste. Ky proces ka avancuar vetëm për një numër të kufizuar ish të burgosurish politikë të regjimit, të cilët janë ende në këtë jetë.
Katër muaj më parë u lidha me telefon me zyrën përkatëse që trajton dëmshpërblimin, pasi për shkak të pandemisë nuk presin më në sportel. U informova se sipas ritmit të shpërndarjes së parave, rradha për këstin e tretë do të marrë edhe një vit e gjysëm tjetër.
Familja e tim eti, pas tridhjetë vitesh nga rënia e komunizmit ka përfituar në total 210 mijë lekë të reja. Ajo lëmoshë mjerane gjaku e vuajtjesh nuk mjaftoi për të përgatitur dokumentat e panumërta që na u kërkuan e kërkohen të rinovohen në mënyrë absurde herë pas here, aktet e trashëgimisë dhe prokurat që duhet të ribëhen sa herë që dikush nga familja ndërron jetë.
Kjo është e vërteta dhe JO ajo që deklaron kryemashtruesi bandit , Erion Veliaj!!